Historia e trishtë e klerikut atdhetar shqiptar: E torturuan dhe e mbytën në gropën e ujërave të zeza

9 Gusht 2017, 19:44Dossier TEMA

Dom Aleksandër Sirdani, është një nga 40 Martirët e Kishës Katolike që u vra dhe u torturua nga sistemi komunist.

Ai lindi në Milot, i mbetur jetim nga nëna që në moshë të vogël. Fëmijëria e tij ishte e vuajtur dhe e varfër. U rrit nga babai që përkushtoi jetën për dy djemtë e tij.

Dom Lekë Sirdani vijoi studimet në Austri, në Innsbruck. Kur u kthye në Shqipëri dha meshën e parë të tij më 24 prill 1916. Shërbeu si famullitar në Malësinë e Madhe, Reç, Shkrel dhe Bogë.

U përkushtua për mbledhjen e pasurisë shpirtërore kombëtare: legjendat, mitet, përrallat, fjalët e urta, traditat deri tek bestytnitë e lashta që ndesheshin në zonat veriore të Shqipërisë.

Më 1945 Dom Lekë Sirdani ishte famullitar në Bogë, kur dhe nisi persekutimi dhe përndjekja. Me datë 26 korrik të 1948 Dom Leka u tha besimtarëve:

“Vëllazën e motra, nji re e zezë na ka mbulue, por mos u trembni, sepse edhe ajo do të kalojë e një re e bardhë do të vijë përsëri e na do të dalim përsëri në dritë si gurët e lumit mbas shiut kur dielli i shkelqen”, duke huazuar vargun e famshëm nga Eposi ynë i artë i Kreshnikëve.

Ditën e nesërme duke marrë si pretekst fjalët e thënë nga ai, e arrestuan, e tërhoqen zvarrë pas kalit nga Boga deri në Koplik.

E burgosën, e rrahën, torturuan. Aq të mundimshme ishin torturat sa ai nuk njihej më.

Fundi i tij do të ishte më i tmerrshëm. Atë e mbytën në gropën e ujërave të zeza të burgut të Koplikut.

Dom Lekë Sirdani, martir, ((pjesa 1) personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

“Dom Aleksandrin e futën në burg dhe e dënuen në mënyrë barbare. S’patën pikë mëshire për të. E rrahën aq randshem, sa që goditjet ndigjoheshin fort deri në qelinë time, pak ma larg qelisë së tij. Ai i duronte torturat pa bëzajtë. Por në orë të ndryshme të ditës, burgu tundej nga zani i tij: “Kam etje! Ujë, ujë, se po des!” Britma dridhte mure e shpirtna. Na shkaktonte dhimbje, ma fort se varrët, që edhe ne nuk na mungojshin. S’ mërrij me e përshkrue si duhet atë skenë. E as ju nuk mundeni me e përfëtyrue, sepse jashtë çdo arsyeje njerëzore.

Një ditë, mbasi më kishin torturue me korrent elektrik, isha aq i terrorizuem, sa iu luta rojes, që më shoqnonte në qeli: “Ali, në daç ti, mund të më lirosh prej kësaj jete, që s’durohet ma. S’të kushton tjetër, veçse një plumb ballit! Do të isha mirënjohës në atë jetë!” Alia gjegji: “Të shpëtoj ty, po ç’t’i bëj vetes. Mos harro se jam me fëmijë! Do të mbeteshin pa baba”. E dinte Aliu se do ta hante vetë plumbin, për një plumb të shkrehur pa urdhërin e atyre, që shkrehshin çdo ditë plumba në mish të gjallë. U riktheva në qeli e vijova të ndigjoj britmat e Dom Lekës. Nuk e di sa zgjati kalvari i tij. Sigurisht, disa muej. Kur e pashë një ditë në korridor, nuk e njoha. Para asaj figurë-fantazëm, ula sytë. Sa e tmerrshme me e pa ashtu e mos me mujtë me ba asgja për të. Një masdite, tue mos i ndigjue ma britmat e tij, pyeta rojen: “Ku asht Dom Leka, që nuk po ndigjohet?”

M’u përgjigj: “Ehhh, i shkreti, sapo e hodhën në nevojtoren e burgut. Atëherë i thashë rojes se ndihesha keq e iu luta të më shoqnonte në banjo. M’u gjegj se nuk kishte ardhë ende orari. Po unë vijova t’i lutem ankthshëm, e ai më shoqnoi, pa fjalë. Çova sytë për ta falënderue e pashë se edhe sytë e tij ishin mbushë me lot. Edhe ai kjante për fundin e Dom Lekës. Kur iu afrova gropës së zezë, që shërbente si nevojtore për ne, të burgosunit, pashë se langu i zi, me pak dhé përsipër, vijonte me gurgullue. U ula, për të krijue përshtypjen se isha aty për nevojat e mia, nga frika se ndokush mund të më spiunonte e, mshehtas, me dorën që më dridhej nga tmerri, bana shpejt e shpejt një shenjë kryqi mbi trupin e atij Meshtari të shkretë, që sapo kishte dhanë shpirt, i hedhun në një vend kaq çnjerëzor. Nga tronditja, u ndjeva me të vërtetë keq. Aq, sa nuk munda të çohesha prej buzës së asaj grope, që u kthye në vorr për dy prej meshtarëve ma të mirë të Kishës. Roja më shtërngoi fort, tue më marrë ngrykë. Si Centurioni. E sytë e tij thoshin: “Këta janë me të vërtetë njerëz të Hyjit!” Kur mbërrijta, ma në fund, në qeli, bërtita sa mujta: “Deri kur, o Zoti em! Deri kur!” Mandej u luta në heshtje për shpirtin e atij, që tashma, nga gropa e zezë, duhet të ishte naltue në horizontet e lirisë së amshueme!

Marrë nga Regjina Lulashi, “Dy vëllezër dëshmorë” (Due fratelli martiri, 2007), Grafiche Panico Galatine (Lecce), fq 68-69

Konica.al

3 komente në “Historia e trishtë e klerikut atdhetar shqiptar: E torturuan dhe e mbytën në gropën e ujërave të zeza”

  1. Dan says:

    Keto jane tmerret e kohes se poshter te komunizmit.
    Shpirti ju prehte ne paqe!
    Amin!

  2. ec aty says:

    VFLP
    Vdekje kolaboracionisteve

  3. Fiamuri Arberit says:

    Pas pushtimit 5oo vjecar osman, e keqja me e madhe kombetare ishte Enveri dhe partia!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje