INTERVISTA/ Jakup Krasniqi kundër pushtetit me vota të vjedhura nga partia e tij | Gazeta Tema
 

INTERVISTA/ Jakup Krasniqi kundër pushtetit me vota të vjedhura nga partia e tij

Postuar në: Rajoni |

Kreu i Kuvendit të Kosovës denoncon në “Shqip” nga Rudina Xhunga

Ka pasur shumë ngjarje në Kosovë kohët e fundit, njëra prej të cilave ka qenë vetëvrasja e ish drejtorit të privatizimeve, Dino Hasanaj. 11 goditje me thikë të cilat së fundmi janë cilësuar nga hetuesit si plagë karakteristike vetëvrasje.

Ai ishte realisht pas Pavarësisë, kryetar i Bordit të Agjencisë së Privatizimit të Kosovës. Nuk mundet që të gjitha privatizimet t’ia veshim as vetëm kësaj periudhe, as vetëm asaj që ka qenë para 17 shkurtit 2008. Atë që e kam marrë edhe unë si shembull ka qenë mënyra sesi në fund është marrë një vendimi për Hotelin Grand në Prishtinë. Edhe para vetëvrasjes se Dino Hasanaj në shtypin tonë kanë dalë disa çështje, ka pas reagime se për të ndryshuar ose për të lënë vendimet që ishin vendosur përpara, janë kërkuar mjete financiare, pra është kërkuar të paguhet. Dhe problemi nuk është vetëm këtu. Të gjithë ata njerëz që përfliteshin ishin pjesëtare të Kabinetit qeveritar, pra bëhej fjalë për zv.Kryeministrin, për një zv.Ministër dhe njerëz të tjerë që ishin realisht pjesë të kabinetit qeveritar edhe pse ndoshta i imponuar nga rrethanat politike, votat etj.

Personi kryesor në këtë histori që ju akuzoni drejtpërdrejtë është zv.Kryeministri i parë, z. Bexhet Pacolli.

Po, është z. Pacolli, dhe kishte disa biznesmenë të tjerë. Më pas, vetëvrasja nxori në shesh se kush ka kërkuar të holla dhe ky proces është në vazhdim, pra vazhdon procesi i privatizimit.  Çështja është nëse problemi i privatizimit ka qenë vetëm me problemin e Grandit, pasi në Kosovë janë privatizuar edhe objekte të tjera. Para vitit 2008 ose në fund të legjislaturës së dytë në Kosovë që ka qenë një qeverisje e udhëhequr nga Aleanca me Lidhjen Demokratike, është privatizuar edhe Ferronikeli dhe trajtimin e debatit në Kuvend e kam drejtuar unë. Gjithashtu ka qenë një nga objektet e një rëndësie më të veçantë për industrinë në Kosovë pas Trepçes dhe këtu ka pasur shumë parregullsi. Kontrata që është bërë për të nuk dihet as sot e kësaj dite, pra është jo transparente. Nuk dihet se çfarë asetesh janë privatizuar dhe çfarë nuk është privatizuar dhe askush nuk merret me këtë çështje. Këtu janë dy fakte që unë i kam marrë në fjalën time në Kuvend dhe kam kërkuar që t’i bëhet një analizë procesit të privatizimit.

Në emër të cilit dyshim, që po privatizohen dhe po blihen gjëra nga njerëz të lidhur me pushtetin në Kosovë dhe ndërkohë Kosova nuk përfiton asgjë prej shitjes së saj?

Më kujtohet që kur është bërë zhurmë, ende pa u privatizuar Ferronikeli, njëri nga pronarët që mendohej se do ta blinte kishte thënë diku që reagime më të mëdha kam pasur edhe diku tjetër por kam arritur që me 5 milion t’i shuaj zërat kundërshtues.

Nuk e kishte fjalën për Shqipërinë, besoj?!

Jo, për Shqipërinë. Per për një vend tjetër. Ne atëherë si parti politike, ishim në opozitë dhe kemi kundërshtuar deri në moment të fundit. Por pasi kemi ardhur në pushtet nuk e kemi trajtuar edhe pse kishim bërë zhurmë kur ishim në opozitë. Normale do ishte të formonim një trupe që të kontrollonte se çfarë është privatizuar, nëse po bëhen investime mbi bazat e kontratës që ka qenë arritur dhe çfarë është privatizuar, mos personi që e ka privatizuar po shet dhe ka përvetësuar asete që nuk kanë qenë të përfshira në kontratë? Pra, kontrata e Ferronikelit ka qenë dhe është e panjohur për opinionin dhe politikën. Përvevc kësaj 36 muaj ka zgjatur mosnënshkrimi i kësaj kontrate përderisa pronarit nuk i është mundësuar që diku tek 70% ta blejë më lirë energjinë dhe Kosova jo vetëm që nuk ka fituar me privatizimin e saj por Kosova ka humbur edhe në shitjen e energjisë elektrike të këtij gjigandi me cvmim nën tregun. Kështu që humbjet janë vërtetë shumë të mëdha dhe natyrisht këtu ka shumë dyshime. Tani janë disa objekte që janë në procedurën e privatizimit, sicv është Distribuimi i Energjisë, është KEK-u, është Post Telekomunikacioni i Kosovës, pastaj vijnë minierat e pasura të Kosovës. Këto të fundit nuk janë realisht në përgjegjësi totale të Agjencisë së Privatizimit. Ndërmarrjet publike nuk janë përgjegjësi e Agjencisë por të qeverisë. Këtu realisht ne e dimë që jemi në një kohë krize dhe e dimë që ndoshta mund të mos ketë shumë të interesuar për të blerë këtë pasuri të Kosovës por kjo nuk do të thotë që ta shesim me çfarëdo lloj çmimi. Sikur të prodhonin me humbje ndoshta do të ishte një arsye për ta shitur por realisht nuk është kështu. Nga ana tjetër, forma, mënyra sesi po kërkohet ky privatizim nuk është në favor të Kosovës dhe me të drejtë një deputet e shtroi pyetjen: Këta po shesin apo po blejnë? Pse dalin në favor të blerësit dhe nuk po e ruajnë pozicionin e shitësit për ta shitur më shtrenjtë? Është interesante pasi shitësi po angazhohet më shumë në favor të blerësit sesa pozitën që ka. Këtu ka disa dyshime. Ka edhe metoda të tjera që do të duhej të përdoreshin në këtë rast.  E dyta, nuk kemi një projekt konkret. Ne po e shesim Postën apo një objekt tjetër, por të hollat që do të fitojmë nga ky privatizim, ku do të shkojnë, për çfarë do t’i orientojmë? Kështu që realisht kemi kërkuar të bëhet një analizë e çfarë është privatizuar, çfarë është fituar, ku kanë qenë të metat dhe mangësitë, nëse është çështja e infrastrukturës ligjore ta ndryshojmë atë infrastrukturë, të marrim pak frymë dhe ta privatizojmë pjesën tjetër por që ai privatizim të jetë në shërbim të popullit.

Ndërkohë, pak a shumë, përgjigja që ju vjen nga partia juaj, e cila është kryesorja pasi ajo qeveris, ajo drejton, kryeministri i Kosovës është i kësaj partie, është se ju dhe persona si ju që kundërshtojnë privatizimin po e bëjnë këtë me metoda komuniste, me metodat e Hugo Chavez.

Këto realisht janë goditje të ulëta. Unë jam i bindur që në Kosovë me etiketa ideologjike po tentohet të ngulfatet demokracia, debate, fjala e lirë dhe shprehja e lirë. Dhe kjo ngulfatje çon tek ajo që njeriu edhe pse i lirë ta ketë mendjen të robëruar. Kosovës dhe askujt nuk i duhet që të ketë njerëz me mendje të robëruar se ndryshe edhe kombi do të jetë i robëruar. Kështu që kjo është tendenca për të ngulfatur mendjen e lirë, debatin e lirë dhe realisht për të krijuar se gjasme në Kosovën e vogël që ka 2 milionë banorë tani, dikush po bëka përpjekje për të vendosur një sistem tjetër. Qëllimi është për t’i etiketuar njerëzit, pastaj për të krijuar errësirë dhe një shprehje e vjetër thotë që ujku do mjegull. Unë nuk dyshoj dhe as nuk jam ai që duhet ta dijë, por kjo politikë kur përdoret kështu më shtyn të dyshoj se njerëzit kanë interesa të veçanta dhe ato interesa duan t’i bëjnë duke eliminuar çdo mendim tjetër dhe sigurisht që kjo nuk është e shëndoshë për demokracinë.

Ju do ta pengoni deri sa të mundeni vazhdimin e privatizimeve në këtë mënyrë në Kosovë?

Mendoj se po të shikohet realisht me urtësi, me mendje të kthjellet, pa interesa personale por me interesa nacionale, edhe pse raporti i votave në këtë proces ishte 45 për ta pezulluar dhe jo për ta ndërprerë privatizimin, dhe për të vazhduar kundër këtij mocioni, ishin 53 vota, ishin 9 abstenime. Mirëpo realisht në Kuvendin e Kosovës, unë e di që vota e deputetëve është e barabartë, por është një e vërtetë e madhe që në parlamentin e Kosovës kemi 20 vende të rezervuara dhe po të shikohet në këtë raport vota e qytetarëve është me 45 deputetët dhe jo 53. Dhe mendoj se politika në Kosovë duhet të mendojë më seriozisht dhe të mos marrë hapa që ndoshta në të ardhmen dikush duhet me mjete revolucionare të vendosë pengesa. Unë nuk e dëshiroj këtë, unë dëshiroj një zhvillim normal të shoqërisë demokratike në Kosovë.

Ju z. Krasniqi jeni shprehur gjithashtu se ka deputetë të partisë suaj, ardhur me vota të vjedhura në Kuvend, një akuzë tepër e rëndë.

Edhe para zgjedhjeve kam paralajmëruar, kam kërkuar që të mos preket vota e qytetarëve. Edhe pas zgjedhjeve kanë thënë paraprakisht, vëzhguesit ndërkombëtarë si nga Evropa ashtu edhe nga Amerika, që zgjedhjet kanë qenë të parregullta dhe kanë kërkuar që sistemi i drejtësisë ta bëjë një korrigjim. Ne tani kemi rreth 250 vetë që janë ndëshkuar dhe bëjnë dënimin për shkak të keqpërdorimit që kanë bërë në votime. Janë rreth 700 a më tepër, që presin të zhvillohen gjyqe dhe te marrin dënimet e tyre. Dhe këta janë komisionerë jo vetëm të Partisë Demokratike. Kam pasur disa takime në Bruksel dhe vërejtjet më të mëdha kanë qenë për procesin zgjedhor jo të rregullt, për shkak se zgjedhjet nuk kanë qenë të lira, nuk kanë qenë të drejta dhe nuk kanë qenë të rregullta.

Kush e ka përgjegjësinë për faktin që zgjedhjet nuk ishin të lira, nuk ishin të drejta?

Përgjegjësia ka qenë kryesisht e partive politike.

E partisë suaj politike…

Edhe e partisë sime, por edhe e partive të tjera. Unë nuk them që të gjithë deputetët janë me vota të vjedhura por ka deputetë që realisht kanë qenë manipulues të zgjedhjeve. Ata, ndoshta, po të ishin përfaqësues të mirë të qytetarëve dhe ta përcillnin mesazhin se komisionerët po dënohen dhe se ata komisionerë kanë punuar mbi bazën e urdhrit, urdhëruesit duhet ta merrnin përgjegjësinë me vete. Por kjo nuk ndodh kërrkund dhe mesa duket nuk do të ndodhë as tek ne.

Por ndërkohë ju merrni përgjegjësinë të drejtoni një Kuvend me vota të vjedhura?

Unë po pretendoj dhe po them që ndoshta jo të gjithë deputetët që kanë qenë me vota të vjedhura ma kanë dhënë votën mua, pasi unë kam marrë mbi 90 vota nga deputetët. Sigurisht që nuk e kam ndjerë veten mirë e megjithatë unë e mora përgjegjësinë që ta udhëheq Kuvendin e Kosovës dhe jam përpjekur ta udhëheq mbi bazën e procedurave për të cilat jemi marrë vesh sepse ne e kemi një rregullore të punës së Kuvendit dhe jam përpjekur ta zbatoj atë por nuk ndjehem krejt komod. Por unë jam aty me votat e mia dhe jo me vota shumë të shmangura. Po të mos e pranoja unë do ta pranonte dikush tjetër, ndoshta nga ata me vota të vjedhura prandaj përfundimi është më mirë të jem unë sesa dikush nga ata. Unë nuk e kam thënë lehtë atë fjalë dhe as nuk e kam thënë atë fjalë të pamenduar. Nuk jam unë i vetmi që e kam kontestuar votën e disa deputetëve por në fund të fundit ata deputetë kanë prodhuar institucione dhe realisht ato institucione kanë legjitimitet të lënduar. Unë sigurisht kam pasur një luftë të brendshme se kjo është një e keqe dhe pyesja veten a të hesht, a të vazhdoj të hesht deri në fund, apo të flas?

Pse e kam thënë në këtë moment? Me 10 shtator ka përfunduar mbikëqyrja e Pavarësisë së Kosovës dhe konsideroj që është një fitore e mirë. Tani Kosova, nga grupi drejtues ndërkombëtar, është tamam e pavarur dhe ne së shpejti do të hymë në procese zgjedhore dhe në këto procese zgjedhore të mos hymë me defekte që na kanë përcjellë deri tani, të lirohemi nga këto defekte dhe vërtetë të bëjmë zgjedhje të lira, të drejta dhe që të tjerët të na i pranojnë zgjedhjet. Ky është obligimi im pasi ABC-ja e demokracisë janë zgjedhjet e lira, pa zgjedhje të lira vërtetë që nuk do të ketë institucione as të lira dhe as demokratike.

Unë besoj që qytetarët tanë, njerëzit tanë duhet të lirohen nga frika për të mos thënë të vërtetën. Unë kam qenë punëtor i arsimit, edhe pse për pak kohë, nga nxënësit kurrë nuk kam kërkuar t’i binden asaj që them unë. Kam kërkuar që ata të bëhen të zotë dhe të dinë të reagojnë ndaj çdo padrejtësie. Domethënë, kjo nuk është diçka që më udhëheq vetëm tani, dhe për inate personale të këtij apo atij jam duke folur, unë gjithmonë kam qenë kështu. Pra, është diçka që është rritur bashkë me mua dhe e kam parë momentin e duhur se duhet të them dicka.

Duke parë edhe zhvillimet që janë kanë ndodhur kohëve të fundit, sidomos në botën arabe dhe kemi parë se ato udhëheqës të gjithëpushtetshëm të atyre vendeve nuk kanë pasur kush e di sa fuqi. Fuqinë atyre ua kanë dhënë njerëzit që i kanë rrethuar dhe kur njerëzit janë liruar nga frika që ata kishin mbjellë me vite, ne e kemi parë përfundimin e tyre. Kjo do të thotë se ne duhet të mësojmë. Politika jo vetëm tek ne por kudo ndodhet mëson që frika mund të krijojë një pushtet por ai pushtet është tepër i paqëndrueshëm në momentin që qytetarët e marrin guximin për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Dhe unë nuk dëshiroj që vendi dhe populli im me forma të tilla ta shprehë guximin e tij. Unë dëshiroj që populli dhe vendi im ta shprehë guximin e vetë në formë demokratike dhe thjesht qytetarët e kanë obligim që me votën e tyre ta bëjnë ndryshimin. Mendoj se me të gjitha zhvillimet kudo në botë kanë treguar se ndërrimi i pushtetit me votën e qytetarëve është më i qëndrueshëm dhe më i shëndoshë për vetë popullin. Unë vetë do përpiqem me mish e me shpirt ta demokratizoj Partinë Demokratike.

Nje Pergjigje per INTERVISTA/ Jakup Krasniqi kundër pushtetit me vota të vjedhura nga partia e tij

  1. elinor  --  16 Tetor, 2012 në 1:37 pm

    11 here duhet me ia ngul thiken vetes nje person qe t’i mbushet mendja qe e ka vra veten…me ne fund!!
    Jo po kur s’thone qe e qelloi veten tri here ne koke!!
    Bravo Krasniqit! Po i jep nje leksion te mire morali derrave te PD-se!

    Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>