Drejtorët e Saliut dhe SS e Dakaut

21 Maj 2013, 17:54Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Në institucionet e administratës publike japin kontributin e tyre me mijëra punonjës në pozicione të ndryshme të profilit që mbulojnë, por me qëllimin e vetëm: të shërbejnë me përkushtim, profesionalizëm e ndershmëri në ato detyra për të cilat paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Këto anë pozitive që duhet të karakterizojnë administratën tonë fillojnë të zbehen kur ato zëvendësohen me militantizmin e sëmurë që mbart në vetvete parazitizëm, injorancë dhe mendësinë për përfitime sa më të shpejta. Kjo kategori, për vetë inferioritetin që ndjen ndaj pjesës së shëndoshë, përpiqet ta godasë e nënshtrojë atë me çdo mjet e mënyrë, sidomos të karakterit psikologjik.

Pjesa më e sulmuar janë veçanërisht ata punonjës të cilët pavarësisht se kanë vite që japin kontributin e tyre personal pa pasur asnjë shkelje në detyrat që kryejnë, goditen vetëm për shkak se janë të njohur për bindje politike që përfaqësojnë opozitën, ndonëse këto bindje nuk i kanë shfaqur gjatë orarit zyrtar të punës.

Kësaj kategorie dëgjon shpesh t’u thuhet: “ha bukën e Sali Berishës dhe voton majtas”. Kjo është një frymë që ngjizet sipër, në zyrat e qeverisë, e pastaj vjen poshtë në bazë për t’u zbatuar. Pra, trajtimi i shtetit si një bajrak ku pjesëtarët janë në dorë të kryefamiljarit, në rastin tonë kryeministrit dhe “mëkëmbësve” të tij të vegjël.

Çfarë buke të Sali Berishës po hanë këta shërbëtorë të heshtur të shtetit?! A thua se ai është pronari i një strehe vorfnore ku fakirët hanë nga një pjatë supë për të mbajtur frymën gjallë e për këtë duhet t’ia dinë për nder! Çdo njeri e lidh fatin nga krahët e veta dhe inteligjenca që zotëron. Kushdo ka të drejtë të konkurrojë, të fitojë e ta mbajë me meritë vendin në administratën shtetërore. Të punojë aty me nder e përkushtim, për të përmbushur misionin e tij si shërbyes i popullit, pavarësisht se kush vjen në drejtimin politik të vendit. Dhe, për këtë investim intelektual e fizik, ai paguhet.

Pra, çfarë buke i ha në këtë rast ai Sali Berishës? Një bukë që e ka fituar me djersën e vet, askush nuk ia ka borxh kryeministrit. Është pikërisht ky i fundit që u ka borxh, pasi nga puna e tyre korr sukseset e tij. Për këtë arsye, kjo shprehje e përdorur rëndom nga militantë të sëmurë, shpreh në vetvete boshllëkun shpirtëror që ata kanë dhe mungesën e respektit për vlerat që mbart tjetri. T’i kujtosh kujdo që jep kontribut për të mbajtur në këmbë këtë shtet se, duhet t’i jesh mirënjohës në pafundësi kryeministrit që të mban në punë (kupto: me bukë) e për këtë duhet të heqësh dorë nga bindjet e tua politike dhe votën t’ia japësh partisë së tij, është dhunim flagrant i të drejtës kushtetuese të besimit politik, thyerje e bazave të demokracisë. Gjithashtu, mbart rrezikun e futjes së një kulture primitive në funksionimin e administratës, e cila, në rast se nuk pranon të konvertohet si pjesë mbështetëse e asaj partie që vjen në pushtet, do humbasë të ardhurat që siguron me punë të ndershme.

 

Parafushata elektorale e këtij viti zgjedhor nxori më në pah frymën revanshiste që po mbjell Sali Berisha në linjë vertikale nga lart- poshtë. Porositë që vijnë nga seksionet e partisë- shtet për drejtorët dhe shefat në institucione të ndryshme të të gjitha niveleve, për të nxjerrë nëpër mitingje me lista punonjësit e administratës, kërkesa për të plotësuar formularë ku secili syresh të angazhohet që për të ruajtur vendin e punës të garantojë së paku 10 vota, janë metoda staliniste të përdorura rëndom gjatë regjimit komunist. Sytë e verbuar dhe mendja e çoroditur nuk i lejon të ndërgjegjësohen se po aplikojnë në kushtet e demokracisë të njëjtat metoda shtrënguese që përdorte dikur Sigurimi i Shtetit për të rekrutuar e vënë në shërbim njerëz që kishin njollë në biografi. Por, nëse atëherë njolla ishte një i afërm kulak apo i arratisur, sot është se je socialist, ti ose një i afërmi yt.

