PS padit penalisht Lulzim Bashën për vrasje me dashje më 21 janar (AKUZAT E PLOTA)

21 Mars 2011, 15:14Politika TEMA
PS padit penalisht Lulzim Bashën për vrasje me dashje më 21 janar

UPDATE- Dy muaj pas ngjarjeve të 21 janarit, Partia Socialiste ka depozituar një kallëzim penal për ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha. Ai akuzohet për vrasje me dashje të 4 protestuesve. Gjithashtu pjesë e këtij kallëzimi janë edhe dy drejtuesit e Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë ngjarje: Hysni Burgaj, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe shtetasi Sajmir Muçaj, me detyrë, Drejtori i Policisë së Tiranës. Kallëzimin penal e ka dorëzuar në prokurori deputeti Taulant Balla. I pyetur se përse po e bën tani këtë kallëzim Partia Socialiste, Balla tha: “Sot sepse sot bëhen dy muaj nga 21 janarit. Në dosjen bashkangjitur e përsëris ka dokumentacion që vërteton fajësinë e tyre. Kjo dosje nuk do të bëhet publike nga ana jonë, për hir të seriozitetit të e forcës sonë politike por edhe në respekt të institucionit të Prokurorisë dhe të hetimit të plotë të kësaj ngjarje.”

Akuzat ndaj Bashës

Lulëzim Basha akuzohet nga deputetët e Partisë Socialiste për “krimin e vrasjes me dashje, të kryer kundër më shumë se dy personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79 e 25 të Kodit Penal.”

Hysni Burgaj, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, akuzohet nga PS “për veprën penale të përkrahjes së autorëve të krimit të vrasjes me dashje, kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, parashikuar nga nenet 302/1 dhe 25 të Kodit Penal.”

Kurse Sajmir Muçaj, me detyrë Drejtor i Policisë së Tiranës, akuzohet “për krimet e torturës dhe të kryerjes së veprimeve arbitrare, në bashkëpunim me persona të tjerë, vartësi të tij në atë drejtori, parashikuar nga nenet 86, 250 dhe 25 të Kodit Penal.”

Faktet kundër Bashës

Partia Socialiste në kallëzimin e dorëzuar pranë prokurorisë ka depozituar edhe një sërë dokumentesh që thotë se provojnë krimin e Bashës dhe dy akuzuarve të tjerë.

Në kallëzim thuhet se “ndërkohë që protestuesit po grumbulloheshin përpara kryeministrisë, pa asnjë arsye, ndaj tyre është përdorur armë me lëndë neuroparalizuese si dhe makina që hidhnin lëndë kimike.”

Sipas deputetëve të PS, një veprim i tillë ka shkaktuar zemërimin e protestuesve, të cilët reaguan duke qëlluar me çadra, shkopinj e mjete të tjera rrethanore policët që përdorën armët me lëndë neuroparalizuese dhe makinën që hidhte ujë me lëndë kimike.

“Në vazhdim, nga efektivët e Gardës së Republikës, në kundërshtim flagrant me ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit dhe rregulloret e posaçme u hap zjarr luftarak në drejtim të protestuesve. Tre prej të goditurve vdiqën në vend, ndërsa një tjetër, pas qëndrimit dy javë në gjendje kome, vdiq në spital më datën 5 shkurt. Personat që u vranë më 21 janar janë: Aleks Nika, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi,” thuhet në kallëzimin e PS.

Nga armët e zjarrit mbetën të plagosur edhe 12 protestues në shesh, jashtë dhe larg ndërtesës së kryeministrisë. Mes të plagosurve pati edhe gazetar të medieve shqiptarëe.

“Personat e vrarë dhe të plagosur me armë zjarri kanë qene duke ndjekur protestën në mënyrë pasive dhe nuk kanë kryer asnjë lloj veprimi kundër orcave që mbronin objektin.

Persona të plagosur me armë zjarri, sipas evidencave që ne kemi dhe të identifikuar si të tillë nga spitalet shtetërre, nga aktet e ekspertimit mjeko-ligjor, etj, janë: Artes Dybeli, Tiranë; Erald Bisha, Tiranë; Fatos Mahmutaj; Sokrat Gode, Berat; Ilia Qesku, Sarandë; Ilia Papa, Sarandë; Syrja Ahmetaj, Tiranë; Vehbi Shkjau, Shkodër, etj,” thuhet në kallëzimin e PS.

“Kallëzojmë si urdhërues të krimit Ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha, epror i drejtpërdrejtë i Gardës, pa urdhrin e të cilit, në kushtet kur nuk paraqitej asnjë rrezik për jetën e tyre, gardistët nuk kishte se si të qëllonin. Ka dyshime të besueshme se ata që janë urdhëruar të qëllojnë kanë ekzekutuar një urdhër kriminal dhe këtë urdhër nuk kishte të drejtë ta jepte askush tjetër përveçse eprori i tyre i drejtpërdrejtë hierarkik, i kallëzuari prej nesh, Lulëzim Basha. Ka edhe një fakt të bërë publik tashmë, që e bën evidente këtë përgjegjësi. Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, ka deklaruar publikisht se gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të ngjarjes në bulevard ai personalisht ka qenë në ndërtesën e kryeministrisë, çka do të thotë se në momentin përdorimit të armëve të zjarrit nga Garda, ai ka qenë pranë autoriteteve drejtuese të Gardës së Republikës dhe shumë afër trupave që kanë përdorur armët e zjarrit ndaj demonstruesve. Këto fakte dëshmojnë se ministri Lulëzim Basha ka qenë jo vetëm urdhëruesi, por edhe autoriteti i lartë drejtues i pranishëm në këtë ngjarje që transmetohej live nga media.”

Socialistët thonë se drejtësia nuk do vihej në vend nëse do të përgjigjeshin para saj vetëm ekzekutorët.

Akuzat ndaj drejtuesve të policisë

Partia Socialiste ka rreshtuar disa akuza ndaj drejtuesve të lartë të policisë. Në kallëzim thuhet se në fund të protestës, kur njerëzit po largoheshin, ndaj tyre është ushtruar dhunë kriminale, nga e cila kanë mbetur të plagosur 150 persona. Viktima të dhunës u bënë edhe dy deputetë të Partisë Socialiste, por edhe gra e gazetarë të medias vendase.

“Forcat e policisë me dhe pa uniforma, pasi ushtruan dhunë çnjerëzore ndaj qytetarëve të pranishëm në bulevard, shoqëruan, ndaluan dhe arrestuan një numër të papërcaktuar protestuesish dhe qytetarësh të palidhur me protestën,” thuhet në kallëzim.

Shoqërimet nëpër komisariate janë bërë me makina private, me targa të huaja e false. Pasi janë shoqëruar në komisariate, atyre nuk iu është lejuar që të takohen me të avokatët apo me të afërmit e tyre. Edhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nuk janë lejuar të takohen me ta. Shumë prej tyre janë pyetur pa praninë e avokatëve.

Të arrestuarit janë mbajtur në një dhomë me lagështirë, pa rroba e vizita mjekësorë. Disa prej tyre kanë qëndruar në dhomat e izolimit deri në dhjetë ditë.

“Kryetari i sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë, Fiqiri Xibri është dërguar në Spitalin Ushtarak për mjekim të specializuar me shumë vonesë, në gjendje kome pas keqtrajtimit nga policia. Deputetët e PS nuk e lejuan ta takojnë me argumentin se ishte i arrestuar!!!!”

Një protestuesi që i kishin rënë më parë dy infarkte, nuk i është lejuar të takohet me një mjek të specializuar, me gjithë kërkesën e tij dhe të familjarëve.

Mbi shumicën e tyre është arrestuar dhunë fizike dhe verbale. 15 nga të ndaluarit ishin të mitur, ishte edhe një grua me pesë fëmijë.

“Efektivët e policisë janë vendosur në dy radhë nga hyrja e komisariatit dhe godisnin, pështynin dhe fyenin qytetarët e shoqëruar,” thuhet në padinë e PS.

I riu A.Byku thotë se është keqtrajtuar mizorisht duke i vendosur në kokë një rrjetë hekuri dhe duke e qëlluar mizorisht, madje dhe ditën kur e vizituan deputetët e PS.

L.Balavia, nënë e pesë fëmijëve, thotë se e kanë fyer rëndë për shkak se ishte grua. Fyerjet ndaj saj janë lëshuar nga një police femër. Ajo është mbajtur disa ditë në paraburgim, edhe pse kishte fëmijë të mitur.

Shkodrani Gj.N, që u arrestua për shkak se disa media pranë qeverisë thanë se mbante armë, u lirua nga gjykata. Por sapo u lirua, ndërsa udhëtonte drejt shtëpisë, u ndalua nga një patrullë policie me pretendimin se i kishte fyer. U dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku u keqtrajtua rëndë.

“I arrestuari i dërgua në Spitalin Ushtarak për ekzaminime të specializuara. Pas insistimit të deputetëve që vizituan institucionin, ata u informuan se përgjigjet ishin mirë, kur në fakt personit të arrestuar i ishin thyer disa dhëmbë e brinjë dhe ndjente dhimbje të forta. Oficeri i policisë gjyqësore nuk pranoi të merrte denoncimin e të arrestuarit për dhunë, me argumentin se ajo ishte e ngarkuar të hetonte akuzën e pjesëmarrjes në protestë dhe jo të keqtrajtimit,” thuhet në kallëzimin e PS.

Dy persona të arrestuar që i përkasin komunitetit rom- egjiptianë janë fyer për shkak të ngjyrës.

Të miturit e ndaluar dhe të arrestuar janë pyetur në mungesë të psikologut dhe të avokatit. “Oficerëve të policisë gjyqësore ju është kërkuar nga vetë të dhunuarit dhe më pas nga avokatët e tyre që të hetonin mbi këto fakte duke ju kërkuar të drejtën e kontrollit nga eksperti mjeko- ligjor, por një gjë e tillë nuk ju është mundësuar prej tyre. Përkundrazi, disa prej oficerëve të policisë gjyqësore siç edhe rezulton nga deklarimet e depozituara, kanë qenë pjesë e dhunës verbale dhe fizike të ushtruar nga demonstruesve të ndaluar/arrestuar,” thuhet në kallëzim.

Në kallëzimin e depozituar nga opozita përmende edhe çështja e mosekzekutimit të urdhër- ndalimeve që kishte lëshuar prokuroria.

5 komente në “PS padit penalisht Lulzim Bashën për vrasje me dashje më 21 janar (AKUZAT E PLOTA)”

  1. dymi says:

    Shume vone. Ku ishit deri tani? Megjithate me qe pritet deri tani prisnit edhe pak sa te shpallej zyrtarisht kandidat per bashkine e Tiranes.

    1. LORA says:

      Nisja e nje procesi hetimi ndaj L.Bashes me ligj e perjashton automatikisht nga e drejta per te kandiduar.Padia e PS-se eshte bash ne kohe dhe tregues i faktitqe nuk kane me mundesi te “lozin” sic bene me Gerdecin.

  2. Tan_Tironci says:

    Paskan harru me kallzu Arvizun, lol… anullim loje… ?

  3. merre me leng se mishi u maru says:

    e tani qe ky shpalli kandidat….hahahahah sa te fort jemi …po tani e kane radhen deputet e krahut tjeter se dhe ky tjetri u shpall kandidat …hahahah luni dhe talluni pe ne se pensionin e keni marr tu vjedh hahah

  4. Rilind says:

    Gjykata do thote: Kush degjoi krisma? Ja pra, nuk pati krisma.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje