Afera e CEZ , Berisha iu fali 130 milionë USD çekëve kur njohu borxhin e keq

24 Janar 2017, 09:00Politika TEMA

Pjesë e një prej dosjeve më të mëdha të korrupsionit në 25 vitet e fundit, që komisioni hetimor për çështjen “CEZ” po përgatit për ta referuar në organin aktual të akuzës ose në Prokurorinë e Posaçme që do të ngrihet në javët në vijim, do të jetë edhe një manovër abuzive e qeverisë “Berisha” dhe e kompanisë “CEZ”, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej 130 milionë dollarësh.

Bëhet fjalë për favorizimin e paligjshëm të kompanisë CEZ, me anë të ndryshimit të nivelit të borxhit të keq nga 4 % në 14 %, duke i dhuruar kësisoj CEZ 130 milionë USD gjatë tre viteve.

Nën presionin e ish­kryeministrit Sali Berisha, ERE, me vendim Nr. 99, datë 20.09. 2011, i ka njohur rritjen e borxhit të keq CEZ për vitet 2008, 2009 dhe 2010, në masat 14%, 14% dhe 13%.

“Nivelet aktuale të borxhit të keq, me korrektimet e mësipërme, për vitet 2008, 2009, 2010 janë respektivisht 14 %,14 % dhe 13 %. Borxhi i keq do të llogaritet si përqindje mbi shumën e të ardhurave të furnizuesit publik me pakicë sipas pikës 5.2 të deklaratës Rregullatore”, thuhet në vendimin e ERE, shkruan Shqiptarja.com. Sipas llogarive dhe bilancit të anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar, ky vendim i ERE i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej 130 milionë USD.

Favorizimi i CEZ me anë të borxhit të keq do të jenë pjesa më e rëndësishme e dosjes, e cila do të referohet në organin e akuzës, duke përfshirë, sipas përgjegjësisë, ish­zyrtarët e implikuar.

Vendimi i ERE ka ardhur pas një letre të drejtuesve të CEZ drejtuar ish­këshilltares së ish­kryeministrit Berisha, znj. Suzana Goxholli. Menjëherë pas letrës, në lëvizjeve janë vënë organet e kontrolluara asokohe nga Berisha. Por në letër, CEZ, ka kërkuar që borxhi i keq të njihej në nivelin 16.85%. Për të plotësuar kërkesat e CEZ, ERE, në datë 29.06.2012 ka miratuar rishikimin e çmimit nga 2.83 lekë/kwh, duke e çuar në 2.2 lekë.

Në të njëjtën kohë, u mundësua ulja e tarifës së shitjes së energjisë elektrike nga KESH tek CEZ, duke e favorizuar CEZ në mënyrë të trefishtë. Në shpjegimet e tyre, Sali Berisha dhe Ridvan Bode, janë mbrojtur me argumentin se borxhi i keq dhe humbjet janë konfirmuar me vendim gjykate, por ka rezultuar se ish­drejtuesit e institucioneve nuk i kanë ankimuar këto vendime, duke konfirmuar se proceset gjyqësore kanë qenë formale.

Organet nën varësi të qeverisë “Berisha” kanë favorizuar CEZ, duke i njohur rritjen e nivelit të borxhit të keq me 10 %, në shkelje flagrante të vendimeve të miratuara po nga qeveria “Berisha”, të cilat përcaktonin rregullat, detyrimet dhe kushtet e privatizimit të OSSH.

Konkretisht, CEZ është favorizuar në shkelje të VKM nr. 487 datë 16.04.2008 dhe VKM nr. 835, datë 11.06.2008. është shkelur hapur pika 5.2 e VKM nr. 835 datë 11.06.2008, e cila parashikon vetëm llogaritjen e borxhit nga CEZ, por jo ndikimin e financiar të tij tek palët, për shkak se mbledhja e faturave të energjisë ishte detyrë e CEZ.

Në kohë kur CEZ negocionte me qeverinë “Berisha” dhe ERE urdhërohej që t’i njihte një borxh edhe më të madh, CEZ kishte filluar lëvizjet me disa kompani për të mbledhur borxhin e keq, duke i ndarë përgjysmë paratë e mbledhura. Pjesë e këtyre kompanive ishte edhe e famshmja DIA. Skandali mes CEZ dhe kompanive në fjalë, ka krijuar dyshime të forta, se nga afera me borxhin e keq kanë përfituar të gjitha palët, në dëm të shtetit shqiptar.

Teksa vijon puna me pyetjen e dëshmitarëve dhe mbledhjen e dokumenteve, komisioni hetimor parlamentar për çështjen CEZ ka bërë disa gjetje paraprake. Komisioni ka konstatuar se nga ngritja e çmimeve me pakicë të energjisë në vitet 2010­2014, sipas vendimit të ERE­s nr. 100, datë 15.12.2010, dëmi ekonomik i shkaktuar është 228 milionë dollarë.

Dëmi i shkaktuar nga kompensimi­ diferencë­ tarifë shitje për vitin 2009 është 3,7 milionë dollarë. Dëmi i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë në vitin 2011, për efekt të ndryshimit të humbjeve nga 32% në 34,5%, është 88 milionë dollarë. Pavarësisht se pretendohet se kjo kompani është shitur 102 milionë euro, shteti shqiptar jo vetëm që nuk i ka marrë këto 102 milionë euro, por, përkundrazi, ka dalë me humbje. Shuma totale e dëmeve të llogaritura deri më tani është 414 milionë euro. Shpjegimet e Berishës dhe të Bodes për historinë e borxhit të keq

Sali Berisha: Së pari, në 2007­n të përfundonte një herë e mirë ndërprerja e energjisë dhe të hiqeshin motorët dhe ajo u bë. Së dyti, të hiqeshin faturat oforfe dhe ato u reduktuan. Kur erdhëm ne, më shumë se gjysma e familjeve paguanin fatura aforfe. Ne i reduktuam në shkallën maksimale. Së treti, jo rritje çmimi. Kjo nuk u lejua në asnjë rrethanë, ai krim i shëmtuar që bëtë ju me qytetarët duke ua rritur çmimin sa erdhët në pushtet me 24%, në një kohë që Edi Rama vodhi me CEZ­in 634 milionë euro. Ai është krim makabër. Sigurisht ju vodhët paratë e faturave, Edi, jo ju, dhe ua ngarkoi qytetarëve. Nuk u rrit çmimi i energjisë nga ne, nuk i takonte Edit që ta rriste çmimin e energjisë, përkundrazi, lexojeni kontratën se çfarë thoshte për çmimin e energjisë në vitet 2013­2014. Lexojeni mirë.

Nuk u rrit çmimi, por Edi Rama futi duart e zeza bashkë me CEZ­in, bashkë me ata hajdutë që falimentuan kompaninë. Dhe pastaj njeriu që u zotua se do ta heqim, do ta ulim, të zbresë në 6% TVSH­në e energjisë. Jo që nuk e preku as 0,1%, por e rriti me 24% çmimin e energjisë  dhe bërtet i papërgjegjshëm para shqiptarëve, që të gjithë e dinë se është i sëmurë, se “nuk e kemi rritur, nuk është e vërtetë që e kemi rritur çmimi i energjisë”, paçka se banka…”.

Ridvan Bode: Nuk është e vërtetë që qoftë borxhi i keq, qoftë humbjet në rrjet, dy treguesit kryesorë që përcaktojnë dhe ndikojnë në nivelin e tarifës dhe vetëshpërndarjes së çmimit në zinxhirin e energjisë elektrike kanë qenë pjesë e vendimmarrjes së qeverisë apo vetëm e Entit Rregullator.

Jo, sepse kanë qenë dy palë: shteti shqiptar dhe ai që e blinte. Ka qenë kompania ndërkombëtare e zgjidhur nga të dyja palët, që ka qenë Deloitte and Touche, e cila ka bërë fiksimin e parametrave që ju bëni hesape, humbëm aq e fituam kaq. Ne nuk kishim asnjë të drejtë. Nga momenti që institucionet shqiptare nuk zbatuan ligjin, vendimet e gjykatave kanë qenë… Ka dy vendime gjykate: vendim për borxhin e keq dhe për humbjen në rrjet”.

3 komente në “Afera e CEZ , Berisha iu fali 130 milionë USD çekëve kur njohu borxhin e keq”

  1. Qytetar says:

    Vazhdoni kopsituni letrat dhe të kalben në burd plehrat.

  2. Brahoo says:

    Mir ka bo,leket e Sigurimit i ka.

    Tja falim edhe ketij,do thoshte Peza ;se e ka bo padashje. Ja ka fajin Partia

  3. Saliu says:

    Vetem me kaq sali krimineli i korruptuari sypeahkaqeni ridvan bolja suzana prosti duhet te shkojne nga 20 vjet be burg

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje