PD kërkesë Prokurorisë dhe KQZ: Të verifikohen formularët e Aqif Rakipit dhe Gjetan Gjetanit (flasin deputetët)

4 Tetor 2017, 12:41Politika TEMA
PD kërkesë Prokurorisë dhe KQZ: Të verifikohen

Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së të bëjnë verifikimin e formularit të vetëdeklarimit për dy deputetë të Kuvendit, Aqif Rakipi dhe Gjetan Gjetani.

Sipas shkresave të PD-së drejtuar këtyre institucioneve, të sigurara nga Top Channel, ka të dhëna informale se këta deputetë janë në kushtet e ndalimit për të kandiduar apo zgjedhur pasi kanë rekorde kriminale në Itali.

“Për këtë arsye kërkojmë nga ana juaj që në zbatim të detyrimit të parashikuar nga neni 8 i këtij ligji, të bëni verifikimin e plotë të të dhënave. Kjo kërkesë e jona, bëhet në kushtet kur pavarësisht fakteve të njohura botërisht, institucioni juaj nuk ka kërkuar verifikimin e plotë të të dhënave kryesisht, në përputhje me pikën 4 të nenit 8 të ligjit nr 138/2015”, thuhet në kërkesën e PD.

Reagimi i Aqif Rakipit

Deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi ka reaguar fill pas kërkesës së PD-së për heqjen e mandatit të tij duke sjellë disa të dhëna që selia blu deklaron se disponon në rrugë informale.

Rakipi e konsideron këtë lëvizje të demokratëve si një sulm politik.

“Unë s’di asgjë për këtë që po bën PD, s’kam dijeni për këtë kërkesë. Nuk kam asgjë për këto që pretendojnë ata, pra s’kam asnjë problem me drejtësinë italiane.

Janë thjeshtë sulme politike të PD e cila gjithë kohën thotë të njëjtat gjëra. Le të hetojë kush të dojë për personin tim. Do vijoj punën si deputet i qytetit të Elbasanit”, u shpreh deputeti i PDIU, Aqif Rakipi

Reagimi i Gjetan Gjetanit

Deputeti socialist Gjetan Gjetani tha se hera e vetme që ka dalë jashtë kufirit shqiptar ka qenë këtë vit, kur ka qëndruar 10 orë me familjen në Kotorr.

“Unë tani jam njohur me kërkesën e PD, dhe e konsideroj një shpifje të pastër politike. Unë s’kam dalë kurrë jashtë shtetit, për herë të parë kam kaluar kufirin në prill të këtij viti dhe kam qëndruar për 10 orë në Kotorr me familjen. S’kam qenë as në Itali as në Greqi dhe në asnjë vend tjetër të BE. PD mund ta kontrollojë këtë që them unë me anë të sistemit TIMS. Në kohën që i referohet PD unë kam qenë polic këtu në Shqipëri”, tha deputeti i akuzuar nga PD.

1 komente në “PD kërkesë Prokurorisë dhe KQZ: Të verifikohen formularët e Aqif Rakipit dhe Gjetan Gjetanit (flasin deputetët)”

  1. harillaqi says:

    Po pse more njerez nuk shkruani se te kujt partie jane,te kujt krahu jane? Apo i dini vete ju dhe mendoni se injohin te gjithe.Po neve qe nuk i njohim,nga ta marim vesh?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje