Italia prangos peshkatarët pse... shpëtuan emigrantët në det

5 Shtator 2018, 19:17Bota TEMA

Miq e kolegë janë mbledhur në mbrojtje të 6 shtetasve tunizianë, të cilët pritet të dalin përpara gjyqit në Itali me akuzat për trafikim personash, duke pretenduar se ata janë thjesht peshkatarë që kanë shpëtuar qindra emigrantë e refugjatë përgjatë viteve, të cilët kanë qenë në rrezik mbytjeje në Mesdhe.

Tunizianët janë arrestuar në det të hapur gjatë fundjavës, pasi nga peshkarexha e tyre lëshuan një varkë të vogël që tërhiqej më pas me 14 emigrantë në bord,rreth 24 milje detare nga brigjet e ishullit italian të Lampeduzës.

Autoritetet italiane thonë se një ekuipazh avioni nga agjencia europiane kufitare “Frontex” kishte lokalizuar fillimisht peshkarexhën rreth 80 milje detare nga Lampeduza, ndaj vendosën të monitoronin situatën. Ata njoftuan policinë italiane pasi varka me emigrantë u la e lirë, ndërkohë që forcat italiane arrestuan më pas ekuipazhin e peshkarexhës në det të hapur.

Sipas avokatëve të tyre, tunizianët i qëndrojnë pretendimit se panë një varkë emigrantësh në sinjal alarmi, ndaj dhe morën vendimin e përbashkët për t’i shoqëruar ata të sigurtë drejt ujërave italiane. Ata pretendojnë gjithashtu se kishin njoftuar rojet bregdetare italiane në mënyrë që të ndërhynin dhe t’i merrnin emigrantët në breg, raporton TCH.

Prokurorët i kanë akuzuar ata për shoqërim të paligjshëm të varkës drejt ujërave italiane dhe thonë se nuk kanë prova për një sinjal ndihme “SOS” të lëshuar nga varka e emigrantëve, apo nga peshkarexha.

Mes të arrestuarve ishte edhe 45-vjeçari Chamseddine Ben Ali Bourassine, i cili njihet në qytetin e tij të lindjes, Zarzis, pranë kufirit libian, për shpëtimin e emigrantëve apo nxjerrjen e mbetjeve njerëzore të ngecura në rrjetat e tij në breg të detit, për t’iu bërë funerale dinjitoze të vdekurve anonimë.

Menjëherë pas arresteve, qindra tunizianë u mblodhën në Zarzis për të protestuar, ndërsa Shoqata tuniziane e Peshkatarëve të Zarzisit i dërgoi një letër Ambasadës italiane në Tunis në mbështetje të të arrestuarve. Sipas kolegëve të tij në Zarzis, Bourassine është një aktivist për të penguar të rinjtë tunizianë të marrin rrugët e paligjshme të emigrimit. Në vitin 2015, ai mori pjesë në një stërvitje shpëtimi në det të organizuar nga “Mjekët pa kufij” në Zarzis.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje