Epoka e re e skandaleve të koorporatave

20 Prill 2019, 21:55Ekonomia TEMA

Dy gjëra evidentohen sot në industrinë e biznesit amerikan. E para është sesa të suksesshme janë firmat amerikane: ato përbëjnë 57 nga 100 firmat më të suksesshme në botë. E dyta është situata problematike që ka përfshirë së fundmi disa prej kompanive më të fuqishme, shkruan The Economist.

Boeing po përballet me akuzat se ka shitur 737 avionë MAX me softuerë me probleme. Kjo kompani ka deklaruar se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të vërtetuar plotësisht sigurinë e 737 avionëve MAX. Akuza kriminale janë ngritur edhe kundër Goldman Sachs në Malajzi për rolin e saj në sigurimin e 6.5 miliardë dollarëve amerikanë, për krijimin e një fondi shtetëror, që supozohet se është gjithçka një mashtrim. Goldman, nga ana e saj, është shprehur se po bashkëpunon me hetuesit për ta zgjidhur sa më parë këtë çështje.

Një juri në Kaliforni sapo ka zbuluar se Monsanto nuk i ka paralajmëruar blerësit e saj se produktet që ajo tregton mund të shkaktojnë kancer.

Bayer, një firmë gjermane që bleu Monsanton në qershor, thotë se do të apelojë vendimin e mësipërm. Wells Fargo, një nga bankat më të mëdha të Amerikës, ka pranuar krijimin e 3.5 milionë llogarive bankare të paautorizuara. Ajo thotë se po punon shumë në drejtim të “rifitimit të besimit me palët e interesit”.

Edhe Facebook është i përfshirë në disa skandale; praktikat e tij mbi privatësinë e të dhënave po hetohen në disa vende të ndryshme. Rreth 146 milionë e klientëve të Equifax, një firmë për vlerësimin e kredive, iu vodhën të dhënat personale në vitin 2017.

Sipas raportit të saj vjetor, ajo është paditur për neglizhencë. Kurse në një dokument të publikuar kohët e fundit, drejtuar kryesisht investitorëve, thuhet se mbrojtja e informacionit është “prioriteti i tyre më i lartë”.

Pastaj, kemi epideminë e opiumit, i cili përfshin jo vetëm Purdue Pharma, prodhuesin e OxyContin, por, sipas një padie të bërë nga avokati i përgjithshëm i Nju Jorkut, janë të përfshira edhe firma të tjera si McKesson dhe Johnson & Johnson. Kompania Purdue shprehet se është “shumë e shqetësuar” për varësinë ndaj opiumit. Vitin e kaluar, edhe kompania McKesson u shpreh se ishte “thellësisht e shqetësuar” nga kjo epidemi dhe se bordi i saj po “operon sipas disa procedurave që kanë një mbikëqyrje shumë të lartë në lidhje me shpërndarjen e opiumit”.

Johnson & Johnson shprehet se është “shumë e kujdesshme dhe se është angazhuar për të siguruar që ilaçet e saj të përdoren siç duhet”.

Është tunduese t’u referohesh incidenteve të ndryshme të shkaktuara nga opiumi si thjesht fatkeqësi apo gabime njerëzore. Por kjo do të ishte plotësisht e gabuar.

Firmat amerikane duket se janë më shumë pre e skandaleve në krahasim me firmat homologe në anën tjetër të oqeanit.

Vlera totale e tregut e firmave amerikane të përfshira në incidente të mëdha, që janë bërë publike që prej vitit 2016, shkon afërsisht në 1.54 trilionë dollarë amerikanë.

Të paktën 200 milionë konsumatorë janë prekur nga këto incidente. Sa u përket firmave europiane të përfshira në incidente, vlera totale e tregut shkon në 600 miliardë dollarë amerikanë dhe numri i konsumatorëve të prekur llogaritet në më pak se 30 milionë dollarë amerikanë, duke përfshirë këtu prodhuesit e makinave që falsifikojnë testet e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe skandalin e bankave nordike të përfshira në pastrimin e parave.

Edhe Amerika është përfshirë nga skandalet e korporatave. Në shekullin e 19, thertoret tregtuan mish të kalbur. Në vitet 1960, Detroit prodhoi makina që ishin “të pasigurta për të ecur qoftë edhe me një shpejtësi të ulët”, shprehet Ralph Nader, një aktivist amerikan për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.

Në vitet 1990, pretendimet mbi dëmet e duhanit dhe të asbestit çuan në marrjen e vendimeve ligjore që u kushtuan aksionerëve mbi 150 miliardë dollarë amerikanë. Skandalet e kontabilitetit shpërthyen në WorldCom, Enron dhe Tyco në fillim të viteve 2000, ndërsa në mes të viteve 2000, mashtrimet hipotekore u rritën shumë në numër.

Krizat e ditëve të sotme janë të larmishme, por megjithatë kanë edhe elemente të përbashkëta. Firmat që krijohen, priren të kenë pozita dominuese në treg. Zemërimi nxit mediat sociale dhe Kongresin. Dhe megjithatë, kostoja financiare ka qenë e kufizuar.

Këtu mund të marrim si shembull listën me dhjetë firma amerikane të përfshira në episode të ndryshme, për shembull çmimi mesatar i aksioneve të tyre ka shënuar rënie pas një skandali të caktuar.

Kështu, aksionet e Boeing kanë humbur 8% që nga rrëzimi i një avioni në Etiopi, por megjithatë ato janë mbi nivelin e tyre të shënuar në janar. Kriza ka qenë faktor që dy prej drejtuesve të dhjetë prej firmave më të mëdha amerikane, të Wells Fargo dhe Equifax të japin dorëheqjen. Rregullime të shumta janë bërë edhe në nivelin e pagës së drejtuesve të kompanive. Equifax thotë se siguria kibernetike tani është e përfshirë në skemat e saj të pagave. Sipas Bloomberg, për të dhjetë firmat, shuma e përgjithshme e pagave të ekzekutivëve të lartë ka shënuar rritje në katër vitet e fundit, në gati 600 milionë dollarë amerikanë.

Për kritikët e kapitalizmit, asnjë nga këto nuk do të jetë një surprizë. Sipas argumenteve të tyre, veçanërisht firmat e kontrolluara nga aksionerët privatë janë kryesisht joetikë. Megjithatë, edhe këto argumente nuk duhen marrë si të vërteta, sepse edhe tek ata gjen plot mangësi. Volkwagen mashtroi në testet e emetimeve, edhe pse një pjesë e kësaj kompanie është në pronësi të shtetit gjerman dhe në bordin e saj ka përfaqësues të klasës punëtore.

Swedbank është pjesë e një hetimi penal si pasojë e akuzave për përfshirjen në skandalin e pastrimit të parave. Një shpjegim alternativ është se kapitalizmi amerikan është kontradiktor. Ai ka qenë gjithnjë i shqetësuar dhe dinamik. Kompanitë testojnë kufijtë e asaj që është e mundur dhe e lejueshme. Firmat e teknologjisë janë ato që së fundmi po “lëvizin shpejt dhe po thyejnë rregulla”, sipas sloganit jozyrtar të Facebook. Tre janë faktorët kryesorë që kanë kufizuar sjelljen e korporatave: rregulloret, ligjshmëria dhe konkurrenca.

Pasojat e krizës financiare u shoqëruan me një stuhi padish dhe gjobash ndaj bankave.

Por që prej asaj periudhe, secili prej tre faktorëve që mund të kenë shërbyer për të kufizuar sjelljen e korporatave, mund të jenë dobësuar, duke rritur incentivën e firmave për të ndërmarrë risqe. Le të analizojmë fillimisht rregulloret. Sistemi është një ndërthurje e çuditshme, ka disa çështje ku nuk ndërhyhet fare, ndërsa për disa të tjera, rregullat janë të shumta. Ishte Administrata Federale e Ilaçeve (Federal Drug Administration) ajo që mundësoi që opiumi t’i shitet masës dhe të gjendet lehtësisht në çdo farmaci.

Administrata Federale e Aviacionit ia delegoi një pjesë të procesit të inspektimit, punonjësve të Boeing. Komisioni Federal i Tregtisë është përpjekur për një kohë të gjatë për të kontrolluar Facebook. Gjobat e vendosura nga disa rregullatorë mund të jenë të vogla në krahasim me vlerat e tregut të firmave gjigante.

Së dyti, ligjshmëria e ditëve të sotme nuk mund të ketë të njëjtin funksion kufizues që ajo ka pasur dikur. Çështjet penale që kanë përfunduar me dërgimin në burg të drejtuesve të lartë ekzekutivë të firmave të përfshira në skandale të ndryshme janë aq të rralla, aq sa janë edhe socialistët në Goldman Sachs. Kostot e incidenteve të ndryshme të shkaktuara nga firmat janë të barabarta me rreth 2% të PBB-së në vit, më të larta se në vendet e tjera.

Megjithatë, jeta nuk ka qenë shumë e vështirë për firmat. Klauzolat e arbitrazhit, në të cilat konsumatorët dhe stafi humbin të drejtën për të ndjekur padi kolektive, janë bërë më të zakonshme. Firmat kanë më shumë gjasa t’i çojnë rastet e tyre në apel, të cilat mund të vazhdojnë deri në një dekadë. Një avokate veterane e padive kolektive thotë se dënimet financiare janë zvogëluar në krahasim me vlerën e shumë firmave gjigante.

Ajo ankohet se për 50 kompanitë më të mira, kërcënimi i një zgjidhje ligjore shumë miliardë dollarëshe nuk do ta ndryshonte situatën. Pengesa e fundit është konkurrenca. Në një afat të gjatë, ajo duhet të veprojnë për të disiplinuar firmat e pakujdesshme ose të keqinformuara, sepse konsumatorët në të kundërt do t’i braktisin ato. Kraft dhe Heinz lulëzuan në shekullin e 20, pjesërisht falë një reputacioni të mirë që kishin krijuar mbi sigurinë e tyre.

Firmat japoneze të makinave e detyruan Detroitin që të përmirësonte nivelin e prodhimit të makinave në fillim të viteve 1980. Dhe sot, Netflix po shkatërron firmat tradicionale të televizioneve kabllore, të cilat duan të mashtrojnë klientët.

Por gjatë ecurisë së ekonominë, në 20 vitet e fundit, firmat ekzistuese janë bërë më të fuqishme, duke ua vështirësuar konsumatorëve kalimin nga një firmë tek një tjetër.

Ekziston një alternativë zgjedhjeje ndaj Boeing dhe ajo është Airbus, por këtij të fundit i mungon kapaciteti. Përdoruesit e kanë të vështirë të largohen nga Facebook. Pesticidet dhe herbicidet, kontrolli i kreditit, shpërndarja dhe shitja e ilaçeve të cilat nuk duhej të lejoheshin janë rritur edhe më shumë. Nëse kriza e korporatave nuk reduktohet, atëherë besimi i publikut në kapitalizëm mund të pësojë goditjen e radhës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje