Etrit Berisha, mbrojtësi që u shndërrua në portier

12 Shkurt 2014, 14:49Sport TEMA

Ishin të shumtë ata që e panë sa me habi dhe me pesimizëm afrimin e Etrit Berishës te Lacio. Portieri shqiptar (i lindur më 1989-ën) vinte nga një kampionat i nivelit të mesëm, siç është ai suedez, dhe nga një skuadër e vogël, si në histori dhe sa u përket financave, Kalmari. Nisur nga këto të dhëna, kushdo që kishte pak njohuri për të, nuk do shpërthente menjëherë në lëvdata.

Sakaq, edhe problematika e shfaqur në merkaton e verës në lidhje me përplasjen Kievo-Lacio nuk i shkoi shumë përshtat lojtarit, aq sa u desh pak kohë që të “qetësoheshin ujërat” dhe ai të provohej për herë të parë me fanellën e Lacios në një ndeshje të Ligës së Europës. Por, nëse këtu talenti i tij nuk u mor shumë për bazë, tjetër gjë ndodhi kur ai u rreshtua në formacionin titullar të Lacios në kampionat.

I pamposhtur në 4 nga 6 ndeshje në kampionat, i qartë në të gjitha daljet dhe me një plastikë të jashtëzakonshme, pavarësisht moshës ende të re, Berisha i bëri të gjithë për vete. Dhe të mendosh se, referuar “Corriere dello Sport”, ai është krejt rastësisht sot një portier.

Në moshë fare të re, sapo kishte nisur të luante futboll, u vendos edhe fati i tij. Etriti luante si mbrojtës i majtë, por në një ndeshje u dëmtuan të dy portierët dhe trajneri e vuri Berishën në portë deri në përfundim të saj. U tha, u bë. Që nga ai moment Etrit Berisha mbeti në mbrojtje të katërkëndorit, natyrisht për shkak të cilësive që tregoi në atë takim, raporton “Panorama Sport”. Pas konfirmimit në Kosovë kaloi në Suedi, ku shpërtheu me lojën e tij dhe më pas do të vinte arena e madhe e futbollit italian.

U bë pjesë e Lacios për të qenë portier i dytë, pra zëvendësi i Federiko Marketit, i cili është portieri i Kombëtares italiane. Madje, lojtarit i ishte bërë e qartë që në fillim, para se të firmoste kontratën, se këtë sezon duhej të kënaqej me ndonjë ndeshje atje-këtu në Ligën e Europës dhe në Kupën e Italisë. Ai pranoi, por askush s’e mendoi se do i merrte “frenat e Lacios” kaq shpejt. Nisur edhe nga problemet e Marketit, i cili në fillim kaloi disa ditë me grip dhe më pas edhe dhimbje barku e shqetësime të tjera, Berisha doli në skenë, duke bërë paraqitje mbresëlënëse dhe jo në ndeshje dosido, por ndaj Interit, Juventusit, Napolit dhe Romës.

“Hierarkitë nuk mund të diskutohen dhe titullari i Lacios mbetet Marketi, kur ky i fundit të jetë në formë të mirë, por me këtë Berishë skuadra mund të buzëqeshë, pasi portën e ka të sigurt për vite me radhë”, – shkruan edhe “lazionews24.com”, uebsajt ky i lidhur ngushtë me gjithçka që ndodh në klubin çelest. Ndërkohë, “calciomercato. it” shkon më tej, duke theksuar se tanimë presidenti Lotito mund ta shesë pa problem Marketin. “Me Berishën dhe me ardhjen e Rejës në krye të skuadrës, Lacio e ka blinduar portën. Vetëm tre gola të pësuar në 6 ndeshje, tregon për besueshmërinë ndaj Berishës. Kështu që Marketi, me gjasa, mund edhe të rrijë jashtë deri në fund të sezonit dhe më pas në verë të largohet përfundimisht nga Lacio”, – shkruante kjo media.

1 komente në “Etrit Berisha, mbrojtësi që u shndërrua në portier”

  1. dulla says:

    keshtu jan Berishajt nga komoniste shum te flaket dhe te rrezikshem per ato qe e rrethonin ne pseudo demokrat bytha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje