Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka thënë se duhet ta mbajnë fatin në duart e tyre deri në shtator, për ta parë nëse janë pretendentë të vërtetë apo jo.
Cana, i cili është simboli i kombëtares së Shqipërisë, do të mungojë në ndeshjen e ardhshme të kuqezinjve me Norvegjinë me 7 qershor në Tiranë.
“Kemi pesë ndeshje dhe të gjitha janë vendimtare për ne. Kemi tri ndeshje si mysafirë”, tha Cana në fillim të bisedës për Sport1, transmeton Telegraf.
Ai veç ndeshjes me Norvegjinë, të rëndësishme sheh edhe dy sfidat e shtatorit. Pas ndeshjes me Norvegjinë, kuqezinjtë në shtator kanë dy ndeshje si mysafirë, kundër Sllovenisë më 6 dhe Islandës më 10 shtator.
“Duhet ta mbajmë fatin në duart tona deri në shtator. Pastaj të shohim nëse jemi vërtetë pretendent apo jo. Gjithashtu gjërat varen edhe nga paraqitjet e pretendentëve të tjerë”, tha ai.
Ndër elementët e ri, Cana vlerëson mesfushorin e Torinos, Migjen Basha.
“Kemi përparuar me lojën dhe është duke u krijuar një bazë e lojtarëve. Basha është në nivel superior, ka sjellë një qetësi në mesfushë. Por, pas fitores me Norvegjinë duhet të punojmë akoma më shumë, duhet vazhduar dhe shikuar rrjedhën e ekipit ndeshje pas ndeshje”, shprehet Cana./b.l