Shumica e re, një udhëtim në të ardhmen politike | Gazeta Tema
 

Shumica e re, një udhëtim në të ardhmen politike

Postuar në: Aktualitet,Opinion |

ndertim-pa-leje177Disa hapa të parë që paralajmëron të bëjë qeverisja e nesërme. Çfarë do të ndryshojë në vend në mënyrë që Shqipëria të lëvizë nga vendi. Duke nisur që me largimin e mpirjes dhe daulleve të propagandës për suksese imagjinare e deri tek njohja e situatës. Për t’u thënë shqiptarëve: ja nga po nisemi për rrugëtimin e ri politik! Për të ndryshuar ekonominë, sistemin gjyqësor dhe sjelljen e përbashkët përballë ligjit

Nga Lorenc Vangjeli*

 

Zgjedhjet e qershorit ishin historike, por tashmë ato i kanë kaluar historisë. Shqipëria do të hyjë në vjeshtën e këtij viti me një maxhorancë tronditëse në shifra dhe një pakicë të tkurrur në minimumin historik. Një arsye e mjaftë për të krijuar shanse për eufori e revansh të fitimtarëve dhe dëshpërim e pafuqi të humbësve. Do të ndodhë kështu? Tradita e keqe politike e vendit jep përgjigje pa dilemë. Po kështu mendojnë dhe humbësit që pikërisht në këto dy pika po sulmojnë dhe paralajmërojnë si qeverisjen e nesërme, si shqiptarët për mënyrën sesi do të qeverisen në të nesërme. Starti i ri që premtojnë të nisin fitimtarët refuzon. As eufori dhe as revansh. Vetëm Shqipëri normale. Dhe po të shihen ngjarjet e ditëve të fundit kur për shifrat elektorale nuk ka më enigma, pra, nëse shihet kjo e shkuar e afërt dhe e shkurtër, ka disa mjete që ndihmojnë në parashikimin për çfarë do të ngjasë nesër.

 

Ndërtimet pa leje

Duke nisur nga fundi. Ka një ngjashmëri jo fort të padukshme me mënyrën sesi Berisha nisi të qeverisë në vitin tashmë të largët 2005. Atëherë, nisën të shfaqen dhe fizikisht rrugëve të Tiranës dhe gjetkë ato që kishte paralajmëruar në fjalorin e tij politik: ruspat dhe fadromat. Me ruspa e fadroma ai ju sul një sërë ndërtimesh, të cilat kishin pasur mëkatin që kishin lidhje në një mënyrë apo një tjetër me deputetë të Partisë Socialiste apo njerëz pranë opozitës së kohës. Shpesh, si rregull dhe jo si përjashtim, në shumicën e tyre ndërhyrjet për shkatërrim ishin bërë në kundërshtim me ligjin dhe ishin hapur pjesë e revanshit dhe ndëshkimit të kundërshtarëve politikë. Por ai ishte vetëm një aksion që zgjati deri në momentin kur paligjshmërisht nisën të ndërtojnë njerëz politikisht korrektë me Berishën.

Tetë vjet më pas, kryetari i PS-së dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama jo vetëm paralajmëron, por edhe kërkon veprim. Kryesisht në qytetet bregdetare, me pushtetin lokal të kontrolluar nga socialistët e tij, ka nisur një valë goditëse e ligjit mbi ndërtime abuzive. Kontrolli i territorit dhe ndëshkimi i njerëzve të betonit të paligjshëm që ndërton kuturu, duket se do të jetë një dramë me shumë akte. Mbas shtatorit do të ketë akte të tjera, ndoshta edhe më dramatike. Të njëjtën gjë Rama ishte i detyruar ta bënte dhe në Tiranë në mandatin e tij të parë si kryetar i bashkisë. Eshtë ky një veprim që përveç ndëshkimit të individit sjell dhe çlirim tek shumëkush: kënaqësia për therjen e lopës së paligjshme të fqinjit, gëzon edhe ata që nuk kanë fare lopë, madje i bën ata ta harrojnë përkohësisht një gjë të tillë. Në një vështrim të parë duket se epidemia për ndërtime të pa ligjshme është e pamundur të ndalet, sa kohë që në mbi dy dekada shqiptarët janë mësuar të ngrenë skela në tokë private e shtetërore dhe nuk janë ndëshkuar. Në thelb ky është një operacion i thjeshtë, është një operacion sa psikologjik, po aq dhe në nevojë të vullnetit politik. Duhet ndryshuar baza ligjore. Pjesë e ndëshkimit do të jetë jo vetëm fajtori që duhet të paguajë edhe për vetë procesin e prishjes së ndërtimit abuziv, por edhe gjithë ato segmente që e kanë ndihmuar ta bëjë një gjë të tillë. Eshtë një zinxhir i tërë që është lehtësisht i identifikueshëm për t’ju dorëzuar ligjit. Jo thjesht burgut, siç i bihet zakonisht shkurt, por xhepit. Aty dhemb më shumë ndëshkimi.

 

Tek Presidenti

Muajt, por dhe ditët e fundit, Presidenti i Republikës ka bërë emërime në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, në Apel, KLD e së fundmi edhe në Shkollën e Magjistraturës. Në të gjitha rastet ai është vënë nën akuzë për dekrete partiake. Në fakt është fare e lehtë të vihet re filli blu që i bashkon pothuaj të gjitha këto emërime. Të cilat kanë një synim të qartë: të konsolidojnë politikisht e besnikërisht një pushtet, gjyqësorin, i cili do të jetë në balancë të kundërt politike me dy pushtetet e tjera nga të cilët u zhveshën demokratët, legjislativi dhe ekzekutivi. Ngjan se me firmën e Presidentit, edhe kur e liga, klientelizmi, aprofesionalizmi e shpërblimi partiak është i dukshëm, realiteti i ri në gjyqësor është i pakthyeshëm. Por ky është vetëm një iluzion. Sërish paratë janë gracka që nesër, në rastin e ekzistencës së vullnetit politik për ndryshim e përmirësim, do të zinin gjithë ata gjyqtarë e njerëz të sistemit gjyqësor që janë të korruptuar. Një shembull i thjeshtë. Me vetëm disa qindra euro rrogë në muaj, ka një shumicë aktorësh të sistemit që bëjnë një jetë biznesmenësh të suksesshëm. Ka shumë nga ta që bëjnë edhe katër udhëtime turistike jashtë shtetit në muaj, ka nga ta që ngasin rrugëve të Tiranës makina që kushtojnë sa 14 vjet rrogë shteti. Për të mos folur pastaj për banesat apo stilin e jetesës. Eshtë fare e lehtë identifikimi i tyre. Dhe një pyetje e thjeshtë për ta: Ku i ke gjetur këto para?

Eshtë shumë e vështirë shmangia e tentacionit për të peshkuar në këtë kategori njerëzish të sistemit, shërbëtorët e nesërm të maxhorancës qeverisëse. Tetë vjet më parë Berisha nuk i shpëtoi këtij tentacioni, kur përdori në vijimësi pikërisht këta individë, që nga ata që ishin nëpër kolegje zgjedhore e deri tek ata që godisnin kundërshtarët e tij politikë dhe mbyllnin proceset për njerëzit e tij. E njëjta logjikë dhe për organin e akuzës. Me pak fjalë u raportua se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka bërë atë që duhej për luftën kundër krimit dhe sidomos kundër korrupsionit. Përfshi këtu edhe 21 Janarin apo spekulimin gjigant financiar për ndërtimin e rrugës së Kombit.  A mund ta nxisë ekzekutivi i nesërm këtë organ të pavarur kushtetues që të punojë më fort në këtë drejtim? A mund ta pilotojë hetime për ngjarje që politikisht opozita e para 23 qershorit i ka quajtur krime? Mjetet ligjore thonë jo! Por në çdo vend të botës, si rregull dhe si aksiomë, qeverisja mund të krijojë klimën për të goditur krimin dhe korrupsionin. Dy shtylla që kanë mbajtur kryqëzuar gjithë fatet e vendit dhe që duhen shembur.

 

Ekonomia, ekonomia, ekonomia

E nesërmja e zgjedhjeve natyrisht nuk e gjeti Shqipërinë as më të pasur, as më pak të mjerë, as me më pak probleme. Qytetarët ju drejtuan po listave të zeza të ushqimeve veresie, njëlloj u ankuan për çmimet e larta, për pamundësinë për të blerë ilaçe apo shlyer faturat. Tetë vjet me radhë u bombarduan me imazhin e një Shqipërie që lulëzonte dhe konkurronte herë Gjermaninë e herë Kinën, me imazhin e një Shqipërie që ngrysej nën baltë dhe gdhihej mbi asfalt, por në 23 qershor shqiptarët thanë: as propaganda dhe as rrugët nuk hahen. Nuk bëhen libra për fëmijët dhe as çek për të paguar shpenzimet e muajit. E para dhe mbi të gjitha, shqiptarët kanë nevojë të dinë se ku janë. Njëlloj si në një shtëpi kur bëhet inventari i asaj që ka brenda dhe asaj që duhet për të nesërmen. Një borxh i frikshëm i jashtëm, po kështu një mal i tërë me qindra milionë euro detyrime të borxheve të brendshme, rënie drastike e të ardhurave e me shumë gjasa dhe shifra të “korrektuara” politikisht që duhej të vërtetonin mrekullinë ekonomike shqiptare. Audit i jashtëm? Në këtë rast nuk ka shumë rëndësi mbiemri, por po të jetë audit i jashtëm edhe ca më mirë sepse nuk do të dyshojë njeri për trukim të rezultatit të tij. Një gjë është e qartë. Berisha nuk do ta lerë karrigen e tij me inventar. Duhet ta bëjnë fitimtarët. Jo si tallje të fundit ndaj humbësve, por si një detyrim për të ditur se ku është ky vend e për të treguar se çfarë sforcoje duhet për ta lëvizur vendin nga ky vend. Dhe kjo është arsyeja edhe pse kryeministri i ardhshëm u takua me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.

Dhe administrata. Po. Administrata. Nëse ka një dështim spektakolar në këto dy dekada pluralizëm, ky është dështimi për të ndërtuar një administratë eficente, jopolitike, profesioniste dhe të qëndrueshme. Eshtë e tillë administrata e sotme? Me të gjitha gjasat jo! Mjafton për t’u verifikuar ky fakt nëse shihen procedurat e rekrutimit të saj në të shkuarën. Mjafton të kujtohet fshesa e menjëhershme që ndodhi mbas 1 prillit me ish-bashkëqeverisësit e LSI-së. Në vend të humorit: nga administrata e sotme do të duhej të largoheshin jo vetëm ata që në kundërshtim me ligjin u përfshinë në fushatë elektorale, por dhe ata që nuk dinë të dallojnë komandat ndiz e fik në kompjuter.

Këto duket se po paralajmëron maxhoranca e nesërme që në këtë mënyrë, paralajmëron se si do të jetë fillimisht Shqipëria e nesërme. Duke nisur me 100 ditët e para, deri në dhjetor kur duhet marrë statusi i vendit kandidat për BE. Një gjë është e qartë që tani: e nesërmja do të jetë ndryshe. Sa më evropian ky vend, aq më pak vend për zullume që kryesisht i kanë ardhur nga politika këtij vendi.

*JAVA

12 Pergjigje per Shumica e re, një udhëtim në të ardhmen politike

  1. qwe  --  17 Korrik, 2013 në 1:43 pm

    Persa i perket ndertimeve pa leje ka nje analize te dobet. Fajin per ndertimet pa leje e ka shteti shqiptar … ose me mire te themi administrata e korruptuar e shtetit shqiptar e cila nuk eshte ne gjendje ti pergjigjet kerkesave qe kane njerezit per ndertim. Tarifat dhe burokracia jane te pa bazuara ne merkato dhe mundesite e njerezve. Per ndertimin e nje shtepie kerkohen me shume taksa se sa duhen per vete ndertimin. Kete spekullim populli shqiptar nuk mund ta mbaje ne kurriz. Faktor tjeter eshte korrupsioni i larte. Eshte e pamundur te pergatisesh letrat per nje ndertim me leje. Qe ne hapin e pare tek hipotekat, prefekturat, bashkite eshte bllok total. Mafia eshte e shtrire si kancer ne te gjithe sistemin. Asnje punonjes nuk merr, nuk shqyrton, nuk jep pergjigje per asnje lloj dokumentacioni. Ka vetem sorollatje … ose alternativa paguaj nen dore dhe rezultati eshte i sigurte. Por as pagesa nen dore nuk funksionon. Shifrat qe kerkohen jane astronomike. Punonjesit e shtetit jane ne “konkurrence” me vete shtetin. Armiku kryesor i shtetit eshte vete punonjesi i tij. Pas tre vitesh sorollatje cfare duhet te beje qytetari apo fshatari ? Une vete kam shkuar tek prefekti disa here per te kerkuar qe zyra e rregullimit te territorit te kryente korrigjimet dhe pasaktesirat ne harte dhe te me kthente pergjigje per korrigjimin e hartave te tokes qe kam blere. Eshte e pamundur. Dosja rri ne sirtar dh e nuk japin pergjigje. Me kerkuan 15 milion leke qe ta zgjidhnin me korrupsion. Nuk kam. Nuk pagova. Edhe sot pas 4 vjet pritje nuk eshte zgjidhur. Prefektin e hoqen. Zorraxhinjte e zyres jane akoma aty. Ehhh – me thone – tani ky i riu do me shume.

    Përgjigjjuni

  2. Altin Muka  --  17 Korrik, 2013 në 1:53 pm

    Po me pallatin e LUL Bashes (Berishes)cfare do beje Edi!!! Aty duket puna e tij. Aty duket forca e tij. Nuk duhet te shihet si dicka personale apo inat e larje hesapesh por drejtesi. Drejtesi per popullin e Vlores dhe gjithe shqiperise sepse ai pallat, ashtu arrogant ne mes te detit eshte simboli i pushtetit arrogant qe 23 qershori e varrosi. Edi por dhe vete Basha duhet ta shemb ate pallat qe jo vetem eshte brutal por eshte shume i shemtuar

    Përgjigjjuni

  3. myzeqari  --  17 Korrik, 2013 në 2:03 pm

    O Lenci jam dakort me ato probleme qe ju trajtoni por nuk ju duket se te gjitha qeverrite socialiste jane te pa fate. Kujtojme ne 1997 PS e mori Shqiperine cop cop, e beri dicka jua dorezoj sorollopeve te PD te cilet perseri e moren te sakte dhe e dorezojne cop cop perseri. Ore Zoti Vangjeli do jap dikush llogari per kete shkaterrim apo jo, do fitoj dote shqiptari kulture per ndeshkueshmerine apo do te vuaj nga mosndeshkueshmeria. Ore hesapi eshte i bere burri ka marre kaq leke, gruaja kaq, jane prishur kaq dhe kane kursyer kaq. Ku dalin tere keto vila, makina luksoze etj etj. Keshtu qe mendoj se qeverria e re menjehere keta qe jane sot ne detyre te pakten ministrat, drejtoret e drejtorive, prefektet, kryetaret e bashkive, prokurore, gjyqtare dhe disa rrangje te tjere duhet ti kaloj ne site dhe mbi keta te behet ndeshkueshmeria. Perndryshe thuam qe me ke armik pas 4 vjetesh Lenco. Dakort. Po qe se nuk je dakort me mua me shkruaj.

    Përgjigjjuni

  4. genc  --  17 Korrik, 2013 në 2:14 pm

    O LORENCI

    Po nuk te emeruar ty njeri qe ti vesh note administrates.

    Përgjigjjuni

  5. Ligor Luarasi  --  17 Korrik, 2013 në 3:02 pm

    E VERTETA TRIUMFON.

    Z.Lorenc Vangjelit i kane bere vazhdimisht zhurme, zhurmusit ne Tv-ion ngaqe ka qene nga kritizeret me te logjikshem kunder mekatareve, i kam jetuar castet e shumta. Kur kunder Vangjelit behej edhe palodirigjenti i emisionve bashke me 2,3,apo 4 opozitaret e tij.Per pasoje Vangjeli duhet te kish gjithemon nje goje me shume te mbyste zhurmusit alogjike.
    Me kete shkrim Z.Vangjeli s’ka zhurmuse ndaj dhe c’do shqiptar edhe opozitar te jete e kupton qarte drejtesine e shkrimit.
    E uroj Z.Vangjeli nga lark me bindjen se te verteten s’ka burre nene ta mbuloje,maskoje apo deformoje, po vjen koha qe e verteta te fitoje.Shendet dhe suksese Z.Lorenc Vangjeli.17 korik 2013-te,SHBA.

    Përgjigjjuni

  6. demokrati fillimit  --  17 Korrik, 2013 në 3:17 pm

    Nje gje eshte e sigurt qe shqiptaret kane bere zgjedhjen e duhur dhe njerzit ne thelb kerkojne qe Edi Rama te beje shtet, te beje nje administrat publike moderne e ne sherbim te qytetareve, te ndaloje ndertimet pa leje e te shfuqizoje lejet e dhena ne kundershtim me ligjin qofte edhe duke derguar pas hekurave kryetar komunash,bashkish,shefa urbanistikesh etj.nje rjet i tere mafiozsh. Ne e dim qe Edi Rama dhe ekipi i rilindjes se ketij vendi ka shume pune per te bere por edhe kemi besim apsolut tek ndergjegja kombetare dhe historike e ketij kryeministri per ta kthyer shqiperine ne rrugen normale, ne gjithashtu e dime qe kemi te trashguar nga PD nje sistem gjyqesor alla PD e deri te nje byro kombetare per dhenien e lejeve te ndertimit, etj.etj ,per te cilat vizioni tij nuk mungon,me Edi Ramen shqiperia do te rinind.

    Përgjigjjuni

  7. voica  --  17 Korrik, 2013 në 4:20 pm

    Po mire mo Lorenc.
    Ngjashmeri jo e padukshme quhet kur Saliu prishi Zogun e ZI sa erdhi, kurse Edi ja nisi bregun?

    Përgjigjjuni

  8. tomori i beratit  --  17 Korrik, 2013 në 7:03 pm

    Vetem prishja e VILAVE te vjehrit te Lul bashes do te tregoje para popullit se kush eshte Ilir Meta dhe sa fuqi do kete Edi Rama.KY ESHTE NJESHI .Po nuk u prishen keto vila EDI RAMA e ka HARRAM VOTEN TONE.

    Përgjigjjuni

  9. tan  --  17 Korrik, 2013 në 9:43 pm

    Nuk legjitimo asnje shqiptare qe te ndertoj paleje dhe te zaptoje tokene e dikujt tjeter sepse nuk i dhenkan leje ndertimi ne fshat ??,me sa di ne fshata nuk ka pasur asnje here nevoje per lejendertimi dhe kjo nuk justifikon te gjith keta fshatare qe kane ndare tokat sipas qejfit te kryeplakut te radhes dhe jane turru si bageti tokave te qytetit dhe bregdetit duke i skaterruar dhe ndertuar pafund ndertime dhe zaptime palej .
    Keta nuk jane as shqipetare as qytetare por shpellare,
    Dueht te pergjigjen perpara ligjit dhe te denoen si penalisht dhe administrativisht.
    Kjo veper e tyre kafsherore duhet te perfundoje njehere e mire per kete vend .
    Dhe jo si personi me duar te pastra qe la cdo bandit te behete pronare i kundraligjeshem.
    Koha do te tregoja se sa dem te madh i kane bere ketij vendi keta kriminel.

    Përgjigjjuni

  10. ariani  --  17 Korrik, 2013 në 11:28 pm

    z.Vangjeli tashme qe Berisha iku duhet qe edhe ju te beheni paksa i paanshem.Prishja e disa ndertimeve pa leje ne Vlore eshte nje farse e mirefillte sepse prishen disa baranga llamarine dhe nderkohe shkaterohet lulishtja me e madhe ne Vlore ajo e TRE RACAVE per tu ndertuar pallate 13 kateshe.

    Përgjigjjuni

  11. Mihal Dhimo  --  18 Korrik, 2013 në 8:05 pm

    Ajo qe me shqeteson ne rastin e ndertimeve pa leje jane pashallaret e vegjel te gubernes,Kryetaret e Bashkive. Ne Sarande zihen rruget publike,mbyllen me dyer hapsira te tera te komunitetit dhe kryetari Stefan Cipa urdheron policine bashkiake te mos veproje.Lus zotin qe kryeministri i ardhshem,Edi Rama, te filloje se pari me kryetaret e tij,qe te kuptojne se koha e pashalleqeve ka mbaruar dhe Shqiperia behet nese kudo zbatohet ligji dhe jo parimi “Ligji jam une…”

    Përgjigjjuni

  12. joana  --  19 Korrik, 2013 në 11:39 pm

    jam dakord me mihalin. le te filloje me kryetaret e vet. Ata nuk kane asnje ndryshim me palen tjeter. ne komunen e dajtit qe e kane sociaistet po behet nami me shtesa mbi pallate keto ditet e fundit dhe te gjitha me leje nga komuna. njerezit qe ndertojne jane nga Skrapari(e merrni mi mend besoj). Jane kaq te sigurt dhe nuk ua ben syri terr, pa turp dihet qe nuk kane. Mjer ne dhe lum Skrapallinjte!

    Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>