Disa mendime mbi organizimin e arsimit të lartë

Postuar në: Opinion |

universitetiNga Artur Elezi*

U bë mëse dy dekada që Shqipëria përjeton një periudhë tranzicioni të karakterizuar nga suksese dhe dështime, herë objektive e herë subjektive. Në tërësi, drejtimi i vendit gjatë këtyre viteve është bërë nga një brez politikanësh që u rrit në një sistem të mbyllur e pa shumë njohje të alternativave të tjera socio-ekonomike. E patjetër, s’kish si ndodhte ndryshe – kjo ishte e pashmangshme. Por jo gjithmonë specialistët më të mirë u vunë në drejtim të sektorëve perkatës e kjo mund dhe duhej të shmangej. Për pasojë mungoi hera-herës strategjia e qartë e zhvillimit. Kjo mungesë është gjithmonë e dëmshme, por në disa fusha dëmet fillestare influencojnë shoqërinë për shumë kohë mbasi janë shkaktuar. Arsimi është fusha për të cilin ndoshta vlen më shumë karakterizimi i mësipërm, një fushë për të cilën me të drejtë ka pritshmëri për shumë më tepër sukses. Fjalët që shoqërojnë më shumë gjendjen aktuale të arsimit, sidomos të atij të lartë, janë mikromenaxhimi nga qeveria, cilësia e dobët dhe korrupsioni, atribute që kanë ndërvarësi reciproke.

Jam i bindur se është i nevojshëm një debat dhe vendim përfundimtar kombëtar për mënyrën e organizimit të arsimit të lartë dhe ky shkrim është pikërisht në këtë kontekst.

Pohoj me kënaqësi se përfundova studimet për matematikë në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe punova si pedagog i matematikës në të njëjtin fakultet për 4 vjet gjatë kohës së revolucionit demokratik. Në 20 vitet e fundit kam qenë në USA, dhe për rreth 10 vjet jam profesor i matematikës në Universitetin Amerikan në Washington DC. Për disa vite kam dhënë leksione pasuniversitare verore në Universitetin e Vlorës. Megjithëse i larguar me kohë, i ndjek me mjaft interes zhvillimet politiko-ekonomike në Shqipëri.

Nisur nga experienca personale si student dhe pedagog në sistemin e arsimit të lartë shqiptar dhe atë universitar dhe pasuniversitar amerikan, po paraqes disa mendime për një model organizimi që jam i bindur se do të kurojë disa nga problemet që paraqet arsimi i lartë shqiptar.

1.      Roli i familjes dhe shoqërisë

E di e di, të gjithë e pranojmë këtë parimisht, por jo të gjithë e kuptojmë në thellësi dhe jo të gjithë e bëjmë sistematikisht.

Eshtë reduktim i madh të fokusohemi vetëm tek roli shkencor i shkollës. Megjithëse shumë i rëndësishëm, ky nuk është as i vetmi, madje mund të diskutohet edhe as më kryesori. Çështja duhet parë më gjerësisht, me vështrimin nga e ardhmja. Janë auditorët e shkollave ato ku studentët mësojne virtute që jo vetëm do t’i ndihmojnë drejt suksesit në jetën universitare, por do të jenë gjithashtu thelbësore për shumë kohë pasi ata lënë bangat e shkollës në jetën e tyre familjare, shoqërore dhe profesionale. Disiplina, respekti ndaj punës, planifikimi, organizimi, durimi, të mbijetuarit në konditat e stresit, mënyra e të menduarit, argumentimi mbi bazën e fakteve, ngulmimi për të realizuar potencialin maksimal personal, marrëdhëniet në kolektiv, respekti ndaj kolegut bashkëstudent – janë këto disa nga cilësitë që të gjithë ne, prindërit e tyre, mund të dëshmojmë se na duhen vazhdimisht. Eshtë pra formimi civil që merr formë në bangat e shkollës dhe përcakton, në një masë të madhe, suksesin e mëvonshëm të këtyre studentëve si krijesa njerëzore dhe shoqërore.

Për këtë arsye, është thellësisht e rëndësishme që familja të marrë një rol thelbësor dhe aktiv në jetën e fëmijëve të tyre studentë, shpeshherë ndoshta edhe duke luftuar rezistencën e tyre. Eshtë e kuptueshme që familjet kanë nivele të ndryshme sociale dhe kulturore por ajo që duhet të na bashkojë të gjithëve është interesimi i vazhdueshëm, kërkesa e llogarisë e këshillimi për problemet e ndryshme të jetës studentore, dhe insistimi se është puna e tyre që në masën kryesore do të përcaktojë rezultatet në studimet universitare. Duket e thjeshtë por është e rëndësishme: studentët bëhen të vetëdijshëm për rolin e arsimimit në jetën e tyre nga fryma dhe opinioni i shoqërisë dhe familjes për arsimin. Një interesim i madh familjar e shoqëror ka më shumë gjasa të transferohet në një seriozitet e përkushtim më të madh studentor.

2.      Krijimi i një sistemi universitar që stimulon iniciativën, rrit cilësinë dhe vetëlufton korrupsionin

Eshtë detyra e parlamentit dhe qeverisë që të krijojë kushtet e përshtatshme që sistemi arsimor në tërësi dhe ai i lartë në veçanti të jenë në gjendje të përgatisin një kapacitet udhëheqës dhe prodhues të aftë për t’ju përgjigjur sfidave kapërcimi i të cilave mundëson progresin ekonomiko-social të së ardhmes. Arsimi është një nga çështjet më strategjike të një shoqërie. Ai kërkon profesionalizëm, vision afatgjatë dhe përkushtim kombëtar. Amatorizmi dhe ndërhyrjet e jashtme për perfitime momentale shkaktojnë çekuilibra afatgjatë.  Mund të ndërtohen objekte pa leje apo rrugë pa cilësi: është me kosto por këto dëme edhe mund të riparohen relativisht shpejt. Gabimet në sistemin arsimor rezultojnë në dekada dhe breza të humbur.

Ka disa modele të ndërtimit të arsimit universitar. Përcaktimi i formës dhe strukturës së organizimit është çështje strategjike kombëtare dhe duhet të realizohet me një pakt afatgjatë ndërmjet politikës dhe edukatorëve pas një diskutimi të gjerë. Gjithsesi, ka rëndësi që pasi bihet dakord mbi mënyrën e organizimit, e gjithë shoqeria duhet të “vozisë” në unison e me vendosmëri sipas këtij plani duke i rezistuar presionit apo prirjes për ndërrim kursi në momentin e parë kur gjerat nuk shkojnë mirë.

Mendoj se parimi më natyral që çon në ndërtimin cilësor të sistemit të arsimit të lartë është konkurenca e lirë midis universiteteve që gëzojnë autonomi institucionale, konkurence e cila ka pasojë vertikalizimin cilësor të arsimit të lartë.

(a) Autonomia institucionale. Në kushtet e mungesës së besimit në pavarësinë e institucioneve nga politika, është imperative që të krijohet një amortizator midis qeverisë/politikës dhe institucioneve të arsimit të lartë. Praktika botërore dhe sidomos ajo amerikane janë ndeshur prej kohësh me këtë problem. Historia e zhvillimit të arsimit të lartë është përshkuar nga një tension me ulje-ngritje midis tij dhe politikës, me tentativa të herëpas-hershme të kësaj të fundit, sidomos në kohë krizash ekonomike, për të vendosur nën kontroll menaxhimin e universiteteve. Për të minimizuar ndërhyrjet e degëve të ndryshme të pushtetit në funksionet mësimore, shkencore apo financiare të universiteteve është arritur përgjithësisht në këtë qasje: sistemi universitar menaxhohet nga një Bord i Arsimit të Lartë që emërohet nga kryeministri, parlamenti apo presidenti dhe ka fuqi të mëdha (në disa vendje madje të plota) ekzekutive mbi proceset universitare publike e private. (Meqe jemi ketu, egziston edhe një cështje tjetër relevante delikate: liria akademike. Kjo është zgjidhur nëpërmjet konceptit të tenurës – moscënimi i vendit të punës së një akademiku për shkak të konflikteve që burojnë nga aktiviteti shkencor i tij/saj.)  Anëtarët e Bordit të Arsimit të Lartë nuk janë deputetë, as anëtarë të qeverisë, apo të punësuar nga universitetet publike. Ata kanë një mandat të gjatë qe kapërcen atë legjislativ. Anëtarët e Bordit fillestar emërohen me mandate të ndryshme kohore në mënyrë që asnjë ekip drejtues legjislativ/qeveritar të mos ketë mundësinë që të ripërtërijë më shumë se (përgjithësisht, pak a shumë) një të tretën e këtij Bordi gjatë mandatit të tij. Eshtë ky Bord që mbi bazën e procedurave të qarta licenson universitetet publike apo private, miraton buxhetet e universiteteve, degët që afrojnë universitetet, përcakton njësitë matëse të kurseve universitare dhe mbi bazën e tyre vendos tarifat e shkollimit të studentëve, miraton kriteret e përfundimit me sukses të studimeve universitare etj. (Megjithëse ky shkrim është kryesisht mbi modelin në vija të gjera dhe jo për detajet, dy fjalë për këto njësi matëse dhe tarifën e shkollimit. Modeli që diskutojmë vendos kreditin semestral si njësi bazë të matjes së vlerës së një kursi universitar. Përgjithësisht kurset me një kredit janë ata që zhvillohen një herë në jave për 50 minuta. Shumica e kurseve janë 3-4 kredite dhe universitetet përgjithësisht caktojnë një cmim për çdo kredit të marrë.)

Të gjitha vendimet e Bordit të Arsimit të Lartë duhet të mbështeten kryesisht mbi këtë parim: a egzistojnë kapacitetet shkencore-mësimore dhe financiare për të përballuar cilësisht funksionimin e një institucioni të ri që kërkon liçensim, apo hapjen e një dege të re studimi? A egzistojnë kondita të mjaftueshme për të siguruar që studentët do të kenë të gjitha mundesitë për sukses.

Nëse është i nevojshëm liçensimi i një universiteti të ri publik/privat apo hapja e një dege të re në kontekstin e zhvillimeve strategjike ekonomike, kjo është pjesë e vendim-marrjes së Bordit Drejtues të Universitetit përkatës. Në rastin e parë, është tregu ai që udhërrëfen investuesit/qeverinë nëse ka hapësirë për një universitet të ri, kjo madje është pjesë e analizës financiare të aplikimit për liçensim. Në rastin e dytë, ka mjete të tjera që mund të përdoren nga Bordi i Arsimit të Lartë apo qeveria për të stimuluar degë me interest të veçantë strategjik.  Mund të jepen ndihma financiare apo kredi me interest të ulët për studentët qe ndjekin këto degë; mund të jepen fonde shtesë të dedikuara për punësimin e specialistëve/pedagogëve në degët strategjike. Për të njëjtën arsye, Bordi i Arsimit të Lartë nuk mund të vendosë për numrin e studentëve që do ndjekin programet universitare apo pasuniversitare dhe as për shpërndarjen e studentëve në universitete sipas degëve. Këto janë kompetenca të vetë universiteteve. Meqë jemi këtu, duket disi absurde të vendosësh kuota paraprake për deget e studimit: si mund të pengosh një student të studiojë për histori nën arësyetimin se është plotësuar numri! T’i lëmë studentët të kenë mundësi të bëjnë zgjedhjet e tyre bazuar mbi dëshirat dhe informacionet publike të punësimit potencial.

Siç e thamë edhe më sipër, universitetet drejtohen nga Bordet e tyre. Anëtaret e këtyre Bordeve emërohen nga kryeministri, parlamenti apo presidenti me një mandat që kapërcen mjaft atë legjislativ. Anëtarët e Bordit fillestar zgjidhen me kohëzgjatje të ndryshme në mënyrë që asnjë ekip drejtues të mos ketë mundësi të ripërtërijë më shumë se (përgjithësisht, pak a shumë) një të tretën e këtij Bordi. Në themel të pavarësisë institucionale qëndron fuqia reale legjislative e këtij Bordi. Kompetencat e tij midis të tjerash janë: emërimi apo pushimi i rektorit, miratimi i strategjisë së përgjithshme të universitetit, i buxhetit, i degëve që do të ofrohen, i numrit të pedagogëve, i pagave të tyre, etj. Struktura ekzekutive e Universitetit – Rektori dhe administrata – janë përgjegjës për manaxhimin e përditshëm të proçesit mësimor-shkencor, përcaktimin e kritereve për pranimin e studentëve, rekrutimin, aplikimet dhe pranimet e studentëve etj.

Ky model i jep iniciative universiteteve të jenë krijues në të gjitha çështjet e mësipërme apo edhe të tjera me qëllim rritjen e vitalitetit dhe zhdërvjelltësisë institucionale, garantimit të efektivitetit financiar, ngritjes së cilësisë mësimore/shkencore nëpërmjet rekrutimit të trupave cilësore pedagogjike dhe studentore; pikërisht këtu do të qëndrojë suksesi apo dështimi i universiteteve.  Presupozohet me të drejtë në këtë model që universitetet me kompetencën e autonomisë institucionale ndjehen përgjegjës të drejtpërdrejtë për sukseset dhe dështimet e tyre dhe rrjedhimisht janë të vetë-motivuar për të gjetur të gjitha format e mundësitë drejt suksesit. Eshtë produktive që kompetenca të dërgohet atje ku maksimizon suksesin, duke hequr dorë nga mosbesimi dhe mikromenaximi nga lart, duke u dhënë individeve dhe ekipeve drejtues mundesinë të shpalosin krijimtarinë e tyre, duke i bërë ata përgjegjës për institucionet që drejtojnë.

E meqë përmendëm efektivitetin financiar më sipër, ka mjaft hapsira për përmirësime në mënyrën e funksionimit të universiteteve. Sa për të ndezur imagjinatën, p.sh. duket jo shumë efektive, madje dhe jo natyrale, egzistenca e lëndëve si anglisht për shkencat natyrore, anglisht për inxhinieritë, anglisht për shkencat shoqërore etj. Eshtë më e thjeshtë për t’u ndërtuar, kuptuar dhe kontrolluar nëse kemi Anglisht 1, 2, 3, e kështu me rradhë sa më i lartë numri aq më e avancuar klasa. Kurrikula e shkencave natyrore mund të përfshijë vetëm anglisht 1,2 ndërsa ai i shkencave shoqërore mund të përfshije anglisht 1,2 dhe 3 e kështu me radhë.

Në momentin e parë të aplikimit të kësaj skeme, institucionet financohen në mënyrë të barabartë në përputhje me numrin e studentëve që mund të sistemojë universiteti, numrin e pedagogëve për të përballuar këta studentë, etj. Më tutje skema e financimit përcaktohet nga shumë faktorë të tjerë, midis të cilave do të veçoja vlerësimin nga insitucioni akreditues, për të cilin do të flasim më poshtë.

(b) Provimet e hyrjes ne universitet.

Në modelin që analizojmë në këtë shkrim, universitetet i zgjedhin vetë studentët e tyre duke u mbështetur kryesisht në dy faktorë: rezultatet e shkollës së mesme dhe rezultatet në një provim kombëtar që vlerëson të gjithë studentët me të njëjtin “metër”. Kriteri i dytë bëhet për të minimizuar diferencat midis të njëjtit vlerësim në shkolla të ndryshme si dhe për të evidentuar prirjet e studentëve. Ndoshta provimet e maturës mund të perdoren për këtë efekt. Në sistemin amerikan kjo mbulohet nga një apo disa qendra të fuqishme të pavarura testuese për studentët e shkollave të mesme.  Qendra të tilla mund të sherbejnë edhe për testime të tjera si p.sh. për provimet e pranimit në programet pasuniversitare, për certifikime të ndryshme etj. Një institucion i pavarur me ekspertë të specializuar në këtë fushë është zgjidhje më proporcionale dhe shërben më mirë. Përsa kohë mungon besimi në një institucion të brendshëm, funksionet e kësaj qendre mund t’i besohen një institucioni të huaj i cili gradualisht trajnon dhe transferon funksionet e tij në një institucion shqiptar.

(c) Matja e cilësisë së universiteteve – akreditimi.

Ky është një nga mekanizmat më të rëndësishëm në funksionimin e kësaj skeme.  Eshtë jetike që qeveria, studentët e familjet e tyre dhe punëdhënësit të kenë një informacion të saktë për nivelin e diplomave që dalin nga universitetet. Mbi bazën e këtyre rezultateve Bordi i Arsimit të Lartë rinovon, riklasifikon apo anullon liçencat e universiteteve si dhe vendos për nivelin e financimit te tyre, studentët vendosin se ku duhet të aplikojnë ndërsa punëdhënësit marrin vendime për punësimet bazuar në cilësitë e diplomantëve që dalin nga këto universitete. Eshtë e rëndësishme, në këtë kontekst, ngritja e një institucioni të fuqishëm e të pavarur akreditimi detyra e të cilit është matja mbi bazën e kritereve të para-shpallura dhe të përcaktuara qartë e performancës së universiteteve. Eshtë pikërisht frika e një vlerësimi të dobët në proçesin e akreditimit e për pasojë humbja e studentëve, e pedagogëve, e financimit public, apo e liçencës që do shërbejë si motivimi më natyral për universitetet me pavarësi institucionale. Akreditimi mund t’i besohet ndonjë agjencie të huaj deri në ndërtimin e një institucioni të brendshëm që ka reputacion dhe gëzon besimin e shoqërisë.

(d) Vertikalizimi dhe financimi – efektet e vlerësimit të institucionit të akreditimit në të ardhmen e universiteteve.

Ky model krijon mundësinë që universitetet me ekipe drejtuese visionare e krijuese në menazhimin e fondeve publike apo në thithjen e fondeve te tjerë private, të tërheqin pedagogët e studentët më të mirë, të jenë më të sukseshëm në punësimin e studentëve të tyre, të vlerësohen më mirë nga institucioni akreditues, të shkëputen në këtë konkurence ndër-universitare dhe për pasojë të bëhen elita e arsimit të lartë shqiptar. E kështu duhet të jetë. Duhet të kemi një institucion elitar, qe mund të konkurojë me institucione në vënde të tjera, ku do të ishim krenarë të dërgonim fëmijet tanë. Do ishte mirë për familjet dhe shoqerinë që të edukonim ne vetë një pjesë të mirë të inteligjencies së ardhme, duke rritur gjasat që ky grup elitar të vazhdonte kontributin në Shqipëri edhe pas studimeve. Nuk ka pse të mendojmë si inferiorë, shembujt e cilësisë së studentëve më të mirë të Fakultetit të Shkencave Natyrore apo edhe të tjerë para kohës se tranzicionit, apo suksesi i studenteve tanë ne shkollat më të mira perëndimore dëshmojnë se ky qëllim është plotësisht i realizueshëm.

Vlerësimi që jep institucioni i akreditimit ka pasoja në të ardhmen e universiteteve. Më të mirët mund të financohen më mirë, për pasojë do të punësojnë kuadro më cilësorë, do kenë ambjente më të mira, do rekrutojnë studentë më cilesorë e rrjedhimisht do jenë në pozita më të favorshme në të ardhmen. Në anën tjetër të spektrit, institucionet që vlerësohen dobët nga insitucioni i akreditimit, mund të humbasin një pjesë te financimit public, mund të gjobiten, të vihen në gjendje probacionare, të ri-klasifikohen në institucione të shkallës së dytë apo institucione të teknikëve te mesëm, apo edhe mund të humbasin liçensën. Jam tejet i sigurtë, p.sh. se shumica e universiteteve private në Shqipëri nuk mund të kalonin as nivelin më bazë të akreditimit, cilatdo qofshin kriteret e matjes, dhe për pasojë do të ishin kandidatë kryesorë për humbjen e liçensës.

(e) Programet pasuniversitare, në vecanti doktoraturat.

Pyetjet duhen shtruar: Ç’nënkupton titulli i doktoraturës?  Cili duhet të jetë modeli i organizimit të shkolles pasuniversitare? A na duhen dhe a i kemi kapacitetet për të prodhuar numra të lartë doktoratash në institucionet tona arsimore?

Modeli që diskutohet në këtë shkrim presupozon doktoraturën apo Ph.D.- në si shkallën më të lartë të shkollimit pasuniversitar. Eshtë një konditë bazë për ata që do instruktojnë studentet universitarë, për ata që do vihen në ballë të zhvillimeve shkencore, parashikimeve ekonomike, analizave makro-financiare etj. Nëse kjo është pritshmëria ndaj tyre, është e paimagjinueshme marrja e një titulli Doktor me dy-tre provime pasuniversitare dhe nje tezë disertacioni. TItulli i doktoraturës kërkon njohje të thellë të disiplinave bazë të fushës në kuptimin e gjerë te fjalës, njohje të thellë të fushës ku bëhet specializimi si dhe mbrojtjen e një disertacioni me rezultate origjinale. Një program i tillë mund të realizohet vetem si pjesë e një shkolle të rregullt 4-5 vjecare pasuniversitare ku studentët i nënshtrohen kurseve dhe provimeve rigoroze ashtu si edhe, madje më të vështira, në programet universitare. Jo të gjithë e kanë vullnetin, disiplinën dhe intensitetin për të përballuar këto programe. Vetëm ata që shkëlqejnë nëpër programet universitare dhe kalojnë me rezultate të larta provimet e pranimit mund të fillojne studimet në këto programe pasuniversitare por edhe këta nuk e kane suksesin e garantuar.

(f) Kompjuterizimi i aktivitetit universitar – effektivitet financiar,  anti-korruptiv dhe lehtësi per studentet.

Kompjuterizimi i plotë i aktivitetit është tashmë një pritshmëri e publikut për cdo insitucion public, kompani private, apo organizatë. Kjo është me rëndësi të veçantë për universitetet në Shqipëri, sidomos në kuadrin e luftës kundër korrupsionit. Rregjistrimet, notat e lëndëve, kurrikulumet, katalogët e degëve dhe lëndëve, anketimet anonime të studentëve për profesorët e tyre, të gjitha këto mund të kompjuterizohen me kontrolle të shumëfishtë për efekte sigurie. Kjo krijon mjaft lehtësira për studentët aktualë dhe potencialë, e bën menaxhimin e informacionit më efikas dhe me kosto të ulët, minimizon një pjesë të korrupsionit që lidhet me ndryshimin e informacionit apo bën publik nëpërmjet anketimeve studentore elementët korruptive dhe neglizhues të personelit mësimor. Besoj se hapa të rëndësishëm janë hedhur tashmë në mjaft nga universitetet – jam dëshmitar i suksesit të një sistemi të tillë në Universitetin e Vlorës të cilin e kam vizituar disa herë.

Këto janë disa ide të përgjithshme mbi një formë organizimi të sistemit universitar që ka rezultuar i sukseshëm. Kuptohet, ka shumë detaje që janë jetike për funksionimin e këtij modeli – dihet mire që “djalli fshihet midis detajeve”.  Mendoj se është koha për një debat me qëllim vendosjen një herë e mirë të strategjisë afatgjatë të zhvillimit të sistemit universitar. Koha nuk pret…

 

*Profesor i Asociuar i Matematikës, Universiteti Amerikan, Washington DC USA

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

15 Pergjigje per Disa mendime mbi organizimin e arsimit të lartë

  1. Konica  --  27 Korrik, 2013 në 1:58 pm

    Te gjitha keto qe ke shkruar zotrote i kane ne Shqiperi. Kane bordet, kane ligjin per arsimin e larte, kane provimet hyrese, kane lirine akademike e te tjera si keto. E megjithate, sistemi i aresimit te larte eshte teresisht i korruptuar. Si matematikan qe je, nuk arrin te shohesh pyllin prapa drureve. Nuk e kam fjalen per “pyllin matematikor”, por per ate pelhuren sociale qe eshte ne formim e siper ne Shqiperi. Sa te krijohet ajo pelhure dhe sa te krijohen kushtet e nevojshme per nje sistem efikas, keshtu do vazhdohet atje…rrumpalle hesapi. Eshte kapitali njerezor qe mungon atje. Eshte mentaliteti dhe menyra e te vepruarit me tere ato cenet qe e bejne sistemin te korruptuar. Eshte ajo sjelllja shoqerore e korruptuar ne palce dhe mungesa e integritetit social. Nuk ka si te ndodh ndryshe kur ne te shumten e rasteve ndryshe mendohet, ndryshe thuhet, dhe ndryshe veprohet. Vec kesaj, strukturat nuk mund te importohen ashtu kaq lehte…iu desh Europes 20-30 vjet per te adoptuar sistemin Amerikan te graduate school. Dhe meqe paske dhene mesim ne Universitetin e Vlores, kolegy yt Shaska, pa pike turpi desh te ngrinte graduate school ne Vlore, nje universitet me histori 10-15 vjecare. Nje universitet qe u krijua si shkollat bujqesore dikur. Nje ndertese, ca tavolina e karrike, ca mesimdhenes provinicial dhe o burra ta bejme Vloren, universitetin me te mire ne bote.

    Përgjigjjuni

    • Vlonjati  --  27 Korrik, 2013 në 3:24 pm

      O Konica, qe vetem emrin ke si Konica se mendjen e paske si ndonje pedagog i 300 eurove tek shkencat e natyres ne Tirane.

      C’te keqe ka ne se universiteti ne Vlore do te behej me i miri ne bote? Apo se ju priste kotheren ca te pa-afteve ne tirane? Qekur qenka turp te ngresh nje shkolle pasuniversitare? Apo ata “provincialet” e Vlores jane me pak te afte nga ju gollovaret e Tiranes?

      Shqiperia vertet ka keto bordet qe thua ti, por ato jane kot fare sepse i heq dhe i ve politika kur te doje. Por ka mekanizma ligjore qe keto borde te behen realisht te pavaruara nga politika.

      Sipas teje ne duhet te presim derisa kjo pelhura te ndryshoje?

      Përgjigjjuni

    • Artur ELezi  --  27 Korrik, 2013 në 3:25 pm

      Zoti Konica,

      Te sugjeroj te lexosh me me kujdes kete artikull – pastaj mund te diskutojme. Gjithsesi, sfondi qendror i artikullit eshte ndezja e nje debati per kete ceshtje.

      Sa per Shasken: ai GUXOI te trondise sistemin duke ofruar nje alternative ambicioze e cilesisht te ndryshme. Ne shume gjera pati sukses edhe pse ne kondita te veshtira. Nuk duhet vetem te kritikojme me nje te rene te lapsit – kjo eshte e thjeshte, duhen ofruar alternativa dhe plane konkrete.

      Artur Elezi

      Përgjigjjuni

  2. Studenti  --  27 Korrik, 2013 në 4:08 pm

    Rilindja fillon nga arsimi. Dhe arsimi fillon nga spastrimi i gjithe baroneve te shkences ne tirane te cilet kujtojne se shkencen dhe arsimin e kane monopolin e tyre.

    Zhdukni sa me pare keshillat e profesorave ne MASH qe ka krijuar Myqerremi me njerez plotesisht te paafte. Hiqni ata qe vendosin per titujt akademike edhe pse vete s’kane bere asgje keto 30 vitet e fundit.

    Diskretitoni te gjithe ata “shkencetare” politikane te cilet e kane mire me cdo qeveri dhe s’kane asgje te perbashket me shkencen.

    Kaloni ne site gjithe doktoratat dhe tezat e doktoraturave i beni publike ne internet.

    Ndaloni qe te gjithe ata qe kane diploma nga privati te punojne ne administraten shteterore.

    E drejta dhe shkenca do te triumfoje edhe ne Shqiperi si ne gjithe boten e qyteteruar.

    Edi Rama do ti beje keto. Dhe arsimi yne brenda vitit do te kete fytyre tjeter.

    Përgjigjjuni

  3. Artur Elezi  --  27 Korrik, 2013 në 5:07 pm

    Zoti Studenti

    Keto qe kerkoni ju afermendsh i kerkojne te gjithe. Ceshtja eshte se si duhen arritur?

    Nuk ka rruge tjeter vecse te krijohet nje sistem qe minimizon abuzimet, sepse njerez abuzive ka kudo jo vetem ne Shqiperi. Kjo eshte nje gje qe nuk mund te behet brenda vitit, megjithe padurimin dhe deshiren e madhe. Sistemi duhet konceptuar me kujdes dhe pastaj te zbatohet me disipline pa u tutur nga veshtiresite. Le t’a bejme nje here e mire…

    Artur Elezi

    Përgjigjjuni

  4. aldi  --  27 Korrik, 2013 në 5:19 pm

    O prof Arturi, disa gjera i ke ne rregull. Por ate Shasken (ne canakun e tij hengre dhe ti),mos na e kujto. Beri disa gjera te mira, por ishte vertet nje qen (jo bir qeni), qe nuk la njeri pa kashuar ne emer te reformave. Nderkohe ishte abuzuesi me i madh si nga ana ekonomike (liberi matematikes per te gjithe studentet, shpenzime pa mase…), ashtu edhe shkencore (promovoi ne universitet injoracen dhe paaftesine),per mos thene se ishte mosmirenjohes dhe …nje cike k…

    Përgjigjjuni

    • Artur Elezi  --  27 Korrik, 2013 në 5:41 pm

      Aldi,

      Per Shasken le te biem dakord qe kemi mendime te ndryshme!

      Persa i takon “ngrenies ne canakun e Shaskes”, nuk e kuptoj c’do te thote kjo! Secili ha ne canakun e tij! Une kontribuova me sa kisha mundesi ne kohen qe Shaska ishte Rektor, i erdha ne ndihme nje shokut tim ne detyren e tij dhe shpresoj qe ndihmova edhe Universitetin e Vlores! Mos mendo se kish ndonje perfitim ekonomik, megjithese e kuptoj se ne klimen e atjeshme eshte e veshtire te besoje se dikush mund te ndihmoje per qellime thjesht idealiste! Bejme shume gjera per komunitetin shqiptar ketu ne Washington, falas!

      Pershendetje,

      Artur Elezi

      Përgjigjjuni

  5. helena  --  27 Korrik, 2013 në 8:56 pm

    Se pari , Ju pergezoj per shqetesimin e ngritur.
    Diversiteti i mendimit con ne ndryshime cilesore dhe e pergjegjshme.
    Gjithkush nga ne, nga pervojat qe ka ne mesimdhenie dhe perfshirje ne reforma te arsimit ( parauniversitar e te larte)kupton se cfare duhet bere me mire.
    Verej se keni konstatuar qe ne fushat perkatese nuk jane vendosur specialistet me te mire, por nuk gjej pergjigjen per pyetjen: Cili eshte mekanizmi i krijimit dhe monitorimit te Bordeve, si dhe komisioneve qe perzgjedhin specialistet. Mos valle Shaska perdori mekanizma ne perzgjedhje?( p. sh. per stafin e rekrutuar) Absolutisht qe jo. Kete e them nga vezhgimi i vemendshem i Fakultetit te Shkencave Humane. Ka eshe plot probleme te tjera qe nuk mendoj se duhen trajtuar ne kete polemike, por e permenda meqenese na sollet si pervoje me te mire ate te Shaskes.
    Pyetja tjeter do te ishte: Ku mbeshtetet blerja e krediteve ne universitete publike, ashtu si ju jeni perfshire ne kurset e veres, per te cilat studentet paguan ne mos gaboj 8 mije leke te vjetra kreditet , kur nderkohe keto u rriten artificialisht? Jy nuk mendoj se eshte idealizem, edhe pse mendoj se idete jane ato qe levizin boten.
    Ku falenderoj per shqetesimin
    Helena Grillo

    Përgjigjjuni

    • Artur Elezi  --  27 Korrik, 2013 në 10:01 pm

      Helena,

      Ky artikull nuk merret me Shasken por me nje menyre organizimi te arsimit te larte. Prandaj, nuk po futem me ne shpjegime per kohen e Shaskes ne drejtim te Universitetit te Vlores.

      Persa i perket mekanizmave te krijimit dhe monitorimeve te Bordeve Drejtues: i kam shpjeguar ne artikull, jexoje me vemendje.

      Persa i perket shkolles verore: kur shkon ne shkolle, dimer apo vere qofte, duhet te paguash.

      Pershendetje,

      Artur Elezi

      Përgjigjjuni

  6. Realisti  --  27 Korrik, 2013 në 11:45 pm

    Zoti Elezi,

    Ke shume te drejte ne hapjen e ketij debati vertet real dhe te dobishem ne Shqiperi, eshte fusha me rendesishme por qe per te cilen nuk eshte bere aspak. E para, ka shume modele qe duhen pare dhe pse jo te adoptohen edhe ne Shqiperi, jo domosdoshmerisht ai amerikan, pasi dhe mentalitetet dhe situatat nuk jane aspak te njejta, dhe kjo gje u pasqyrua ne UV kur zoti Shaska deshi te beje nje dicka te tille por deshtoi, sepse ne nje universitet ne nivel te atille nuk mund te adoptohej menjehere ai model, dhe deshtoi plotesisht, ai thjesht ndertoi nje sistem virtual per boten jashte atij universiteti por kjo nuk do te thote se pati sukses. P.sh. hapi shume dege te reja pak a shume te ngjashme ne nje zone te caktuar : informatike, matematike-informatike, shkenca kompjuterike, teknologji informacioni, matematike-fizike, matematike-financiare etj….. dhe me cfare stafiiii?????? Zerooo. Eshte absurd qe sot ky Universitet ka PhD ne Matematike dhe vete stafi i vet komplet eshte student doktorate ne kete PhD???? Skandal!!!!!!

    jemi dakort me aspektin qe univ. private qe jane nje skandal i vertete dhe duhen mbyllur urgjentisht.

    Mbase nuk ka ndonje rendesi te vecante, sepse ju ne shkollat verore qe vinit ne Vlore merrnit goxha shperblim, prandaj mos thoni qe nuk keni patur perfitim ekonomik, dhe kjo nuk eshte gje e keqe….. Shume mire qe jepnit mesim dhe kontribuonit.

    Edhe njefare strategjie duhet te kete si shtet qe kjo pasqyrohet ne shperndarje te studenteve ne univ. sepse nqs do lihej e lire fare zgjedhja qe thoni ju atehere te gjithe do shkonin vetem ne Tirane jo per cilesine por per qytetin dhe te gjithe do perqendroheshin ne dege si ekonomik, juridik etj sepse jane te modes….. Po me profesionet e tjera???? Mesuesia etj… cdo behet????

    Duhet nderprere urgjentisht hapja e univ apo filialeve te tyre ne menyre politike (nje i tille ka qene edhe UV qe thoni, i cili kur u hap p.sh. dega e matematikes atje u hap me staf te marre nga shkollat 8-vjecare….). Hapja e te njejtave dege kudo pa nje strategji te caktuar etj. UV ishte teknologjik dhe i profilizuar ne disa dege te vecanta dhe ishte gje e mire. Pse u hapen me sasi dhe brenda nje kohe te shkruter gjithe deget e tjera paveresisht se staf nuk kishte dhe keto dege ishin dhe ne universitete te tjera fqinje???? Kjo e demton shume procesin.

    E keshtu mund te vazhdonim pafundesiht ne shume problematika qe kerkojne zgjidhje…….

    Te jemi realiste ne ato qe themi….

    Përgjigjjuni

  7. Artur Elezi  --  28 Korrik, 2013 në 1:49 am

    Zoti “realist”,

    E perseris qe nuk do komentoj me c’beri Shaska ne Vlore. Ky eshte nje artikull per arsimin e larte. Argumentet qe sillni ju ne lidhje me hapjen e shume degeve te peraferta etj, nuk e ulin rolin e modelit te pershkruar ne artikull. Behet fjale se kush duhet te vendose: qeveria/ministria apo vete universitetet nepermjet bordeve drejtuese. Sistemi i pershkruar thote Bordet e Universiteteve duhet te udheheqin. Ky sistem punon kudo, edhe ne Vlore. Do kohe, durim dhe perkushtim.

    Ne lidhje me shkollen verore: le te mos hyjme ne llogarite e qesese se njeri-tjetrit. Ajo qe thashe mjafton: per ne qe vijme nga vende te zhvilluara nuk ka asnje perfitim/leverdi ekonomike nga te punesuarit ne sistemin e arsimit publik shqiptar sepse ajo pune paguhet shume me teper ketej. E kuptoj dyshimin tend dhe te parafolesve ne keto qe them por s’eshte faji im per kete, eshte i ambjentit shqiptar ku mbizoteron mosbesimi ne cdo gje.

    Me lidhje me “te gjithe studentet do te vene ne Tirane per qytetin”. Studentet mund te duan te vene ne Tirane por Tirana do marre aq sa e ka kapacitetin, dhe mundet te marre me te miret. C’do bejne te tjeret? Do rrine pa shkolle? Afermendsh qe do vene ne universitete te tjere. Nese do te vesh ne Tirane, do te duhet te punosh me shume. Ja pra qe sistemi punon!

    Pershendetje,

    Artur Elezi

    Përgjigjjuni

  8. Prof.Dr. Ladi Shahini  --  28 Korrik, 2013 në 11:46 am

    Jam dakord me shumicen e konstatimeve tuaja. Si Kryetar i Institutit Rajonal te Vleresimit dhe Akreditimit me rezidence ne Tirane, do te kisha deshire te bashkepunonim ne nje te ardhme jo te larget. Ky institucion, i cili nuk eshte mbeshtetur deri tani, pamvaresisht se ka nje jete 14 vjeçare, i ploteson te gjitha pritshmerite per te qene aktori kryesor shqiptar(perfshi edhe Kosoven), ne fushen e akreditimit te te gjitha llojeve te kualifikimeve arsimore dhe te çertifikimeve profesionale. Uroj te behet realitet gjithcka qe kemi projektuar qe ne fund te viteve 90-te.
    Prof. ladi Shahini

    Përgjigjjuni

  9. Realisti  --  28 Korrik, 2013 në 11:12 pm

    Po por ne Shqiperi Bordet gjithmone jane vegel e rektoreve dhe nuk luajne ate rol qe duhet te luajne vertete. Nje model i vertete bordi do te ishte: trupa akademike te zgjedhe p.sh. direkt me vote 9 vete profesore nga vete universiteti. Pastaj keta 9 profesore se bashku me nje perfaqesues te studenteve qe e nxjerrin vete ata me vote perzgjedhin p.sh. edhe 5-6 vete te tjere personalitete qofte nga shoqeria civile ose dhe bota akademike jashte vendit (shqiptare ose dhe te huaj por njohes te mire te shqipes). Ky te jete bordi qe do te kete kompetenca te fuqishme dhe do te drejtoje mire universitet. Madje ky mund te zgjedhe rektorin p.sh. ne kete menyre: nga gjithe kandidaturat e mundshme, te perzgjedhe mbi bazen e kritereve 2-3 vete, dhe keta ia ofron trupes akademike ti votoje dhe pastaj te emeroje dhe dekanet dhe me poshte….. Gjithashtu, duhet ti kufizohet mandati rektorit, flasim gjithmone per Shqiperine sa te veje ne kushtet dhe mentalitetet dhe kulturen e vendeve te zhvilluara. Pikerisht keto do te ishin pikenisje te mira per universitet ne Shqiperi te fillojne te funksionojne si duhet…..dhe te mos kthehen sic jane kthyer sot ne vegla te rektoreve partiake ose jo por qe jane kthyer ne diktatore te vegjel dhe i kane kthyer univ ne prona te tyre…. Pastaj fillon dhe zgjidhja e shume problemeve te tjera mbi modelin e sistemit etj etj

    Përgjigjjuni

  10. matematikani  --  29 Korrik, 2013 në 10:32 pm

    Z.Artur a dini se z.Shaska eshte denuar nga gjykata me nje vit burg dhe bashk me te disa bashkshperdorues shoke te tije ,Kjo eshte kontributi i tije .Ai vrau shpresen qe ju qe jeni ne universitet perendimore mund te benit dicka per ne.Mos dhe ju jeni nder ata bashkshperdoruesit.

    Përgjigjjuni

  11. Myzafer  --  26 Gusht, 2013 në 8:51 am

    Z. Elezi, gjendja e arsimin shqiptar eshte si pune e atij shkopit qe ka rene “atje” dhe nuk ke nga ta kapesh. Jam mesues. Ne shkollen ku punoj, u emerua nje drejtues i ri, me pasion dhe idealist. Kish ardhur nga nje emigracion i zgjatur me deshiren per te bere dicka ne arsim.Shkollen e gjeti ne gjendje skanadaloze. Me pyeti, a eshte normale dhe a mund te fillohet mesimi ne keto kushte. Po, i thashe, eshte plotesisht normale sepse keshtu kemi filluar cdo vit. Me pa me mosbesim. Pas pak e pyta: E dini se drejtori qe zevendesuat ka qene naftetar, drejtori i arsimit te qarkut nje student ne inxhinieri navale, ne Vlore, ministri i arsimit- nje zooteknik qe thote: a sikur Tirana te ishte si Kamza! Nese nje naftetar fillon te merret me edukimin e nxenesve ,atehere une mesuesi duhet te shkoj te nxjerr nafte… dhe keshtu humori vazhdon, por arsimi e peson. Te pergezoj per artikullin, per perkushtimin dhe uroj qe ky angazhim te jete sistematik. Tani ne Shqiperi fryn nje ere tjeter. Ca nga ca myqeremet do te largohen, liria do te prodhoje cilesi te reja, duke patur me pak prof.dr per kilometer katror, por me te afte. Keta pastaj kane aftesine per te qene me te pavarur, per te krijuar eliten e duhur. Gjerat sa kane filluar. Jeni ne kohen e duhur per te qene me aktiv dhe per te mos u dekurajuar. Mos prisni te jene te gjithe dakord. Bile nje fjale e urte thote: rrofshin shqetesimet, rrofte hasmi!

    Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>