Ivanov rrëfen telefonatën që shkatërroi koalicionin Gruevski-Ahmeti

15 Prill 2017, 16:16Rajoni TEMA

VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja kishin arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë dhe se për këtë s’ka qenë pengesë platforma e partive shqiptare apo siç e quan partia e Gruevskit, platforma e Tiranës.

Gjithçka ishte prishur nga një telefonatë. Këtë e konfirmon presidenti Gjorge Ivanov në një intervistë për të përditshmen austriake “Viner Cajtung”.

VMRO DPMNE në afat prej 20 ditëve nuk arriti të bëjë koalicion me partitë e shqiptarëve, siç parashikon Kushtetuta.

Të jem më i saktë, në fakt ishin marrë vesh për koalicion. Por, në orën e fundit kishte një telefonatë pas së cilës koalicioni dështoi – tha presidenti i vendit Gjorge Ivanov për “Viner Cajtung”.

Ivanov megjithatë insiston se Platforma e Tiranës me një goditje shkatërroi Marrëveshjen e Përzhinës dhe thelloi krizën në vend. Për Ivanovin fajtorë janë Edi Rama, Brukseli dhe Uashingtoni.

BE-ja dhe Amerika u kyçën për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza, mirëpo ata nuk i dënuan shkaktarët e kësaj krize e që janë Edi Rama me politikanët shqiptarë. Sot jemi në krizë institucionale e shkaktuar prej Platformës së Tiranës, diçka që nuk ka lidhje me Marrëveshjen e Përzhinos – theksoi Ivanov.

Presidenti ka thënë se është në interes të shtetit që shqiptarët të integrohen, porse sipas tij, shqiptarët e Maqedonisë më tepër janë të orientuar kah Prishtina e Tirana se sa në Shkup.

Presidenti madje ka kërcënuar me burg kreun e LSDM-së Zoran Zaev nëse ky i fundit nuk vjen në pushtet.

Ai i humbi zgjedhjet në dhjetor. Unë mendoj se ai nuk e din në çfarë loje ka hyrë. Ishte i verbër prej dëshirës për të ardhur në pushtet. Tani ndodhet në situatë delikate. Nëse nuk arrin të vijë në pushtet, ai mund të përfundoj në burg. Unë nuk kërcënohem.

Institucionet e Maqedonisë në moment të caktuar do të veprojnë kundër tij, do ti hetojnë të gjitha rrethanat. Për shembull, do të jetë interesante pyetja se kush ja ka dhënë bisedat e përgjuara – kërcënoi Ivanov.

Ivanov ka thënë se çdo qeveri e votuar në Kuvend dhe pa marrë mandatin nga ai, do të jetë qeveri jolegjitime. Në këtë drejtim Ivanov tha se nuk do t’i japë mandatin Zaevit, nëse ndërmarri një hap të tillë në Kuvend.

Qeveria pa mandat është pa bazë juridike. Një qeveri e tillë do të ishte pa legjitimitetin e presidentit, ose më saktë pa bazë kushtetuese. Kjo është qartë e shkruar në Kushtetutën tonë.

Në përputhshmëri me Nenin 90 të Kushtetutës, vetëm presidenti i shtetit mund të japë mandatin për krijimin e qeverisë. Në rast të kundërt do të kishim dy qeveri, qeverinë momentale teknike dhe qeverinë pa legjitimitet nga kryetari – shtoi Ivanov.

Me arsyetimin se platforma e partive shqiptare cenon rendin kushtetues, Ivanov refuzoi t’i japë mandatin kreut të LASDM-së Zoran Zaev edhepse ky i fundit kishte siguruar firmat e 67 deputetëve.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje