Thaçi këmbëngul për ushtrinë: Në NATO nuk shkohet me zjarrfikës dhe gjuetarë

19 Mars 2017, 15:43Politika TEMA

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duket i vendosur për themelimin e ushtrisë së Kosovës.
Ai shprehet këmbëngul duke argumentuar se në NATO nuk hyhet me gjahtarë e zjarrfikës.

“Askush nuk të pranon në NATO me zjarrfikës, shoqatë gjuetarësh apo ndonjë shoqatë tjetër, për shembull peshkatarësh”, ka thënë Thaçi.

Presidenti vlerëson se Kosova është e zonja e vetes dhe mund të marrë vendime të rëndësishme për vendin.
Thaçi thekson më tej se nuk mund t’i paguajë Kosova, dështimet që ndodhin në vendet e rajonit.

“Kosova nuk mund të mbetet peng i krizave të Ballkanit. Nëse Bosnje-Hercegovina është e bllokuar nga nacionalizmi serb, atëherë natyrisht që gjërat janë të ndërlidhura edhe në rajonin tonë, por pse ta paguajmë ne çmimin? Nëse Serbia e rrit nacionalizmin e saj, zhvillon një fushatë elektorale kryekëput nacionaliste, nëse Serbia ka hapur mendje, shpirt dhe gjithçka ka për praninë ruse, pse ta paguajë Kosova çmimin?”, ka thënë ai.

E njëjta logjikë përdoret edhe për rastet e vendeve të tjera të rajonit.

“Nëse Mali i Zi pengohet nga Serbia për t’u anëtarësuar në NATO, ndërkohë që Kosova e mbështet fuqishëm Malin e Zi për anëtarësim, pse ta paguajë Kosova çmimin? Nëse Shqipëria ka problemet e veta politike, pse të paguajë Kosova çmimin? Nëse Maqedonia për fajin e saj është bllokuar politikisht dhe i ka të ndera raportet ndëretnike, pse të paguajë Kosova çmimin? Kosova është e zonja e vetes, merr vendimet vet, është vend sovran dhe ne nuk po kërkojmë gjë tjetër, veçse as më pak e as më shumë sesa të kemi një ushtri, sikundër vendet e tjera të rajonit”, ka thënë ndër të tjera presidenti.
Këto komente ai i ka bërë në një intervistë për portalin Konica.al ku ka folur lidhur mbi disa çështje të rëndësishme të situates në Kosovë.

 

 

1 komente në “Thaçi këmbëngul për ushtrinë: Në NATO nuk shkohet me zjarrfikës dhe gjuetarë”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje