Vettingu, PD fut drejtësinë në kolaps. KLD shkrihet pas 3 ditësh, Nishani humbet fuqinë

8 Mars 2017, 08:37Politika TEMA

Partia Demokratike, nëpërmjet bojkotit të Parlamentit, si mjet presioni ndaj shumicës për krijimin e një qeverie të përbashkët, po fut gradualisht sistemin e drejtësisë në kolaps.

Vendimi i Kuvendit, i diktuar nga mungesa e opozitës në Parlament, për të rikthyer procesin e konstituimit të organeve Vetingut në stadin fillestar, shtyn automatikisht ngritjen e të gjitha organeve të reja të drejtësisë, për shkak të ndërvarësisë me zbatimin e Vetingut.

Nga ana tjetër, ligjet prioritare, në zbatim të Kushtetutës së re, parashikojnë një afat të caktuar për shkrirjen e disa institucioneve aktuale të drejtësisë, pavarësisht kohës së ngritjes së institucioneve të reja zëvendësuese.

Konkretisht, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, autoriteti përgjegjës për qeverisjen e gjyqësorit, do të shpërndahet brenda datës 11 prill, në një kohë kur bllokimi i Vetingut pamundëson zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, organ i cili sipas Kushtetutës së re do të zëvendësojë KLD.

Pika 1 i nenit 277 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon që mandati i anëtarëve aktualë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor, por në çdo rast jo më vonë se 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese, shkruan Shqiptarja.com.

Ndryshimet Kushtetuese kanë hyrë në fuqi në datën 11 gusht të vitit 2016. Sipas përllogaritjeve, në datën 11 Prill përfundon afati 8­mujor, brenda të cilit Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të shpërndahet.

Pra, pas datës 11 prill KLD nuk ekziston më ligjërisht dhe si e tillë as nuk mund të mblidhet dhe as nuk mund të marrë asnjë vendim, brenda atyre kompetencave të parashikuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Përtej këtij afati, nuk do të ketë një institucion për emërimin e magjistratëve, për masat disiplinore, për pezullimin, transferimin dhe vlerësimin e punës së gjyqtarëve. Drejtësia do të jetë jashtë kontrollit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor do të jetë institucioni i ri, i cili do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Që KLGJ të ngrihet si institucion duket të funksionojnë institucionet e Vetingut.

Neni 276 i ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon që jo më vonë se 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, gjyqtarët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor paraqesin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar dhe dokumentacionin që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pra sipas ligjit të Vetingut.

Ligji parashikon që, në rast se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk është krijuar ende, kërkesa depozitohet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit. Megjithatë, ligji përcakton që, brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të shprehjes së interesit dhe dokumentacionit, komisioni i Vetingut bën rivlerësimin e gjyqtarëve që kandidojnë.

Gjyqtari, i cili, me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk e kalon procedurën e rivlerësimit përjashtohet nga procesi i kandidimit, edhe kur ndaj vendimit të komisionit është ushtruar ankim.

Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë ka hyrë në fuqi në datën 15 dhjetor të vitit të kaluar. Sipas nenit 276 të ligjit, brenda 15 janarit të 2017, gjyqtarët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor duhet të paraqisnin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar dhe dokumentacionin që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por, vendimi i fundit i Parlamentit, i cili urdhëroi Avokatin e Popullit që të hapë edhe një herë procedurën e aplikimeve për të shërbyer në organet e Vetingut, e shtyn zbatimin e ligjit të Vetingut përtej datës 26 Qershor të këtij viti.

 

 

4 komente në “Vettingu, PD fut drejtësinë në kolaps. KLD shkrihet pas 3 ditësh, Nishani humbet fuqinë”

  1. drakula pan says:

    Mbas tre ditesh eshte data 11 mars, ndersa sipas kushtetutes duhet edhe nje mua e tre dite, pra me 11 prill. Mos duhet rishikuar ky tirull shkjrimi??? drakula Pan

    1. kujtesa says:

      Te gjitha veprimet te bera nga opozita ishin te kalkuluara imtesisht. Qe nga zvarritja miratimit qe bene me 21Korrik dhe deri ne futjen ne cadren e bulevardit. Si do qe te jete,populli ka thene qe drejtesia vonon por nuk harron. Mbas qafe e kane te gjithe ata qe ja kane me hile ketij populli.

  2. tomorri says:

    Popull mos u frikesoni nga keto shkrime ,shqiptaret e vertete e dine mire se ne kete bote qe na rrethon eshte vertetuare se nuk ka RRETHIM PA TE CARE. Rrethimi qe kerkon ti beje PD ketij kombi me qellimin e vetem per ta lene perkohesishte pa drejtesi eshte nje deshtim i pa kthyshem dhe nje fllucke sapuni qe nuk vlen per asgje.Populli dhe kombi shqiptar do drejtesi te vertete per te pare nje dite te bardhe si gjithe Europa.
    Kreminelet ne litar dhe per kete nuk duher te kete kthim prapa ,kjo duhet te pranohet nga populli me çfar do çmimi ,me keq nuk do te jete vetem se me mire do te behet pa keta kreminele dhe tradhetare te lindur ne ate toke.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje