Besnik Gjongecaj dëshmon për “morgun e politikës”

21 Maj 2013, 18:01Kulturë TEMA

 Një libër mbi politikën dhe qeverisjen nga një prej personazheve të rëndësishem të tranzicionit, prof. Besnik Gjongecaj

Libri ka në fokus politikën shqiptare të pesë viteve të fundit. Në fakt, libri merret veçanërisht me PD si parti qeverisëse, me atë se sa e përgatitur është kjo parti për të përballuar një qeverisje demokratike të vendit; merret me vetë qeverisjen e saj; si dhe me problemet më thelbësore që lindin në sipërfaqen e takimit të qeverisjes së këtij vendi dhe plotësimit të standardeve në procesin e afrimit me BE. E gjithë analiza, e shtrirë në një kohë të konsiderueshme prej 5 vitesh, vjen e kondensohet në disa konkluzione shumë të rëndësishme.

Politika shqiptare, veçanërisht ajo qeverisëse, vendos si mision të sajin punësimin, por ndërkohë nuk flet fare për diskriminimin e rëndë politik që ndodh në procesin e kërkimit punë të një qytetari çfarëdo; politika qeverisëse thotë se ka ndërtuar rrugë dhe ka bërë investime të jashtzakonshme, ndërkohë që harron se ka patur dhe ka popuj që nuk janë bërë të lumtur kur qeveritë e tyre kanë investuar në rrugë dhe jo në ndërtimin e demokracisë: politika qeverisëse thotë se ka bërë çmos për të afruar vendin me BE, ndërkohë që në themel të saj janë shkeljet e parimeve më esenciale mbi të cilat është ndërtuar BE, etj…Pra, në thelb, e gjithë politika qeverisëse e këtij vendi noton në absurd, në absurdin që kërkon t’i arrijë objektivat e saj pjesore duke gjymtuar të tërën. Këtë pjesë thelbësore të analizës sime politike të shtrirë në kohë kam dashur ta shpreh edhe me mjete letrare, pra jo vetëm me ato të publicistikës. Kjo është arsyeja pse paralel me publicistikën e pasqyruar në këtë libër është shkruar edhe një fiction, personazhet dhe ngjarjet e të cilit janë plotësisht produkt i fantazisë. Pra, në thelbin e tij, është vendosur ekzaktësisht ky absurd që zbulohet në politikën e lëtij vendi, në qeverisjen e tij. Sigurisht me mjete të tjera, pra me mjetet që t’i jep vetë letërsia.

Në pjesën fiction të këtij libri, prandaj, ka analistë të pavarur që janë të lidhur me njëqind fije me të shkuarën, e cila i urdhëron se si t’i bëjnë analizat e tyre; ka themelues universitetesh privatë që ndërtojnë universitet me cen, gati për të infektuar krejt sistemin universitar, vetëm sepse i urrejnë universitetet që nuk i pranuan kurrë, dikur, në gjirin e tyre; ka profesorë të shkencave politike që mendojnë se partitë më të suksesshme janë ato që nuk bëjnë zgjedhje etj etj.

Pra, në thelb, ashtu si në opinionet politike të shkruara gjatë viteve në gazetat kryesore të vendit, absurdi shtrihet dhe pushton edhe novelën që shkon paralel me to. Thjesht, janë përdorur të dyja: mjetet e publicistikës dhe të letërsisë për të shkuar te lexuesi dhe për t’i dhënë atij impresionin më realist të gjëndjes në të cilën ndodhet politika qeverisëse e këtij vendi.

Në parathënien e librit autori shkruan:Ky libër është më shumë se një ngjarje; është një kthesë e rëndësishme në botëkuptimin tim. Të qënit profesor për një kohë të gjatë në një nga universitetet e Tiranës më ka dhënë mundësinë të jem edhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i rrënimit të tyre. Si çdo rrënim tjetër, edhe ky i universiteteve, mori me vete ç’gjeti; shkuli nga rrënjët gjithçka të mirë që kishte mbetur nga sistemi universitar: dinjitetin, profesionalizmin, moralin, etikën, dhe mbi të gjitha, integritetin e të dyve, profesorit dhe studentit të tij. Boshllëku i krijuar nga kjo shkulje, ku s’mbeti gjë pa u përfshirë, u plotësua me procese degjeneruese, për të cilat edhe më parashikuesit nuk do t’i kishte shkuar mendja që do të instaloheshin një ditë aq brutalisht.

Të jesh dëshmitar nuk do të thotë se detyra është kryer. Për vite të tërë, me shumë kolegë të tjerë, bëmë ç’është e mundur të gjenim rrënjët e të keqes dhe të provonim t’i shkulnim ato. Ishte një betejë që nuk dha kurrë rezultat, sepse e zhvilluam në territorin e gabuar, në frontin e gabuar. E zhvilluam në universitete pa liri universitare, gjë që e bëri betejën tonë të pakuptimtë. Për shkak të pushtimit nga politika, beteja për ndryshimin e universiteteve nuk mund të bëhej brenda tyre, por jasht, në territorin e politikës. Universitetet e këtij vendi ndryshojnë nëse ndryshohet politika.

Ata janë përfshirë aq shumë nga e keqja, saqë shkulja e saj, madje, nuk mund të bëhet më me mjete universitare, me debat universitar, nga vetë universitarët. Në këtë betejë duhet të përfshihen të gjithë qytetarët e këtij vendi, sepse beteja për ndryshimin e universiteteve nuk është më një betejë e vetë universiteteve, por e politikës. Ja pse në fokusin e këtij libri është vendosur politika, veçanërisht ajo qeverisëse, djalli që rri brenda saj.

Libri është shkruar në një formë dualiste, mbi dy shina, të cilat e ndihmojnë përmbajtjen e tij të lëvizë për në thellësi të ndërgjegjes së lexuesit. Në njërën shinë është vendosur publicistika ime e botuar në gazetat kryesore të vendit. Në shinën tjetër është vendosur një fiction, ngjarjet dhe personazhet absurdë të të cilit janë produkt i fantazisë, por, si në çdo shinë tjetër, nuk munden veçse të shkojnë paralelel me shqetësimin që mbart publicistika e vendosur në shinën e parë. E gjitha kjo është bërë për të përdorur jo vetëm mjetet e gazetarisë, por edhe mjetet e letërsisë në pasqyrimin e krizës politike të vendit. Për të kapur një zonë sa më të gjerë të interesit të lexuesit, në fund të fundit. Një eksperiment të cilin kam guxuar ta bëj”.

2 komente në “Besnik Gjongecaj dëshmon për “morgun e politikës””

  1. Albi says:

    O Besnik,

    Me mire te na kishe treguar se kur e si u lidhe me PD dhe kur e pse u zgjidhe me te?

    Gjithashtu perse u terhoqe nga politika?

  2. viktor says:

    Duke lexuar “Camorra” te Roberto Saviano, apo “Confessions of an Economic Hit Man”, te John Perkins Z. Gjongecaj mendoj se gjeti menyren per te shprehur rrenimin e institucioneve te arsimit te larte.Ishte prof Gjongecaj, rektori universiteti dhe me vone Minister i Aresimit dhe Shkences, pastaj keshilltar i ketij Kryeministri qe kontribuoi direkt ne kete rrenim te Universiteteve dhe Shkences. Natyrisht duke qene pjese e ketyre struktura njeh mekanizmat e perdorura (nuk mund te them politika ) dhe rezultatet i analizon sot duke dhene edhe opinione te ndreqjes se situates ?????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje