Sali Butka, Sali Berisha dhe amerikani Yee!

14 Maj 2017, 09:14Politika TEMA

Nga  Shpëtim Nazarko

“Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të mëshehur nën ‘to intriga e për të shfrytzuar zëmrime të veçanta”
– Faik Konica

Komandantët e çetave mbledhur aty rreth Korçës, dolën pas nja dy orësh nga mbledhja me Plakun e Butkës, duke mbajtur ijet e tyre nga të qeshurat.

Plaku i madh kish dhënë urdhër që marshimi rrotull kodrave të vazhdonte pa pushim deri sa gjenerali i mallkuar francez që vëzhgonte situatën të ikte andej nga kish ardhur…
Francezët që kishin okupuar Korçën e 1915-s, ishin në mëdyshje, t’ia linin atë Greqisë, apo të shihnin sa ishte e vërtetë rezistenca e shqiptarëve për ta mbajtur atë…
Historia reale tregon se gjenerali përpiloi këtë telegram për kuartierin e përgjithshëm;
“Terreni kodrinor e i valëzuar nuk më lejon të dalloj qartë sasinë e shqiptarëve të armatosur. Me sy të lirë duken rreth 6000, po që duhen çmuar aty te 10000. E meqë mendoj se armiku nuk i tregon rezervat, besoj që Korçës mund t’ia mësyjnë në çdo çast rreth 20000 kryengritës.
Në të vërtetë, Plaku i madh i Butkës, kishte në dispozicion rreth 1500 luftëtarë, që vazhdonin një marshim në formë rrethi nëpër kodra, marshim i cili përsëritej vazhdimisht e që nuk dukej kurrë se mbaronte…
Manovra është e njohur. E kish bërë dikur Mongoli i madh dhe po ashtu më duket Pjetri i madh, apo Kutuzovi plak, për t’i treguar armikut nëpërmjet zjarreve, se sa e madhe ishte ushtria e tij.
Në fakt e ka bërë dhe Sali Berisha në 15 shtator të 1998-s. Në mëngjes, prej selisë së atëhershme të PD-së, (pas sulmit mbi institucione një ditë më parë) dhe deri rrotull xhamisë së Et’hem Beut, vinin vërdallë në një rreth të pambarimtë militantët e saj…
Historia përsëritet se, në fund të fundit, te gjyshërit apo te hyneret apo marifetet e tyre vemë ngado që të sillemi…

Në vend të francezit të mallkuar, të hënën presim amerikanin Yee… Ai duhet të shohë, apo të njoftohet se sasia e pafundme e njerëzve që kanë dalë në shesh duhet të jetë e mjaftueshme për të rinegociuar edhe njëherë ndonjë marrëveshje…
Po edhe mundet… Evropianët që janë më të butë se amerikanët, duket se i kanë mbyllur hesapet me opozitën. Ata e propozuan paketën e njohur nëpërmjet McAllister dhe Flekenshtein dhe i dhanë gjykimet përfundimtare nëpërmjet Hahn dhe Kukan. Në këtë plan, prej Evropës nuk pritet më…
Amerikanët ndërkaq, më të drejpërdrejtë dhe më të vendosur, ndosha mund ta japin edhe njëherë shansin për ndonjë rinegocim kushtesh. Që mund të jetë ndonjë gjë e afërt me këtë paketë fillestare të evropianëve, apo aty rrotull. Ndoshta mund të shohim edhe ndonjë shtyrje në kohë të zgjedhjeve. Këto të fundit me një afat minimal nga ky i tanishmi… Po për mendjen time, këtu edhe mbyllet historia në rastin më pozitiv për PD-në. E nëse kjo mbyllet kështu edhe kolegji zgjedhor e përputh ndohta pa bërë “ndonjë faj” vendimin e tij me atë çfarë vendoset pasnesër, etj., etj.
Po le të heqim dorë nga hipotezat dhe të përpiqemi të bëjmë një analizë minimale se çfarë fitoi Basha në këtë histori.
Duket dhe kjo edhe nga shumë njerëz brenda apo jashtë partisë së tij, mund t’ia ketë profiluar atij rolin si lider në krye të PD-së. Pra ka arritur të shmangë, apo mënjanojë kundërshtarët e tij dhe po ashtu të amballazhojë pa ndonjë problem të madh brenda partisë çdo lloj përfundimi të hidhur që del nga zgjedhjet e 18 qershorit, apo pak më larg se ai.
Në një pikëpamje më banale, mund të thuash se Basha ia arriti të mbulojë thuajse tërë dobësitë nga organizimi i keq dhe mosbërja e një fushate të tipi tradicional që bëjnë partitë në prag fushate e me të cilat jemi mësuar zakonisht. Në një plan racional gjykimi, mund të themi se edhe këtë radhë, nëpërmjet taktikës, triumfoi edhe njëherë dembelizmi tipik që karakerizon jo vetëm Bashën, por dhe të tjerë liderë partie. Pra mbulojmë dobësitë e asaj që quhet punë sistemike dhe që karakterizon çdo lider partie.
Kjo është e mundur dhe nuk kemi pse të çuditemi. Në Shqipërinë tonë të gjorë, ku të tërë flenë gjumë dhe bëjnë sikur bëjnë politikë reale, duhet të mos jemi të hidhëruar… Kaq dimë të bëjmë dhe kaq bëjmë.
Në një plan tjetër gjykimi, mund të themi se kjo lëvizje e fundit e Bashës është e detyruar. Mospjesëmarrja në zgjedhje dhe dhuna janë shumë herë më të këqija sesa rezultati i tyre, sado katastrofik që të jetë ky.
Mospjesëmarrja, do të çonte shumë shpejt në vetasgjësimin e kësaj partie, që sido që ta llogarisësh edhe në rastin më të keq rrotullohet aty te 20 apo 25 përqindët.
Do të ishte një dhuratë e madhe nëse kjo masë njerëzish t’i kalonte të tjerëve, e veçanërisht LSI-së, ish-aleate e PD-së, jo shumë kohë më parë… E akoma më shumë si një parti e karakterit pragmatik tani që i ka kaluar shqetësimet e paradokohe, po pret me veshët ngrehur gjahun që mund t’i shtojë radhët e saj…
Këto ditë kam dëgjuar, duke edhe qeshur, këtë variant që prapë mban erë gjyshërish. LSI do ta frynte aq shumë thesin e saj me anëtarë PD-je, sa mund të ëndërronte, siç thotë lideri i saj Ilir Meta, ta bënte partinë e tij forcë të parë.
Po le t’i kthehemi prapë analizës, se cfarë mund të ndodhë në realitetin e afërt.
Nuk i di asnjeri planet reale të Bashës apo Berishës. Do ta luajnë deri në fund kartën analoge të Plakut të Butkës me gjeneralin francez, ( në këtë rast me amerikanin Yee)? Pra, a do të mbajnë të rrethuar “sheshin” nja dy ditë deri sa Yee të vijë e të shohë me sytë e tij se sa i fortë është demonstrimi i opozitës, apo turma do të ikë në shtëpi…
Nuk e di, po nuk shoh ndonjë plan tjetër në horizont, nëse nisemi nga analiza normale e ngjarjeve që po ndodhin. Megjithatë, tani më shumë se kurrë besoj në aforizmat e të vjetërve. Dinakëritë, ashtu si dhe hiletë, mund të jenë në variantin më të mirë filiacion i zgjuarsisë, por nuk janë vetë kjo e fundit.
Vetë, po ashtu, besoj se gjëja më e mirë që mund të arrijë PD, është nëse arrin të bindë amerikanin Yee, është të marrë një farë pakete të tipit McAllister dhe Flekenshtein dhe të shtyjë në një afat kohor minimal zgjedhjet. Të tjerat janë shumë për t’i pritur…
A ia vlen? Besoj, siç e kam thënë edhe dikur, se problemet reale zgjidheshin e zgjidhen në zyrat e mëdha buzë Lanës. Të tjerë, mund të thonë se e di i zoti ku i pikon çatia.
Përfundimet e zgjedhjeve që nga 2009 e këtej kanë shënuar gjithnjë një pikiatë për PD-në. Ajo nuk mund të pranojë qetësisht edhe një humbje tjetër. Kjo do të ishte e barabartë me ikje nga historia. Megjithëse në 2014 në statustin e PD-së, thonë që Kryetari i partisë nuk ikën automatiksht edhe nëse i humb zgjedhjet, kjo garanci nuk është e mjaftueshme për liderin e saj, të paktën në aspektin moral.
Mbajtja edhe pas humbjes e këtij posti pa ndonë shkak të fortë, boshatis si fillim zyrat e partisë pastaj zyrtarizon braktisjen e saj deri në hiç.
Në këtë pikëpamje të fundit, duhet parë edhe gjithë strategjia e Bashës. I gënjyer fillimisht nga ideja se Meta do ta shoqëronte në ikjen e tij nga zgjedhjet dhe tanimë i frikësuar nga fati i tij personal mbas zgjedhjeve, kur ato të partisë së tij mbahen dy muaj e pak pas 18 qershorit, ai duket nuk pa zgjidhje të tjera në horizont…
Po çfarë po bën, në fund të fundit? Po ndjek rrugën e gjyshërve, por pa kuptuar diçka të vogël në pamjen e parë.
Gjyshërit e mirë i thërrisnin në ndihmë manovrat taktike, vetëm kur Atdheu ishte në rrezik. T’i ngatërrohesh Atdheut nëpër këmbë për interesat e tua, është diçka tjetër. Dhe mua nuk më mbetet veçse ta mbyll me shprehjen e famshme të Konicës që sot e kemi vënë në krye të shkrimit dhe po ashtu në portal… Basha vetë bëri një gjë tjetër. U tha demonstruesve përpikmërisht dhe këtu nuk po u genjej lexues të dashur që ashtu si Krishti mesazhin e tij ata që ishin në protestë ta përsëritnin kudo “Mesazhin e Krishtit te Ri” nëpër fshatrat e Atdheut… /konica.a/

4 komente në “Sali Butka, Sali Berisha dhe amerikani Yee!”

  1. ana says:

    Eshte edhe nje tregim tjeter kur nje plaku i shkuan hajdutet ne shtepi Ai edhe pse i vetem vendosi te jepte urdhera sikur kishte brenda disa burra dhe theriste-O leke sill fisheke
    o Kadri ri ne ate bri
    ca n ate ane e ca ne kete ane… ta kapim qeratane
    Keshtu hajduti degjoi e u trembd duke u larguar
    kete do kene patur parasysh edhe protagonistet e pershkruar me larte tek Nazarko i madh

  2. coli says:

    Dy nazarko me cmimin e njerit u ka blere Rama,pay one take two ,lo

  3. Sala says:

    Bukur.Shum bukur.po kujt ja thua lulkes.ai i ka hipur gomarit mbrappsh

  4. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Basha do kandidoj per postin e kryetarit me “Ujkun e Cerikut” !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje