DOSSIER/ Shënimet e një udhëtimi të jashtëzakonshëm, 3 ditë “gusht e gunë” në kullën e Zogollit për të kërkuar gjurmët e Skënderbeut

7 Gusht 2017, 12:49Dossier TEMA

Shënimet e një udhëtimi me vlera të jashtëzakonshme historike për Matin. Rrëfimi në vetë të parë nga Johan G. Von Hahn, babai i albanologjisë, i tre ditëve të kaluara në fshatrat e Matit në kërkim të gjurmëve të Skënderbeut.  

« Ne u larguam dhe morëm rrugën për t’u rikthyer në selinë e mudirit.

Duhet theksuar se kjo shtëpi nuk është selia e familjes së Zogollëve, pasi si e tillë konsiderohet Burgajeti, që ndodhet njëzet minuta më në juglindje. Ajo është ndërtuar së pari nga Seit Beu, do me thënë nga ai pjesëtar i familjes, i cili duke qenë aktualisht mudir, është nëpunësi më i rëndësishëm administrativ i Matit.

Ai konsiderohet gjithashtu edhe si shefi, apo kreu i trashëgueshëm i këtij vendi. Rrethi në të cilin ndodhet qendra e mudirit, quhet Lisa ose me parafjalën e vendosur përpara, Mlisa, që në të vërtetë do të, thotë “në Lisa”.

Me këtë rast, duhet patur parasysh që Lisa është në të njejtën kohë fjala e zakonshme që matjanët përdorin për të cilësuar përroin; të gjithë përrenjtë e marrin emrin e tyre nga vendet kryesore që ndodhen më pranë tyre, të cilët, si në rastin e emrave të maleve, pasojnë lisan në rasën gjindore. Kështu që i njëjti përrua emërtohet nga tre ose katër emra të ndryshëm.

Për këtë arsye, lexuesi do ta ketë të lehtë të kuptojë që ne filluan të na gumëzhijnë veshët nga të gjithë këta Lisa, dhe që patëm vështirësi të mëdha për të vendosur një farë, rregulli në këtë lëmsh të pështjelluar.

Kur kaluam pranë atij vendi, prej të cilit e merr emrin ky rreth dhe me të cilin nuk duhet parafytyruar një fshat në kuptimin që i japim ne kësaj fjale, por një shesh i lirë i rrethuar prej disa shtëpish të veçanta me një përhapje të madhe, në të cilin çdo të diel zhvillohet tregu i dytë i Matit për nga rëndësia, ne gjetëm të grumbulluar rreth katërqind deri pesëqind njerëz dhe vumë re që zhvillimi i tregut ishte në lulëzim të plotë.

Prej këndej na u desh të udhëtonim edhe një orë të mirë në kurrizin e ngushtë dhe, në shumicën e rasteve, me skarpate shumë të pjerrëta të një paramali, i cili kërcen përpara, më tepër në drejtimin perëndimor se sa verior, nga malësitë e zeza në drejtim të lugores dhe madje zbret menjëherë në të.

Shtëpia e Seit Beut përbënte kurorën e kësaj pjerrësie. Në qoftë se nuk jam gabuar në vrojtimet e mia, atëhere ky është paramali i dytë verior midis një numri të shumtë paramalesh të tilla.

Me këtë rast, unë jam i detyruar t’ua lë gjeologëve të përcaktojnë, në se do të ishte më e përshtatshme, që ato që unë kam cilësuar si paramale, të vlerësoheshin si formacione të shkaktuara nga shkarkimet e ujrave që kanë krijuar të çara në shpatin perëndimor të malësive të zeza.

Duke udhëtuar në drejtim të kësaj kreshte, ne pamë nën vete, pranë rrëzës së tij veriore lagjen Droganci, ndërsa pranë rrëzës jugore Burgajetin, i cili kishte shumë shtëpi dykatëshe me një pamje të begatshme.

Duke hedhur vështrimin prapa në drejtimin verilindor, ne vumë re që në fshatin Macukull, të vendosur aty lart, po ngrihej drejt qiellit një kolonë e trashë tymi.

Ky tym ngrihej nga shtëpia e një vrasësi. Ishte mudiri ai që kishte urdhëruar t’i vihej flaka, megjithëse vetë keqbërësi tashmë ishte arrestuar, pasi njëlloj si në rrethet malore të Shkodrës, edhe këtu në Mat zakoni kërkonte që shtëpia e vrasësit të digjej.

Me rastin e mbërritjes sime në Zogoll, unë u interesova edhe një herë me saktësi përsa i takon gjendjes së mbeturinave të “Kjudat Skanderbegut”. Mirëpo edhe këtu, si në Bejn, përgjigjet qenë: asnjë mbishkrim, asnjë emblemë dhe madje as dyert e dritaret nuk kishin korniza të latuara. (Këto mbeturina ndodhen gjatë rrugës nga Burgajeti për në qytetin e Dibrës, në një lugine të vogël, e cila aktualisht është mbushur me shkurre.

Pas luginës (në drejtimin lindor) shtrihet nje vargmal i lartë (i malësive të zeza). Fshati më i afërt është Murrë, që ndodhet një orë e gjysëm në jugperëndim, që është vendosur shumë më poshtë. Ai gjendet tre orë e gjysëm larg nga Zogolli).

Koha ishte përmirësuar, por në asnjë mënyrë nuk mund të thuhej se ishte e hapur plotësisht. Në këto rrethana, kjo vizitë do të më kishte kushtuar të paktën një ditë, në një kohë kur unë isha përgatitur që, duke u nisur nga famullia më e afërt katolike e Bishkasit, (Bushkashit) e cila thuhej se ndodhej vetëm tre orë larg selisë së mudirit, të mund të mbërrija brenda dy ditëve në Shkodër. Për këtë arsye, lexuesi nuk duhet të çuditet që unë nuk vizitova vendlindjen e Skënderheut, duke ia lënë këtë gjë pasardhësve të mi.

Në këto kushte, unë qëndrova i patundur edhe ndaj këmbënguljeve të shumta të Seit Beut për të zgjatur qëndrimin tim aty dhe, pasi hëngra mëngjesin, mora rrugën për në Bishkas. Megjithatë, para se të nisesha, unë mora shënime mbi pemën gjenealogjike të familjes Zogolli, duke u mbështetur në të dhënat e Seit Beut. Ky emër është një fjalë e zakonshme sllave, që do të thotë shpend grabitqar, mirëpo në Mat thuhet që ai rrjedh prej fjalës së zakonshme shqipe çog (me siguri: çogu) që do thotë zog, dhe i shtohet emrit të të parit të fisit si mbiemër.

Ky Zog e ka prejardhjen e tij prej familjes së njohur të Bushatlinjve, e cila i ka dhënë Shkodrës një seri pashallarësh të trashëgueshëm. Ai qe i detyruar të arratisej nga vendlindja e tij për shkaqe të panjohura dhe u vendos në Lis (Lisa ose Mlisa), një orë në lindje të Burgajetit. Më vonë, Sulltani urdhëroi që ta ndiqnin.

Sulmi u bë në mënyrë kaq të papritur, sa që ai mezi pati kohë të hidhej nga një dritare e lartë mbi kalin e tij që ndodhej aty poshtë dhe të largohej vetëtimthi.

Atëhere njeriu që ishte ngarkuar për ta ndjekur, i shkruajti Stambollit se ai nuk ishte në gjendje të kapte zogj dhe se i ndjekuri ishte njeri kaq i guximshëm, sa që do të ishte më e këshillueshme që t’i akordohej falja, që ai të vihej në krye të Matit, çka ndodhi në të vërtetë. Mirëpo një herë tjetër Zogu nuk pati kaq fat, Sulltani e kapi dhe i preu kokën.

Atëhere gruaja e tij u arratis te mirditorët së bashku me Ahmetin, djalin e saj të vogël, të cilin e rriti aty me fshehtësinë më të madhe.

Kur Ahmet Beu u bë dymbëdhjetë vjeç, krerët e mirditorëve dërguan te matjanët një delegacion, për t’u thënë se beu i tyre i ri jetonte në vendin e tyre dhe për t’i pyetur ata se ç’kishin ndërmend të bënin me të në të ardhmen. Atëhere matjanët dërguan aty njerëzit e tyre, e morën Ahmet Beun dhe e vendosën në vendin e tij të merituar.

Djali i Ahmet Beut

Ali Beu dhe pas tij erdhën si djem të baballarëve të tyre:

Ymer Beu

Abdulla Beu

Mahmut Pasha.

Ky i fundit për shtatëmbëdhjetë muaj me radhë u lidh me Ali Pashë Tepelenën kundër Sulltanit dhe, me rrëzimin e tij, jo vetëm që u fal, por në të njejtën kohë iu dha komanda supreme mbi Elbasanin, Kavajën, Peqinin dhe Tiranën. Ai pati katër djem: Haxhi Pashën, Seit Beun, Xhelal Pashën dhe Karaman Beun.

Haxhi Pasha ra viktimë e hakmarrjes. Dy djem të rinj të guximshëm nga një fis fisnik i krahinës së Macukullit, që ndodhet në verilindje të Zogollit, shkuan një herë në mes të ditës në sarajet e Pashës, në një kohë, kur ata e dinin se ai ndodhej vetëm dhe e vranë, ndërsa ai po rrinte ndenjur mbi divan; mandej u vërsulën jashtë shtëpisë, duke thirrur se kishte rënë zjarri në selamllëk, sallën e pritjes. Në këtë. mënyrë mundën të shpëtojnë.

Pasuesi i tij qe Seit Beu. Ky i fundit ngriti krye kundër Sulltanit para gjashtë ose shtatë vjetësh dhe u mbrojt me shumë shkathtësi nga pashallarët e viseve përreth që ishin dërguar kundër tij, ndërmjet të cilëve ndodhej edhe Bib Doda, shefi i sotëm i mirditorëve. Më së fundi, Seit Beu u detyrua të dorëzohej dhe u syrgjynos në Tunizi, prej nga, para tre vjetësh, u thirr që të rikthehej, duke u vendosur përsëri në postin e tij të trashëguar. Këto dy ngjarjet e fundit ne nuk i mësuam nga goja e Seit Beut.

Ai na përmendi vetëm mirësjelljen që kishte treguar ndaj tij gjatë periudhës së syrgjynosjes në Tunizi, konsulli i përgjithshëm perandorak e mbretëror Merlato. Ne nuk patëm rast që të kërkojmë sqarime lidhur me arsyet që e kishin shtyrë për të bërë këtë kryengritje. Veç kësaj, në Shqipëri revolta të tilla nuk përbëjnë ndonjë rast të shkëputur. Shkaku i tyre i mirëfilltë, si rregull, qëndron në luftën midis krerëve që janë ndarë në parti të ndryshme.

Zakonisht opozita, duke shfrytëzuar ndonjë ankesë të popullit, e nxit atë pë të ngritur krye, për të larguar në këtë mënyrë nga drejtimi partinë që është në fuqi.

Megjithatë, duhet theksuar që përgjithësisht në udhëheqje të kryengritjeve vihen personalitete të parëndësishme dhe në këtë vështrim, pra, kryengritja e udhëhequr nga Seit Beu, përbën një përjashtim. Pikërisht për këtë arsye është me vend të supozohet se ky i fundit ka qenë i detyruar të ndërmerrte një hap të tillë, për të mos u ndodhur i papërgatitur para kundërshtarëve tij.

Në të gjithë gadishullin ndikimi lokal përbën bazën, mbi të cilën mbështetet mënyra e të menduarit dhe të vepruarit të të gjithë krerëve të partive.

Efektivisht në Mat, ndarja në parti duhet të ketë një zhvillim shumë të madh. Për këtë dëshmon fakti që kjo krahinë banohet prej katër bajraqesh të ndryshme, në krye të të cilëve ndodhen një ose më tepër familje krerësh, të cilët, kuptohet, njohin si shef të të gjithë vendit vetëm një “primus inter pares”, ose të parë ndërmjet të barabartëve.

Bozhiqët banojnë në luginën e sipërme të Matit, mandej vinë Çelajt, që mbizotërojnë në pjesën jugore të lugores, pas tyre kemi Allamanët, ndërsa në veri të lugores gjejmë bërthamën e Zogollasve. Kjo ndarje ka vlerë vetëm në vija të përgjithshme, pasi në veçanti këto fise janë përzierë në mënyrë të tillë, sa që në disa fshatra të caktuara gjejmë përfaqësues të të katër këtyre fiseve.

Veç kësaj fiset, apo bajraqet, ndahen herë më tepër dhe herë më pak në fise bazë dhe në nëndarje të tjera, paraqitja e të cilave kërkon një studim më vete.

Kryengritja e Seit Beut kundër Sulltanit u shfrytëzua nga krahinat malore të pjesës veriore të Matit, nga të cilat njëra quhet Bishkasi, ndëra tjetra mund të emërtohet nga lexuesi sipas dëshirës Skela, Schella, Kschella ose Kthella, për t’u shkëputur nga Mati dhe për t’iu aneksuar krahinës fqinje të Mirditës.

Megjithatë, dokumenti i përpiluar për këtë qëllim nga shefi i mirditorëve, deri tani nuk është konfirmuar akoma nga Porta e Lartë. Në këto kushte; kjo çështje ka mbetur pezull, ndonëse nga ana e Matit deri tani nuk është bërë asnjë përpjekje për ndryshimin me dhunë të “status quos” ekzistuese.»

Nga Avni Dani, Blogu: Dars

8 komente në “DOSSIER/ Shënimet e një udhëtimi të jashtëzakonshëm, 3 ditë “gusht e gunë” në kullën e Zogollit për të kërkuar gjurmët e Skënderbeut”

  1. demo says:

    E shihni qe Zogolli ka qene bajrak qe ne kohe te Skenderbeut dhee meritonte mbretnine.

  2. capi dhia says:

    Fjala “mudirit” shenuar ne fund te fjalise te pare te shkrimit, duhet te jete “mydirit” – sepse “u” me dy pika siper lexohet “y”, dhe mydyr ose mydir quhet: nepunesi. Ne kete rast “selia ose zyra e nepunesi” te vendit atje.
    Sa per fisin e “Celajve” une di, mire fare fare, se pasardhesit e tyre, te Dulejman Celes – udheheqes i larte i rezistences antifashiste, vrare pabesisht rruges kur shkonte delegat ne Kongresin e Permetit – jetojne edhe sot ne Tirane, te rame prej Matit pas vitit 1945, sic eshte: Aferdita Celaj: e bija, ishdrejtoresha e shkolles mesme gjuheve te huaja, Tirane. Dulejman Celaj, kapiten, sapo mbaroi shkollen ushtarake Itali, perndiqej politikisht nga Anmet Zogu, edhe kur ishte shef i zyres rekrutimi ushtarak Korce. Dulejman Celaj, kur u krijua “Ceta e Matit”, kishte rreth 300 pushke te gatshme, ne cdo cast, per betejat e LANCSHqiptare. Matianet e LANCShqiptare, nuk duhet ta harrojne Dulejman Celajn, po, ta perjetojne ate ne Shkemb. Tung.

  3. demo says:

    Pse nuk i lshoni komentet,o portal i mbaruar!

  4. demo says:

    Pse nuk i lshoni komentet,o portal i mbaruar! kete nuk ja kam thene asnjerit te betohem.mos e shkruaj koment i perseritur.

  5. Blerim says:

    BLERIM
    I drejtohem zoterise qe paraqitet si CAPI DHIA,se ai eshte teper i sakte.Desha te shtoj se nga fisi i CELAJVE te PATINIT te MATIT rrjedh edhe BLERIM CELA,ish deputet dhe Kryetar i Kontrollit Shtetit ne vitet 1992-1997.Xhaxhai i Blerimit,por edhe i Drejtorit te KESH–it z. Adrian Cela,i ndjeri Zija Cela,qe ka pas banuar ne Durres,ka qene ne Patin te Matit tek shtepia e Dyle Celes ne vitet 30-te te shekullit te XX-te i ftuar nga Dyle Cela ku eshte pritur me shume dashuri si fis.Me Dyle Celen takohej edhe i ati i Blerim Celes,i ndjeri Naim Cela kur banonte ne Tirane ne vitet 30-te te shekullit te kaluar,sepse te dy i dinin rrenjet e fisit te vet,dhe Dyle Cela e kish ftuar te vinte ne Patin,por ai nuk pati mundesi.Kete deshire e plotesoi Zijai , qe permendem me lart
    NJe pjese e Celajve,pasi rane ne hasmeri me ZOGOLLAJT,u larguan nga Patini rreth vitit 1800 dhe u vendosen ne fshatin VELCAN te Pogradecit,por lidhjet me pjesen e mbetur ne Patin nuk i shkeputen. Fiset kryesore te Matit kane qene Kater :- 1.-ZOGOLLET , 2.-SKENDERAJ a po BUZHIQET,3.-CELAJT dhe 4.-ALLAMANET.

    1. Burri i Dheut says:

      Blerim,
      Çela u fut në hasmëri më Allamanin, jo me Zogollin.

  6. Blerim says:

    BLERIM
    I drejtohem zoterise qe paraqitet si CAPI DHIA,se ai eshte teper i sakte.Desha te shtoj se nga fisi i CELAJVE te PATINIT te MATIT rrjedh edhe BLERIM CELA,ish deputet dhe Kryetar i Kontrollit Shtetit ne vitet 1992-1997.Xchaxhai i Blerimit,por edhe i Drejtorit te KESH–it z. Adrian Cela,i ndjeri Zija Cela,qe ka pas banuar ne Durres,ka qene ne Patin te Matit tek shtepia e Dyle Celes ne vitet 30-te te shekullit te XX-te i ftuar nga Dyle Cela ku eshte pritur me shume dashuri si fis.Me Dyle Celen takohej edhe i ati i Blerim Celes,i ndjeri Naim Cela kur banonte ne Tirane ne vitet 30-te te shekullit te kaluar,sepse te dy i dinin rrenjet e fisit te vet,dhe Dyle Cela e kish ftuar te vinte ne Patin,por ai nuk pati mundesi.Kete deshire e plotesoi Zijai , qe permendem me lart
    NJe pjese e Celajve,pasi rane ne hasmeri me ZOGOLLAJT,u larguan nga Patini rreth vitit 1800 dhe u vendosen ne fshatin VELCAN te Pogradecit,por lidhjet me pjesen e mbetur ne Patin nuk i shkeputen. Fiset kryesore te Matit kane qene Kater :- 1.-ZOGOLLET , 2.-SKENDERAJ a po BUZHIQET,3.-CELAJT dhe 4.-ALLAMANET.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje