Trashi: Me Duron, armiq vetëm për 90 minuta

10 Mars 2017, 20:42Sport TEMA

Në maj të vitit 2014 u transferua te Partizani. Lorenc Trashi ishte një prej të rinjve emergjentë, që priste shansin të tregonte vlerat në një skuadër të madhe.

Shpëtim Duro jo vetëm nuk hezitoi ta promovonte, por e shndërroi në titullar të padiskutueshëm prej sezonit të parë. Një  shans që mesfushori 24 vjeçar nuk e harron, as tani do ta ketë përballë si kundërshtar.

Armiq vetëm për 90 minuta në fushë, por miq jashtë. Trashi komenton lidhjen e veçantë me trajnerin Duro dhe faktin nëse si një “ish” ai do të dijë ti godasë të kuqtë në sfidën e kkësaj të shtune.

“Për profesor Duron kam respekt shumë të veçantë. Ai është një nga njerëzit e parë që kishte shprehur dëshirën që unë të isha pjesë e Partizanit dhe më dha dorën që të shprehja aftësitë e mia. Përsa i përket ndeshjes me Flamurtarin, unë kam respekt për profesor Duron, por në fushë jemi armiq, ndërsa jashtë saj jemi miq. Ai është një trajner shumë i mirë dhe ka punuar mirë në Vlorë. Duro e njeh ekipin tonë? Mendoj që nuk do të ndikojë shumë ky fakt. Ka kaluar shumë kohë, ne praktikojmë një mënyrë tjetër loje dhe mendoj që do të jetë ndryshe”

Pasi mori pikët maksimale në Laç, Partizani luan dy ndeshje të tjera me skuadra që luftojnë për mbijetesë. Rivalë aspak komodë, që janë dëshpërimisht në kërkim të pikëve dhe që nuk hezitojnë ti prishin llogaritë pretendentëve për titullin.

“Këto dy ndeshje me Flamurtarin dhe Korabin do të jenë shumë të vështira. Duke vlerësuar që Flamurtari është në rrezik përsa i takon pikëve, ata do të na vënë shumë në vështirësi. Kanë një ekip shumë të mirë dhe do të jetë e vështirë. Po ashtu edhe me Korabin, sepse ata nuk kanë çfarë të humbasin dhe është si shprehja “të luash bixhoz pa para”. Ne i kemi vlerësuar maksimalisht këto dy ndeshje. Cilit i trembem te Flamurtari? Nuk vlerësoj ndonjë lojtar të veçantë te Flamurtari, por grupin shumë të mirë që kanë”

Me fazën e tretë të kampionatit që po shkon drejt mbylljes, objektivi i të kuqve është të ruajnë hapin e rivalëve për titull, ndërsa Trashi vlerësoi edhe forcën e rivalëve direkt.

“Ky është objektivi ynë tani, që të afrohemi sa më tepër me Kukësin dhe Skënderbeun. Të shohim se do të jetë vazhdimësia. Duke u ndeshur me të dyja këto skuadra mund të them që janë shumë të forta dhe nuk mund të veçoj asnjërën”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje