Hygeia, një histori suksesi

Postuar në: Ekonomia |

Foto, KrasadakisNjë adresë e hershme dhe e re në luftën e përditshme për jetën: spitali Hygeia, përgjigja e biznesit privat në shëndetësi. Një model evropian dhe shumë të panjohura në terrenin e ashpër shqiptar, duke nisur që nga çmimet e shërbimit e deri tek cilësia e tij. Drejtori i Përgjithshëm i spitalit,Stavros Krasadakis flet për revisten Java: “Jemi më të mirët, sfidojmë këdo në cilësi dhe kosto. Do të qëndrojmë gjatë këtu!”.

“Të lutem, mos më pyet se nga vij! Edhe në shqip, edhe në greqisht, edhe shumëkund gjetkë në Ballkan ekziston një proverb i përbashkët: kur një burrë pyetet se nga është, ai përgjigjet se është nga “fshati” i gruas. Gruaja ime është arvanitase. Nga prindërit e saj më shumë e nga ajo më pak, kam dëgjuar prej shumë e shumë vitesh shqip”. Dhe po në shqip afron kafe apo diçka tjetër përpara intervistës. Ai vetë pi çaj me një filxhan të madh, por që mbas dy orësh bisedë është bërë akull i ftohtë. Ka diçka gati-gati ekzotike tek Stavros Krasadakis, diçka që del jashtë steriotipeve e paragjykimeve të zakonta e të anasjellta mes shqiptarëve dhe grekëve. Studimet universitare në  Vjenë – gjithmonë sipas steriotipeve që paragjykojnë kombet – e kanë bërë të përpiktë dhe orëgjatë në punë; studimet pasuniversitare në Greqi dhe në SHBA, i ka dhënë ftohtësinë e të bërit biznes në çdo moment. Dhe pjesë të biznesit ai konsideron dhe bisedën e përfunduar pak çaste përpara fillimit të intervistës me një infermiere që kishte një pakënaqësi dite. “Të drejtosh një biznes është si të bësh politikë. Deri dhe hallka e fundit e zinxhirit duhet të jetë e bindur se po bën më të mirën e mundshme dhe drejtuesi duhet të marrë nga çdo hallkë e biznesit më të mirën e mundshme”, thotë ai. Ky kozmopolit “i çuditshëm”, megjithatë është ballkanas i ashpër në thelb.  I pëlqen klarineta (si Fan Noli juaj i famshëm, thotë), të udhëtojë gjatë në këmbë në natyrë dhe të mësojë folkun e Ballkanit. Dhe di jo pak: “Trëndafilat që ka Shkodra…”, këngëzon në shqip me një theks të lehtë. Vjen nga ishulli i Kretës dhe thotë se vendlindja i jep diçka të ngjashme me shqiptarët edhe të malësisë, edhe të bregdetit. “Si vlonjatët. Shqiptarët krenarë mes malit dhe detit”, thotë ai.

Stavros Krasadakis është drejtori i ri ekzekutiv i spitalit Hygeia në Tiranë. Një adresë mjaft e njohur për shumë shqiptarë dhe më e njohur ende, nga qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi, që sipas zakonit, kujtohen për mjekun vetëm kur sëmundja i vë nën këmbë. I diplomuar për shkenca politike dhe specializuar për menaxhim biznesi, Krasadakis thotë se ka një familje tipike evropiane. Vetë punon që prej dy vjetësh në Tiranë, e bija studion në Londër, i biri dhe e shoqja arvanitase jetojnë në Athinë. Ka mbi një dekadë e gjysëm që është përfshirë në menaxhim biznesesh që kanë të bëjnë me shëndetësinë, kryesisht me grupin Hygeia, një nga më të mëdhenjtë në rajon e më gjerë dhe thotë se tek lufta për jetën, ka gjetur dashurinë e tij. “Mjekësia është një luftë e pandalur me beteja të përditshme. Një nga to të humbasësh, rrezikon vetë fatin e luftës. Por në filozofinë e grupit tonë ka një aksiomë: në shërbimin që afrojmë, ne nuk pranojmë më pak se më të mirën kur bëhet fjalë për të shpëtuar një jetë njerëzore! Dhe në Tiranë ne kemi ardhur për të bërë më të mirën e mundshme në luftën për jetën”, thotë ai.

Në një intervistë të gjatë për Java, ai flet për shëndetësinë në Shqipëri e rajon, shëtit gishtin në plagët e sistemit, dashuron krijesën që i kanë besuar të drejtojë, përmend ëndrra për të nesërmen dhe flet gjatë. Me pasion. Thellë – thellë ndoshta i duket se ka një mision për të kryer dhe se ai vetë, është i detyruar të sillet si misionar. Një gjë e rrallë për Ballkanin e djeshëm e të sotëm. Por në botën e biznesit, edhe kur ai është i lidhur me shëndetësinë, nuk ka asgjë të pamundur. Thjesht, aty vëmendja është shumë më e ndjeshme edhe pse shqiptarët kujtohen për mjekun, vetëm kur është vonë.

Keni mbi dy vite që punoni në Shqipëri. Nga pikpamja juaj, sa e vështirë është të bësh biznes në Shqipëri, aq më shumë në sektorin delikat të shëndetësisë?

E para gjë që do të doja të thosha është se Shqipëria është një vend mjaft miqësor ndaj biznesit të huaj dhe investimeve të tyre. Kjo është diçka jetike në Ballkan dhe Shqipëria e ka këtë predispozitë, të cilën shpresoj ta shoh të përmirësuar edhe më tej. Një investim mjaft i madh si Hygeia, Tiranë, mbi 60 milionë euro investim fillestar, e ka ndjerë këtë predispozicion, edhe si plotësim i një nevoje në përmirësimin e shërbimit shëndetësor. Edhe pse sistemi publik i shërbimit shëndetësor ka pasur arritje në këto vite, nevoja për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarit, nevoja për të plotësuar e mbuluar variacionet e shumta për raste të komplikuara që kërkojnë investime shumë të mëdha në teknologji, të cilat mund t’i bëjë vetëm biznesi privat, sërish në Shqipëri, ekziston hapësira për shërbimin privat shëndetësor. Vendimi i grupit tonë për të hyrë në Shqipëri, nuk ishte i çastit, por një akt i menduar dhe i studiuar mirë për t’i afruar Tiranës, Shqipërisë dhe më gjerë, më të mirën tonë të mundshme; mundësitë financiare, përvojën dhe ekspertizën e sprovuar në vite dhe vendosmërinë tonë për të qenë lider në këtë fushë. T’ju them diçka përtej asaj që është e dallueshme në shikim të parë. Nga jashtë ju mund të shihni godinën e spitalit tonë që është mjaft interesante dhe që ka pamjen e një spitali tipik evropian. Por kjo është vetëm dukja. Investimi ynë thelbësor nuk është fasada, por ajo çfarë afrohet ditë mbas dite nga personeli ynë, është teknologjia e pajisjet mjekësore që kemi në dispozicion. Ato janë të nje niveli elitar dhe e bëjnë Spitalin  Hygeia Tirane një pikë referimi jo vetëm në Tiranë, por shumë më gjerë për të afruar shërbime cilësore të standartit më të lartë evropian.

Kjo lloj sipërmarrjeje në Shqipëri, megjithatë, ka disa specifika të veçanta. Përgjithësisht, edhe për shkak të kulturës mjekësore të popullatës, një numër sëmundjesh identifikohen në fazë të avancuar të tyre, siç janë rastet tumorale. Mungon në një masë të madhe kultura e parandalimit, kultura e ekzaminimeve parandaluese dhe rastet që paraqiten në spital, janë në fazë të avancuar, kur dhe ndërhyrja për ta luftuar betejën me to, është drastike. Eshtë një traditë e keqe ballkanike që e sheh me shenjë barazie raportin mes mjekësisë dhe operacionit. Mjekësia moderne e konsideron bisturinë si mjetin e fundit. Këtë kulturë të ndryshme synon dhe Hygeia në Tiranë, krijimin e hapësirave të mjaftueshme dhe të domosdoshme për t’i kapur në kohë këto sëmundje.

Nga vijnë kjo kategori pacientësh që shpresojnë dhe besojnë tek ju?

Me kënaqësi them se dita-ditës po shtohen pacientë të këtij lloji, që vijnë edhe nga Kosova, Mali i Zi, por dhe qytetarë të huaj që punojnë në Shqipëri, amerikanë, gjermanë, francezë, italianë, kanadezë, grekë e të tjerë. Dikur, ata për shqetësime të tilla ktheheshin në vendet e tyre, tani Hygeia ju jep të njëjtin shërbim si në vendin e tyre të origjinës. Spitali ynë është i çertifikuar gjithashtu me standartet e NATO-s për shërbimin që afron. Dhe për këtë arsye, Forcat e Armatosura të NATO-s që veprojnë në rajon, kryesisht amerikanë apo marina britanike në Mesdhe, bashkëpunojnë me ne për problematike shëndetësore. Kjo gjë ndodh sepse, nga pikpamja e aparaturave që kemi në dispozicion, ne jemi spitali më i mirëpajisur në Ballkan. Janë fare të pakta ndërhyrjet që nuk realizohen tek Hygeia, ndërsa reanimacioni është absolutisht pavioni më i mirë në Ballkan, dhe, jo për hir të shprehjes, por shihet me zili edhe në Greqi dhe gjetkë në Perëndim. Kemi 19 salla operacioni që përfshijnë që nga shërbimi i lindjes e fekondimi artificial e deri tek ndërhyrjet e ndërlikuara në zemër. Por diamanti ynë është Akseleratori linear për trajtimin e tumoreve, radioterapia dhe imazheria. Sistemi PACS që kemi në dispozicion afron mundësinë e konsultave on line dhe me mjekë të huaj të atashuar pranë spitalit, ndërsa personeli ynë, shqiptarë, italianë dhe grekë, është nga më të mirët e mundshëm. Pra, jemi shumë më shumë edhe nga sa dukemi.

Cilat janë raportet tuaja me strukturat shëndetësore publike në Shqipëri?

Politika e Hygeia-s është politikë e dyerve të hapura. I konsiderojmë ato struktura si bashkëpunëtorë në një mision të përbashkët dhe jo si konkurentë. Secili nga ne ka rolin e tij dhe secili nga ne ka çfarë të afrojë në mënyrë komplementare për shërbimin shëndetësor në Shqipëri. Hygeia i ka afruar pa asnjë dilemë Ministrisë së Shëndetësisë që në raste emergjente dhe katastrofash ta konsiderojë gjithë strukturën tonë si të sajën, shtretërit tanë, si shtretërit që ajo ka në dispozicion në spitalet shtetërore. E gjitha kjo pa asnjë lloj kostoje. Kështu ka ndodhur në shumë raste dhe kështu, ndonëse nuk e uroj, do të ndodhë sa herë të ketë nevojë. Aksidenti tragjik i Himarës ishte një prej tyre. Një shembull tjetër; kemi investuar në një pajisje të re që quhet PET CT, e cila shërben për diagnostikimin e pacientëve pas operacioneve tumoralë. Eshtë e para dhe e vetmja në Shqipëri. Mungesa e saj i detyron pacientët që këtë tip diagnostikimi ta bëjnë vetëm jashtë shtetit. Tashmë, ne do ta vendosim në dispozicion edhe të Ministrisë së Shëndetësisë. Dhe e përsëris, pa diskutuar asnjë kosto. U kemi afruar strukturave universitare që të bëjnë praktikë tek ne për të njohur edhe praktikisht funksionimin e pajisjeve, shumë nga të cilat janë unike në Shqipëri dhe që deri më tani, ata i kanë njohur vetëm teorikisht. Po kështu, ka projekte për trajnime të stafit publik në Evropë, seminare për të rejat e fundit të shkencës së mjekësisë e kështu me rradhë. Dua të theksoj se jemi veçanërisht krenarë për shërbimet më të reja të cilat do të ofrohen në Spitalin Hygeia, Tiranë, shërbime si transplanti i veshkës edhe i keratokonus-it. Nënvizoj se Hygeia e ka në politikën e saj të jetë pranë shoqërisë dhe në shërbim të interesit publik. Duke thënë këtë, do të veçoja kontributin e veçantë të doktor Leonard Solis, mjek i njohur dhe ish-ministër i shëndetësisë në Shqipëri, pa të cilin, shumëçka në këtë spital do të ishte ndryshe. Me të është më mirë. Natyrisht ju nuk do të më lejonit të përmendja emër për emër të gjithë personelin mjekësor, doktorë e infermire, farmaciste dhe të reparteve ndihmëse, secili prej tyre, një aset i jashtëzakonshëm njerëzor i Hygeia-s që bën diferencën me të tjerët. Po t’i përmendja, lista do të ishte shumë e gjatë.

Mungesa e medikamenteve është një sëmundje e hershme tashmë e sistemit publik shëndetësor. Po tek ju si është kjo situatë?

Kjo është një çështje shumë delikate dhe problematike jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë. Edhe në Greqi, ku sistemi i mjekësisë parandaluese është shumë i përhapur, ku shpenzohen shume miliardë euro në vit për medikamente në këto struktura, ndeshet një gjë e tillë. Tregu shqiptar nga i cili furnizohen strukturat publike është përgjithësisht mjaft i vogël. Kompanitë e mëdha ndërkombëtare të prodhimit të medikamenteve nuk operojnë këtu, nuk ka prodhim vendas dhe furnizimi varet kryesisht nga importi duke e lënë këtë në dorë të kompanive të vogla vendase, të cilat kanë vështirësi reale për të menaxhuar ilaçe me kosto të lartë. Për shembull, medikamentet për kardiopatët apo sëmundjet tumorale janë vërtet shumë të shtrenjta, ndaj dhe ato mungojnë. Kam dijeni se vitet e fundit kompani të mëdha ndërkombëtare kanë bërë tentativa për të hyrë në tregun shqiptar dhe ky do të jetë një hap, që nëse mbështetet, do të sjellë padyshim përmirësim të situatës. Ministria e Shëndetësisë mund të ndikojë në marrëdhëniet me furnitorët privatë për medikamentet më të përballueshëm nga pikpamja e kostos dhe të dobisë. Kjo do të ndihmonte hyrjen në treg të prodhimeve të kohëve të fundit, kryesisht antibiotikë, kimio e anestetikë.

Tek Spitali Hygeia, Tiranë nuk ekziston ky problem. Thjesht është tërësisht e pamendueshme që t’i thuhet pacientit se këtu mund të mungojë një medikament i caktuar apo një variant tjetër i tij. Zgjidhja jonë është përkushtimi njerëzor, por dhe sistemi që kemi ngritur. Sistemi ynë informatik na sinjalizon në kohë reale dhe në çdo moment se çfarë medikamentesh kemi në dispozicion, çfarë kemi shpenzuar, çfarë duhet të sigurojmë. Thjesht është një sistem i përkryer njerëzor e teknik që vepron mjaft mirë.

Strukturat publike janë vënë shpesh nën akuzë se ka mitmarrje dhe që shërbimi kushtëzohet kundrejt pagesës. A ndodh një gjë e tillë tek ju, a paguhet tjetër gjë nën dorë veç kostos legale të shërbimit që afroni?

Jo! Në mënyrë absolute, jo! Asnjë qindarkë. Çfarë paguhet është e regjistruar në kartelën përkatëse. Receta jonë kundër këtij lloji korrupsioni është shumë e thjeshtë; menaxhim, kontroll dhe transparencë absolute. E para, paga e personelit këtu është e garantuar. E dyta, gjithçka dhe gjithkush kontrollohet fort në këtë drejtim. Në spitalin tonë, në të gjitha departamentet e tij janë 100 kuti për letratm e opinione të pacientëve, ku ata mund të denoncojnë në mënyrë konfidenciale këdo e gjithçka që ata vërejnë se nuk shkon mbarë. I gjithë ky sistem monitorohet nga një departament i veçantë dhe askush nuk besoj se mund të ekspozojë veten përpara një risku të tillë, kur është e garantuar se çdo faull i mundshëm do të zbulohet. Ka një transparencë totale të cilës i nënshtrohen të gjithë, duke filluar e mos mbaruar me mua vetë.

Si janë çmimet që afron Hygeia për shërbimet e saj në raport me të ardhurat e shqiptarëve dhe në raport me spitalet e tjerë privatë?

Këtu do të doja të ndalesha më gjatë, por do të zgjedh të jem më konciz. Përgjithësisht, kemi “famën” e një spitali të shtrenjtë. Tingëllon disi qesharake, por një gjë të tillë kryesisht e dëgjoj nga konkurentët tanë në këtë treg. E vërteta, tërësisht e verifikueshme është krejt ndryshe: çmimet tona janë ose të barabarta në rastin më të “keq”, ose më të ulta në shumicën e rasteve të tjerë në krahasim me ta. Dhe me një ndryshim, me një cilësi shumë herë më të lartë shërbimi që merret nga Hygeia. Im atë dikur përmendte një proverb të vjetër: “Gjëja e lirë kushton më shtrenjtë”. Ka ndodhur që pacientë të ndryshëm kanë paguar në dukje lirë për një shërbim të keq në cilësi dhe kanë paguar shumë më shtrenjtë në dy mënyra, e para duke mos zgjidhur problemin shëndetësor dhe e dyta, duke vazhduar të paguajnë në vijimësi për trajtim të tillë. Pavioni ynë i ortopedisë, për shembull, ka pritur shumë e shumë raste pacientësh tek të cilët është ndërhyrë për herë të dytë, domethënë, kanë marrë njëherë shërbim në një spital të caktuar dhe kanë ardhur tek ne për të korrigjuar gabimet që janë bërë ndaj tyre. Pa folur këtu për komplikacione që afrojnë infeksione të ndryshme. Të jem konkret dhe direkt: në Itali e Greqi, radioterapia kushton 8 mijë euro. Hygea, të njëjtin shërbim me të njëjtat pajisje e afron vetëm për 2 mijë euro. Ndërhyrjet në tiroide kanë diferencë pagese nga 7 mijë euro jashtë, tek 2200 euro tek Spitali Hygeia, Tiranë. Apo lindjet që në Greqi kushtojnë 2 mijë euro, tek Spitali Hygeia, Tiranë vetëm 700 euro. Jam i gatshëm që këtë debat ta bëj me këdo, në mënyrë të hapur dhe transparente. Kushdo që pretendon të kundërtën le të ballafaqojë publikisht shifrat e shërbimeve që afrojmë. Do të propozoja që Ministria e Shëndetësisë të kërkojë publikimin e çmimeve të shërbimeve që afrojnë të gjithë spitalet private. Pastaj kushdo do të gjykonte të vërtetën tonë.

Ditët e fundit ka pasur pretendime zyrtare nga ministria e financave se edhe spitalet private bëjnë evazion fiskal. Si qëndron në raport me ju ky pretendim?

Tek Hygeia nuk prodhohet asnjë qindarkë e cila nuk regjistrohet dhe për të cilin nuk paguhet tatim sipas ligjit shqiptar. Ne jemi pjesë e grupit Hygeia, Athinë, i cili është pjesë e bursës se Athines dhe si të tillë, jemi të detyruar të kemi transparencë maksimale të veprimtarisë sonë financiare. Auditi ynë vepron në mënyrë periodike në tre, gjashtë, nëntë dhe dymbëdhjetë muaj, gjatë të cilit ne japim gjendjen analitike të financave tona. Ne jemi gjithashtu të kontrolluar nga auditë ndërkombëtarë. Çdo muaj, gjithashtu, jemi nën kontrollin e taksave nga zyrat e ministrisë së financave. Edhe nëse do të donin ta bënin çdo ditë një gjë të tillë, për ne nuk do të kishte kurfarë problemi. Për të tjerët nuk di të them dhe nuk dua të them gjë.

E paraqisni Hygeia-n si një histori suksesi, ju vetë, çfarë do të donit të ndryshonit?

Kam shumë projekte, por do të nënvizoja me shpejtësi vetëm dy: e para, fuqizimi i ekipit të mjekëve dhe krijimin për të gjithë departamentet të qendrës së ekselencës, e cila ka të bëjë me ardhjen e mjekëve me eksperiencë ndërkombëtare dhe e dyta, kthimin e Hygeia-s në një hapësirë bashkëpunimi model me institucionet shtetërore dhe universitare në Shqipëri. Dua të saktësoj dhe një të pavërtetë që e dëgjoj shpesh të përmendet sidomos nga konkurentët tanë. Njëherë në javë fabrikohet një lajm sipas të cilit Hygeia është venë në shitje. Eshtë një shprehje e vjetër që kërkon të bëjë transferimin e problemit vetjak tek të tjerët, por nuk po e përmend. Më besoni, Hygeia, Tiranë, është një investim që do të qëndrojë shumë, shumë gjatë në Shqipëri. Grupi ynë në Athinë i besoi spitalit emrin e tij edhe pse e dinë mirë se qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi i besojnë këtij emri. Shumë nga ta kanë zgjedhur për të mbrojtur jetën e tyre tek Hygeia, Athinë. Hygeia, Tiranë është një fëmijë që tashmë ka mbushur tre vjeç. Dhe ne nuk e kemi zakon t’i shesim fëmijët tanë. Por edhe pse vetëm tre vjet eksperiencë në Shqipëri, Spitali Hygeia, Tiranë tashmë është një institucion i pjekur dhe minimalisht ngjan se ka mbi një dekadë që vepron këtu.

Marre nga revista JAVA

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

Nje Pergjigje per Hygeia, një histori suksesi

  1. Boom Boom  --  18 Qershor, 2013 në 9:26 am

    Pyll pa derra nuk ka. Shumica flasin mire per spitalin ne fjale. Megjithate cmimet e vizitave nuk jane te shtrenjta ne krahasim QSUT e Birishes. Eshte paster e ka rregull dhe normale qe eshte i shtrenjte sepse nuk perfshihen sigurimet shoqerore.