Alarm tek Barcelona, Messi dëmtohet dhe rrezikon të luajë me Interin dhe në "El Clasico"

20 Tetor 2018, 22:30Sport TEMA

Shënoi gol në minutën e 12 në sfidën kundër Sevillas duke ndihmuar skuadrën të ngjitej në vendin e parë të renditjes, por pak minuta më vonë Lionel Messi u detyrua të lërë fushën e lojës i dëmtuar, duke u zëvendësuar nga Dembele.

Argjentinasi u rrëzua në tokë dhe pësoi një dëmtim që duket i rëndë, në krahun e djathtë, duke ngrirë zemrat e tifozëve të pranishëm në “Camp Nou”. Edhe pse arriti të ngrihej në këmbë dhe të dilte vetë nga fusha u duk qartë që dëmtimi në krah ishte i keq dhe se mund të ketë pasoja.

Tani mbetet për t’u parë se sa i rëndë do të jetë ky dëmtim, duke parë që në mesjavë Barcelona do të përballet me Interin në Champions League, ndërsa më fundjavë luhet El Calsico kundër Real Madrid.

Edhe pse duhet pritur dita e diel për një sqarim të detajuar të dëmtimit, përshtypjet e para të mjekëve nuk ishin pozitive dhe sipas asaj që raportohet në mediat spanjolle, lojtari mund të jetë i detyruar të qëndroje jashtë fushave nga 10 deri në 15 ditë. Praktikisht sfida me Interin është e humbur por me shumë gjasa edhe ajo kundër Realit.

Kjo ishte hera e parë që Messi zëvendësohet që në pjesën e parë në një ndeshje ku e kishte nisur si titullar, një dëmtim që kapi në befasi edhe Valverden, të cilit iu deshën dhjetë minuta për të futur në fushë Dembelen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje