Strakosha u rrëfehet italianëve: E dashuroj portën, më frymëzon babai

4 Mars 2017, 12:31Sport TEMA

Thomas Strakosha është njeriu i momentit te Lacio. Portieri po shkëlqen në Serinë A dhe ndeshja ndaj Romës për Kupën e Italisë konfirmoi se jo më kot trajneri Simone Inzagi beson shumë te talenti shqiptar. Të mërkurën, ai luajti derbin e parë si protagonist dhe arriti të ruante portën të paprekur ndaj Romës.

21-vjeçari ka shfaqur shumë personalitet dhe siguri të madhe, teksa në këtë periudhë të mirë që po kalon Lacio, një meritë të padiskutueshme e ka pikërisht Strakosha. Dje portali pranë klubit bardhekaltër “lalaziosiamonoi.it” i ka kushtuar një editorial special talentit të kuqezinjve, i cili më 24 mars pret të debutojë në një ndeshje ëndrrash, pikërisht ndaj Italisë.

Shkëlqimi

“Të gjithë të çmendur pas Strakoshës. Shumë personalitet dhe i përkushtuar ndaj këshillave të të atit. Edhe pse ka përfunduar shpeshherë në qendër të vëmendjes gjatë kësaj periudhe, Strakosha ka ditur të qëndrojë me këmbë në tokë. Ai stërvitet përkrah një eksperti si Federiko Marketi, i cili në të kaluarën ka mbajtur veshur edhe fanellën e Kombëtares italiane.

Por ky fakt nuk e shqetëson aspak shqiptarin, i cili ka përfituar nga dëmtimet e 34-vjeçarit për t’u treguar të gjithëve potencialin e tij dhe, pse jo, për t’i thënë Simone Inzagit se meriton të jetë ai titullari i portës te Lacio.

Di të reagojë atëherë kur duhet dhe ka instinkte fantastike, karakteristika perfekte këto për një numër 1 që ngjall respekt. Ato mes shtyllave janë aftësi të lindura, por edhe të përmirësuara me kalimin e viteve falë këshillave të babait të tij Foto”, shkruante dje portali italian në profilin që i bënte të riut shqiptar.

Vetë Thomasi është modest, ndërsa kërkon që gjithçka ta arrijë gradualisht. “Jam pasionuar pas sportit duke parë babanë tim kur luante. E kam nisur futbollin shumë shpejt, kur isha vetëm 4 vjeç dhe gjithmonë kam luajtur në rolin e portierit. Përgjegjësitë që të jep roli i portierit më bën të dashurohem më shumë me të, sepse të bën ta fitosh apo ta humbasësh një ndeshje dhe kjo më karikon. Kur mbërrita në Itali për herë të parë, erdha këtu për të luajtur”, ka deklaruar Strakosha.

Skuadrat

Fillimisht ishte pjesë e ekipit së të rinjve të Lacios, për t’u huazuar më pas te Salernitana në Serinë B dhe për të shpërthyer përfundimisht këtë sezon me bardhekaltrit. 12 ndeshje në Serinë A nuk janë pak për një portier kaq të ri, pasi mbi të gjithë Strakosha mbron ngjyrat e një skuadre që lufton për t’u renditur në treshen e parë të kampionatit italian. Portieri i talentuar duhet falënderojë edhe Simone Inzagin, i cili beson verbërisht tek ai, por gjithçka deri tani 21-vjeçari e ka arritur me punë.

Nga debutimi mbresëlënës në Serinë A, në humbjen 2-0 ndaj Milanit, te fitorja në derbin kundër Romës. Për Strakoshën, ky do të jetë një sezon i paharrueshëm. Deri më tani ka pësuar 9 gola mes Serisë A dhe Kupës së Italisë, por asnjë nga këto finalizime nuk ka ardhur për faj të tij.

Kontrata

Si shpërblim për paraqitjet në fushë, Lacio ka gati rinovimin e kontratës me portierin e Kombëtares shqiptare, i cili shumë shpejt do të hedhë firmën mbi marrëveshjen e re. Duke iu referuar asaj që shkruan portali “lalaziosiamonoi.it”, Strakosha do të firmosë një kontratë të re deri në vitin 2022, me një pagë prej rreth 300 mijë eurosh në sezon. Në fund të prononcimit të tij, Strakosha konfirmoi se është i lumtur te Lacio dhe dëshiron të qëndrojë sa më gjatë.

Ndërsa trajneri i portierëve të ekipit bardhekaltër, Marko Balota, në lidhje me Thomasin, deklaron: “Ai është i ri, por po tregon se është në lartësinë e duhur, kështu që e shoh në duar të sigurta të ardhmen e Lacios për sa i përket këtij roli”.

Tashmë Strakosha ëndërron debutimin me kuqezinjtë ndaj Italisë, teksa do të mungojë për shkak pezullimi Etrit Berisha. De Biazi duhet të zgjedhë mes tij dhe portierit të Partizanit, Alban Hoxha. Shanset për të qenë Strakosha titullar më 24 mars janë të mëdha. Por, deri atëherë, talenti duhet të ketë vazhdimësi te Lacio.

1 komente në “Strakosha u rrëfehet italianëve: E dashuroj portën, më frymëzon babai”

  1. lelegu says:

    Do Zoti e merr De Biasi Strakoshen ne ndeshjen me Italine!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje