Nga Altin Ketro
Çfarë është në vetvete një qeveri? Çfarë përfaqëson ajo? Si mund të vlerësohet, e mirë apo e keqe? Po ja, le ta thjeshtojmë pak argumentin dhe të fokusohemi tek diçka më e vogël, por jo më pak e rëndësishme. Si shembull po marr një qeveri në miniaturë, një familje me 4 anëtarë.
Shembulli negativ- Babai, si kryefamiljar që është, qëllon tip pijaneci. Paratë që fiton nga puna e përditshme i harxhon duke kthyer gotat e alkoolit dhe duke luajtur skedina. Kur s’ka më lekë, shkon e merr borxh tek fqinji. Është karakter i vështirë, harbut e i dhunshëm dhe nuk i kushton sa duhet vëmendje familjes. Kthehet vonë në shtëpi dhe as pyet se ç’bëhet me bashkëshorten, djalin e vajzën. Bashkëshortja qëllon një grua e pafuqishme për t’i bërë ballë këtij kryefamiljari të pagdhendur. E, në këtë ambient ku borxhlinjtë u mbijnë në derë për t’i kërkuar lekët dhe kryefamiljari s’e ka më ndjenjën e përgjegjësisë për familjen, padyshim që do të mungojë kërkesa e llogaridhënies. Fëmijët do marrin rrugët, secili për hesap të vet, pa pyetur për autoritetin e humbur të të atit, që s’di se ku e ka kokën. Çfarë mund të presësh nga një familje e tillë e ndërtuar nga ky kryefamiljar? Hiç, asgjë! Vetëm degjenerim dhe shthurje kolektive.
Shembulli pozitiv- Nga ana tjetër kemi një familje të shëndoshë përsa i përket funksionimit të saj. Një kryefamiljar korrekt që pas pune shtrohet me familjen në tavolinë. Interesohet për të shoqen, për mbarëvajtjen në shkollë të fëmijëve dhe ndjek detyrat e tyre. I fton pasditeve të dalin shëtitje, të ulen bashkërisht në një lokal, kurse fundjavën ta kalojnë jashtë qytetit. I angazhon fëmijët të duan sportin dhe librin. E dërgon familjen në shfaqje artistike si dhe ruan rregullisht kontaktet me miqtë dhe të afërmit, duke mbjell në familje ndjenjën e dashurisë dhe respektit për vete e të tjerët.
Janë pra, e njëjta medalje (identifikimi si familje), por dy anë të ndryshme të saj. Aty ku ka harmoni dhe dashuri, nuk ka konflikte dhe jeta ecën normalisht duke përcjelle tek trashëgimtarët po ato virtyte që fëmijët mbartin nga babai dhe nëna e tyre. Aty ku këto anë pozitive mungojnë, mbizotërojnë cilësitë më të këqija, veset, që ia humbasin kuptimin fjalës së bukur, familje, duke e transformuar atë në një konglomerat individësh që qeverisin secili për hesap të vetë.
E solla këtë panoramë për të kuptuar që në të njëjtën mënyrë funksionon edhe një familje më e madhe, ajo që na qeveris të gjithëve ne. Pa asnjë diskutim, kryeministri është një kryefamiljar për popullin e tij. Ai dhe qeveria që ai ngre, kanë qenë, janë e do të jenë gjithmonë pasqyra e gjallë e një populli.
Kryeministri që kanë sot shqiptarët, për nga mënyra se si qeveris dhe e trajton popullin e tij, më ngjason si dy pika uji me atë kryefamiljarin e çrregull që i ka dalë familja nga komanda. Sepse, kur qytetarët shohin se kryefamiljari i tyre është arrogant, gënjeshtar, vret bijtë e vet (Gërdeci, 21 janari), shet mobiliet e shtëpisë (pasuritë kombëtare) për të shlyer borxhet, bën ç’të dojë në shkelje të ligjit dhe nuk ndëshkohet, atëherë një pjesë e popullit del nga binarët dhe bën edhe ajo ashtu siç bën i pari i vendit. Thyhen edhe ajo rregullat, vjedh ku të mundet, ndot ambientin, zihet e vritet me sho- shoqin për një fjalë goje …, me një fjalë, del duarsh njësoj si ai që i qeveris.
Nëse kryeqeveritari do ishte një njëri dinjitoz, që do e qeveriste popullin e tij me ligj e drejtësi, me rregull e respekt, që do ishte i pari që do pranonte të ndëshkohej a largohej po të shkelte qoftë edhe rregullin më elementar të funksionimit të shtetit, atëherë edhe vetë qytetarët e kësaj familjeje të madhe, do mendoheshin dhjetë herë përpara se të bënin një shkelje të ligjit.
Po a e ka një zgjidhje kjo situatë? Sigurisht që po! Ashtu siç do vepronte një bashkëshorte e mençur, që për të shpëtuar nderin e saj e të fëmijëve nga një bashkëshort i papërgjegjshëm, shkon në gjykatë dhe kërkon divorcin dhe kujdestarinë për t’i rritur fëmijët me ndjenjën e përgjegjësisë, ashtu edhe shqiptarët kanë mundësinë e madhe që më 23 qershor të tregojnë mençurinë e tyre e të bëjnë divorcin e madh me këtë kryefamiljar që ngahera ka qenë i padenjë për të na përfaqësuar e qeverisur. Sekush prej nesh e ka sot këtë mundësi të artë që të paktën, brezat pas nesh, mos të na tregojnë me gisht që (në demokraci) qemë të pazotë për të gjetur forcë e kurajo për t’u divorcuar (ndarë) nga një e keqe që na turpëron e s’po na lë të ngremë dot kokë. Kjo mundësi quhet VOTË. Një votë e madhe e plebishitare për Opozitën, që ta Rilindim këtë vend ashtu si çdokush rilind pas një ferri që ka kaluar në një familje ku ati e bashkëshorti e ka humbur përfundimisht kuptimin e të quajturit kryefamiljar. Edhe 30 ditë…