Busti i Sabri Godos si shkas

23 Maj 2013, 13:19Blog TEMA

Nga Arben Bllaci

Gjithnjë bëhet shkak diçka për t’u rizgjuar brenda teje ajo që ke dashur ta vësh në gjumë me çdo kusht, sepse gjumi, në çdo rast, është më komod se një e qenë zgjuar problematike. Mua më mjaftoi të kaloja dje nëpër “Pedonale” dhe të shikoja bustin pranë Parlamentit…

Ka qenë diku rreth vitit 1993 ose ’94, kur kam intervistuar z.Sabri Godo, tani i ndjerë e në bust, atëherë kryetar i Partisë Republikane. Nuk po i ecte për t’u zgjedhur deputet, ndaj ne, si gazetarë sefte, rropateshim si i ziu i jetës pas të tilla rasteve, për të gjetur arsyet, që mendja na thosh se duhet të ishin doemos madhështore. Torollakë hesapi. Nejse. Për t’i dhënë pyetjet paraprakisht, në zyrë i shkova me Lutfi Dervishin, që atëherë bënte gazetën “Republika”. Në të dalë, Luti, si “djall me brirë” që është, i thotë me shaka:

-Kujdes me intervistën z. Sabri, se mik e kam, po ky është për t’u rrahur!

Secili sipas zakonit të vet; unë qesha me të madhe, Lutfiu uli sytë, siç bën sa herë këput nga ato të tijat, z. Godo lëvizi vetëm cepat e buzëve…

Ky episod m’u kujtua që kur dëgjova, muaj më parë në lajme, se bashkia e Tiranës kishte vendosur të ngrinte një bust të z. Godo ngjitur me Parlamentin dhe “Pedonale”-n. Të tallur që bëjnë me miletin qerratenjtë, hajde dërckla elektorale, hajde, qesha tek dëgjoja lajmin. Po në fakt busti u bë, bile në Itali (ndaj ka edhe një tis roman); bile me urgjencën që rrallë është bërë ndonjë bust; bile u vu në një ndër vendet më të zgjedhur të kryeqytetit.

-Nëse i bënë bust sepse ka bërë libra të mirë, për dy njerëz me buste, Skënderbeun dhe Ali Pashë Tepelenën, dakord! Në mos qoftë kjo arsyeja, atëherë përse, për ç’meritë, nga ato për të cilat njerëzit përjetësohen në gur e në metal? – dhashë e mora me veten.

Sepse ishte partizan? Ishte. Po nuk u vra në luftë. Edhe po të qe vrarë, kushedi nga do t’i ishte degdisur e katandisur edhe atij, si heronjve të Vigut, monumenti dhe të gjithë e gjithandej, varret e dëshmorëve!

Sepse ishte kundërshtar i shpallur i regjimit feudo- komunist? Le që nuk qe, po edhe të ishte, e kini parë në çfarë zgëqi banal, e ka një gjojabust, Osman Kazazi, poema epike e burgjeve politikë në Shqipëri? Pale ajo shpifësira e vënë në Institutin e  Integrimit të të Përndjekurve!

Sepse ishte një Valesë shqiptar në vitet ’91? Ç’ne!? Eshtë emblematike thirrja e tij për të votuar Ramiz Alinë, duke qenë vetë një kryetar partie opozitare atëherë.

Sepse ishte shkrimtar nobelist, qoftë edhe kandidat? Apo ishte një Kadare a një Fan S. Noli? Askush nuk është aq i palexuar sa të pohojë këtë.

Sepse bëri kushtetutën e Shqipërisë? Nuk qe i vetëm, nuk qe as Xhorxh Medison, as një nga pesëdhjetë e pesë burrat që bënë Kushtetutën Amerikane. Thjesht kontribuoi të bëhej një dokument që u quajt paçavure, u përndoq e u mallkua si ajo, për vite me radhë, gjersa mbërriti dita të bëhet be e duva mbi kapakun e saj blu.

Sepse dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Republikane, çka se ajo kurrë nuk u ngrit mbi pesën e përqindëshit të votuar nga shqiptarët? Kjo po do ishte një arsye e denjë për t’u monumentalizuar si akt unik në politikën albaneze!

Mund të ngrihen sa të duash, po nuk pi ujë asnjë sepse, për këto e të tjera pse-ra! Pse-në e vetme, që z. Godo do na shohë mot e jetë nga busti, e dhanë vetë protagonistët: Godoja paskej thënë në ambient familjar se bashkia, në duart e z. Lulzim Basha, qenkej më në fund në duart e duhura; e bija ish-ministre Shëndetësie në saje të babait, që konsideratën e tij konfidenciale e tha edhe publikisht në rastin e përurimit të bustit; dhe vetë z. Basha, që pohoi me plot gojën se z. Godo ishte miku i tij shumë i çmuar.

Prandaj e merituaka një… bust (?!)

Me një rregull treshi të shpejtë, i bie që edhe miku tjetër i z. Basha, edhe imi gjer vonë, z. Ristani, që e shpalli kryetar bashkie, ta ketë bustin, diku në krah të z. Godo. Mbase që me gjallje, se mandati i z. Basha e kaloi gjysmën dhe unë Ristanit i uroj të rrojë sa një pishë në Pukë!…

Kemi dëgjuar e miratuar në heshtje, “se njerëz jemi, edhe ndere do bëjmë”, kur një kryetar bashkie lejon të ndodhin çudira, edhe penale, që ç’t’i përmend. Po që t’i ngrejë bust mirënjohjeje mikut të tij, për meritën e vetme se ia paska konsideruar duart të përshtatshme për çelësin e një bashkie, kjo është një pikë e zezë!

Po shkruaj, ama rresht pas rreshti ndihem në mëdyshje. E ndjej fort mirë natyrën delikate të problemit për të cilin po shkruaj. Desha t’i largohesha në fakt, po m’u bë gjemb në tru, dhimbje si për një dashuri të humbur, që në çastin që dëgjova lajmin. Besomëni, ju lutem! Jam sinqerisht shumë i keqardhur që pikërisht z. Godo, një burrë i urtë e zotni ç’është e drejta, pa dashjen dhe pa hirin e tij, u bë shkas. Sepse është vërtet një shkas flagrant, për ta këputur litarin e kambanës, duke i rënë, gjersa të kuptojmë sesa lumë e përrua, po shkojnë gjërat në këtë të shkretë vend. Sesi i ngrihet monument kuturisjes për të kryer papërgjegjshmëri të kësaj shkalle, pa pikën e turpit, m’u në mes të kryeqytetit dhe m’u në mes të ditës.

Ore, le të jetë busti i Sabri Godos! Askujt nuk i dhimbset një grusht metali a një copë guri a mermeri. Shqipëria ka sa të duash gurë e minerale që lidhen në bronz. Aq, sa secili nga ne, mund të bëjë nga një bust për qejf të vet. Pëllëmbë e monumente u bëftë ky vend, se me momoriale të vdekurish rrugëve është mbushur tej e ndanë! I meritojmë kokë e monument sepse secili në llojin e vet e si askush tjetër mbi dhe, ne të gjithë jemi heronj unikalë, për nga rropatja qorre që bëjmë, duke i punuar qindin atdheut tonë. Po busti në fjalë është tjetër gjë. Eshtë më shumë një monument i ngritur si simbolikë, si një provë e gurtë, për të dëshmuar sesa gjithanëshmërisht, gjer në ç’shkallë e pa gramin e mendjes në tullupane, mund të abuzohet me pushtetin. Përballë këtij lloj abuzimi, të papeshë në dukje, se demek një bust s’i prish punë asnjë të gjalli, abuzimi ekonomik është një tufë me lule të freskëta…

Nuk është busti, është mesazhi i gjestit, që të plevitos kockën. Mesazhi asgjësues se një mik a një tutor, mund të të shndërrojë nga një hiç, në një gjithçka; nga një i vdekshëm i zakonshëm, në një monument. Paçka se mbi vete nuk ndjen të kesh as gramin e shkëlqimit të ndonjë vlere monumentale. Vini re vetëm listat e deputetëve dorëzuar në gjysëmKQZ-në, në mes të natës, si lista të zeza banditësh në kërkim! Kuptohet në sekondë se halli që kemi nuk është një rast i shkëputur, por një sjellje sistematike që po shndërrohet në traditë. Dhe kryet e punëve urgjente, që duhen bërë në këtë vend, bien dhe mbeten në dorë të delenxhinjve, pufteve dhe zabërhanëve, meshkuj e femra, të pompuar nga hiçi, që gëlojnë kudo dhe as kiameti nuk i shkul dot më nga karriget. A mund të mos trembesh nga gjithë kjo?!

Morali i tepërt, bërë në vetën e parë njëjës, nuk ka asnjë dobi. Nxjerr njeriu një duf, dikush në gazetë e shumëkush tavolinave, asgjë më shumë se kaq. Njerëzit, sytë i kanë në ballë e mendjen në kokë. Shohin e kuptojnë atë që ndodh çdo ditë e orë. Por nuk e di, jo vetëm unë mbase, nuk e kuptoj dot plotësisht, pse heshtin dhe gëlltitin pa bërë gëk e si të ishte hallvë, një të tillë bajgëri? Pse heshti, sidomos Këshilli Bashkiak, kur iu vu në tavolinë propozimi për bustin? Sepse me heshtje investojnë për bustet e tyre të nesërm? Apo mbase se të zësh ngoje të vdekurin, është një tabu? Dakord. Ama kur gdhendet në gur a derdhet në bronz, i vdekuri nuk është më i vdekur, por një subjekt social e politik, që mbart e përhap mesazhe! Edhe të frikshëm!

Unë për vete u përpoqa, po nuk ia dola dot të heshtja.

-“Po ç’t’u desh ajo shëtitje, në atë pedo… pedo… a si i thonë, mor ditëzi! Ama e kërreve derametin, t’u bëfsha kurban!” – do thoshte nëna ime e shkretë.

E nxora, nëno, e nxora! Po më duket se Lutfiu kishte të drejtë, kur tha atëherë që duhem rrahur vënçe!…

44 komente në “Busti i Sabri Godos si shkas”

  1. njeri says:

    te dali ndonje historian te sjarroje pak figuren e ketij letyre qe shante gruan dhe familjen e saj neper letrat qe i dergonte partis…na bente dhe si burre i mencur ….fshatar ikeq

    1. Kopenhagen says:

      Problemi eshte se sot historiane quhen ata te tipit Beqir Meta (nese e ka keshtu emrin).

    2. Tanushi says:

      Ja se cfare botonte Tema per para ca kohesh per Plakun e Urte Godo, bravo Mero, ke nuhatje…

      http://www.gazetatema.net/web/2011/12/13/shenjtnia-e-rreme-e-pleqve-te-urte/

  2. deni says:

    Fantastik,si perhere!

    1. Shefqet Cela says:

      Shkrimi persosur me brendi domethenese p0er kete situate politike.
      Jo vetem favoret persegjalli, por edhe perkujtimoret behen per arsye politike dhe lidhjeje nepotike, interes grupi e keshtu me radhe.
      E bene bustin ne Itali, sikur s’kemi artiste me talent. Tanet shkelqejne neper bote. Ketu pa tjeter ka shije korrupsioni nga parate tona.
      Nuk shpenzuan per te bere nje bust per te qene as per Nene Terezen.
      Kush ishte Sabri Godo, sipas meje?
      Ishte nje njeri me talent, por pa perssonalitet. Ju be ure monizmit dhe me te ndruar rregjimi arriti te pa beren: revizionoi edhe veprat e veta duke i RISHKRUAR sipas shijeve te kohes ose thene shqip sipas shijeve te krereve te kesaj demokracije letyre.
      Per te mos e zgjatur, per kete figure duhet shkruar poshte ketij busti ky epitaf: NJERIU DHELPER. Kete nofke e pati persegjalli.
      Do te meritonte edhe nofken:
      KRYETARI I REPUBLIKANEVE NE NJE KOALICION ME MONARKISTET.

  3. Jeniceri says:

    Shkrim i persosur dhe i provuar si ne nje gjyq shembullor! Urime autorit te rralle po per mall e shume sakte.

  4. eli-tiv says:

    …e turperuan godon e shkrete…”te bejme bust se na duhesh te shtyjme ca dite”….kuptohet e vleresojne se genjeu per lulin..
    E te gjithe ne e percmojme kete njeri te vdekur..

  5. rea says:

    shkrim i persosur, busti s do ta kete te gjate me duket.kush ishte ky godo? pse s hapen dosjet?

  6. Metri says:

    Parti Republikane nuk po mbush dote thesin e votave se po i ikin edhe te vetet dhe nxori perseri eshtrat e “Shenjtorit” mendojne se edhe i vdekur mund te beje fushate per ta.

  7. ilir says:

    Sa shume i kanë sherbyer ketij vendi Sander Prosi, Pjeter Gjoka, I madhi Kadri Rroshi,e shume te tjere dhe nuk është kujtuar njeri. Sabriu po ta dinte kete gje, do te kishte lene amanet qe te mos behej.Per kete jam i bindur sepse ishte i mencur dhe serioz.Po ku te lene larot, i ulin vlerat.Nuk eshte nje bust qe te nderon apo qe tregon vlerat e nje njeriu, qa me shum kur behen nga miqte. Bustet i prodhon koha dhe historia.

  8. taqo says:

    Problemi qendron …dhe shtrohet shume drejt nga artikullshkruesi ….por e ka lene pa pergjigje ,se perse u ngrit ky bust …u ngrit per anen e dukshme te s. godos apo per anen e tij te pa dukshme?Qe ti japesh pergjigje kesaj pyetjeje duhet me kujdes te analizosh nje sere faktoresh ,shte si nje diciture e ngateruar,..origjina e tij nga bejleret e vegjel te delvines ,martuar me perfaqesuesen e bejlereve te vrionasve te cilet i moren pronat e beratit kur ndihmuan slltanin te shkateronte lidhjen e prizrenit,i perjashtuar nga patria,shkrimrar historik dje jo vetem kaq…ne shkrimet e tij gjendet arsyeja se perse u bustua ,si shkrimtar historik ka shkruar per individe te dyzuar historike si sali butka,apo ali pasha,bushatllinjte apo vellimi me tregime figura ekstremiste ne historine shqipetare qe kane luftuar kundra europianizimit te shqiperise ,…..dhe eshte perpjekur dhe ka nencmuar dhe luftuar pa reshtur krijimin e maredhenieve te drejta me fqinjet ,kryesisht me greqine…..kjo mendoj eshte nje nga shkaqet kryesore qe ai u bustua …si perfaqesuesi i fundit i bejlereve shqipetare ne parlamentin shqipetar ,ne ndryshim si bejleret e tjere qe i rane murit me koke ,ai diti te manovroje te rije i pa dukshem dhe te ushqeje vazhdimisht qeverit e ndryshme per ruajtjen e statukuose ne maredheniet me fqinjet

  9. Julian laci says:

    Shume buste Jane vendosur,por autori thote bukur se ky vend ka me bollek gure e minerale qe mund te besh buste .basha vetem buste ti te zbuloje se eshte dhe I gjate e Ben mire terheqjen e litarit per te tjeret.

  10. Lumi says:

    E uroj autorin e ketij shkrimi ! Ky ishte vetem fillimi !Pritni me mbrapa se çfar do te dali ! Kjo eshte rruga me e mire qe pa dashje ,Luli ka gjetur per ta diskritituar Sabriun e ndjere! A nuk veproi keshtu dhe Ramiz alia per bustin e Enverit ,qe sa nuk e ngriti ne qiell!??Per kete figure ka shume per te folur ||!!..

  11. Dodi says:

    Ne qofte se do te veprohet keshtu,si me ngritjen e bustit te Sabri Godos,pas 2o vjetesh Tirana do te kete me shume buste sesa te gjalle.Bustet nuk ndertohen vetem sepse e ka pasur mire me kryetarin e Bashkise ,ose pse ka qene anetar i parlamentit ,ose pse ka shkruar dy libra.Ne qofte se busti eshte ngritur sepse ishte anetar i parlamentit,pas 20 vjetesh nga anetaret e parlamentit te viteve 1990-2030,do te kene vdekur mbi 50 vete,domethene Tirana do te kete 50 buste me shume,ne qofte se do perdoret si shkak shkrimi i dy librave,gjate asaj periudhe ne Tirane,duhet te kete mbi 1000 buste,sepse sot ne Tirane,dhe ne te gjithe Shqiperine,te gjithe po provojne te shkruajne libra per te mbetur te pavdekshem dhe qe familjet e tyre te kene nga nje kujtim,ne qofte se do te ngrihen bustet per miqesite me kryetarin e bashkise,te gjithe kryetaret e bashkise kane perkrahesit e tyre qe bejne fushate per ta kur zgjidhen.Keshtu qe per ngritjen e busteve duhet te kete nje kriter,ne piedestal duhet te ngrihen vetem ata qe kane meritante vecanta ,qe nderohen nga te gjitha shtresat e popullsise dhe jo vetem nga nje parti apo nga nje kryetar bashkie.

  12. Borana says:

    Z.Godo ka qen nje figure politike e shquar, Kryetari i Partise Republikane dhe themeluesi i Kushtetutes aktuale se Shqiperise..
    Per mendim tim njerez te tille me vlera e meritojne tu behen buste dhe te perkujtohen..

  13. argo says:

    Te them te drejten shkrimi nuk me ka pelqyer,pasi z. Godo mbahet mend nder shqiptaret si burre i mencur,pavaresisht nakatosjes ne poltike, qe tashme dhe une gjykoj qe ka bere gabim persarkun e tij teper me telarte. Kjo beri qe te lakohej me shume se cduhej, dhe ne menyrat sic ju interesonte lakuesve.Por ai do te mbahet mend kryesisht si burre i mire,kur merrej me letra dhe histori, dhe si dhelper,kur merrej me poltike.Pse jo ka me shume vlera Kadri ROSHI,sipa meje.

  14. Petro says:

    Vetem do te qesh… I ngrihet bust njeriut qe udhehiqte arrestimet ne vitet e pasluftes.Hollesite i permban kjo poezi:

    Arrest natën…

    Shkurt 1947
    Mesnatë
    Tek porta e madhe me dy kanatë,
    kondakë…
    Bam, bam, bam…
    Vishu, o plak!
    Në emër të popullit, je i arrestuar!
    Shpejt! Luaj!
    Ulurima grash…
    vajzash…
    kalamajsh…
    Puthe!
    S’do ta shohësh më pragun…
    Popullit, i ke pirë gjakun.
    Ia kam pirë, mor djalë, ia kam pirë…
    Po… jo të gjithë…
    Ka mbetur akoma, akoma,
    gjersa miletit t’i bjerë ftoma…
    Mbylle, të thashë!
    Bam, bam, bam…
    Përplasje portash e vaje grash…
    Tang, tang, tang… nëpër shkallë.
    Kish nisur i ftohti i madh
    Rikthyer dimri-hekur…
    S’u pa më i gjallë…
    S’u pa, as i vdekur…
    Bam, bam, bam…
    Tang, tang, tang…
    Akoma, ftoma, fto… a…ftoma…a…

  15. era says:

    Te lumte pena mor djale! Ku jane gazetaret e tjere?! Turpet nuk po na bejne me pershtypje.Ka inflancion te madh.

  16. Shkrim shume i sakt. Sabri Godo ishte nje njeri i urte e i mencur,per kete,per mendimintim nuk e luan as topi.Ishte i nderuar nga te gjithe dhe ne bisedat qe zhvillonte ishte kenaqesi ta degjoje, se si argumentonte.Po a duhet t’i ngrihet bust? Une them se jo,pasi njeres te urte e te mencur analog me te ndjerin Sabri GODO ka plot.Po kur ju ngrit busti nje tradhetari,nje hajduti,nje qe shiti teritore te vendit te tij,per te ardhur ne pushtet,nje personi qe kohes se tij i mbahen mend disa bollo ne pallatin e brigadave,ku kenaqeshin princeshat,mbahen mend lulezimi i semundjeve,varferise,per kete shikoni foto te asj periudhe apo dhe kronika te filmuara,per analfabetizmin……… ete tjera poshtersi qe nuk kane te numuruarA, AHMET ZOGUT,i ndieri Sabri e meriton. Vetem u zugjeroj historianeve te partise demokratike,mos te vonojne dhe te propozojne ngritjen eb bustit te Kastriot Islamit,pasi eshte i DYTI pas zogut,persai perket tradhetise.

  17. Ela says:

    Teksa e lexova shkrimin per Z.Godo mu duk pak sikur ta keq zili,sepse i ndjeri ne fjale nuk ka qen spiun i Enveret,apo sipas keti zotrise qe e ka shkruajtur kete botim keta persona iu duhet ber buste!!!???

  18. I penduari. says:

    Zakonisht per te vdekurin flitet mire,por smund te flas mire per kete dyfytyresh qe edhe partine Republikane nuk e krijoi vete por ja vodhi te ndjeri Vangjush Gambeta.

  19. erjola says:

    Edhe botuesi qe paska ber kete shkrim e paska mar si jo te drejte?!
    Sma do mendja qe Z.Bahsa i ka ber bustin sepse ka qen mik i ngushte i tij cjane keto gjera qe po i ngaterroni, por Z.Godo ka qen nje burre i nderuar dhe i mencur kshu mbahet mend per ne shqipetaret..

  20. shqiptar says:

    megjith respektin per shokun me falni zotin Sabri Godo bustin mund ta meritoje po eshte ne nderin e vajzave te tij te mrekullueshme ta vendosin ne varreza dhe te presin kohen e duhur per ta vendosur po ta doje HISTORIA.TE ZGJIDHET NJEHERE SKENARI I RENJES SE KOMUNIZMIT PASTAJ TE SHOHIM C MBETET

  21. shqiptar says:

    PO Amik Kasaruhos kur do tja bejne bustin me qe eshte keshilltar i presidentit ish oficer Bujar Nishani qe i rrespekton shume ish te burgosurit politike te kohes se diktatures

  22. astrit gora says:

    kure kane buste plerat e partise se punes plaku godo duhet ta kete bustin prej floriri

  23. amy says:

    objekti I shkrimit I shkelqyer; shkrimi vete gjithashtu!

  24. beni says:

    Po ti more i uruar nuk kishe gje tjeter per te shkruar pa u mare me te ndjerin Godo,i bejn bust apo jo??
    Edhe botuesit e ketyre shkrimeve jane ndare sipas politikes bo bo bo ku ka arrit gazetaria sot gjasme jane te pavarur eeeee…

  25. Engjell says:

    Une e di mire kush do rrahur,por ç’ti besh ,ketu i thuhet derrit dajo

  26. Dhokani says:

    Me ka gjetur menfjen dhe zemren autori i shkrmit.Me mire do te ishte te ishte vbere dhe vendosur nje bust koke dhelpre ne vend te bustit te shokut Sabri.

  27. rudi says:

    po kur te vdesi te gjith politikanet ; te gjitheve do tjy rregulloim nje bust per kok ?
    qdo kok politikani eshte i mire per popullin ….
    ka pas koka shqiperia me ze te fanshem se z. godo , per se nuk zeim dhe nuk shkruaim per to e nuk kuhtohen ne hitorin e tyre neper shkolla , kur sot nxensi mesoin si pihet cigaria e jo e kush ka qen ai i shqiperis , se dita e dites po i hupet vlera e heroinjeve dhe politikanve te kombit tone dhe po thuai se dhe kufit , por sot aktoret nuj japin je gje me vler qe ta mesoje ai i vogli e ta sqaroje i madhi e ti thoje , e vertet keshtu esht sikur ka qen perpara … une jam plotsisht me artikullin qe kishit bere dhe u kenaqa shum nga gazeta tema vretet i mungoin shqipes keta gjera . me respekt rudi shyti nha rresheni .

  28. bbb says:

    Vazhdojne ne Shqiperi ti behn buste maskaranjve…

  29. al says:

    nuk e ngren busti njeriun por vepra e tij. une godon me teper do e vlersoja si shkrimtar me ato vepra te paharruara si skenderbeu dhe ali pasha i tepelenes, se sa politikan. kjo jo se nuk kishte zgjuarsine ,qe per kete se kundershton njeri, por ne momente te caktuara tregoi amoralitet politik. dikush me siper permendi ata vigan te artit shqiptar qe do i kishin zili dhe studiot e artit me te mirat ne bote. kam vrejtje per ramen dje dhe bashen sot qe emrat e nderuar te sander prosit,ndrek luces,kadri roshit, pjeter gjokes ,marije logorecit e shume te tjereve, qe ne kalane shqiptare te artit kane vene gurin e tyre. nje komb qe nuk larteson figurat e tij dhe i con ne harrese, eshte i destinuar te vdese. te jemi krenare per te shkuaren tone megjithe dallget e saj. ministria e kultures ,duhet te hape sallonin special per ndere te figurave te artit shqipar te derdhen ne bronxe, ne kujtim te tyre.kjo duhet te behet dhe ne rrethe ,per figura te caktuara.

  30. kadeti bigler says:

    Mesusit te vjeter nga mesusi i ri sabri godua thot mesusi i vjeter ka qen i mencur po ka qene me i mencuri nga budallenjt e partis republikane nje parti pa elektorat dhe nje shtojc e P Demokratike plaku finok jo i mencur por djalli vet nga nje komunist 24 karatsh u gdhi ne nje republikan pa anetar republikan po me sharlatan dhe ja dorezoi partin e tij nje dallkauku nje njeriu pervers fatkeq gerdec mediut qe po lufton me mullinjt e eres per tu kthyer pronat pronareve te vertet qe deri tani u ka dhene lesht e curit perfundimisht P P parti e mutit

  31. cukal says:

    i nderuar gazetar,nuk duheni rrahur vence perkundrazi,falenderuar shume per kurajon qytetare…
    Natyrisht,z.Godo,ndjese paste,meriton respektin e familjareve,miqeve dhe dashamireve te tij por per asnje arsye bust ne nje vend publik ne shenje te meritave te tia ne te mire te komunitetit bile,si kryetar i Partise Republikane,e deklaruar ne krah te pronareve te vertete,prones apo familjes,ai vecse ka bere diversion dhe ka demtuar kauzen e te siperpermendurve,duke i shitur lire,per karriken e tij..!!

    …”Nuk është busti, është mesazhi i gjestit, që të plevitos kockën…”

  32. Lugati says:

    Ky analist ka shkruar edhe per teodor kekon ne mos gaboj. thote te drejten. jo vetem kaq po edhe trimerisht dhe me nje gjuhe e stil te mrekullushem. vetem se shumica shqiptare eshte shurdhe dhe mundimi i cave si ky bllaci, shkon kot fare.

  33. Luan says:

    SALI BERISHA U BË URË PËR SERBËT DHE GREKËT NDËRSA SABRI GODO U BË URË PËR SALI BERISHËN
    SABRI GODO ORTAK ANTISHQIPTAR NË KRYESINË E TRADHËTARËVE SHQIPTARË
    Sabri Godo do mbahet mend si politikani mashtrues i cili mashtronte në emër të rikthimit të pronave dhe përvete i mori të gjitha pronat. Berisha e mori në gjirin e tij më 2005-2009. Sabri Godo pa asnjë kontribut kombëtar e bëri vajzën e tij ministre.
    Sabri Godo çirreshe për çështjen kombëtare, por në të vërtetë ai bashkë me Arben Imamin dhe nënmbiqyrjen e grekëve ishin kryetarët e përpilimit të Kushtetutës Shqiptare më 1998. Sabri Godo një figurë që ka bërë ironi me çështjet madhore, kombëtare pjesmarës në shumë marveshje të fshehta antishqiptare. Sa e sa tradhëti ….marveshje të fshehta antishqiptare…e krime …e korupsion.. ka bërë Sali Berisha kundër popllit Shqiptar Sabri Godo as që i dënoi kurrë veprimet antikombëtare të Sali Berishës .Si ta kuptojmë këtë qëndrim të Sabri Godo ndaj Sali Berishës paaftësi ,lajthitje ,rastësi ,apo ORTAKËRI ANTISHQIPTARE ME SALI BERISHËN?

  34. Petriti says:

    Mos flisni keshtu, Godua eshte ”hero kombtar”, ka qen shok i ISMAIL QEMALIT dhe SKENDERBEUT, prandaj ja ben dhe bustin para parlamentit. Ka propozu edhe per Salen qe te jet president i perjetshem dhe kjo u duket gje e vogel juve ???!!!.

  35. psy says:

    Do ja kisha bere hallall te tjerat,deri ne diten kur beri te bijen ministre dhe kur tha se dyshja Berisha -Basha duhet te drejtojne kete vend ne te ardhmen.O Zot,i kish hikur mendja dhe e denove me kete bust,qe ashtu sic i thote nje komentues vajzave (une po shtoj dhe nipat)le t’a heqin e t’a vene ne varreza sa nuk eshte vone,sa nuk e kane terhequr zvarre apo pshurrur.Degjoini keto keshilla ju te familjes,mos i neglizhoni.Them se Iliri,djali i vajzes se madhe te Sabriut do jete dakord me mua.

  36. Kastrioti says:

    Lexoni shkrimin e datës 13 maj 2013 me titull “Ish hetuesit të diktaturës i ngrihet busti në Tiranë nga ”demokratët” ”
    te linku;
    http://www.proletari.com/ish-hetuesit-te-diktatures-i-ngrihet-busti-ne-tirane-nga-demokratet/html

  37. Marsi says:

    Perderisa po iu ngrihet monument “njerezve medioker” e “mashtrues”, qe nuk kane dhene asnje vlere morale, sociale apo intelektuale ne shoqerine e sotme shqiptare, te pakten Z.Godo ka qene dikush…. Shkrimi ka nje analize te thelle kritike, gje qe e shikoj te nevojshme te komentoj lidhur me menyren e qendrimit te autorit.

  38. kujtim says:

    Z. Godo ishte nje personazh pozitiv dhe patriot. Nje politikan koherent dhe i pergjegjshem. Edhe e bija e tij ministre eshte nje nga mjeket e afta te Shqiperise. Si ministre nuk u pergojua asnjehere per korrupsion.

    Autori i ketij shkrimi eshte nje sharlatan qe kerkon te behet i njohur duke sharre sa majtas sa djathtas. Sa per spiun,i ndjeri Godo nuk ka qene shok i Jorgo Bllacit.

  39. Sheme Plaku says:

    urimet dhe pergezimet me te mira gazetarit Arben Bllaci, (qe na qenka me te drejte zevzek!)qe na ka qendisur (per iden qe parashtron) nje analize kaqe te bukur e te goditur. Te pres shkrime tjera te goditura dhe te zgjuara, se do te te ndjek! Bile te pres dhe te takohemi, te pijme nje kafe e te ndrrojme nja dy llafe…, njerzit e zgjuar i dua fort! Me gjen tek [email protected], mos me ler te te pres gjate! Te lumte penda, itnone, po une te them te lumte mendja. Te falenderon dhe perqafon plaku Sheme

  40. Sheme Plaku says:

    Ke te Drejte, pa dashje e perserita! Po plak jame une e ku ti mar veshte une keto gjerat “modherne” qe na kane dale sot?! Ja, bera nje gabim qe e çova dy here llafin tim e s’u be qameti; s’po behet akoma qameti kur politikanet tane dhe qeveritaret na bejne krime e hiç s’u ndodh gje (gjemb s’u futet ne kembe) atyre dhe i duron ai milet, mua, pse gabova pa dashje, fap, ma the! Qofshi mire ju o djelmeria shqiptare. te fala nga plaku Sheme

  41. Palacot e PS se Rames mblidhen si krimba halesh dhe gelojne ne gjrizin me emrin gazeta Tema te Mero llapaqenit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje