Dështimi, klubet shqiptare humbin mbi 360 mijë euro

25 Korrik 2014, 14:39Sport TEMA

Pas eleminimit të Laçit me Flamurtarin, asnjë skuadër shqiptare nuk luan më për këtë edicion (2014-’15) në Kupat e Europës.

Dështimi që në dy turet e para nuk sjell vetëm një imazh të rënduar të asaj çka përfaqëson Superiorja shqiptare në arenën europiane, por tkurr edhe të ardhurat që vijnë nga UEFA.

Nëse edicionin e shkuar katër skuadrat shqiptare (Skënderbeu, Kukësi, Laçi dhe Teuta) do të arrinin që të përfitonin rreth një milion e treqind e pesëdhjetë e pesë mijë euro, këtë vit kjo shifër është ndalur nën kufirin e 1 milion eurove.

Më saktë, Skënderbeu, Kukësi, Laçi dhe Flamurtari nuk ka marrë më shumë se sa 995 mijë euro. Këto janë të ardhurat që vijnë nga qeveria e futbollit europian, në bazë të formatit të ndarjes së parave si në Kupën e Kampioneve dhe në Ligën e Europës, raporton Panorama Sport.

Pjesën më të madhe natyrisht që e merr Skënderbeu, kjo për faktin e thjeshtë se luajti në kompeticionin më të rëndësishëm dhe më të ndjekur, Champions League.

Korçarët luajtën në turin e dytë të këtij kompeticioni, ku u eliminuan nga BATE Borisov.

Kështu, në total ata do marrin nga UEFA rreth 375 mijë euro (shifër ende jo zyrtare nga UEFA, pasi mund të jetë paksa më e lartë). Sipas formatit të vendosur nga UEFA, kampionia shqiptare merr pjesë nga turi i dytë dhe përfiton rreth 175 mijë euro për këtë tur.

Por kësaj shifre i shtohen edhe 200 mijë euro që UEFA ua akordon kampioneve në kampionate të nivelit si i yni, kjo për t’i stimuluar sa më shumë. Por, në krahasim me vitin e shkuar, Skënderbeu ka marrë 350 mijë euro më pak, kjo pasi në 2013-’14-n kampionët tanë shkuan deri në turin e tretë të Champions-it si dhe luajtën në “play off” të Ligës së Europës, duke futur në arkën e tyre plot 725 mijë euro.

Më keq krahasuar me vitin e shkuar për këtë edicion ka shkuar Kukësi. Nënkampionët u eliminuan që në turin e parë ndaj për këtë vit nuk presin më shumë sesa 120 mijë euro.

Por kujtojmë se vjet kuksianët shkruan historinë, teksa shkonin deri në turin “play off” të këtij kompeticioni duke marrë nga UEFA 540 mijë euro, shifër rekord kjo për një skuadër shqiptare, në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm për klube në Europë. Ndërsa diçka më mirë krahasuar me një edicion më parë ka bërë Laçi.

Kurbinasit kaluan për herë të parë një tur të Ligës së Europës, duke përfituar 250 mijë euro, 130 mijë më shumë sesa vitin e shkuar, ku u ndalën që në tur të parë.

Të njëjtën shifër ka marrë edhe Flamurtari, skuadër kjo që në turin e parë eliminoi gjeorgjianët e Sionit, por nuk kaluan dot rumunët e Petrolul Ploeshtit, ndaj rrugëtimi i tyre u mbyll me kaq, pavarësisht pretendimeve të drejtuesve vlonjatë

4 komente në “Dështimi, klubet shqiptare humbin mbi 360 mijë euro”

  1. salihe says:

    shume normale eshte kur klubet financohen nga bisnesi informal dhe injorant shqiptare ,

  2. rottweiler says:

    Nje federate e drejtuar nga nje inkompetent si Duka vetem deshtime sjell.

  3. Saimiri says:

    Niveli i sportit, është pasqyrë e ekonomisë, shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi…(?!)

  4. iliria shqiptare says:

    Me armand duken si qyp me mut ne krye te federates keto kane per te qene gjithmone rezultatet:nje vere ne uje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje