Etrit Berisha: Cana është i jashtëzakonshëm

24 Korrik 2014, 14:53Sport TEMA

Etrit Berisha i është bashkuar skuadrës në grumbullim dhe është i kënaqur me punën që po bën te Lacio. Ai gjithsesi do të kryejë stërvitje të diferencuar për 10 ditë, për shkak se ka pësuar një tërheqje.

“Kjo është hera e parë që stërvitem me skuadrën në një grumbullim gjatë verës, sepse vitin e kaluar nuk kam qenë këtu, – thotë portieri i Shqipërisë. – Jam i kënaqur me çdo gjë: me ambientin, me impenjimin dhe me harmoninë në skuadër. Gjithsesi jam paksa i pafat, sepse u dëmtova ende pa nisur mirë faza përgatitore dhe për këtë më vjen pak keq”.

Etrit Berisha u cilësua si një nga surprizat e sezonit të kaluar në Serinë A, sepse arriti të vërë në vështirësi një kolos të portës si Marketi, por jo vetëm kaq: për një pjesë të mirë të sezonit e la në stol. Këtë vit do të jetë akoma më e vështirë të luajë titullar, sepse janë përmirësuar ndjeshëm edhe dy portierët e rinj: Strakosha dhe Guerrieri.

“Nuk kam frikë nga konkurrenca. Strakosha dhe Guerrieri punojnë shumë mirë dhe kanë një potencial të madh. Mendoj se kanë një të ardhme të shkëlqyer përpara. Unë kam një raport shumë të mirë me ta”, tha mbrojtësi ekstrem i kuqezinjve.

Lorik Cana është shoku i dhomës së Berishës dhe sigurisht që disa fjalë shkojnë edhe për kapitenin e kuqezinjve.

“Cana është një njeri i madh. Është i jashtëzakonshëm dhe unë e njihja atë që kur luanim bashkë në kombëtare. Jemi shokë dhome bashkë dhe ia kalojmë shumë mirë. Më ka ndihmuar shumë që të ambientohem shpejt te Lacio”, u shpreh Berisha.

23-vjeçari ka luajtur 18 ndeshje me përfaqësuesen e Shqipërisë.

1 komente në “Etrit Berisha: Cana është i jashtëzakonshëm”

  1. LOLA says:

    tashti qe na fole mire per Canen ja hodhe bbbbbb ja dhe pseudopatriotet e tjere po dalin mbas canes

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje