Bushati në Këshillin Atlantik: Sfida jonë, si ta transformojmë Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë

30 Nëntor 2017, 11:48Politika TEMA

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, në kontekstin e vizitës së tij në Washington D.C., mori pjesë në konferencën me temë “Stuhi e ardhshme? Formimi i së ardhmes në Ballkan në një epokë pasigurie”, organizuar nga Këshilli Atlantik.

Kjo konferencë angazhoi nivelet më të larta të vendimmarrësve transatlantikë dhe mblodhi së bashku mbi 100 pjesëmarrës, duke filluar nga liderët rajonalë tek vendimmarrësit nga të dyja anët e Atlantikut, si dhe ekspertë të lartë në terren, për të vënë në qendër të vëmendjes atë çka është në rrezik dhe nxitur mbështetjen për një politikë të ripërtërirë të Shteteve të Bashkuara në Ballkan në partneritet me Bashkimin Evropian.

Edhe pse rajoni i Ballkanit Perëndimor ka bërë progres të konsiderueshëm në përpjekjet e tij për t’u integruar në komunitetin më të gjerë transatlantik, i frymëzuar dhe udhëhequr nga angazhimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO dhe institucionet e tjera globale, përparimi i mëtejshëm është në rrezik. Konferenca kishte si qëllim gjenerimin e ideve dhe propozimeve të politikave të reja për të gdhendur rrugën përpara për rajonin e Ballkanit, tashmë i pozicionuar në mënyrë të qëndrueshme brenda komunitetit transatlantik.

Ministri Bushati, theksoi se “edhe pse po flasim për rajonin, mund të them se ende nuk jemi një rajon i vërtetë. Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë të integrohen në BE, dhe kanë pasur një rrugëtim të ndryshëm në këtë drejtim, me 4 vende kandidate në nivele të ndryshme. Në të njëjtën kohë, edhe nëse flasim për integrim euroatlantik, është e vështirë të flasim për një rajon të vërtetë, duke pasur parasysh se kemi disa vende anëtare (Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi), por edhe vende si Kosova e cila po kërkon të ketë një marrëdhënie të institucionalizuar me NATO-n, vende si Serbia që qëndron në një tjetër pozicion, apo edhe Bosnja, e cila në dy vitet e fundit nuk po avokon për t’u anëtarësuar në NATO. E njëjta gjë vlen edhe për mënyrën se si vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida  të ndryshme. Po kështu edhe linjëzimi i politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me atë të BE-së nuk është i njëjtë. Ndaj dhe sfida jonë e parë është si ta transformojmë Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë nga pikëpamja politike, ekomomike dhe e sigurisë”.

Një tjetër element i vënë në pah nga Ministri Bushati sa i përket integrimit evropian është nevoja për të mos ngecur në ngërçin e kapitujve. “Jo gjithnjë në rajon mund të gjendet një lidhje mes kapitujve të hapur dhe cilësisë dhe shpejtësisë së procesit të anëtarësimit apo ciklit të demokratizimit” – ka nënvizuar ai. “Sa i përket sfidave – vijoi Ministri Bushati = pavarësisht se Mali i Zi ka hapur 28 kapituj dhe Shqipëria është gati të ulet në tryezën e bisedimeve të anëtarësimit, vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me të njëjtat sfida në lidhje me shtetin e së drejtës, korrupsionin dhe krimit të organizuar, tensionet etnike apo pabarazia ekonomike e cila është një hendek i gjerë jo mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Perëndimore, por mes Ballkanit Perëndimor dhe të ashtuquajturve vende të reja anëtare të BE-së, duke i vendosur vendet fqinje në pozita të ndryshme”.

Në këtë kontekst, Ministri Bushati ka nënvizuar se “Kontributin e Shteteve të Bashkuara dhe koordinimin e saj me Bashkimin Evropian e shoh shumë të rëndësishëm të paktën në tre fusha: sa i përket reformave në fushën e sigurisë, sundimin e së drejtës në ekonomi dhe çështje që kanë lidhje me zhvillimin ekonomik, aq më tepër kur sfidat me të cilat po përballet rajoni ynë janë sfida si për Bashkimin evropian edhe për SHBA-të. Mesazhet e ditës së djeshme të Sekretarit Amerikan Tillerson – ka vijuar Ministri Bushati – janë inkurajuese dhe ne shpresojmë të kemi një bashkëpunim të përforcuar brenda suazës së NATO-s por edhe të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.(TemA)

1 komente në “Bushati në Këshillin Atlantik: Sfida jonë, si ta transformojmë Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë”

  1. like says:

    Ne fakt Ditmiri ben mire te flase siç flet ne SHBA, por kur flasin per ballkanin asnje politikan nuk flet per çballkanizimin e ballkanit. Duke pasur parasysh qe nga krijimi i ballkanizimit te disahershem qe pas renies se otomaneve, nuk ka qene bere duke marre parasysh liri e te drejta, por interesa e influence te jashtme pa asnje prosperitet.
    Lirite themelore tashme kane marre prioritet ne krijimin e interesave te perbashkta ne europe e nato, por a mund tu thuhet çameve juve integroheni vetem si te shtypur? arvanitet integrohen vetem si te mashtruar a te vjedhur? greket te integrohen vetem si mashtrues, vjedhes, manipulues te kultures e historise e shtypes te lirive qe asnje antar tjeter i BE nuk do ti pranonte per veten e tij? Maqedonise, me gjysem popullate te mohuar? Shqiperise me ish diktatore ne parlament? etj..etj…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje