Shqipëri me ngjyrë çokollatë | Gazeta Tema
 

Shqipëri me ngjyrë çokollatë

Postuar në: Opinion |

reldar-dedajNga Reldar Dedaj

 

Nuk mund të themi nëse ardhja e komunitetit rom në Shqipëri ishte e rastësishme apo jo, por një gjë e dimë me siguri, historia e vendit tonë nuk mund të ishte kaq e plotë.

Një gjuhë e tillë, muzikë, veshje dhe mënyrë perceptimi mbi jetën, mund të themi pa drojë, që është diçka e rrallë, e pakapërcyeshme, por një histori që do mbetet gjithmonë e re njësoj si energjia e tyre.

Me siguri ardhja e atyre njerëzve që zaptojnë brigjet e lumenjve, gërmadhat e qyteteve në territorin shqiptar ende nuk është e qartë, pasi ky minoritet është gjithmonë në lëvizje nga njëri vendbanim në tjetrin, nga njëri shtet në tjetrin, në një rrugëtim të përhershëm bashkë me ngjyrat e ndezura, gjuhën, muzikën, por edhe me hallet, vuajtjet, varfërinë ekstreme, pak a shumë një rrugëtim i ngjashëm me ne.

Jeta jonë është e përbashkët, sepse është e përbashkët e shkuara jonë. Dhe a nuk ju duket e çuditshme që ne kemi lindur aq të lirë dhe jemi rritur aq të lidhur?! Është, pak a shumë, njëlloj si të thuash: sa të ngjashëm janë fëmijët e kromit në Bulqizë me ata sqeparët e vegjël, që gërmojnë në grumbullin e stërmadh të dheut për të gjetur pak krom, me fëmijët e romëve që shtrihen buzë trotuareve, apo që të sulën për të larë xhamin e makinës që ndalon aty-këtu në ndonjë semafor të kryeqytetit.

Janë po të njëjtat duar të pista, fytyra të zbehta, trupa të vuajtun, madje e njëjta dramë familjare që rropatet vazhdimisht në një përpjekje fatale për të siguruar bukën e përditshme. Këta fëmijë janë ajo pjesë e historisë që tregon vazhdimisht atë kapitull të jetës që heronjtë e heroinat lulëzonin e atdheu pandehej se nuk ka asnjë të metë. Por kur këta shfaqen heronjtë zhduken, heroinat fshihen e kur atdheu mbetet i vetëm, pa to, mund t’i dallojmë atij edhe të metën më të vogël.

Atdheu doli ballëpërballë me realitetin, ballëpërballë me romët. Kurrsesi nuk mund të themi se këta fëmijë, qoftë ata romë, apo ata veriorë të epërm i shpallën luftë atdheut të tyre, përkundrazi ishte ai që i vrau vazhdimisht me indiferencën e tij, injorancën dhe mungesën e alternativave.

Ky minoritet i vetëm, me kurajo arriti të zëvendësojë të madhërishmit me lajle-lulet e tyre të gjoja aristokracisë moderne, me të thjeshtët, të jashtëzakonshmit, me të zakonshmit, idealin me realen. Ata e paraqitën njeriun kokë e këmbë ashtu siç është, deri dhe botën psikologjike, tek këta shpalosen situatat më të vështira ekzistencialiste. Këta janë ajo pjesë e historisë shqiptare që personazhet e saj i gjen kudo; në rrugë tek lypin kafshatën e gojës e tek marrin vetëm përbuzje, po në rrugë tek shesin trupin e tyre e marrin baltë e përqeshje, i gjen pa kurrfarë krenarie, në pijetore tek pinë helmin e jetës, në një betejë të pamundur për t’u siguruar fëmijëve grimcën më të vogël të kafshatës.

Personazhet e kësaj historie të kujtojnë dëshira dhe vese që çdokush i mban fshehur nën vete, që çdokush i prek e i ledhaton, i fundos në thellësi të vetëdijes, pa i lënë kurrë të dalin krejtësisht të zhveshura nën vështrimin e të tjerëve. Tek mendon, a thua o njeri sa të ngjashëm jemi me vëllezërit tanë edhe pse gjuha, ngjyra, veshja, muzika, vallja ndryshojnë nga ato të tonat, pavarësisht kësaj sheh që brenda teje po njësoj si ata lëviz po i njëjti muskul, ëndërr, shpresë, ndjenjë, madje edhe kur dashurojmë, urrehemi, qajmë apo qeshim sillemi në të njëjtën mënyrë. Eh, pra e sheh sa të lidhur jemi mes vedi or mik, or vlla.

Jemi si një libër haluçinant, ku fytyra e shëmtuar e botës vetëm rrallë të lejon të shohësh anën tjetër të medaljes, fytyrën e bukur të saj, historia e romëve na vë ne përballë vetvetes, i cili i ngjan një udhëtimi në kohë, ku herë ecën përpara, e herë kthehesh mbrapsht, tutje, thellë në vitet, ku has dëshirat e para të parealizuara.

Krrokama e romëve duket si përçartje komike në fillim. Janë ca hamendje përherë e më shqetësuese, ca si mëdyshje kinse morale, kinse logjike: se atyre, pra romëve edhe po t’u japësh shtëpi ata përsëri do t’i shesin. Ata përsëri në kasolle do dergjen; diku andej nga bregu i lumit, a në ndonjë karabina të braktisur. Është një mentalitet gjithëpushtues sa dikush duke u joshur nga jeta e tyre e thjeshtë plot ngjyra, muzikë, valle pa pretendime të tepërta dhe pa shef mbi krye shfaqte dëshirën të ishte si ata.

Me pak fjalë shprehja e rëndomtë “o, sa mirë me qenë shqiptar ohe, ohe” për atë person mund të ishte “o, sa mirë me qenë rom ohe, ohe”. Sigurisht tek ndërsheh këtë histori të ndërsjellë me rom e shqiptarë, që lypin në rrugë, që marrin me lista, që lajnë xhama makinash nëpër semafor, fëmijë që skllavërohen, që shesin paketa, gra që shesin trupin e tyre për të mbijetuar, pa frikë mund të themi se shumë pak gjëra mund të ndryshojnë.

Madje edhe qoftë larg kur të duhet pak gjak e të afërmit e t’u nuk mund ta japin, aty është gjithmonë një grua rome që nxjerr nga trupi i saj i dërrmuar atë treqind gram lëng jete, për të ushqyer trupin tënd. Nuk e dimë se çdo të thotë të japësh dy herë në muaj gjak për të mbijetuar. Por ata që e kanë provuar e dinë mjaft mirë se energjitë fillojnë e zveniten, fytyra zverdhet, trupi bie krejtësisht, sa pas pak fillon e të kap një temperaturë e thellë sa tashmë trupi yt nuk mund të ngrohët as me dy, tre batanije. Vazhdojnë të dridhurat pa mbarim, dhimbja e kokës, çarçafët bëhen qull, nxjerr kokën nga batanija për të marrë pak ajër, ndjen se trupi yt fillon të dridhet edhe më tepër, mblidhesh, mblidhesh sa më fort deri sa merr formën e një guaske. Më pas mendohesh e thua nuk mund ta bëj më, kurrë më. Por ditët e tjera nuk mund të jenë ndryshe, përsëri pa bukë, pa shpi, në kasolle në luftë me vdekjen. Ky është një refren i përditshëm i jetës së tyre. Me siguri asgjë më tepër.

Vështirë boll e kemi të kapim përditshmërinë monotone të qytetit tonë të ashpër pa ideale, i mbushur me skenar mizorë të pashpirt që arrijnë ta shkatërrojnë vazhdimisht gjumin e kujtesës tënde po ashtu siç lëviz vazhdimisht në syrin e nënës të fshehur pas perdes së dhomës loja e fëmijëve poshtë, në oborrin e pallatit.

Ja po njësoj përballë syrit tonë të mpirë lëviz një jetë e dytë e mbushur plot e përplot me brenga diku anash trotuareve, në ngushticat e pallateve, në fushat e braktisura, ku pa frikë mund të klithim një dhimbje për hir të jetës dhe skamjes që më në fund janë bërë sinonim i njëra-tjetrës, edhe pse hapësira fare e ngushtë mes njërës dhe tjetrës rri vazhdimisht e strukur diku në hije si një ëndërr për një jetë ndryshe.

Lumturia e të paditurit, e njeriut që jeton në terr duke u endur si i verbëri për të rrokur me krahët e tij të hedhur kuturu të dashurit e zemrës dhe për t’i shtrënguar sa më shumë në gjirin e ngrohtë të dhimbjes, mbetet vazhdimisht diçka e rëndësishme. Me dëshirën se një ditë ata do të shndërrohen në fanarë ndriçues në rrugën e tij të lumturisë. Hijet e dritës nga birat e barakave kanë ndriçuar mjediset e brendshme të tyre, nga çezma e prishur vazhdimisht ca pika uji bien në enët metalike, më pas trupat çohen të trembur, të mpirë me po të njëjtën jetë, me të njëjtat halle. Por një zgjim i tillë me siguri gjendet vetëm në ato anë, në ato vende…si tek romët, si tek ne, njëlloj. Fundja a nuk po rrojmë të gjithë nën të njëjtin diell dhe mbi të njëjtën tokë?!

IPTV duke filluar nga 790 Leke ne muaj Na ndiqni ne Facebook Sherbimi VOD

3 Pergjigje per Shqipëri me ngjyrë çokollatë

  1. beni  --  4 Shtator, 2013 në 9:21 pm

    Shkrim shume artistik, publicistik, dhe fin. Me bere te mendoj ndryshe djalosh, te falenderoj jashtmase.

    Përgjigjjuni

  2. uragan  --  4 Shtator, 2013 në 10:19 pm

    …shkrim i bukur, nga një djalë i talentuar.Bravo…

    Përgjigjjuni

  3. Thika  --  6 Shtator, 2013 në 12:14 am

    pervec fqinjeve sllav dhe grekerve lexova edhe reldarin te na krahasoj me jevgjit.

    Jemi ata qe mendojme se jemi!

    NE e mendofshim veten si jevgj, te atille na shef dhe bota. Ky eshte opninioni im.

    Njerez jemi te gjithe, por jo gjith njerezit jane njesoj. ndryshojne binjaket nga njeri tjetri jo me ata qe kane gjak te ndryshem.

    Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>