REPORTAZH/ Në Theth, ku Shkurta e pret kecin për 5 dakike

7 Shtator 2014, 19:59Blog TEMA
REPORTAZH/ Në Theth, ku Shkurta e pret kecin për 5 dakike

Nga Enver Robelli

Buzëmbrëmje në Theth. Pasi kemi ecur gati 7 orë rreth e rrotull fshatit, në oborrin e Arben Marashit një grua rrjep një edh si me shpatë. Shkurtja është mbi 50-vjeçare. Në fytyrën e saj koha ka lënë rrudha të thella.

Pas i shkojnë disa dhi, të cilave u shndrit lëkura. Bota bimore e Thethit është parajsë jo vetëm për dhitë. Fatkeqe është ajo dhi, fatkeq është ai edh që përfundon nën shpatën e Shkurtes. Në këtë buzëmbrëmje ajo e preu një edh për 5 dakikë. “Nën tunin e sëpatës / Pëlset rrashta e kaut te prroni”, shkruan Martin Camaj në një poezi të tij. Në këtë buzëmbrëmje rrashta e kecit nuk u ça, por u fut në frigorifer, ku do të ruhet dhe një ditë do t’u shtrohet në tavolinë mysafirëve në shenjë nderimi të madh.

Këtë do ta bëjë Violeta, gruaja e Arben Marashit, e cila turistët nuk i pret si klientë, por si mysafirë. Ata gostiten me ushqimet më të shëndetshme dhe më të shijshme të vendit, tubohen pastaj rreth zjarrit që ndizet në oborr, dëgjojnë tregime e anekdota derisa pak më tutje gurgullon lumi i Thethit me ujin kristal dhe të ftohtë akull.

Krenari shekullore

Tri orë në këmbë larg Thethit, afër fshatit Kapre, gjendet Syri i Kaltër i Thethit, kështu së paku kanë filluar ta quajnë në përpjekje për t’i treguar Toskërisë se edhe Gegëria ka një atraksion që gati mund të matet me Syrin e Kaltër afër Sarandës. Kësaj i thotë: konkurrencë me bukuri. Mbi Syrin e Kaltër të Thethit, që nga populli njihet si Pusi i Sokol Ramës, Filip Imeraj me familje mban një restorant.

Një grua që shërben si bleta na shpjegon me durim si shkohet dhe sa zgjat rruga deri te Qafa e Thorës, deri te Shtegu i Dhenve dhe si duket më tutje, në drejtim të Bogës, Koplikut e deri në Shkodër. “Ne që jemi të mësuem me ec për ‘i Zot as nji orë e gjysë deri n’Qafë të Thores s’e bajmë. E ju ndoshta i bani 3 orë”, thotë gruaja me shikim të mprehtë dhe plot kureshtje. Krenaria dhe çiltëria e grave të Thethit dhe rrethinës të kujton kohërat e largëta, para gati një shekulli, kur këtë rajon e kishte vizituar shkrimtarja amerikane Rose Wilder Lane. Takimin me një grua të Shalës, Wilder Lane e përshkruan kështu: “‘Jam e lindur në Shalë, e martuar në Shosh’, u përgjigj ajo. Zërin e kishte të butë, kurse duart e këmbët e saj do të çmendnin çdo skulptor. Në çdo restorant të Parisit këta gishtërinj delikatë, thonjtë si bajame dhe kyçet e dorës, aristokrate dhe të rralla, do të paraqisnin sensacion”.

Në librin e saj “Majat e Shalës” (përkthyer nga Avni Spahiu) autorja amerikane tregon se fillimisht e kishte ndërmend të mos pinte raki në udhëtimet e saj në fshatrat e Shqipërisë veriore. Por ajri i pastër, uji kristal, ushqimi i shëndetshëm me gjasë kishin ndikuar që ajo dhe shoqërueset e saj të mos i rezistonin tundimit për të pirë këtë pije të fortë: “Njëra pas tjetrës, ne morëm kupën që mbushte shërbëtori dhe e zbraznim deri në fund. Nga ajo kohë e tutje e pinim këtë pije si ujin dhe nuk kishte kurrfarë ndikimi të dukshëm. Ndonëse në ndonjë restorant parisien një gotë vere të butë do të më bënte të mendoja se një gotë e dytë nuk do të ishte punë me mend”.

 

Tri molla në gjoks

Në këtë pjesë të Shqipërisë edhe sot zor se të deh ndonjë pije, por ka gjasa që bukuria e natyrës ta bëjë këtë.

“Tridhjetë e dy ujëvara i numërova nga ajo dritare, që përshkonin malet si damarë me vezullime të mrekullueshme të argjendit”, shkruan Rose Wilder Lane. Në këto vise bukuria dhe krenaria e grave është po aq e dëgjuar sa rrëfimet për orët, figura të besimeve popullore shqiptare, që përfytyrohen si gra që jetojnë në male, kroje ose afër njerëzve, të cilëve ato u sjellin fat ose ndëshkojnë shpirtligët. Këtu besimi katolik përzihet me tradita pagane. Rose Wilder Lane tregon se, ndonëse katolikët e Shalës shkonin në meshë, ata të vdekurit i varrosnin pa arkivol, me tri molla në gjoks dhe kur vendosnin ndonjë gur apo pllakë druri mbi varr, ata shpesh gdhendnin në të jo vetëm kryqin, por edhe diellin.

Nuset, kur martoheshin, nga shtëpitë e tyre merrnin me vete një mashë me të cilën ruanin zjarrin në shtëpinë e burrit. Zjarri si dhuratë hyjnore, si simbol i dritës dhe jetës së përhershme – kështu ishte me shekuj dhe gjurmë të kësaj tradite ende ruhen në Shalë. Për këtë flasin edhe emrat e grave: Mrikë, Shkurte, Diella. Priftërinjtë kanë qenë zakonisht tolerantë ndaj traditave pagane. Ata përveç kultivimit të besimit të krishterë janë kujdesur për përhapjen e dijes, shkrim-leximit në viset e largëta e alpine shqiptare. Rose Wilder Lane kishte vizituar një shkollë gjashtë javës pas hapjes: “E pyeta priftin çfarë mund t’i dërgoja nga Parisi dhe sytë e tij u mbushën me lot tek kërkonte, duke u hamendur për një çast nga frika mos kërkon shumë, nëse mund t’i dërgoja pak letër të bardhë dhe ca lapsa.

Boja ishte në të sosur; ata do të mund të bënin ngjyrë tjetër nga manaferrat, por ai do të dëshironte që djemtë të shihnin lapsat dhe të mësonin t’i përdornin”. Për fat të keq në këtë fushatë fisnike të arsimimit para një shekulli nuk u përfshinë edhe vajzat. Gratë dhe vajzat duhej të kryenin punët e shtëpisë dhe të arave, prania e tyre në jetën publike ishte pothuaj e padukshme. Nga ana tjetër toleranca dhe respekti për ndjekës të besimeve të tjera ishin proverbiale: kur Rexha i vogël, njëri nga shoqëruesit e Rose Wilder Lane, tregoi në një shtëpi katolike se si muhamedan nuk e hante mishin e derrit, meshkujt e shtëpisë u shpërndanë në fshatrat përreth për t’i gjetur mish hallall. Krahas traditës pagane në këto treva kanë mbijetuar gjatë edhe zakone mjaft barbare.

Grabitja e vajzave për qëllime martese deri para një shekulli ka qenë dukuri mjaft e përhapur, martesa e fëmijëve po ashtu, siç dëshmon një prift në librin e Rose Wilder Lane. Ai ankohet se kisha e ka shumë të vështirë të luftojë këtë fenomen, po aq sa gjakmarrjen sipas Ligjit të Lekës. “Lum udha që ju solli!” Ndërkohë Shkurta e ka copëtuar mishin dhe dalëngadalë dielli i thotë lamtumirë Thethit. Tani, në këtë vend ku lepuri i uron dhelprës “natë të mirë”, bie dalëngadalë nata. Turiste gjermane pinë kafenë e mbrëmjes, që shoqërohet me një gotë raki, dhe vëzhgojnë me kujdes e kureshtje zhvillimet në oborrin e Arben Marashit. Derisa përgatitet darka, dhitë e Shkurtes, ato që nuk kanë rënë pre e shpatës së saj, kërcejnë gardhin, futen në oborr dhe u hidhen perimeve.

Kjo skenë tregon: Thethi ende nuk është komercializuar, ende është origjinal, burimor. Pikërisht për këtë arsye vijnë gjithnjë e më shumë turistë nga bota perëndimore. Ata janë të ngopur me kamerierë që me ftohësi i marrin porositë, të sjellin pijet me shpërfillje dhe pa treguar asnjë shenjë afërsie dhe interesimi për udhëtarin marrin paratë dhe të largohen nga restoranti me një falënderim të shpifur dhe mekanik. Thethi është ndryshe, njerëzor sidomos falë grave si Violeta, Shkurta e të tjera. Mirëpritja në Theth i kishte rënë menjëherë në sy e vesh Rose Wilder Lane: “Atëherë pasoi një shpërthim të shtënash. Shkëmbinjtë përreth nesh kërcitën si fishekzjarrë gjigante, qielli sikur ra në copëza përreth nesh dhe përmes poteres erdhën britma të shumëfishta.

Katër kryeparë të gjatë u dukën në shtegun e shkëmbit, madhështor në të zeza e të bardha, në të bardha e të kuqe, të kaltra, të gjelbra dhe të argjendta. Po na uronin mirëseardhjen në Theth. Britmat u dyfishuan, pushkët kërcitën nga çdo shkëmb, kambana e kishës binte me egërsi dhe përmes këtij pështjellimi shurdhues dhe paksa marramendës, ne hymë në fshatin e Thethit. Të katër kryeparët, pasi na kishin përshëndetur (‘Tungjatjeta! Ju lumshin këmbët! Lum udha që ju solli!’, thoshin ata) na prinë në çerekun e fundit të pafrymë të udhës, dhe gjatë tërë rrugës çunat bënin kërcime në duar mbi shkrepa”. Lum udha që ju solli! Këtë përshëndetje madhështore edhe sot e dëgjoni në Theth

18 komente në “REPORTAZH/ Në Theth, ku Shkurta e pret kecin për 5 dakike”

  1. teli says:

    lerini dokrrat sa kushtoj edhi a shpetuat pa ju shku diare a pat burra aty apo jan shku ne greqi apo kan lyp azil diku neper evrop e jan largu nga parajsa hengret pit e dhit e u largut

    1. Oh My says:

      Qejfi paguhet or tel….o negativ.. Shko gjeje gjekundi tjeter ate cilesi dh po te shohim sa paguan….

  2. Bujar says:

    Ky ka bere reportazh apo ka bere recense nga libri I Rose Wilder Lane?

  3. VASIL says:

    LUM PENA QË JU SHKROI, OJ SHKRONJA. JU FALEMINDERIT, I NDERUAR ENVER ROBELLI.

  4. benbenedeti says:

    ktij telit do ti thosha …ca din dhija se c’asht tagjija.shnet e pare

  5. Giacomo Pucini says:

    Kujt i thone “dakike” or zotni, se hapa fjalorin e Shqipes dhe e kontrollova germen “D” dhe nuk e gjeta. E di ndonjeri, le te na i spjegoje, ju lutem!

    1. Toni KS says:

      Duhet te jete i biri i sahatit. ?

    2. ALBO says:

      dakike -mund të jetë dialekt i zonës- shqip dekika: si rregull sekondë, por ka edhe kuptimin e një kohe sh. të shkurtër.

    3. Sara says:

      “dakike” fjale turke. Shqip:minuta. Pse nuk e ka perdor fjalen shqipe minuta?!

  6. Konica says:

    Ky eshte gazetar i njohur, por habitem qe ne vend qe te shkruante pershtypjet e veta per kete zone, na jep nje konspekt per librin e Rose Wilder Lane. Ec e merre vesh kete pune.

  7. xhevriko says:

    Ky duket,ose s’ka pare mish me sy,ose ja ka pagu ndonjeri ate qe ka ngrene…aty te rrjepin me cmimet dhe te vjen per te dhjere para se te hash….

  8. piro says:

    vertete thethi eshte nje vend i mrekullueshem. para dy muajesh kam qene ne thehte dhe me pelqeu shume. me shume duhet te promovohen dhe vizitohen keto vende te bukura perrallore.

  9. dandaramanda says:

    O kalemxhi,po ti HENGRE BUKEN DHE PERMBYSE KUPEN.Apo ngatrrove bujarine dhe mikpritjen me injorancen?Nuk e njeh as kulturen as mikpritjen e malsorit me nje nate te shpenzuar ne Theth.Aq me teper prane oxhakut me dru lisi e rreth sofres me mish edhi dhe me raki rrushi ne nje familje ne varferi te tejskajshme por bujare.O kalemxhi,edhe mishi I edhit eshte mish “hallall”.Ajo familje qe te priti per darke,nuk e kupton cinizmin dhe nencmimin ne shkrimin tend,mbase edhe nuk e lexon fare,edhe nese ka kompiuter nuk ka korrent.Keshtu qe here tjeter mos merr mundimin deri ne Theth,por shko diku me afer,psh ne Tirane.Trokit ne ndonje dere aty,qe te te gostitin,por me siguri ajo dere nuk do te te hapet kurre.Jo se Tiransit nuk jane mikprites,por se Tirana eshte e mbushur me kalemxhi si ti,dhe nuk ka kohe kush me ndigju porrllet tuaja.

  10. Mos. says:

    Interesante sesi zbulojne sesa e bukur eshte Shqiperia, Robelet e kompani qe per vite te tera kane folur vetem llafe te keqia. Tani del vend ideal, turistik, manjifik, ujvarash e bimesh aromatike, mejeksore drusore gardhore bjeshkore, korije e gerxha.
    Megjithese edhe sot ka mbetje te trasheguara apo per force zakoni qe gjejne rastin per te share me ane te rrugeve.

  11. rita says:

    Shumë romantike për të qënë e vërtetë…!

  12. desari says:

    Nese do te provoni te kaloni nje nate ne Theth do te keni mbresa te pashkyeshme. Nje project qe punon prej disa vjetesh aty , ka ndihmuar familjet per te bere disa permiresime ne kushtet e fjetjes dhe te higjenes. Aty mund te akomodoheni ne shtepite e atyre malesoreve mikprites, duke ndjere ne viziten tuaj turistike dhe ngrohtesine e familjes se veriut. Sigurisht eshte mese normale qe duhte te paguash, sepse nuk te ka zene rruga, po ke shkuar per qef dhe qefi paguhet. Provoni te shkoni dhe do ta kujtoni gjithe jeten ate qe do te perjetoni atje, Kulla e ngujimit, ujvarat e lumit, pamja perrteh, kisha e fshatit, muzeu I fshatit,mulliri I blojes, centrali me uje. Une nuk do ta harroj nje nate qe kam kaluar ne Theth. Faleminderit Shtepise qe na mirepriti dhe na qiti buken dhe shishen e rakisw sw bashku me pjestarwt e familjes.Provojeni dhe nuk do ta harroni.

  13. Paskal Harito says:

    Bukur.thethi flet vete.Shkrimi eshte modet por i sakte.bukur

  14. Toni says:

    Dakike apo dekika

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje