Përplasja përmes shifrave/ Aleatët jashtë listës së PD për deputetë, dilema e rrezikshme e Bashës

15 Shkurt 2017, 10:27Politika TEMA

Vetëm pak ditë më parë nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, bëri të ditur se kryetarët e partive të vogla brenda opozitës nuk do të jenë në listat e PD-së për deputet në zgjedhjet e qershorit 2017. Kjo deklaratë ngjalli jo pak reagime kundërshtuese mes krerëve të partive të vogla të opozitës. Sipas tyre, deklarata të tilla jo vetëm cënojnë marrdhëniet mes partive të vogla dhe PD-së, por nga ana tjetër garantojnë humbje të PD-së në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Por mjafton të shikosh shifrat e rezultatit më të fundit në zgjedhje të partive që i janë bashkëngjitur PD-së, për të kuptuar se deklarata e Spahos është bërë mbi bazë llogarie, siç është edhe profesioni i tij prej ekonomisti, sesa mbi baza emocionale. Mbështetur mbi këto të dhëna PD nuk siguron më shumë se një mandat (maksimumi 2) nga vota e aleatëve të saj. Ndërkohë që rreth kësaj force politike janë rreth 15 kryetarë partish që shkojnë me shpresën për të shkepur një mandat nëpërmjet listës së PD-së.

Duket se Spaho është mbështetur në një llogari mjaft të thjeshtë në qëndrimin e tij: më mirë fusim në lista emra nga PD sesa të bëjmë shumë të pakënaqur brenda partisë duke futur në lista emra, të cilët nuk i sjellin asnjë mandat PD-së.

Realiteti i partive të vogla rreth PD-së

Në zgjedhjet parlamentare të 2013 u vu re një rënie e madhe e votave të Partisë Agrare, Legalitetit, LZHK dhe Ballit Kombëtar krahasuar me zgjedhjet e 2009. Partia e vetme e vogël me qëndrueshmëri votash duket se mbeti PDK me vetëm 20 vota diferencë krahasuar me 4 vite më parë. Interesant është rasti i PBDNJ, e cila në 2013 mori 3.3 mijë vota më pak sesa më 2009, aq sa mori MEGA, fraksion i saj i krijuar nga PD në 2009. Për të pasur një ide më të qartë për “fuqinë” elektorale të partive aleate të PD mjafton të kujtojmë se LZHK, Balli Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit, PAA dhe parti të tjera që shfaqen dukshëm me pretendime të mëdha elektorale kanë marrë më pak vota në 2013 sesa mori Dritan Prifti, i cili kandidoi si i pavarur në zgjedhjet e 2013.

Numëri magjik i votave për një mandat

Sistemi në fuqi elektoral proporcional rajonal ofron kalkulime të tipit që çdo votë në një qark, që nuk përkthehet në mandate, nuk ka vlerë kombëtare. Pra suksesi varet nga forca lokale e partive të mëdha apo të vogla. Për të kuptuar saktë vlerën e një mandati për partitë e vogla, po sjellim këtë shembull mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve të 2013. Në këto zgjedhje vlera e një mandati tek PS arriti 10.9 mijë vota nga 9.5 mijë vota që ishte më 2009. Vlera e një mandati tek PD në 2013 shkoi në 10.5 mijë vota, rreth 400 vota më pak, sesa një mandat i PS, nga 8.9 mijë vota më 2009. Vlera e një mandati tek PD ka lëvizur plus 1.6 mijë vota nga 2009 në 2013.

Ndërsa për partitë e vogla përreth PD-së vlera e mandatit shkoi sipas koalicioneve: për PR një mandat ka vlerën e 17.3 mijë votave, për PBDNJ 14.7 mijë vota, si dhe për PKD 7.9 mijë vota. Pra siç vihet re numëri i votave që duhet të sjellin këto parti të vogla rreth opozitës shkon nga 7.5 mijë deri në 17.3 mijë, në mënyrë që ti sjellin koalicionit të opozitës një mandat. Duket mision i pamundur. Ndaj dhe deklarata e Spahos nuk është e pamenduar, por e bazuar në shifra. Këto parti të vogla do të kishin më shumë peshë në një sistem të pastër proporcional kombëtar. Por humbësit më të mëdhenj nga mandatet e fituara do të ishin partitë e mëdha politike PS dhe PD, ndaj s’ka gjasa që sistemi të ndryshojë.

Kjo ka bërë që partitë e vogla të forcojnë identitetit të tyre lokal. Partia Republikane p.sh mund të quhet më e suksesshmja në këtë skemë pas PDIU-së. Ajo siguroi rreth 50% të votave kombëtare në vetëm tri qarqe: Durrës 10.5 mijë, Tiranë 10 mijë dhe Elbasan 6.2 mijë. Balli Kombëtar mori në Vlorë mbi 60% të votave totale kombëtare. Ndërsa PDK mori 6.7 mijë vota në Shkodër nga 7.9 mijë votat totale kombëtare. PBDNJ mori vetëm 555 vota në Tiranë, ndërkohë që fitoi 6.3 mijë vota në Vlorë, 3 mijë në Korçë dhe 1.8 mijë në Gjirokastër. Një parti tjetër lokale, LZHK mori në Tiranë 2.2 mijë nga totali prej 5.4 mijë vota kombëtare.

Parë në këtë plan vihet re qartazi se me ndonjë dallim “aty- këtu” pesha e partive të vogla në rang kombëtar është thuajse e papërfillshme. Nga ana tjetër edhe në rang lokal vlera e këtyre partive si kundërpeshë ndaj aleatëve të së majtës nuk ka ndonjë domethënie të vecantë, pasi këto parti edhe në rang lokal kanë peshë aty ku dhe vetë PD ka bastionet e saj. Ndaj në bazë të llogarive, përkthyer kjo edhe në bazë të sistemit electoral, partitë e vogla rreth PD në rastin më të mirë mund të prodhojnë deri 2 mandate. Kjo nuk e ndihmon aspak PD për një përmbysje elektorale. Ndaj dhe deklarata e Spahos është realiste nga pikëpamja e llogarisë, por natyrisht qejfprishëse sa i përket vlerave emocionale të bashkëpunimit të PD-së me aleatët. Por ajo që mbetet në fund është llogaria./JAVANEWS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje