Plazhin në Shëngjin e gjumin në Kosovë | Gazeta Tema
 

Plazhin në Shëngjin e gjumin në Kosovë

Postuar në: Aktualitet,Rajoni,Sociale |

Qeveria shqiptare deklaroi rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve, por sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë për vitin 2009 të ardhurat nga sektori i turizmit kanë qenë 140 milionë euro, ndërsa në vitin 2011 vetëm 60 milionë euro.

 

Pika e kalimit kufitar Morinë-Vermicë vazhdon të mbajë vendin e parë për numrin e hyrje-daljeve në Shqipëri, duke lënë pas pikën e kalimit kufitar të Muriqanit që lidh Shkodrën me Malin e Zi. Sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Shqipëri, nga janari deri më 13 korrik kanë hyrë në total në këtë vend 1 milion e 700 mijë shtetas shqiptarë dhe 1 milion e 300 mijë shtetas të huaj. Ndërkohë, kanë dalë jashtë Shqipërisë 3 milionë persona. Gushti i vitit 2011 shënoi një rekord prej mbi 2 milionë turistësh, ndërkohë që kjo shifër është shënuar që në muajin korrik të këtij viti dhe pritet që në gusht ky numër të rritet ndjeshëm, raporton korrespondenti i “Kohës Ditore”. Vetëm gjatë muajit korrik kanë hyrë në Shqipëri gjithsej 423 mijë pushues. Pika e kalimit kufitar me fluksin më të lartë të hyrje-daljeve në Shqipëri mbetet Morinë-Vermicë, ku kanë hyrë 151.595 shtetas dhe kanë dalë 114 mijë shtetas, duke lënë pas pikën kufitare të Muriqanit me hyrjen e 55 mijë shtetasve dhe daljen e 41 mijë shtetasve. Nga pika kufitare e Rinasit kanë hyrë 39 mijë shtetas e më pas vjen Kapshtica, Kakavija dhe Porti Detar i Durrësit.

Gjatë këtij muaji kanë dalë nga Shqipëria 153 mijë shqiptarë dhe 177 mijë gjithsej, 330 mijë shtetas. Sipas këtyre statistikave, numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka shënuar një rritje rreth 20 përqind krahasuar me vitin e shkuar. Ashtu si një vit më parë, shqiptarët kanë zgjedhur të kalojnë pushimet e tyre në vendlindje, ndërsa për shqiptarët e Kosovës bregdeti shqiptar vazhdon të mbetet si destinacion i pandryshuar për sezonin e verës. Por duke analizuar shifrat e sipërpërmendura dhe duke iu referuar intervistave me persona nga Kosova që kalojnë në Morinë, por edhe me punonjës të Policisë Kufitare, gjatë këtij viti qytetarët nga Kosova, sidomos zona e Prizrenit, Gjakovës, Ferizajt, madje edhe Prishtina, janë orientuar drejt një turizmi ditor, apo turizëm “uikendi”, ku plazhet e Shëngjinit e Tales janë destinacione të reja të pushuesve ditorë apo 2-3 ditorë nga Kosova.

Këtë e tregojnë edhe shifrat e hyrje-daljeve që janë pothuajse të barabarta duke llogaritur këtu edhe daljet në Muriqan. Në bazë të të dhënave të Drejtorisë së Policisë së Shtetit në Shqipëri, numri i personave në hyrje në Shqipëri nga Kosova është rreth 152 mijë persona dhe numri i personave që hyjnë në Kosovë është rreth 114 mijë. Por, në bazë të të dhënave kemi edhe një numër prej 55 mijë qytetarëve që kanë hyrë në Malin e Zi përmes Muriqanit dhe që janë kryesisht qytetarë nga Kosova që frekuentojnë plazhin e Ulqinit dhe kanë kaluar në Morinë për të udhëtuar në autostradë dhe më pas në Shkodër-Muriqan.

Shifra prej 55 mijë personash që kanë hyrë në Malin e Zi përmes Muriqanit balancon numrin e hyrje-daljeve Shqipëri-Kosovë. Ky itinerar udhëtimi për qytetarët nga Kosova që frekuentojnë plazhin e Malit të Zi, kryesisht Ulqinin, ka filluar të frekuentohet që nga viti 2009 me ndërtimin e autostradës, duke braktisur rrugën tradicionale-Kullë-Rozhajë-Ulqin. Gjithsesi, shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e të Luginës së Preshevës kanë zënë 37.5% të numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2011.

Sipas të dhënave që ka Ministria e Turizmit në Shqipëri, vitin e kaluar e kanë vizituar Shqipërinë 4 milionë turistë, ku 1.5 milionë kanë qenë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës, 1.2 milionë emigrantë nga Shqipëria që punojnë e jetojnë në vendet e huaja dhe 1.3 milionë turistë të huaj, kryesisht gjermanë, zviceranë, anglezë, turq, kinezë, maqedonas, serbë etj. Por faktin e zënies së përqindjes më të madhe të shqiptareve nga Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës, ministri i Turizmit, Aldo Bumçi, nuk e lidh me turizmin patriotik, por me vlerësimin e ofertave.

“Shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë apo të Luginës së Preshevës mund të zgjidhnin destinacione të tjera turistike, por në Shqipëri kanë vlerësuar ofertat, plus ambientin”, shprehet ministri Aldo Bumçi.

Por, me gjithë rritjen e numrit të turistëve për vitin 2011, të ardhurat nga ky sektor kanë njohur rënie në Shqipëri. Në bazë të një raporti të Bankës së Shqipërisë për vitin 2009 të ardhurat nga sektori i turizmit kanë qenë 140 milionë euro, ndërsa në vitin 2011 vetëm 60 milionë euro. Ministri i Turizmit, Aldo Bumçi, e pranon këtë fakt duke e lidhur me krizën financiare botërore që ka përfshirë edhe Shqipërinë bashkë me vendet fqinje, përfshirë dhe Kosovën e Maqedoninë.

“Rënia e të ardhurave në sektorin e turizmit ka të bëjë me rënien e rritjes ekonomike në Shqipëri. Në vitet 2006-2009 rritja ekonomike në Shqipëri ka qenë 6-7%, ndërsa në vitin 2011 vetëm 3%. Pranohet se ka rënie të rritjes ekonomike. Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se ka një ulje të shpenzimeve për turistë nga 69 euro në 60 euro dhe kjo është e natyrshme për shkak të krizës botërore që ka prekur edhe vendet fqinje. Turistët nuk shpenzojnë më pak vetëm  në Shqipëri, por edhe në vende të tjera kudo që shkojnë për shkak të krizës ekonomike”, thekson  ministri i Turizmit i Shqipërisë, Aldo Bumçi.

Megjithatë, kreu i dikasterit të turizmit thotë se shuma e të ardhurave është më e madhe sesa ajo që deklaron Banka e Shqipërisë për shkak të evazionit fiskal që ekziston në Shqipëri.

“Shumë turistë akomodohen në shtëpi me qira, dhoma apo hotele të vogla që qëndrojnë hapur vetëm për 2-3 muaj dhe janë jashtë kontrollit tatimor, pasi nuk janë të regjistruar, por e rëndësishme është që të ardhurat të shkojnë në xhepat e qytetarëve”, deklaron Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve në Shqipëri./KD


8 Pergjigje per Plazhin në Shëngjin e gjumin në Kosovë

  1. illyricum  --  16 Korrik, 2012 në 10:59 am

    60 Euro per turist?!!!
    2011 u mbyll me 60 milion plus dhe thote: “Gushti i vitit 2011 shënoi një rekord prej mbi 2 milionë turistësh”.
    I bie vetem me Gushtin 30 Euro/turist.
    A dine te bejne llogari keta apo jo? Pervec mashtrime me numra, kush nga ju ka bere pushime me 60 Euro, ja evazinioni po e bejme 1 me 5, po me 300 Euro kush ka bere pushime ne Shqiperi?!!!
    hahahaha mashtruesa ordinere, keta duket qe jane kalimtare shumica…

    Përgjigjjuni

  2. tak fak  --  16 Korrik, 2012 në 11:09 am

    Domethene, 4 milione turiste, kane shpenzuar nga 15 euro secili…per shkak te krizes ne tru te Bumcit

    Përgjigjjuni

  3. Mentari  --  16 Korrik, 2012 në 2:42 pm

    Por akoma ju social-komunistet kerkoni te prodhoni genjeshtra per turizmin se gjoja nuk eshte keshtu e nuk eshte ashtu numri gjigant i rritjes se turizmit ne kohen e berishes? Akoma ju pa pike turpi kerkoni te mohoni edhe numrin kaq te madh te ketij turizmi duke gjetur bishta se gjoja eshte ditor,eshte fundjavor etj? Ore dallkauke eshte fakt se ne kohen e tuaj (ne 2005) numri i turisteve qe hynin e dilnin nga shqiperia ishte ndermjet 250000 -300000 dhe 99% te tyre ishin vetem shqiptar kurse sot ai numur eshte mbi 3000000 qe do te thot mbi 10 here me shum dhe gjysma e tyre jane te huaj.akoma ju pionjeret e Enverit beni propagande kunder turizmit? Jeni mendje te pjerdhur dhe me kete mendje te pjerdhur te tuajen Berisha qendron ne pushtet gjith jeten.Ore propagandiste te edvinit more po e diskretitoni veten tuaj shum keq duke servisur genjeshtra tek shqiptaret

    Përgjigjjuni

    • pa te  --  16 Korrik, 2012 në 5:02 pm

      o ti mentari i mencur jo social-komunist… me numrin e hyrje daljeve nuk e ka njeri qe ta marresh me vesh ti, por sikur nuk na del hesapi me sa milione para jane bere nga keto hyrje dalje, si thua ti? te del ky hesap ty? mbase me mendte e tua po!

      Përgjigjjuni

  4. Mentori  --  16 Korrik, 2012 në 4:22 pm

    60 euro i hargjoj ne birra cdo dite sa here te jam ne Shqiperi, po lere o minister mos ja fut kot se asnje familje nuk ja del pa 400 euro minimumi per 10 ditesh.

    Përgjigjjuni

  5. durrsaku  --  16 Korrik, 2012 në 5:03 pm

    qe te kesh te ardhura nga tueizmi duhen 1 paketa integrale turistie ,2 cmime konkurruese ,3 infrastuktur hoteliere dhe sherbim i kualifikuar ,4 ifrastruktur rrugore dhe hekurudhore ,5 mikepritje kultur , 6 pasterti te detit reres dhe ambjentit kudo , 7 ushqime tradicionale shqiptare ,8 spektakle muzik dhe argetim ne zonat dhe qytet turistike , 9 mirbajtje e trashgimis kulturore ,siguri dhe rend , keto te gershetuara me traditen shqiptare do te zhvillojne turizmin veror dhe ate malor …..

    Përgjigjjuni

  6. lili  --  16 Korrik, 2012 në 6:16 pm

    shqiprija asht etegjith shqiptarve hyn kurduan dalin kurduan ska zot qe indal nese diken e pengon letjambath per greqi ok

    Përgjigjjuni

  7. Polici doganor  --  16 Korrik, 2012 në 6:59 pm

    Kur flisni per hyrjet Kosove – Shqiperi,shikoni dhe daljet ne portin e Durresit,shumica jane tranzit.

    Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>