Bastioni drejt shembjes, goditet me “silur” | Gazeta Tema
 

Bastioni drejt shembjes, goditet me “silur”

Postuar në: Opinion |

Redan Bushati fotoNga Redan Bushati

Më 31 mars, përpara se LSI-ja të kapërcente në zanafillë, pra në gjirin e së majtës, përmes artikullit “LSI, një parti solomoniane”, trajtova etapat që nga krijimi i saj, periudhën e bashkëqeverisjes me PD-në dhe mundësinë e kapërcimit in loco, gjë që dhe ndodhi. Në këto radhë nuk dua të bëj serafinin e kulluar për t’ju treguar skenën politike shqiptare, përmbajtjen e partive në tërësi dhe luftën e ashpër e të pahijshme që bëhet në këtë katrahurë politikë, por dua të analizoj situatën e këtij subjekti politik (PD) në qarkun e Shkodrës. Dhe jo më kot. Sepse Shkodra ka qenë dhe me siguri maksimale do të vijojë të jetë (edhe sa kohë s’di ta them) bastion i Partisë Demokratike. Mirëpo në zgjedhjet e 2009-ës, e sidomos në ato lokalet e 2011-ës u vu re një rritje e votës për të majtën, veçanërisht për Partinë Socialiste. Po ç’ka ngjarë nga 2009-a tek 2011-a e deri më sot?

Në 2009-ën u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe PD-ja arriti të marrë 7 deputetë (më vonë, në shtator të 2010-ës, Paulin Sterkaj u rreshtua me opozitën, duke e lënë PD-në me 6 dhe çuar numrin e mandateve të PS-së nga 4 në 5). Pra, nga Shkodra e djathta nuk arriti të merrte 8 deputetë, ashtu siç pretendonte mes strukturave të saj, anipse publikisht thonin se do fitonin 11 me 0 apo 10 me 1. Nga 2009-a kalojmë tek 2011-a, në zgjedhjet lokale, ku mjaft komuna të djathta u fituan nga PS-ja, duke dëshmuar rritje të konsiderueshme votash brenda qarkut. U fitua sidomos komuna më e madhe, ajo e Rrethinave (K.Muja), por triumfues socialistët dolën edhe në Velipojë (P.Ujka), Bërdicë (B.Brahimi), Gur të Zi (M.Lazri), Anë e Malit (Xh.Molla), Gruemirë (L.Nehani) etj.

Vijmë te zgjedhjet aktuale, teksa e majta paraqitet e plotë, e djathta ecën çalthi. Përpos forcave të zakonshme si PSD apo PDS, opozitës së sotme iu bashkua edhe LSI, një faktor kryesor i fitores së zgjedhjeve, qoftë nga PD-ja, ashtu dhe nga PS-ja. Por lideri i opozitës nuk u mjaftua me kaq. Koalicionit të tij i shtoi edhe shumë forca të tjera, duke e çuar në 37 parti, pra 12 subjekte më shumë se PD-ja. Po të shtosh gjithashtu 8 vitet e qeverisjes, ku natyrshëm krijon njëfarë zvetënimi e venitjeje; problemet e mprehta ekonomike përballë një krize globale gjithnjë e në rritje, por jo vetëm kaq, PD-ja e ka të pamundur të fitojë zgjedhjet në rang kombëtar. Në këto kushte, e majta pritet të qeverisë vendin pas 23 qershorit. Por si është situata në Shkodër, aty ku PD-ja ka gjithherë epiqendrën e saj, marshin e fitores?

Bashkimi i PS-së me LSI-në jo vetëm që e ka shtrënguar votën e majtë dhe opozitare në përgjithësi, por ka krijuar një efikasitet që duket qartazi. PS-ja gjithnjë ka pasur probleme brenda radhëve të saj në Shkodër, ku shpeshherë individë që vinin me mendësi “nga zbret lopa me gjithë dhí, me frena dore nëpër malore” kanë mbytur frymën intelektuale të Namik Koplikut, Zef Çunit, Mimoza Hafizit e mjaft të tjerëve, që me fisnikërinë e tyre, qytetarinë dhe largpamësinë e të parit të gjërave, aq sa i kanë shërbyer së majtës, po aq, në mos më tepër, i kanë shërbyer shoqërisë sonë në tanësinë e saj. Sado përpiqej lidershipi në qendër për t’i mbledhur, dukej se PS-ja nuk po zinte mend në Shkodër. Puna ishte bërë ashure. Mirëpo këtë periudhë, sidomos pas afrimit të LSI-së, duket sikur klima është përmirësuar ndjeshëm. Ndjesia e fitores, ideja se në pushtet po vjen partia e tyre, shumë syresh i ka bërë të lënë mëritë dhe pakënaqësitë e ndryshme, me bindjen e përfitimit të gjëkafshe, duke vendosur të mblidhen tok në “çetë”. Dhe kjo në natyrën primitive dhe militanteske nuk është keq. Nga ana tjetër, forca e dytë më e madhe brenda së majtës, LSI, duket se Shkodrën e ka përgatitur prej katër vjetësh a në mos më tepër si objekt të shtrirjes së saj. Ajo ka ditur të asfaltoj rrugën e triumfit në Shkodër, sigurisht brenda mundësive reale që posedon. Në krye të herës ka investuar përmes krijimit të një strukture politike dhe rinore, e cila ka ndërtuar një bazë militantësh. Ka afruar biznesmenë të fuqishëm, të cilët prej vitesh ndodhen pranë saj. Ka ngritur në nivelin e duhur Tv1 Channel, duke neutralizuar fuqinë e mediave të tjera lokale dhe duke e bërë median e parë televizive në Shkodër. Rritja e saj, sidomos infrastrukturore ka nisur në mënyrë graduale, duke qenë sot e pakonkurrueshme me Tv Rozafën e Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane, si dhe Tv Antena Nord-in e Partisë Socialiste. Dhe sulmi i fundit mbi “Rozafë” qëlloi të ishte fatal, aq sa dita-ditës krijohet bindja se “kalaja ka rënë”. Batareja mbi “Rozafë” goditi mu në pikën më të ndjeshme të saj: ekipin e futbollit Vllaznia. Me këtë fitore, ndofta të dhuruar edhe nga celula të Partisë Demokratike në Shkodër, LSI ka përvetuar sharmin e ngadhënjimtares. Edhe sikur të mos arrijë të fitojë një mandat në këtë qark, votat që do t’i kalojë PS-së janë aq të shumta, sa 4 deputetë opozita nuk i diskuton më. Kësisoj, pa dashur të bëj fallxhorin, përkundrazi, duke i qëndruar besnik një analize të pavarur dhe të ndërtuar kohë pas kohe si arsyetim logjik, e majta në qarkun e Shkodrës më 23 qershor mund të marrë pesë mandate, duke e lënë PD-në me gjashtë. Dhe këtë goditje më së shumti ia ka dhënë LSI-ja. Si për koincidencë dhe ironi të fatit, ajo LSI që drejtohet nga Ilir Meta, i cili sulmoi brutalisht kryetaren e Kuvendit, nëse kujtoheni, në pragun e ndryshimeve kushtetuese. Dhe nëse në Shkodër e majta arrin të gllabërojë 5 deputetë, kjo do të thotë se bastioni po lëkundet, e Shqipëria pas 23 qershorit do të ketë një mazhorancë të majtë solide, ndërsa PD-ja duhet të nxjerrë mësimet e duhura nga kjo disfatë.

Vota mercenare, sado e ëmbël për karrigen e pushtetit, nuk të ndih dot të kalosh lumin. Jeta partiake do përpjekje, do investim, do intelekt dhe burra e gra të ndershëm. Shtëpia (kupto: qeveria dhe shteti) nuk mbahen me miell hua gjatë gjithë kohës. Borxhliu duhet të shlyejë borxhin e marrë. Fatkeqësisht për mazhorancën aktuale, kjo është aksioma e jetës.

Në mbyllje, për të forcuar akoma më tepër argumentet e lartpërmendura, kujtoj që spektri i djathtë është i ndarë, dhe si i tillë votat që do të marrë FRD në Shkodër janë thuajse totalisht të djathta. Kandidati i saj Fatlum Nurja do të pijë ujë në “kazanin blu”, që edhe duke mos e shterur, mjaft për të shtuar etjen në radhët e PD-së, e cila përpos luftës me të majtën e bashkuar, tanimë i duhet të luftojë edhe me një parti të djathtë, e krijuar si rezultat i mungesës së demokracisë, në atë që po e quajmë, e djathta e vjetër apo tradicionale. Si rrjedhojë, me disa vota të “vjela” nga FRD dhe me një të majtë të mbledhur së toku, PD-ja dhe aleatët e saj kanë një luftë tejet të fortë në qarkun e Shkodrës. Dhe në fund fare, s’duhet harruar se kandidati i pestë i PS-së është një biznesmen i fuqishëm, Sait Fishta, që ka njohje të konsiderueshme me pjesën qytetare, veçan pjesën myslimane, teksa ka investuar edhe për ngritjen e xhamisë në qendër të qytetit, asaj të Parrucës, më 23 mars 2007. Përveç kësaj, përflitet se ai ka një “marrëveshje” me kryesuesin e listës së LSI, biznesmenin Çela, për të mbrojtur me fanatizëm tjetërsimin që mund t’i bëhet votës së majtë; gjë që ka ndodhur rëndom jo vetëm në kryeqendrën e Veriut, por në mbarë Shqipërinë. Kështu, PD-ja kësaj here me gjasë do të marrë një goditje letargjike, ku pavarësisht se po punohet për ndonjë mandat shtesë në Tiranë, Durrës, Fier apo Elbasan, ajo mund të humbasë ndonjë tjetër në qarqet-bastion të saj.

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

11 Pergjigje per Bastioni drejt shembjes, goditet me “silur”

  1. Tv  --  18 Maj, 2013 në 9:49 pm

    o plako
    Antena Nord nuk eshte televizion socialist por televizion opozitar ndaj cdo pushteti
    kujto kohen kur ne pushtet ishte PS antena nord ishte opozitare
    sa per TV1 channel eshte forcuar si Tv para se ti bashkohej LSI-se
    teknologjikisht per momentin me lart qendron Tv Rozafa
    kjo eshte pasqyra e Tv-ve ne Shkoder
    pastaj ane po mbajne klani e Topi jo me TV lokale
    ciao

    Përgjigjjuni

  2. Redan Bushati  --  18 Maj, 2013 në 10:42 pm

    Sigurisht, çdo mendim ndryshe e vlerësoj dhe mundohem ta marrë në “sitën” time, sipas këndvështrimit, kuptohet personal. Mirëpo, e konsideroj tepër naive dhe të pamundur faktin se një kandidat i një subjekti të caktuar politik, i cili ka në pronësi një media, kjo e fundit të mos anojë nga pronari i saj?! P.sh. meqë ndofta nuk keni dëshirë të marrë si objekt sqarimi ato që kam cituar në analizën time, Koço Kokëdhima. Ai është kandidat i një formacioni të caktuar politik. Ju mendoni se media të cilën ai drejton do të propagandojë për forcën e tij kundërshtare?! Apo mund të mbajë paanësinë (gjë që në fakt kështu duhej të ndodhte me median në tërësi)?! Gjithsesi, ju në fund e mbyllni me një argument, me të cilin hidhni poshtë arsyetimin hipotetik për një paanësi mediatike. Pra, nëse Top Channel mban njëanshmëri, ç’kanë më tepër mediat lokale për të mbajtur anën e njërit apo tjetrit?
    Megjithatë, ju u ndalët në “dhembjen e kokës”, kur në analizë gjerësisht diskutohet për “kancerin”. Këto në formë simbolike. Ju përshëndes.

    Përgjigjjuni

  3. beso  --  18 Maj, 2013 në 11:58 pm

    Redan,nje batute ironike italiane thote:”correre in aiuto del vincitore-vrapo te ndihmosh ate qe po fiton”.Keshtu,sipas meje nuk ka te majte,te djathte Shkodra e as ka pasur,si kudo.Keta jane vrapues qe ndihmojne fituesin,por keshtu eshte kudo.Ndesa media te pavarura nuk jane CNN dhe New York Times,merre me mend ndonje kanal eksperimental andej nga Shkodra.Mos ma merr per keq vezhgimin,por pa vota mercenare nuk do ia arrijme asnjehere te qeverisim;ato jane thelbi i Lojes.

    Përgjigjjuni

  4. Redan Bushati  --  19 Maj, 2013 në 3:26 am

    Beso, të mirëkuptoj, por media nuk është thelbi i analizës time, nëse ke mundur ta lexosh atë. Ajo (media) është bishti i përdredhur i qenit, që sado ta drejtosh e shtrembër se e shtrembër mbetet.
    Unë jam i parimit që s’duhet te zgjedhim as të keqen më të vogël, as më të madhe, por vetëm më të mirën. Por, nëse nuk mundemi kurrsesi ta bëjmë këtë hap, atëherë të mjaftohemi të zgjedhim atë që na dëmton më pak. S’kemi rrugë tjetër, për aq kohë sa shumica e popullit e ka të qartësuar votën e vet.
    Unë kam një talon matës, ku në shoqëritë që ka më shumë elektorat gri, aty ka më tepër zhvillim, kësisoj më tepër frymë demokratike. Elektorati gri tek ne mungon. Kur them mungon kam parasysh se nuk është aspak në nivelet e duhura, as sasior e as cilësor. Shikojini edhe aristrokratët e mediave, këta që sillen e përdridhen më së shumti tek studiot e Fevziut apo të ngjashme me to, që flasin e komentojnë si të ishin zëdhënësit e dy partive të mëdha. Pra, mungon një pavarësi gjykimi dhe një qasje intelektuale, ku fati i Shqipërisë është shumë herë më i vogël se interesi pragmatist vetjak. Kështu së paku e shikoj.

    Përgjigjjuni

    • beso  --  19 Maj, 2013 në 3:56 pm

      Redan,kur u be switch off ne Itali dhe u shua sinjali analogjik,mua me dolen ne TV rreth 150 kanale digjitale pa pagese.Po te paguash platformat Sky dhe Mediaset Premium te dalin ndonja 400-500 kanale.Rezultati?Ka tepri kanalesh,si te thuash,shko ti ne nje vitrine restoranti dhe te sjellin 100 lloje sallatrash;je i pavendosur ç’te marresh dhe humb shume kohe,sa gati mbetesh pa ngrene.Mua me duhet nje çarçaf i gjate te shpjegoj”bollekun e panevojshem”,qe ndryshe nga”Paradoksi i bollekut”,ne vend ti beje njerezit me te rafinuar,i budallalleps dhe rrumpallizon per se prapi.Mediat sot behen kollaj,madje nuk duhet ndonje staf kushedi.Por kjo i ngjan pantallonave qe ndryshe atyre qe sistemohen me ndonje anderr,keto jane andrra qe duan te behen pantallona.Njesoj edhe partite,biles partite e kane superuar limitin.Nje vend me 3 milione banore qe ka rreth 100 parti eshte simbol i nje anarkie mendore ekzemplare.

      Përgjigjjuni

  5. edi  --  19 Maj, 2013 në 3:03 pm

    Kush eshte ky more se ne fotografi duket si vojo kushi !!!! ha ha ha ha

    Përgjigjjuni

  6. Redan Bushati  --  19 Maj, 2013 në 4:42 pm

    Sigurisht, unë gjykoj se duhet një sistem i rregullt monitorues dhe licensues për mediat, në mënyrë që të mos qarkullojnë pa asnjë limit cilësor një mori burimesh informuese të pasakta dhe dëmtuese. Megjithatë, nga ana tjetër, është pozitive kur ke shumë mjete informuese. Pastaj, publiku zgjedh vetë ku dëshiron të hedh vështrimin e tij, duke bërë zgjedhjen e caktuar, e cila në fund të fundit përputhet me nevojat personale dhe kapacitet poseduese të gjithsecilit. Ndaj, nuk shikoj edhe ndonjë të keqe të madhe. Prapëseprapë theksoj se problemi, miza nën kësulë, është diku tjetër: tek politika. Kjo e ka katandisur gjendjen në këtë farë fejet. E ke marrosur njeriun; e ka zvjerdhur; e ka trashur nga mendja dhe e ka bërë lolo në shërbim të tijve. Dhe këtë gjullurdi e ka bërë në masën më të madhe të popullsisë.

    Përgjigjjuni

  7. Redan Bushati  --  19 Maj, 2013 në 4:43 pm

    Sigurisht Beso, unë gjykoj se duhet një sistem i rregullt monitorues dhe licensues për mediat, në mënyrë që të mos qarkullojnë pa asnjë limit cilësor një mori burimesh informuese të pasakta dhe dëmtuese. Megjithatë, nga ana tjetër, është pozitive kur ke shumë mjete informuese. Pastaj, publiku zgjedh vetë ku dëshiron të hedh vështrimin e tij, duke bërë zgjedhjen e caktuar, e cila në fund të fundit përputhet me nevojat personale dhe kapacitet poseduese të gjithsecilit. Ndaj, nuk shikoj edhe ndonjë të keqe të madhe. Prapëseprapë theksoj se problemi, miza nën kësulë, është diku tjetër: tek politika. Kjo e ka katandisur gjendjen në këtë farë fejet. E ka marrosur njeriun; e ka zvjerdhur; e ka trashur nga mendja dhe e ka bërë lolo në shërbim të tij. Dhe këtë gjullurdi e ka bërë në masën më të madhe të popullsisë.

    Përgjigjjuni

  8. Parruciani  --  19 Maj, 2013 në 6:35 pm

    Nuk mendoi se eshte keshtu dhe atori duket me porosi ose ndikim ka kerkuar te beje nje diversitet ne qytetin e Shkodres , ne listen e ps ish komunisztave ka seleksionu 3 kandidate te shkolluar por te njuhur ne qytet si familje ish komunistash dhe nuk ka permende bisha si doshi, sterkaj , fishta , ky eshte amoralietet gazetareske,rezultai 7me 4 ne Shkoder per pD nuk eshte rezultat i mire se Shkodra duhet dhe fryma eshte per 8me 3 ose 9 me 2 , po keto jane mangesiste e PD ne zgedhjen e kandidatve , ndersa per komunat qe kane fitu ish komunista nuk jane fitore e tyre po humbje te pd . E pa vertet per lsi ne shkoder trajtohet si fusile e ps e ish komunistave , ndesa per ordinerin , injorantin ,katundarin nga katundet e pukes , njerze te lidhur me pislleqe qe eshte ne kry te listes se lsi ne Shkoder shihet si nji maskara prodhime te kohes , per te gjithe gjanat tjera pergjigjen do ta japin Shkodranet me 23 Qeshore , nuk duhet ne asnji menyre te shitet dinjiteti , per inate ose me keq per interesa te ndryshme dhe te thuhen te pa verteta , dhe kur mbane dhe nji mbiemer te nderuar ne qytet,

    Përgjigjjuni

  9. Blerimi  --  19 Maj, 2013 në 8:54 pm

    Ky artikull shkruesi eshte si puna e Lek Plepit, kalon sa ne nje parti ne tjetren dhe nuk dihet se me ke eshte tani, dhe as ku jeton aktualisht. Pa shkolle te larte, madje me probleme shume te renda sjellje ne shkolle te mesme, tashme eshte bere edhe analist politik !!!

    Ky personazh injorant deri dje ishte militant i zjarrte i PD, madje i keqperdorur ne fushata elektorale, tashme ka marre detyren e veshtire te analistit politik !!!! Kerkoni ne googel emrin e ketij Lek Plepi me kollare dhe do te shihni gallata te papara, nga ngjarje me djegie flamujsh,vjellje votash ne komisionet e zgjedhjeve, deri ne kryetar unioni te pavarur studentor, pa qene student fare!!!!!!

    Nuk kuptoj redaksite e disa gazetave qe pranojne personazhe te tilla anonime, pa formim dhe pa personalitet!!!!

    Përgjigjjuni

    • Saimir  --  20 Maj, 2013 në 3:34 am

      Ska asnje te keqe se cka ka ba ne shkollen e mesme, ka rendesi se cfare thote e ben, dhe sa bindes eshte. Sigurisht qe ato cka thote mund te dalin ashtu su parashikon shkruesi, por per momentin ka nje problem. Analiza duhet mbeshtetur ne fakte dhe jo ne hamendje, te cilat ne Shkoder shpesh dalin realitet. LSI ka mbledh dhe siguru shume vota grash fale Nora Males, shume vota te tjera jane “ble” me premtime per vende pune, dhanje pensionesh, ose edhe do te paguhen me pare ne dore.

      Persa i perket e djathte apo e majte, njerzia ne pergjithesi, me perjashtime, s’jane as te djathte e as te majte, te pakten ne menyre te ndergjegjshme. Shkodra gjithmone ka pase nje lloj vaniteti te trasheguem qe kur ka pas kene qender vilajetit dhe njerezia ne menyre te pakuptueshme kane prite me u trajtu si qender, duke “rebelu” ndaj pushtetit qendror qe u zhvendos ne Tirane.

      Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>