Nëse do të më duhej ta përmblidhja me një fjali atë çka ndodh në realitet me atë që kryeministri përpiqet ta mohojë nëpër mitingje, është: Punonjësit e administratës janë të lirë të marrin pjesë me dhunë në mitingjet e Berishës dhe votën me vullnet të lirë t’ia japin të imponuar PD-së.

E pra, e gjithë kjo trysni që me kalimin e kohës forcohet, kthehet në një ndjenjë urrejtje reciproke. Pas kësaj, ai, i nëpërkëmburi, mendon vetëm kaq: ashtu siç ma ke bërë, ashtu kam për të ta bërë. E drejtë apo jo, janë vetë rrethanat që ia imponojnë një mendim të tillë. Një mendim që sa më shumë kultivohet, aq më i vështirë bëhet për t’u çrrënjosur. Një kulturë që kthehet në rrezik kombëtar, pasi janë vetë ata, të dhunuarit, që në çdo rrotacion të pushtetit të radhës, i kërkojnë me këmbëngulje instancave politike që të ndëshkojnë me po të njëjtat metoda ish eprorët e tyre. Një lloj stafete kjo që i duhet dhënë fund njëherë e mirë më 23 qershor.

Së fundi, po sjell një pjesë nga ditari i të burgosurit Ali Kuçi në kampin nazist të Dakaut, momentin kur forcat aleate u sollën të internuarve lirinë, të botuar te Gazeta Shqiptare. Është një pjesë që të bën të reflektosh. Ky nuk mendoj se është argumenti më i mirë, por po e sjellë si një shembull që abuzuesit qeveritarë duhet të heqin sa më shpejt dorë nga metodat e aplikuara deri më tani. Kurse, të trysnuarve e dhunuarve psikologjikisht me vendin e punës, si një inkurajim për ta flakur tej frikën më 23 qershor kur të hedhin votën për opozitën në kutinë e votimit. Sepse, me shumë gjasë, të nesërmen do t’i gjejnë drejtorët e tyre po aq kokulur siç edhe trupat SS të kampit të Dakaut.

Shkruan Ali Kuçi: “Por tani, më në fund rolet kanë ndryshuar. Ata, SS-të janë të burgosurit. Shokët tanë, të armatosur me automatikë, i ruajnë. SS-të mendjemëdhenj qëndrojnë para tyre me duart lart. Menjëherë jehon zëri i të burgosurve: “Hiqni kapelat! Hiqni kapelat!” SS-të, të bindur, heqin kapelat dhe i hedhin përtokë. Për vite me radhë, SS-të e përdornin këtë thënie, këtë urdhër, për të na përulur, për të na hequr çdo dinjitet e vlerë njerëzore. Sa herë që ne u flisnim atyre, duhej të hiqnim kapelat tona dhe shikimin duhej ta mbanim përdhe. Asnjëherë nuk na lejohej t´i shikonim në sy zotërinjtë SS. Erdhi koha që ata vetë të zbatojnë rregullat që krijuan kundër nesh, rregullat e tyre të poshtërimit. Erdhi momenti që ne, ish-të burgosurit që i shpëtuam masakrës, t’u diktojmë këtyre bishave vetë rregullat e tyre. Tani këta kriminelë janë të detyruar të nderojnë, të përshëndesin, madje të gjunjëzohen, para ish-viktimave të tyre, qofshin këta të gjallë apo të vdekur. Që sot, ne i japim urdhrat dhe ata janë të detyruar të na binden. Erdhi dita e drejtësisë, dita e gjyqit. Dhe gjykimi nuk do të vonojë. SS-të, me siguri do ta marrin dënimin e merituar për krimet e tmerrshme që ata kanë kryer.”

4 komente në “Drejtorët e Saliut dhe SS e Dakaut”

  1. tomori i beratit says:

    Keshtu si ne Dakau do perfundoj saliu pd dhe gjith ZAGARET qe e shoqerojn.Bravo ALTIN DJALI.

  2. lalzi says:

    Te lumte Altin te lumte

  3. Populli says:

    Kriminelat SS gjyqi i popullit i pret

  4. Fatime says:

    O Altin kuqaloshi

    Po kush do ti veje perpara ligjit:

    Ish oficeret e sigurimit apo kalamajte e tyre ( se tashme u rriten)?

    Krahasimi eshte i pavend.

    Kelyshet e dikatatures ishin shume here me te poshter se oficeret SS.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje