Antonio Konte, trajneri aktual i Juventusit, është një prej kandidatëve kryesorë për të marrë drejtimin e ekipit londinez të Çelsit për sezonin e ardhshëm. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane.
Në këtë listë bëjnë pjesë edhe Hoze Murinjo, që është edhe kandidati kryesor për të marrë drejtimin e ekipit londinez, por edhe Xhianfranko Zola dhe Laudrup.
Mediat bëjnë me dije gjithashtu se për Antonio Konten ka një simpati të madhe edhe nga ana e drejtuesve të Real Madrid, por për momentin, largimi i tij nga Juventusi do të ishte e pamundur.
Kjo, duke qenë se Konte konsiderohet si simboli i ringritjes së Juventusit dhe do të jetë shumë e vështirë që drejtuesit bardhezinj ta lënë atë të largohet. Për më tepër që edhe Konte vështirë se do të pranonte të largohej nga Juventusi, duke qenë se ka qenë ëndrra e tij të drejtojë ekipin për të cilin ka luajtur për vite me radhe dhe ku ka qenë edhe kapiten.