Shqiptarët e tragjedisë në Genova. Veç dy viktimave, shumë emigrantë janë të pastrehë. Rrëfehet nëna e Marjus Djerrit

20 Gusht 2018, 20:00Kronika TEMA

Marjus Djerri ishte një vjeç, kur e ëma e mori në krahë për t’u larguar me një skaf drejt Italisë, ku do të ndërtonte të ardhmen bashkë me të shoqin, që punonte në Genova. Në moshën 22-vjeçare, jeta e Marjusit u ndërpre në mes, së bashku me 42 të tjerë, të cilët u shuan nga shembja e urës “Morandi”.

E ëma, Valdetja nuk di t’i vendosë një emër fatkeqësisë që i ka rënë.

“Gjithmonë më thoshte se përse e zgjoja nga gjumi. Atë ditë u ngrit vet, shkoi për në punë dhe s’e dëgjova më nga ai moment. Lajmin e mora vesh nga vajza, më tha se ishte rrëzuar ura dhe unë e dija që ai do të kalonte në ato momente. Në 12 e 30 duhej të ishte në vendin e punës. Për momentin mendova gjithçka, e mora në telefon, celulari binte, ai s’përgjigjej”, rrëfen Valdete Djerri.

“Patëm shpresë për një mrekulli nga Zoti. Por kur shkova të hyja brenda me gruan, më dolën kundër”, shprehet i përlotur Gazmend Djerri, i ati.

Ashtu siç humbën jetën së bashku në një automjet, trupat e Marjusit dhe të Admir Bokrinës u vendosën gjatë ceremonisë afër e afër. Të mbuluara me flamur. Përveç kardinalit, imami i Genovas përcolli lutjen për dy shqiptarët e tragjedisë dhe për këdo të prekur nga fatkeqësia e 14 gushtit në Genova.

Pas rrëzimit të urës, mes 664 të evakuuarve konsiderohet se 20 familje janë shqiptare.

Banorët fillimisht paraqiten në një qendër regjistrimi të ngritur posaçërish për të shënuar emrat e tyre, e më pas, pasi shoqërohen nga forcat zjarrfikëse, kthehen në shtëpitë e boshatisura për të marrë sendet personale, e për t’u larguar prej andej përgjithmonë.

“Kemi hipur në shtëpi dy herë sa për të marrë gjërat më të rëndësishme, ato më të shtrenjtat, ndonjë fotografi apo ndonjë send shtëpiak. Për momentin jetojmë në një shtëpi që na e kanë ofruar disa shokë të babait”, thotë Eniada Demiraj, njëra prej të evakuuarave.

TCH: A ishit të shqetësuar më parë nga cilësia e urës “Morandi”?

“Nga punimet, por jo shqetësim, sepse ne nuk ishim të njoftuar për dëmet apo rrezikshmërinë”, thotë një tjetër shqiptar i evakuuar, Avni Peka.

“Është shtëpia ime atje, është diçka që më përket, janë kujtimet e mia. Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajë, na dhanë menjëherë ndihmë”, thotë një italian.

“Faktikisht tundej shumë kur kalonin kamionët. A ishim të shqetësuar? Dikush edhe mund ta ndiente, por nuk kishte ndodhur ndonjëherë që të binin urat në Itali”, thotë Krenar Halilaj, emigrant.

“Ta hiqnin si urë, ta nxirrnin jashtë përdorimit. Të bënin një të re, se kështu nuk mund të lihej”, thotë një tjetër emigrant, Erion Luli.

Profesori, që e cilësoi urën “Morandi” në vitin 2016 si një dështim të inxhinierisë, thotë për Top Channel se përpara se të flitet për shkaqet përse u rrëzua ura, duhen pritur rezultatet e hetimeve.
“Kur dëgjova për rrëzimin e urës ‘Morandi’ nuk e besova, shpresova të ishte një lajm i rremë. Hyra në internet dhe pashë imazhet. Si çdo inxhinier që shikon diçka të shembet dhe shkatërrohet, unë ngela pa frymë”, thotë profesor Antonio Brencich, inxhinier.

TCH: Kush janë përgjegjësit për këtë situatë?

Antonio Brencich: Le të mos flasim për përgjegjës tani! Nevojitet dhe ka hetime që do të investigojnë, e si fillim do të thonë përse u shemb ura, e vetëm pas kësaj do të kuptohet nëse ka dhe kush janë përgjegjësit. Në këtë moment nuk përbën sens të flitet për këtë gjë.

“Zona e rrezikut nuk është vetëm vendi ku zjarrfikësit, por edhe zona përreth që mund të sjellë pasoja nga struktura e paqëndrueshme e urës. Ndaj mund të themi se zona e kuqe është më e madhe”, tha një zjarrfikës.

Nga ura “Morandi” kanë mbetur vetëm rrënoja. Rrënoja në të cilat vazhdon të gërmohet parreshtur, e po ashtu kjo zonë do të vazhdojë të qëndroje pa afat e rrethuar, derisa të zëvendësohet me një urë të re prej çeliku, e gjithashtu nga një shpresë e re.(TCH)

1 komente në “Shqiptarët e tragjedisë në Genova. Veç dy viktimave, shumë emigrantë janë të pastrehë. Rrëfehet nëna e Marjus Djerrit”

  1. says:

    Jo flamurin kombëtar në arkivole. Na talli shtypi flamand ditën e sotme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje