Shqipëria po mbushet me profesionistë në letër: Ka një zgjidhje për të ndalur këtë kaos, ja institucionet arsimore që përgatisin zanatçinj

22 Prill 2019, 17:38Sociale TEMA

Janë disa, institucionet arsimore shtetërore dhe private që kanë hapur sisteme dyvjeçare. Por këto programe po prodhojnë “zanatçinj” me çertifikata, pa e provuar në praktikë profesionin e tyre

Shumë njerëz, në botën e biznesit, tregtisë dhe shërbimeve, pohojnë se përballen me mungesë profesionistësh në shumë fusha.

 Merren në intervista pa fund njerëz, kryesisht të rinj e të reja, që nuk ngurrojnë të dorëzojnë CV, pasi i kanë të mbushura plot me certifikata që “dëshmojnë” profesionalitetin e tyre.

 Por kur përballen me punën që duhet të bëjnë, shumica dërrmuese dështon, pasi certifikatat që kanë marrë janë vetëm honorifike, për sa kohë dijet e tyre nuk janë provuar në praktikë.

Dhe në kushtet kur tregu i punës është gjithnjë e më i ashpër, gjithnjë e më kërkues e gjithnjë e më inovativ, profesionistët e vërtetë janë të mirëpritur aq sa u shtrohet “tapeti i kuq”.

Por që të ndodhë kjo, ata duhet të përballen me “hilet” e zanatit që duan të marrin.

Materiali i mëposhtëm, është përgatitur me kujdes duke u mbështetur në përvojën shumëvjeçare të ekspertëve dhe pedagogëve të fushës dhe synon jo thjesht të prezantojë situatën ku jemi, por edhe zgjidhjet për të dalë prej saj

Në përgjigje të kërkesave të tregut, por edhe të konstatimit të arsyeshëm se “Punë ka, por nuk ka profesionistë”, disa universitete publike dhe institucione private të arsimit të lartë kanë hapur programe dyvjeçare studimi profesional. Por pyetja shtrohet: sa i përgjigjen këto programe studimi dhe stafet e tyre akademike zhvillimeve teknologjike të kohës, kur pjesa më e madhe e tyre nuk kanë infrastrukturën dhe logjistikën e nevojshme në dispozicion dhe si pasojë cënojnë një nga elementët thelbësorë të arsimit profesional: zhvillimin e praktikës mësimore?

Nga ana tjetër shtrohet më tej pyetja: a prodhon ky arsim profesional, në këto kushte, profesionistë, zbatues të aftë dhe të zotë, që mund të lexojnë projekte dhe t’i vënë ato në jetë?

Arsim profesional kemi, por a prodhon ai profesionistë?

Me zhvillimet e teknologjisë dhe të komunikimeve multimediale të informacionit, që prej viteve ‘90 deri në mijëvjeçarin e ri, proçesi i edukimit e sidomos ai i arsimit të lartë, pësoi një transformim radikal në të gjithë botën. Kështu, mundësia e marrjes së informacionit nga e gjithë bota, metodat e reja të mësimdhënies dhe të mësimmarrjes, edukimi online etj, çuan në zbehjen e kufijve ndarës dhe në ndryshimin e formave të konkurencës.

Por megjithatë, pikërisht për shkak të këtij zhvillimi, ekonomia po ecën me ritme më të shpejta se edukimi në vetvete dhe tregu po has një ndryshim të vazhdueshëm të forcës së tij të punës. Ndërsa marrja e një diplome universitare, mbetet e rëndësishme në epokën që jetojmë, perceptimi dhe nevoja e brezave të ndryshëm në lidhje me edukimin, ka ndryshuar. Si pasojë e evolucionit teknologjik dhe të mënyrës së të menduarit, njerëz të të gjitha moshave, kërkojnë sot të edukohen në vazhdimësi dhe të investojnë për të fituar aftësi të reja, në përshtatje me nevojat teknologjike të kohës dhe kërkesave të tregut të punës. I ashtuquajturi Brezi Z, i rritur me internet dhe teknologji është brezi i parë që jeton në epokën e telefonave smart. Ky realitet i ri, ky ndryshim i madh në mendësinë e këtij brezi, kërkon mënyra të reja edukimi, në përshtatje me zhvillimet e reja teknologjike të kohës dhe të zhvillimeve teknologjike të së ardhmes, në fushën e shkencës, industrisë, ekonomisë, arsimit, kulturës etj.

Çfarë po ndodh në Shqipëri?

Prej vitesh, çështja e edukimit përbën dhe është shndërruar në një nga problemet më të vështira të shtruara për zgjidhje në shoqërinë shqiptare. Madje në Shqipëri kjo nuk është thjesht një sfidë e kohës, por një emergjencë kombëtare.

Fuqia punëtore në vendin tonë është në moshë shumë të re, por mungesat e kualifikimeve në shumë sektorë, e kanë lënë ekonominë shqiptare në nivele shumë larg standarteve të duhura. Shumë investitorë të huaj, kanë ardhur me synimin për të sjellë projekte zhvilluese në Shqipëri, por janë larguar më pas në vende të tjera të rajonit për shkak të mungesës së profesionistëve dhe specialistëve të përshtatshëm në degë të caktuara të industrisë. Në ndryshim nga fqinjët, Shqipëria nuk e ruajti sistemin e arsimit profesional dhe zhvillimin industrial gjatë viteve të tranzicionit. Kjo pati si pasojë zhdukjen e profesioneve dhe pajisjen e brezave të tërë me diploma universitare në fusha të tjera: juridike, ekonomike, sociale, etj, por jo të fushës së natyrës profesionale inxhinierike, që është sa e nevojshme aq dhe e domosdoshme për zhvillimin e industrisë dhe të shërbimeve në vendin tonë.

Në morinë e informacionit dhe reklamave me slogane premtues për edukimin, situata në fakt nuk është dhe aq pozitive. Për t’iu përgjigjur kërkesave, por edhe konstatimit se “Punë ka, por nuk ka profesionistë”, disa universitete publike dhe institucione private kanë hapur programe dy vjeçare studimi profesional. Por problemi qëndron në faktin se burimet njerëzore dhe infrastrukturore në dispozicion, jo gjithmonë i përgjigjen zhvillimeve të kohës dhe pjesa më e madhe e tyre kanë mungesa sidomos përsa i përket infrastrukturës. Këto programe prodhojnë “zanatçinj” me çertifikata, por pa e provuar në praktikë profesionin e tyre. Një sistem i tillë, nuk i pajis të gjithë me aftësitë e përshtatshme për tregun e punës, ndaj më shumë se një sistem arsimor profesional, i cili në fakt ekziston, duhet krijuar një sistem cilësie i aftësive që duhet të japin këto shkolla. Pas pak vitesh, profesionistët e formuar para viteve ’90, nuk do të jenë më forcë pune. Shumë të rinj, që potencialisht  mund  të ishin  forcë e rëndësishme pune, po synojnë largimin në vende të ndryshme të botës, në kërkim të mundësive dhe kushteve që Shqipëria nuk i ofron.

Çfarë mund të bëhet?

Sistemi që duhet të krijohet, nuk duhet thjesht të ulë papunësinë, por të balancojë nevojat reale për zhvillimin e vendit. Për sa kohë nuk ka një vizion dhe një projekt të unifikuar në plan kombëtar, askush nuk mund ta parashikojë se çfarë mund të ndodhë, ndaj krijimi i modeleve efikase të arsimit profesional, ka marrë trajtën e një alarmi. Ngritja e një modeli efikas në arsimin profesional, në qoftë se nuk zgjidh të gjitha problemet e këtij arsimi, nevojitet të shërbejë si bazë e qëndrueshme për të influencuar në ndryshimin e situatës të dëmtuar që prej viteve ’90.

Së pari, sistemi duhet të fillojë të promovojë të nxënit nëpërmjet proçeseve, me programe që në fokus e tyre kanë përgatitjen e specialistëve me aftësi praktike. Që në vitet e para të shkollimit, duhet të promovohet puna praktike për të zhvilluar intuitën për të identifikuar dhe ndërtuar proçese të prekshme, që të përgatisin mendësinë e nxënësit në përshtatje me kërkesat e së ardhmes. Në Shqipëri, më shumë se kudo, ky duhet të jetë një prioritet në përgatitjen e kurrikulave, për hedhjen e themeleve që në vitet e para të shkollës, për të kaluar më pas në arsimin profesional. Vetëm orientimi në edukimin profesional që në moshë të re, ekuilibron raportin shkollim-punësim dhe garanton një të ardhme të suksesshme.

Së dyti, gjatë viteve të tranzicionit, me shtimin e universiteteve private, u krijua bindja se marrja e një diplome universitare ishte e vetmja mënyrë për sukses në të ardhmen. Kjo prodhoi shumë zhgënjim në brezat e këtyre të diplomuarve, që në fakt nuk e gjetën suksesin në treg. Një mentalitet i tillë duhet të ndryshojë. Vendosja e një ekuilibri ndërmjet të diplomuarve për juridik, biznes, shkenca politike apo histori me ata të specializuar në profesione të teknologjive si për teknologji automjetesh; mekatronikë; teknologji e instalimeve elektrike; teknologji gazi, teknologji ndërtimi etj., është një nevojë urgjente në shoqërinë shqiptare. Frustrimi social i krijuar nga kjo disbalancë, nxiti dhe nxit nevojën e investimit në edukim profesional në fushat që janë kërkesë globale e mijëvjeçarit të tilla si teknologji informacioni dhe komunikimi, elektronikë, ëeb-design; elektro-mekanikë, etj.

Së treti, entet dhe rregullatorët përgjegjës për licencimin e institucioneve të arsimit, duhet të kontrollojnë dhe të sigurohen për plotësimin e kritereve të infrastrukturës dhe logjistikës së nevojshme në dispozicion, me ambiente të përshtatshme për praktika të vazhdueshme mësimore që janë baza e arsimit profesional. Për më tepër, duhet të aplikojnë monitorim të vazhdueshëm për respektimin e këtyre standardeve.

Rritja e notës mesatare të pranimit në universitete (mbi 6), do të mundësonte prurje më cilësore edhe në arsimin e lartë profesional. Vendi ka shumë nevojë për një numër të madh zbatues projektesh në raport me projektuesit.

Mbi të gjitha, fokusi dhe promovimi duhet drejtuar ndaj institucioneve ekzistuese të edukimit të arsimit të lartë profesional, që janë serioze, të dedikuara, që kanë investuar në rritjen e cilësisë profesionale dhe në infrastrukturën laboratorike dhe që synojnë dhe fokusohen në integrimin e praktikës me teorinë. Akreditimi nga ente ndërkombëtare i këtyre institucioneve garanton cilësinë aq shumë të kërkuar dhe, mundëson njohjen e këtyre profesioneve dhe punësimin e profesionistëve në institucionet e vendit tonë, por dhe në vende të tjera.

Pra, le ta fillojmë nga edukimi për edukimin, për të zgjedhur institucionin e duhur arsimor.

1 komente në “Shqipëria po mbushet me profesionistë në letër: Ka një zgjidhje për të ndalur këtë kaos, ja institucionet arsimore që përgatisin zanatçinj”

  1. Grigor says:

    Jnteresante. Asnje koment deri ne oren 19:10 te se Henes.
    Ose njerezit ndjehen jashte territorit, dhe me te drejte nuk komentojne, ose nuk ka interes sepse nuk eshte teme partiake.
    Ne te dy rastet eshte keq, sepse tregon nivel te ulet te lexuesit. Pra, lexuesi eshte objekti i artikullit – nje njeri qe eshte gati te marre nje diplome apo certificate te cilen nuk e meriton aspak. Qysh mundet nje prind te dergoje femijen ne nje shkolle profesionale per t’u bere hidraulik, dhe eshte gati te paguaje qe femija ta marre shkollen kot?
    Fatkeqesi e madhe eshte pastaj kur femija po studjon per mjekesi, dhe ata qe e vuajne Jane pacientet.
    Brezi rinor eshte pasqyre e brezit prinderor, dhe e keqja vjen nga ata qe sot Jane prinder: – dembela, ryshfetçinj, dallaverexhinj, interesaxhinj, te pashkolluar. Idealizmi dhe ndershmeria Jane gjuhe e huaj dhe konsiderohen karakteristika te budallait.
    Kur perfaqesues te kesaj shtrese te popullsise pa viszion marrin pozita drejtuese ne sektorin publik, atehere eshte fatkeqesi kombetare. Per shembull:
    – Sali Berisha, nje Katunar klasik tek i cili idealizmi eshte ves i keq.
    – Familja Meta-Kryemadhi – nje familje monster, oa kurrfare ideali.
    – Gazetaret si Lala, Shkullaku, Bejtja, Rakipi, etj: pikerisht ne profesionin me idealist, keta Jane kampione te mercenarizmit – shiten tek pruresi me i pare.
    – Te ashtuquajturet intelektualë ose shkrimtare si Mynyr Koni, Dhori Kule, Flutra Açka, Mimoza Ahmeti,
    Karagjozi Edmond Tupja, dhe sharlatani Sazan Guri – te cilet perfaqesojne turpin e shoqerise.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje