Plani B opozitar!

24 Maj 2013, 21:18Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Nga e thëna në të bërë

Rotacioni politik është domosdoshmëri jo thjesht sepse e tillë është pritshmëria pas dy mandatesh në pushtet (rregull i pashkruar ky sikurse vijimësia e qeverisjes normale është një tjetër) por sepse mazhoranca që keqqeveris në kohë ‘borxh’ prej 2009 (pasi fabrikoi ‘fitoren’ dhe arkivoi letrat), ka tejkaluar çdo pritshmëri abuzimi. E ndërkohë që lindorët prej vitesh gëzojnë familjarisht kudo në BE privilegjet e BE, shqiptarët prej dekadash ndodhen në geton e ‘karantinës’ së tranzicionit me përgjegjës politikën démodé ku konstant mbetet protagonizmi qeveritar që rotacioni synon.

Por ndonëse i pritshëm, rotacioni nuk ka asnjë garanci që të ndodhë natyrshëm. E humbura e pritshme, mazhoranca, po jep shenja se do të kuturiset të përsëritë sërish alkiminë zgjedhore të 1996, 2009 apo 2011, duke e bërë ‘fitoren’ fakt të kryer ndaj publikut e perëndimit dhe në pamundësi të saj, diferenca të rikuperueshme me merkato deputetësh, të mjaftueshme për të provokuar kriza politike më pas. Precedent ky që spekulon me psikozën e ‘murit nuk i bihet me kokë’ apo ‘të marrit hapi udhë’ sa kohë kjo mazhorancë njihet për sindromën ‘pas meje qameti’.

Një skenar ky jo hipotetik, ndaj të cilit retorika opozitare e ‘përballjes me popullin’ është e debatueshme pas eksperiencave të së shkuarës duke bërë të domosdoshëm për të ngritjen e një qendre efikase ‘krizash’ me fokus skenarët eventual dhe reagimin përkatës opozitar.

Lupën opozitës!

Në këtë kontekst, çdo pështjellim në kampin opozitar që devijon vëmendjen prej mazhorancës, komprometon shanset për rotacion. Ndonëse opozita ka shumë problematika si kacafytja brenda llojit, gara për protagonizëm, klientelizmi, të pavarurit, kauza morale etj, ‘lupa’ e zellshme ndaj saj, momentalisht është luks për një shoqëri në krizë dhe ajo lipset të adresohet gjetiu deri në një kohë të dytë.

Asgjë nuk është e imunizuar nga kritika në sjelljen opozitare. Deri ftesa për Tony Blair në asistimin e qeverisë së ardhshme. Një kolos i politikës ky që përtej një simbolike unike ideologjike e shtetare, mbetet një emblemë kombëtare për rolin historik në sensibilizimin dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare me çlirimin e Kosovës. Duke e bërë nderimin dhe përjetësimin e veprës së tij, Presidentëve Clinton e Bush dhe Mbretëreshës Elizabet si përfaqësues të kombit amerikan e britanik që u detyrohemi aq shumë, një detyrim historik. Asistenca e tij në reformimin drejt BE, është e mirëpritur e unike dhe meriton kontributin e taksapaguesve përkundrejt sponsorizimeve që mund të provokojnë debate me kosto në moralin e qeverisjes. Bashkëpunim ky që duhet të zgjerohet edhe me politikanë me zë gjermanë, të cilët kur vjen puna për integrimin, thonë fjalën e fundit.

Kryedilema e qershorit, sesa lloji i ndryshimit, është ndodhja e tij, sesa identikiti i qeverisë së re, është fakti nëse do të vazhdojë e njëjta qeveri e cila me ngut po ‘kopsit’ dhe po vë në lëvizje haptazi apo tinëzi, në terren apo në majën e piramidës zgjedhore (KQZ), në pushtet lokal, qendror, institucione kushtetuese, monitorues të huaj etj, çdo ‘ingranazh’ që inicion, garanton, legalizon e finalizon alkiminë me votën për të provokuar sërish me faktin e kryer të retorikës ‘sovrani foli’.

Gjasat e votës plebishitare

Nëse abuzimi elektoral është fatalitet, dilemë mbetet reagimi opozitar. Parandalimi përmes votës plebishitare mbetet një argument i preferuar i saj (diferencë me 200 mijë vota) sepse në mos dekurajon abuzimin, rrit ‘no comment’ koston e ekspozimit dhe diskreditimit prej zënies në flagrancë në trukimin e shifrave që nuk rrumbullakosen dot. Nisur nga premisa se kjo mazhorancë ka sadopak ‘cipë’ ndërkohë që e kaluara flet ndryshe.

Vetë vota plebishitare është funksion i besueshmërisë, kohezionit opozitar, infrastrukturës zgjedhore, kontekstit etj. Fragmentizimi opozitar me daljen më vete të FRD, AK (denigrimi dhe embargo ndaj të cilës nga opozita tradicionale dhe media klienteliste ndikon në kohezionin pro-rotacion, pasivitetin e votuesit ‘gri’ etj), kosto morale e koalicioneve të befta 180 gradëshe, fushatat e shtrenjta, jo transparente e tepër virtuale për një elektorat modest deri në skamje të tejskajshme (për të cilin Facebook e Twitter janë pa kuptim), listat kulisa zgjedhore, qendrat e votimit të paarritshme nga të sëmurë, PAK, të moshuar, vapa e qershorit, rradhët etj janë faktorë që kanë efekt dhe opozita bën mirë t’i parashikojë (detanta mes vetes, komunikimi më i personalizuar, organizimi i transportit, çuarja e kutive të votimit në shtëpi, azile, spitale, asistimi në radhë etj).

Opozita duhet të jetë realiste në tentativën për konvertim të elektoratit tradicional të PD (rasti i zonave informale), për më tepër në kurriz të atij besnik apo premtues. Në funksion të votës, opozita mund të tundohet t’i japë prioritet interesave të segmenteve të mëdhenj në elektorat, pavarësisht antiligjores në origjinë (zonat informale) ndërkohë që vota duhet të shtohet përmes dhënies prioritet interesave legale dhe parimore në shoqëri, pavarësisht minorancës që e përfaqëson (pronarët, të pastrehët në shtëpitë e pronarëve etj) gjë që ngjall respekt tek të tretë që inspirojnë dhe votojnë një qeverisje parimore.  Jo gjithçka është ‘ekonomi shkalle’ dhe i njëjti zell që dëshmohet, në emër të parimit, për minorancat etnike, orientimit seksual etj, duhet të dëshmohet edhe për segmente që, sado modeste, janë me të drejtën.

Plebishiti presupozon lënien e derës së bashkëpunimit hapur edhe me faktorë ‘ish’ që sot listohen tek kundërshtari dhe që në një moment të dytë mund të rigrupohen në emër të një kauze superiore sikundër precedenti PS-LSI dëshmoi.

Me presh në duar!

Opozita duhet të dokumentojë dhe përdorë efektivisht çdo abuzim elektoral duke minimizuar fragmentizimin, kakofoninë, rastësinë etj që zhvlerëson të tërën më pas. Sfidë serioze kjo ndaj një mazhorance të ‘kualifikuar’ që edhe kur kapet me ‘presh’ në duar, tenton të davaritë vëmendjen e fitojë kohë përmes kanalizimit të ankimimit në instanca dhe seanca farsë dhe deri arbitraritetin si hap final (p.sh. arkivimi i dokumentacionit zgjedhor të 2009).

Kjo nënkupton infrastrukturë, monitorim kapilar e përpunim në kohë reale të fakteve, publikim sinkron dhe të përqendruar të  tyre (e mundshme në zonat urbane por sfidë për provincën ku lajmi zor se bëhet i tillë), burime njerëzore, koordinim dhe mirëbesim reciprok (krisjet apo daljet më vete brenda opozitës cenojnë sadopak p.sh. rasti i vëzhguesve) etj. Vetë dokumentimi dhe ankimimi ‘fjala ime ndaj fjalës tënde’ rrezikon ‘kalendat greke’ duke rezultuar i pavlerë dhe tejkaluar në kohë ndërkohë që mazhoranca vijon me mandatin e trukuar të saj, sikurse ai mbetet iluziv sa kohë besueshmëria e institucioneve dhe gjykatave lë për të dëshiruar.

Edhe ankimimi e përfshirja e monitoruesve perëndimorë mund të katandiset si ‘kofini pas të vjeli’ sa kohë do kohën e saj, nuk garanton prani kudo dhe kurdo për të mos thënë se syresh mes tyre janë apriori mbështetës të mazhorancës.

Non grata

Efekt të pazëvendësueshëm në respektimin e votës së lirë luan presioni direkt dhe paekuivok perëndimor, SHBA në radhë të parë. Që në rast cenimi flagrant të saj me efekt në cilësimin e fituesit, të pasohet me denoncimin dhe akte konkrete deri në distancim publik prej protagonistëve të qeverisë së trukuar dhe përkrahje pa rezerva ndaj reagimit opozitar në mbrojtje të votës së lirë. Një qasje efektive kjo sepse i vetmi kontekst kur mund të injorohet, do të ishte një qeveri antidemokratike dhe vasale e interesave antishqiptare. Duke e bërë kësisoj qershorin test për të tërë, perëndimin përfshirë.

Fakt i kryer!

Përtej parandalimit, opozita duhet të përgatitet edhe për faktin e kryer. Odisea pas 2009 tregoi se nuk janë efektive as protestat ciklike, grevat e urisë (në vetvete atavike) pa lider brenda, adresimet ndaj turmave me fjalime klishe prej liderish që nguten të futen më pas nëpër kafenera sesa të shtrëngojnë duart me militantët në shesh, ndërprerja e protestave pa garanci paraprake (Krokodili), bojkoti institucional, bllokime rrugësh nacionale etj.

Reagimi ndaj faktit të kryer duhet të jetë së pari institucional. Paralelisht me ankimimin, përmes sensibilizimit parlamentar (komisione hetimore etj) deri në inicim referendumi për çështje prioritare (hapje kutish, kthim në identitet të Kushtetutës që ekspozon kriza parlamentare më pas etj). I koordinuar me lobimin perëndimor përmes kontakteve me homologët partiakë, institucionet zyrtare, median prestigjioze ndërkombëtare përmes një zëdhënie pan-opozitare efektive ndaj politikës perëndimore të djathtë e të majtë njëkohësisht. Pasuar kjo me administrimin e protestës për votë të lirë prej opozitës së bashkuar përmes manifestimeve non-stop paqësore duke shmangur çdo precedent negativ për të ardhmen.

Aq sa opozita ka nevojë për optimizëm e ku çdo fjalë e mirë apo dhe një foto me politikanë perëndimor ndihmon në ngjizjen dhe konsolidimin e frymës së ndryshimit, po aq ajo ka nevojë për realizëm për të mos e marrë fitoren të mirëqenë e riskuar ‘këngën e sirenave’ me rotacionin në lojë. ‘Better safe than sorry’ (më mirë të sigurohemi se të na vijë keq më pas) thotë anglezi. Dhe atyre u ka ecur mbarë.

5 komente në “Plani B opozitar!”

  1. Epirioti II says:

    Z. Duka, ke bere artikull futuristik. Nuk ka plan B per opoziten kesaj radhe.

    Nese Berisha i perdhunon zgjedhjet dhe nuk i dorezon celesat e pushtetit, Rama largohet si paafte per te luftuar Berishen (quheni lider i parakohshem per kete vend gjysem-mesjetar) dhe ne pak kohe do plasi:

    “Te sheshi, tek sheshi ta hedhim qelbesiren”, vetem se ne kete rast qelbesira qe do terhiqet zvarre nuk do te jete prej bronxi por nje homosapiens nga bjeshket e Vicidolit.

    Ca thone do jete si 1997, une them qe psikologjikisht do te jete edhe me keqe sepse sot fuqia filmuese ne Shqiperi eshte 1000 here me e madhe. Ne 1997 kamerat ishim me gishta.

    1. Martana says:

      Bravo Epirioti II,

      Me dhimbje po e them se Edi Rama eshte nje i lindur POSTUM ne kete vend mesjetar. Nje popull i tere qe e do Edi Ramen, por qe Hatllaret e pushteteve te shkuara e te tashme e mbajne nen friken e bukes se gojes. Ish sigurimi i shtetit ka ndikimin e tij paresor, pse nuk i intereson fqinjeve tane perjete armiq, qe shqiptaret te dalin nga prapambetja mesjetare dhe tua kalojne atyre. pse me Edi Ramen kjo mund te behet e mundur? Ka sot qindra mijera njerez europian nga mendesia te mirepergatitur, te rinj shume inteligjente, befasues, qe vete i kam pasur neper duar, djem e vajza qe kane studiuar jashte vendit qe kthehen dhe tallet pushteti me ta e kthehen nga kane ardhur. Pse ndodh kjo? Sepse llumi eshte ne kulmin e piramides, dhe vjedh, e vret, e djeg cfare i del perpara. Te mos i genjeje mendja se do te na trembin, ka ikur ajo kohe, te mos i genjeje mendja se do na genjejen se jane te gjithe njesoj, jo EDI RAMA eshte njeriu qe i duhet ketij vendi.

  2. LINDA says:

    Koalicioni i majte me 23 qershor do te marre nje fitore historike!

  3. beni says:

    SE kuptoj si mund te krahasohet EDI RAMA me saliun ?????EDI do kete shansin te hyje ne historine shqipetare si kryeministri qe do beje reformat me te thella, duke ndryshuar pamjen e shqiperise .Fitore PS

  4. tomori i beratit says:

    Populli nuk e duron me kete HALE pd me kryehalen berisha.Ne se ai do vej dore edhe kete radhe mbi VOTEN E LIRE me siguri qe fillon LUFT CIVILE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje