Dokumenti: Kur punonjësit e Radio-Televizionit Shqiptar, raportonin e denonconin për kolegët e tyre të Televizionit të Prishtinës (fotot e panjohura)

3 Nëntor 2018, 09:52Dossier TEMA
Dokumenti: Kur punonjësit e Radio-Televizionit Shqiptar, raportonin e

Ekskluzive / Zbulohet dokumenti “Sekret” i vitit 1979, kur tre punonjës të Radio -Televizionit Shqiptar, (V.R. S.B. V.P.) informonin në Komitetin Qëndror të PPSH-së, lidhur me vizitën që kishin bërë në Radio-Televizionin e Prishtinës dhe se çfarë kishin parë e dëgjuar ata nga kolegët e tyre kosovarë dhe njerëz të ndryshëm që ata kishin takuar gjatë vizitës së tyre atje

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Pas vitit 1968 kur Tirana zyrtare filloi “muajt e mjaltit” me Jugosllavinë e marshallit Tito, gjë e cila erdhi pas një pakti të heshtur që Enveri bëri me Titon për t’u mbrojtur bashkarisht nga një sulm i mundshëm ushtarak i Bashkimit Sovjetik, pas agresionit që Kremlini ndërmori ndaj Çekosllavakisë në gushtin e 1968-ës, në drejtim të dy vëndeve, pra ndërmjet Shqipërisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës, pati vizita të ndërsjellta me grupe artistike, kulturore, sportive, shkencore, arsimore etj.

Një nga këto vizita është dhe ajo që disa punonjës të Radio-Televizionit Shqiptar kanë bërë në Kosovë në muajt nëntor-dhjetor 1979, ku, në bazë të “rregullave” që ekzistonin për të gjitha ata shtetas shqiptar që bënin vizita jashtë shtetit, ata kanë qenë të detyruar dhe kanë bërë raport-informacionin përkatës, duke shënuar se çfarë kishin parë dhe dëgjuar gjatë vizitës së tyre “te miqtë kosovarë”, siç i konsideronte asokohe propaganda zyrtare vëllezërit e një gjaku nga Kosova.

Gjë e cila bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim, i cili është shkëputur nga një dosje voluminoze me siglën “sekret”, dhe që është firmosur nga tre punonjës të Radio-Televizionit Shqiptar, (V.R., S.B., V.P.), ku ata kanë bërë një përshkrim të shkurtër duke përmëndur disa biseda që ata kanë bërë me kolegët e tyre kosovarë.

Ajo që vihet re në dokumentin me raport-informacionin në fjalë, është pjesa në paragrafin e fundit, ku kanë përshkruar gjëra që nuk kanë pasur asnjë lidhje me vizitën e tyre në Kosovë?! Madje pa frikë mund të themi se ato që ata kanë shënuar aty, do t’ua kishte zili edhe Hashek-u i famshëm, autori i librit “Ushtari i mirë Shvejk”.

Por me shumë gjasa, duket që ato i kanë shkruar sa për të mbushur raportin, për të qenë “në rregull” me atë çka u kërkohej nga “organet kompetente” pas kthimit të tyre në Tiranë, gjë e cila duket dhe nga raporti në fjalë, pasi ata më shumë kanë lavdëruar kolegët e tyre kosovarë, si p.sh. Rabije Ibraj, Rruzhdi Fejzullahu, Mehdi Bajri dhe vetëm për shoqëruesin, Skënder Oroshi, janë shprehur se; “ishte njeri negativ, që prirej pas mirëqënies materiale”?!

Dokumenti arkivor publikohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim, ekskluzivisht për gazetën TemA.

I N F O R M A C I O N

Përveç sa u trajtua në relacionin përkatës, grupi i punonjësve të RTV Shqiptar, që ishte në Kosovë, nga data 18 nëntor deri më 7 dhjetor 1979, informon si më poshtë:

1. Nga persona të ndryshëm mësuam se fjalimi i shokut Mehmet Shehu, mbajtur në mbrëmjen solemne me rastin e 35 vjetorit të çlirimit të Atdheut, ishte regjistruar nga persona të veçantë. Bile edhe materialet e Kongresit të 7-të të Partisë janë regjistruar nga njerëz të ndryshëm shqiptarë nga Kosova dhe dëgjohen herë pas here. Këtë na e tha shoqëruesja jonë, Rabie Ibraj.

2. Një fshatar nga Peja na tha: “U kënaqa duke parë paradën e Tiranës më 29 nëntor”.

Në ditët pas 27 nëntorit, kur u muarr vesh se Televizioni Shqiptar po shihej në mjaft zona të Kosovës, siç na thanë, po përpiqeshin për të krijuar antenna për ta kapur Tiranën sa më mirë. Një operator i Televizionit të Prishtinës, Rruzhdi Fejzullahu, na tha: “Për ne kapja e Televizionit Shqiptar do të jetë një gjë e madhe. Veçanërisht problem kemi çështjen e edukimit të fëmijve tanë. Dhe këtu një rol të amdh do të luaj Televizioni Shqiptar”.

3. Edhe për filmat shqiptar u shprehën fjalët më të ngrohta. Në ato ditë u shfaq nga Televizioni i Prishtinës filmi artistik shqiptar, “Tomka dhe shokët e tij”. Të nesërmen, të gjithë bashkëbiseduesit, që e kishin parë filmin, na folën me shumë simpati e dashamirësi.

4. Në bisedimet që zhvilluam me persona të veçantë, vihet re një mospërfillje për parrullën: “Bashkim Vëllazërim” dhe flisnin me ironi për të ashtuquajturin “Vetadministrimi jugosllav”.

5. Në shfaqje të ndryshme vihej re se në masat ishte rrënjosur thellë ndjenja e patriotizmit. Kështu, kur gjatë shfaqjes përmëndeshin fjalë patriotike, si “Mbrojtja e atdheut”, “Flamuri kombëtar”, “Vdekje e tradhëtarëve”, etj, shumë spektatorë duartrokisnin.

6. Në një bisedë me Mehdi Bajrin, shef i Muzikës në Televizion, duke shprehur dashurinë për Shqipërinë, tregoi për dy raste me fëmijën e tij. Ai tha se “Një ditë, në mësim, fëmija e tij nuk i ishte përgjigjur në serbisht mësueses, duke kërkuar që “edhe ajo të fliste shqip, mandej ai t’i përgjigjej serbisht”. Ose një mbrëmje i tha: “Babi, serbët kanë Titon, po ne, xhaxhi Enverin kemi?”

7. Për shoqëruesin Skënder Oroshi, i cili megjithqë qëndroi pak ditë me grupin, kemi mendimin se është njeri mjaft negative, i prirur shumë “nga mirqënia materiale”, duke propoganduar për të ashtuquajturën demokraci, liri dhe bollëk të botës kapitaliste.

8. Gjatë vizitës ne konstatuam se propaganda tististe dhe elita e borgjezisë së re në Kosovë bëjnë një punë të madhe për degjenerimin e popullit të Kosovës. Kjo realizohej nëpërmjet përhapjes së së gjërë të literaturës pornografike, të shfaqjes së filmave të ndryshëm perendimorë me tematikë nga më e ulta, nëpërmjet futjes së mënyrës perendimore të jetesës, etj.

9. Nga shoqëruesja jonë, Rabie Ibraj mësuam se para një viti ishte kthyer në Kosovë një vajzë që kishte kryer studimet e Mjeksisë në Universitetin e Tiranës, e cila ishte arratisur nga Kosova në vitin 1959. Me rastin e kthimit ajo ishte bërë shkaktare për prishjen e një familjeje, meqënse “bashkëshorti I saj i ardhshëm”, pedagog në Universitetin e Prishtinës, do të braktiste gruan dhe tre fëmijët e tij. Në një bisedë që pati vëllai i gruas së pedagogut me të rikthyerën nga Shqipëria duke e ngarkuar me faj të parën për gjëndjen familjare të krijuar tek motra e tij, e rikthyera i kishte thënë “E bëj këtë për arsye politike”.

V…… R…….. S…….B…….. V…….P……..

Tiranë, më 11 .12.1979

4 komente në “Dokumenti: Kur punonjësit e Radio-Televizionit Shqiptar, raportonin e denonconin për kolegët e tyre të Televizionit të Prishtinës (fotot e panjohura)”

  1. Agron Dojaka says:

    Cfare denoncimi gjeni ne kete material? Me c’te drejte ky fare “studiuesi apo gazetari” boton emra personash (te gjithe identifohen kollaj nga njera nga fotot!) te cilet me e pakta duhet t’a denoncojne (ky eshte denoncim mor zoti gazetar qe ke “gatuar” titullin e shkrimit) dhe cojne ne gjykate.
    Goni

  2. fshatari pafshat says:

    Ky Kaloci duket se mund te jete mjeles i fondit te Nikos Kotzias. Sepse i fryn percarjes. Dhe si ENVERI, edhe Kaloci di gjithcka ne boten shqiptare dhe, percakton me drejtesi objektive gjithcka te shkuar, tashme, dhe te pritshme. Nuk na le vend qe ta veme vete koken tone ne pune per ti kuptuar ngjarjet, dokumentat. Vetsakrifikim i Dashnorit. Humanist boteror… . Mjerim shqiptar i pashqitshem.
    Lavdi shokut Kaloc Dashnori.

  3. pensionisti says:

    Historian gomar ! Historian sherbetor i Sali Berishes. Po s’ka problem edhe Skrapari do kete gomaret e tij. E nje i tille eshte ky Kaloci historiani pa tru. Ku eshte denoncimi ketu ,mor injorant. Cili s’to kishte folur keto te thena nga kosovaret. Edhe ti ,o kok qyp do ishe i pari qe do tregoje keto biseda. O injorant i shkalles siperore!

  4. Asi11 says:

    Si nuk keni turp me shkru kshi budalleqesh . Po sot a po shikoni se si gazetaret pra shumica e punonjesve te medjave paguhe ne menyra tinzare nga grekerit dhe serbet kunder vendit vet . Çfare demi i eshte bere Shqiperise nga ato qe shkruani ju . Ndersa nga veprimet e medjave dhe politikaneve te ketyre 30 vjeteve shtetit shqiptar i behet shume dem sepse ne nje forme a ne nje tjeter eshte shitur Shqiperia qofte me vorreza qofte me P.P.P . Vorrezat e ushtareve grek ne Shqiperi kan per te qene gjate gjithe jetes molle sherri si dhe mundesi per te marre vorjo epirin qe eshte pretendimi i perhershem i tyre . Ja fillesat e ssj siç qe vrasja e terforistit grek dhe qe do vazhdojne mèdjat tona budallekun e tyre kush shane me shume qeverine shqiptare dhekushlavdron me shume qeverine greke po çka se grekefit gjate ketyre 28 vjeteve kan vrare mbi 170 djem nenash shqiptare por ketyre punonjesve te madjavenuk ju behet vone se djemt e tyre nuk kan qenevellezerit e tyre nuk kan qene .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje