Kriza jonë në “Përshëndetje!”

Nga Eda Derhemi

Ka disa fjalë që vitet e fundit më vijnë të vështira në shqip. Jo, jo: jo fjalët ‘e pisëta’, se ato, me kalimin e kohës, më lehtësohen e më lehtësojnë duke u funksionalizuar natyrshëm në mënyra komplekse e të paparashikuara. Ka disa fjalë të tjera që më gërvishtin, kryesisht se shprehin impostimin social të përdoruesit me synim pretendimin e statusit elitar. Një fjalë (a fjalë-fjali) gërvishtëse konsideroj shprehjen pasthirrmore “Përshëndetje!” që së fundmi po shumëfishon shpejt frekuencën. Mesazhe të shkruara nga yuppies shqiptarë, shpesh nisin me këtë fjalë, sidomos prej grupit të të rinjve akademikë, gazetarë, anëtarë të shoqërisë civile apo politikanë, ose të atyre që mëtojnë këtë status. Mbaj mend që përdorej, sido që më pak se sot, edhe në kohë të socializmit; dhe kuptimi qe i ngjashëm. Sot përdoret për të informuar të adresuarin për disa elemente diskursive që më tej formësojnë gjithë komunikimin: 1.Se ka një distancë mes nesh, dhe mesazhi që ndjek nuk duhet marrë si informal, por i duhet dhënë rëndësia e kërkuar nga vetë distanca. 2. Që unë po sillem me respektin e domosdoshëm, por pozita ime është, në mos superiore, e barabartë me tënden. Jo po ta dish! 3. Që unë që po të shkruaj nuk jam lëng groshe, por me një lloj statusi fuqie, që më rrjedh nga një status edukimi dhe edukate elitare. 4. Që jam indiferent e i ftohtë ndaj teje, e personalisht nuk më digjet fort se si e merr ti këtë mesazh, por është më mirë për ty që ta marrësh ashtu si duhet. Më tej, mund të radhisja edhe plot inferenca të tjera që vijnë nga llafi i shkretë, lidhur me të shkuarën e të tashmen e personit, moshën, si dhe detaje lidhur me jetën e tij, por këto janë më subjektive. Me këtë lloj njeriu, sido që më ka qëlluar të komunikoj, unë nuk kam fort dëshirë të këmbej gjësend. Më duket se jemi qenie planetesh të ndryshme, me realitete dhe ëndrra fare pa lidhje. Dhe, sido që të gjithë impostohemi në një farë mase kur komunikojmë, këta tipat e “Përshëndetje!” impostohen për të përgatitur e zbukuruar për shitje bythën e vet. Gjë që në vetvete ma vulgarizon komunikimin. (Kjo lidhet me ‘zbukurimin’ dhe jo me ‘bythën’.)

Kur është thënë “përshëndetje” natyrshëm në shqip? Asnjëherë.  Më afër natyrshmërisë dhe funksionalizimit, ka qenë përdorimi i saj në vitet e socializmit gjatë fushatave militante apo të ekzaltimit politik të turmës, si thirrje e udhëheqësit të një forumi ndaj pjesëtarëve të tjerë në të, apo masave. Por tamam ky asociim, do ta bënte edhe më absurde ringjalljen e termit sot. Mendoj se rikthimi i saj sot, në rastin më të mirë, synon ‘mbylljen sociale’ të elitës së re, rëndom arrogante, dhe ka vetëm një shpjegim diskursiv: atë të emetimit të diskursit elitar kondesendues (përfillës/denjues) nga ana e përdoruesve, që më pas përforcohet si pasojë e normalizimit të saj kulturor, nga vetë ata në kurriz të të cilëve fjala përdoret. Lidhja e saj diskursive brenda kllapave institucionale të së kaluarës, mund të jetë po ashtu e pranishme, por kjo duhet studiuar me një korpus më të madh të dhënash, që të sigurohemi.  “Përshëndetje!” ka qenë gjithnjë ndër ato fjalë që nuk ka pasur mish e gjak që të gjallojë natyrshëm në shqip e të ngjisë variueshëm në shprehje e shprehi gjatë përdorimit. Ka mbetur e tkurrur  dhe sakate në territorin hyrës në letra apo mesazhe elektronike, duke mëtuar thuajse me forcë, pozitën e salutimit/përshëndetjes më të përgjithshme formale e distante në korrespondencën e shkruar. Është po ai mjerim dhe krizë që përjetojnë përdoruesit e saj si grup dhe individualisht në mbretërinë e të pandërgjegjshmes.

E hasa prapë “Përshëndetje!” në videoklipin e fundit të Komisionit Europian për thyerjen e klisheve negative dhe stigmës ndaj Turqisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndiomor. Ishte fjala që Shqipëria u drejtonte skeptikëve të botës së parë apo edhe botëve të tjera, thënë prej një vajze të vogël bukuroshe. “Përshëndetje!” në këtë  spot televiziv, është një shartim pa fat, i kuptimit performativ të panatyrizuar të fjalës si në “Salutime prej Shqipërie”, dhe atij që unë shpjegova më sipër. Në të dy rastet, krejt të panatyrshme në gojën e së voglës.

Shqipja, si çdo gjuhë tjetër, ndryshon dhe sigurisht që fjalët ekzistuese mund të zgjerojnë apo ngushtojnë e ndryshojnë kuptimet e veta. Kjo prirje bëhet edhe më e fuqishme në rastin e shqipes së sotme që duhet me shpejtësi të mbulojë në kohë e hapësirë nevojat e zhvillimeve stilistikore, regjistrore, të formulave e klisheve, që janë të domosdoshme në komunikimin special të fushave e nën-fushave të boomit komunikativ të pas-socializmit. Por në këtë yrysh të shtrënguar nga rrethanat, duhet të kemi kujdes mos nxjerrim sytë në vend që të vemë vetulla. Emri –fjali –pasthirrmë “Përshëndetje!” në këtë çast nuk shërben në gjuhë si aktivizues diskursesh miqësore integruese e pozitive të barazisë, drejtësisë dhe përfshirjes shoqërore, por për të kundërtën. Nuk ka aspak këtë vlerë, fjalavjen, përdorimi foljor i po kësaj shprehjeje me kuptim përshkrues, si në rastet: “E përshëndeti njerëzishëm/hundë e buzë.”; “Mos harro të përshëndesësh kur të hysh në dhomë!” etj. Por në kuptimin performativ, si në “Të/Ju përshëndes!”, edhe folja i rimerr konotacionet përshkruar më sipër të emrit “përshëndetje”, sido që jo me të njëjtin agresivitet në afirmimin e ideologjive ‘zyrtare’ që bart ky përdorim. Madje në këtë kuptim performativ, duket se folja është përdorur (fjalëformuar) në kohë, pas emrit, dhe jo para tij, siç do pritej. Përdorimi performativ pasthirrmor i emrit, madje as nuk është përfshirë në Fjalorin e Shqipes së Sotme të Toena-s 2002, gjë që përforcon më tej mos-hasjen natyrshëm të këtij përdorimi ndër shqipfolësit e zakonshëm e që nuk i takojnë grupit dominues të “njeriut të ri”.

Por çfarë duhet të përdorin shqiptarët si shprehje hyrëse kur i drejtohen një njeriu me të cilin nuk kanë lidhje afërsie dhe as informaliteti? Personalisht parapëlqej “e dashur/i dashur” që më duket se ndërton një diskurs përfshirës në vend të atij përjashtues, një urë lidhëse mes adresimit të miqve më të afërt dhe atyre që nuk janë miq aktivë, por që s’ka arsye pse të mos shihen në mënyrë miqësore dhe jodistancuese. Normalizimi dhe homogjenizimi i kësaj shprehjeje, ka edhe të mirën që lejon natyrshëm emërtimin direkt të të adresuarit menjëherë pas saj, duke krijuar një tjetër element pozitiv e lidhje-ndërtues në diskurs, atë të konfirmimit të të adresuarit nëpërmjet përmendjes apo njohjes (acknoëledgment); si, bie fjala, në “E dashur Eda” apo “I dashur Profesor Shabani” (dhe, mos më thoni, ju lutem, që emri i përveçëm duhej të qe i pashquar këtu). Por, për folës që ende e shohin këtë shprehje si tepër avancuese, personale ose emocionale (pra, joformale e jozyrtare), mund të përdoreshin fare mirë shprehje të natyrshme përshëndetëse si “Mirëdita!/Mirëmëngjes!” etj. Madje do sugjeroja si funksionale, edhe fjalë me kuptime të ngjashme por ‘të pandotura’ si: “të përshëndosh” apo “të përfalem”. Mendoj se edhe shprehja “Tungjatjeta”, sido që e panatyralizuar në komunikimin ndërpersonal në këtë formë të gjatë, do ishte një tjetër zëvendësuese e mirë e “Përshëndetje!”. Format e saj “Tung!” me origjinë kosovare, si eko e transformuar (pas një udhëtimi aventuror ndër treva shqiptarësh) e shprehjes tjetër dikur të natyrshme “T-jeta!”, duket se po afirmohet mirë e sukseshëm në gjuhë e shoqëri. “Tung!” mund të përdorej në hyrje të komunikimit të shkruar jo-zyrtar ashtu si edhe në mbyllje të tij, ku zakonisht gjendet sot. Duhen mirëpritur këto përdorime deri kur lidhjet ideologjike që krijon pasthirrma “Përshëndetje!”, të kenë vdekur apo të jenë neutralizuar nga një kuptim i ri apo konotacione të tjera të saj.

Por, në rast se folësi a shkruesi kërkon të shprehë të kundërtën, pra distancë, superioritet e marrëdhënie jo-miqësore, atëherë pa dyshim që shprehja “Përshëndetje” mund të përdorej në mënyrë shumë efikase sot për sot. Ky qartësim në përdorim, për mua do përbënte një pasurim gjuhësor, sado mos paça qenë dakord me premisat armiqësuese që bart shprehja. Por distancimi këtu do qe mes individësh (që kanë liritë e veta të flasin e shkruajnë si u pëlqen, apo të “ndërtojnë” miq e armiq sipas qejfit), dhe nuk do përbënte një makinë diskursive që riprodhon shoqërisht efekte subliminale të ndarjes mes grupeve a kastave shoqërore. Një rast i shqipes kur i njëjti zhguall gjuhësor ka arritur të aktivojë dy diskurse kundërshtare që bashkëjetojnë në sfera të ndryshme, është rasti i adresuesve “zonjë!/zotëri!”. Mes përdorimit të tyre si shprehje formale në komunikimin kortez e civil që të tregojnë politesë (“Zonjë, ju ra diçka nga çanta!”), dhe atë në dialogun verbal televiziv të politikanëve dhe analistëve tanë (“Moj zonjë, po jua përsëris prapë, se më duket s’e keni kuptuar ende!” ose “More Zotëri, po a ha shqip ti more, apo jo?!”) si shprehje sarkazme, urrejtjeje, shpartallimi dhe asgjësimi të kundërshtarit që meriton vdekje publike, është zhvilluar një gap bukur i gjerë, por që i ka ndarë qartë terrenet e përdorimit. Në rastin e shprehjes “Përshëndetje!”, kjo s’ka ndodhur.

Së fundmi, në kuptimin performativ të ngjashëm me “përgëzoj” ose “jap pëlqimin/miratimin tim” si në, “E përshëndes nismën tuaj/e tyre për të përmbledhur shkrimet e autorëve të dënuar”, përdorimi kondesendues nuk është edhe aq problematik sa në shprehjet më sipër, për aq sa është më i pafshehur, dhe, gjithashtu, është i lidhur me pozitën zyrtare konkrete të folësit si person i izoluar. Sidoqoftë, edhe në këtë rast, është më e hapur dhe emetuese diskursesh drejtësie sociale shprehja “Jam e gëzuar që… ” ose “Gëzohem që…” etj, sesa “E përshëndes çka keni bërë”.

Mund të duket pa rëndësi në dukje, por fjalët që përdorim ndërtojnë marrëdhëniet tona dhe i riprodhojnë ato, duke formësuar kështu kulturën dhe të ardhmen tonë, ndaj është mirë që, së paku, të jemi të vetëdijshëm e analizues kur i përdorim. Diskurse që konfirmojnë kufij të rinj për nouveau riche dhe parvenu-të e20-vjeçarit të fundit, nuk janë hapa drejt një shoqërie të hapur e me mekanizma kohezivë, por ndaj mbylljesh të reja që imitojnë të vjetrat me forma ndoshta më efikase në synimin për ristrukturimin e kastave; kjo mbetet kështu, edhe kur përdoruesit i takojnë formalisht “së majtës” ideologjike. Një e majtë që është në fakt një e djathtë fshehur nën një xhaketë rozë me ndonjë pikë të kuqe tek-tuk që nuk justifikon dot as dizenjon à pois, është më problematike se e djathta vetë, në një shoqëri me varfëri masive si shoqëria jonë.

Po ti çfarë tipi je: nga ata që e hapin komunikimin me “Përshëndetje!” apo me “E dashur X”?

*respublica.al

REMOTE_ADDR:[]

9 komente në “Kriza jonë në “Përshëndetje!””

  1. interpoli says:

    shkrim interesant, shlodhes dhe hulumtues! mund ta identifikoj veten me karakteristikat e personazhit qe perdor fjalen ‘pershendetje’

  2. feniks says:

    Urime,Eda Derhemi per temen interesante,qe trajtoni,e ,qe ne kushtet e sotme shqiptare,DUKET SE PO SHKRUAN NJE JASHTE-TOKESOR PER NE!!!Shqetesimi i juaj shume i drejte,do te perthithej nga lexuesit shqiptare,sikur te mos kishin SHQETESIME TE TJERA KRIMINALISHT ME TE TMERRESHME!!!A e degjoni FJALORIN KRIMINAL E RRUGACEROR te kryeministrit te Shqiperise???Doemos,qe po!!!Nje sundimtar kaq barbar,qe e PERDHOS GJUHEN DHE SHQIPTARIN,qe e degjon,ne nje fare feje,qe t’a HEQ DASHURINE PER SHQIPERINE!!!NE NJE GJENDJE TE TILLE,PIKE PER PIKE(ne shqiptaret e cdo brezi e kemi ne gen kete sjellje barbare),duhet te kete qene edhe Konica kur ULURITI ATE SHPREHJEN E MADHE :”SHQIPERI TE KAM…..”!!!!TURQIT NA LANE BAJRAKTARIZMIN,DEMBELIZMIN,QYLIN,SPIUNIMIN DHE VJEDHJEN,ndersa genjejme veten se duam te hume ne Europe!!!SI MUND TE HYME NE EUROPE,KUR PRANOJME TE KEMI PER SUNDIMTAR BARBAR NJE NJERI PER 21 VJET,QE NA KA NXIRE JETEN???PA LARE HAURET E AVGJISE ,NUK SHKOHET NE EUROPE!!!Se Europa nuk na do si kriminele,drogaxhinj,prostituta dhe trafikante,por njerezte barabarte me ta ne te gjitha drejtimet!!!Por ritmet tona nuk jane per lart,por per poshte!!!Mburret Berisha,se ka bere “MREKULLINE”,por ka aq te drejta sa mund te kishte edhe HITLERI DHE MUSOLINI,QE RRESHTUAN TERE EUROPEN NEN KEMBET E TYRE TE GJAKOSURA!!!Pra,kemi halle mbi halle,e nderuara Eda!!!Te falenderoj per kulturen e mendimit dhe te shprehjes!!!Por bota na krahason dhe mat,vetem me DOCET E DOCERVE,QE NA SUNDOJNE!!!:”TA BEJ FYTYREN SI KEPUCA”,”UNE E DI SE NE CILIN MOTEL SHKOJNE GRASTE E MOTRAT TUAJA” etjA ka kryeminister ne bote,qe t’i kete thene keto NDYRESIRA KUDOQOFTE AI???KURRE!!!

  3. homeri says:

    Shkrim i bukur , Ne shqiptareve na mungon finesa ne komunokom qe eshte pjese e edukates qytetare , Kam vene re se shume prej nesh kur porosisin psh. nje kafe thon- dua nje kafe – a nuk do te ishte me qytetare shprehja .desheroj nje kafe. Do te ishte me vlere futja ne shkolle ne ciklin elementar lenda e – edukates qytetare

  4. pam says:

    Jam dakord me pershkrimin e fjales “pershendetje” dhe kuptimin qe merr ajo ne kontekse te ndyshme. Por duhet patur parasysh dicka shume e rendesishme; Komunikimet midis njerezve jane te karaktereve te ndryshme dhe si te tilla duhet te kete nje fjale, apo format formal, me te cilin duhet shkruar. Edhe fjala “pershendetje” hyn ne kete kategori dhe sado te duam ne, nuk mund te familjarizohet. Nuk mund te thuhet “te dashur teleshikues” ne nje emision politik, lajme, interviste, prezantim te cdo lloji, kur 1-ti nuk ndjen dashuri personale per qindra-mijera sy qe te ndjekin dhe 2-kur me shume se gjysma e auditorit apo teleshikuesit mund ti kesh kunder. Ne te njejten kohe me “ckemi e dashur” do ti thuash vetem shoqes tende te ngushte dhe jo cdo njeriu qe takon ne rruge.
    Gjuha shqipe, megjithese ka me shume germa se cdo gjuhe tjeter, fatkeqesisht eshte sh e varfer ne krijim te fjaleve qe paraqesin apo pershkruajne gjendje emocionale apo dhe komunikim te sofistikuar. Prandaj dhe shpesh here futja e fjaleve te huaja na duket se shpjegon me mire ate qe duam te themi. Personalisht me vjen mire qe ekziston nje fjale “e ftohte” dhe pa ngjyrime emocionale sic eshte fjala “pershendetje” e plote dhe 100% shqip!

  5. MEMEDHETARI says:

    E dashur Eda,:)Mua nuk me duket kushedi se cfare “krize” kjo e fjales “Pershendetje” perballe KRIZES EKONOMIKE E POLITIKE qe po na merr shpirtin e nuk po i japim zgjidhje…
    E dyta: Me duket joprofesionale perdorimi ne kete shkrim i nje sere fjalesh te huaja per te na sqaruar “te keqiat” e fjales shqip “Pershendetje”…
    Si perfundim…Pershendetje! 🙂

  6. Sinani says:

    Pershendetje,
    Kjo eshte nga fjalet me te bukura! Nuk di pse disave nuk ju pelqen!
    Sa per fjalen i dashur apo e dashur, ate nuk mund ta meritojne te gjithe!

  7. lloqe lloqe says:

    Eda moj Eda, nuk te njoh, por po te lexosh komentin e Sinanit do e kuptosh se je e zhvendosur ne kohe ne krahasim me Sinan-erat qe bejne komente te llojit “Pershendetje,Kjo eshte nga fjalet me te bukura!”

    Or Sinan, or mashkull prej ketij ballkani te vrazhd- nuk ka fjale te bukur apo fjale te pabukur. Fjalet jane te tera njesoj. Fjalet jane grupe tingujsh te lidhura me nje kumt. Kumti qe percon fjala e jo fjala mundet te jete i bukur, i shemtuar, i paster, i ndyre, ftues, largues, afrues, lavderues, ofendues, PERSHENDETES, urues, mallkues, etj, etj…

    Eda e ka kapur e shpjeguar mire e bukur, kumtin qe percjell menyra e sotme e perdorimit te fjales “pershendetje”.
    Une do te shtoja edhe dicka tjeter. Te perdoresh vete kumtin per te zevendesuar fjalet qe perdoren ne funksion te kumtit eshte primitive.
    Po shpjegohem me qarte, pershendetja eshte fjala, emri qe i eshte bashkangjitur veprimit te pershendetjes, por vete veprimi behet me fjalen perkatese; mirmengjes, mirdita, mirmbrema, naten e mire, mire se erdhe, mire se ju gjeta…etj, etj.
    Te zevendesosh fjalen pershendetese me vete emrin e veprimit eshte barbare, dhe e huaj per shqipen.

    Per Sinan-najen qe popullon trojet ballkanike qe quhen Shqiperi po e lidh mendimin me lart me nje shembull:
    Nje vajze e nje djal, ishin bashke ne nje dhome. Djali po i afrohej dhe filloi ta prekte ne trup. Prekjet u bene me agresive dhe ai po mundohej ta zhvishte. Vajza e pelqente kete djal dhe donte te bente dashuri, por nuk i pelqente se si ai po e fillonte. Keshtu qe i kap duart dhe i peshperit ne vesh; nuk eshte cdo gje vetem prekje me thuaj dicka qe te me sjelli epsh. djali u mendua pak, iu afrua tek veshi dhei peshperiti ne vesh: Eeeeeepshhhhhh!

    A kuptove n’oi gjo Sianonoooo? 🙂

  8. coronation says:

    Shkrim i dobet; problemi ne fjale shume i sforcuar per te qene i tille. Cdo gje varet nga raporti qe ke me tjetrin; nese eshte shefi yt, ti nuk mund ti thuash i dashur/e dashur. Nese eshte nje mik a mikeshe po. Nese e ke te dashur, rralle i drejtohesh keshtu por hyn direkt e ne thela.
    Kjo mania per te bere inovacione neper rruge te pashkelura po na can taravelen. Sa lodheni kaq shume, shihni si bejne gjuhet e tjera. Hello – Pershendetje… Dear- i dashur/e dashur… etc…

  9. Antea says:

    znj. Derhemi,

    kam kenaqesine t’ju bej te ditur se i perkas standardit kulturor dhe gjuhesor qe nuk e pranon per pershendetje fjalen “pershendetje”. Preferoj miremengjes, miredita, mirembrema, ose thjesht ç’kemi. Persa i takon komunikimit zyrtar, ne rastet e komunikimit shkresor perdor znj/z, ndersa ne rastet e komunikimit me e-mail, ku koncepti kohe e humbet disi sensin, preferoj te drejtohem: e/i dashur, znj/z, ose kur jam e sigurt qe mesazhi lexohet menjehere, miredita znj/ z apo Mira/Miri, etj., sipas vaktit te dites.
    Ndaj te njejtin mendim dhe ndjesi me ju per fjalen e ftohte, false dhe keqazi te huazuar (nga hi, hello, hallo, etj.) “pershendetje”, por me bezdis shume ME TEPER kur perdoret gojarisht dhe veçanerisht ne komunikimin e perditshem informal. Kete rast ju thuajse nuk e keni trajtuar ne shkrimin tuaj. Po keshtu, ndonese i perkas nje brezi qe ka kaluar gjysmen e moshes ne monizem, nuk e mbaj mend perdorimin e fjales “pershendetje”, per pershendetje, ndoshta vetem ne raste manifestimesh(?) Ndaj me duket disi i sforcuar referimi qe ju i beni te shkuares per kete “risi” te gjuhes sone shqipe.
    Ve re me pakenaqesi qe kjo fjale sa vjen dhe hyn me shume ne perdorimin e perditshem, duke u perqafuar edhe nga breza 50 e lart, qe nuk e kane praktikuar kurre me pare ne jeten e tyre nje salutim te tille. Gjithashtu, ve re se salutimi me “pershendetje” ka gjetur perdorim (te pakten ne te folur) ne nje nivel te caktuar kulturor dhe shoqeror, nivel qe nuk eshte per t’u lakmuar. Si e tille, kjo shprehje mbetet ne rangun e zhargonit popullor ose pseudointelektual dhe nivelet elitare zor se mund ta adaptojne.
    Se fundmi, nga stili i analizes mendoj se duhet te jeni gjuhetare me profesion. Ne fakt, do preferoja te mos ishit, se pari pasi kam shprese qe ka njerez qe shqetesohen per shqipen pa qene gjuhetare dhe arrijne te argumentojne e shprehen qarte per te; se dyti pasi artikulli juaj permban kaq shume fjale te huaja, saqe ndonese mjaft te leçitur, edhe na shpeton ndonje pa e ditur. Gjithesesi, faleminderit per shkrimin!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *