“Plasin” përgjimet edhe në Shkup, “El Cheka” nga SHBA kërcënon Zaevin dhe Ahmetin

6 Qershor 2019, 17:51Rajoni TEMA

Bombat e përgjimeve duket se kanë tronditur përgjatë ditëve të fundit jo vetëm Tiranën, por edhe Shkupin. Në Maqedoninë e Veriut është rikthyer skandali i publikimit të bisedave të përgjuara mes eksponentëve të qeverisë, por për të përndjekur kësaj radhe kryeministrin Zoran Zaev dhe aleatin e tij shqiptar, kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.

Autori i këtyre përgjimeve, i identifikuar me pseudonimin “El Cheka” ka paralajmëruar se do të vijojë me publikimet deri në hetimin ndërkombëtar të ngjarjeve të Kumanovës.

Pasi ka publikuar disa përgjime të krerëve të BDI-së në rrjetet sociale “El Cheka” i ka drejtuar një mesazh edhe kryeministrit Zaev, lidhur me të dënuarit për tragjedinë e Kumanovës, Sami Ukshini, Valdet Zekaj e Shefqet Hallaqi.

Ai thotë se ka informacione të sigurta se ndaj tyre po organizohet një komplot. I ashtuquajturi “El Cheka” paralajmëron Zaevin se nëse shqiptarëve të dënuar u ndodh diçka në burg, kjo do të shënonte dhe fundin e epokës së tij.

“Vëllezërit tanë Sami Ukshini, Val Zekaj dhe Shek Hallaqi kanë më shumë se asnjëherë nevojë se për lutjet tona, pasi kam marrë disa informata drejtpërdrejt nga një i punësuar në Prokurorinë e Shkupit, që sinjalizojnë se vëllezërit tanë duhet të jenë më vigjilent se kurrë në burgun ku po e vuajnë dënimin” – shkruan El Cheka i cili ka publikuar dy ditë më parë përgjime të reja.

Ai i ka porositur shqiptarët që të mos konsumojnë ushqimin që u jepet në burg dhe të mos dalin nga qelitë, por të qëndrojnë të bashkuar, sepse sipas tij, po përgatitet “diçka” kundër tyre.

” Zoran Zaev duhet ta ketë të qartë se nëse u ndodh diçka, mbaron historia e udhëheqjes së tij dhe Ahmetit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre”, shkruan “El Cheka” në statusin e tij të publikuar në facebook.

Ai i kërkon kryeministrit Zaev të marrë masa dhe të organizojë një hetim ndërkombëtar pasi në të kundërt do të njoftojë “bombën” për rastin e “Sopotit” dhe afati që i “jep” për një hetim ndërkombëtar dhe marrjen e masave zotit Zaev është 62 ditë.

El Cheka është një shqiptar i Maqedonisë së Veriut që ka lindur në Kërçovë dhe që aktualisht jeton në Çikago. Gjatë ditëve të fundit ka publikluar me dhjetëra përgjime në rrjetet sociale.

Në një nga postimet e tij “El Cheka” thotë se “bombat” do t’ua dërgojë CIA-s dhe Ambasadës amerikane në Shkup. Ai ka publikuar dhjetëra biseda të përgjuara në të cilat përfshihen kryesisht zyrtar të lartë të BDI-së dhe paralajmëron se do të vazhdojë me bërjen publike të përgjimeve, nëse në Shkup nuk nis një hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës.

Përveç në profilin “El Cheka”, përgjime të reja janë publikuar edhe në Youtube nga profile të rreme me emër të kryeministri Zoran Zaev. Në një prononcim për rrjetet sociale ai ka thënë se nuk e fsheh identitetin e tij dhe se nuk ka frikë nga ekstradimi duke thënë se do ti publikojë të gjitha materialet e publikuara.

Nga ana tjetër, Ministri I Ekonomisë nga radhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi ka theksuar se bëhet fjalë për biseda private dhe se nuk duhet të keqinterpretohen.

“Nuk do të doja të komentoja gjëra që janë rreptësisht të ndaluara me ligj. Gjithashtu do të doja t’u bëj thirrje mediave se publikimi i tyre është i jashtëligjshëm. Sa u takon bombave kam dëgjuar shkurtimisht disa prej tyre. Janë biseda private, ashtu sic mund të komunikoj me ju privatisht”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale Publike në vendin fqinj ka njoftuar se do të hetojë nëse këto ‘bomba’ i janë dorëzuar autoriteteve, ose bëhet fjalë për disa pjesë të përgjimeve që nuk janë dorëzuar as në LSDM dhe as në Prokurori.

“Do të hetohet gjithashtu nëse janë të sakta pohimet e El Chekës se këto biseda të përgjuara janë të Grupit të Kumanovës”, theksoi prokurori në një deklaratë. Kemi vërtetuar se kush qëndron pas profilit dhe kemi kërkuar që të fshihet profili i ‘El Chekës’ në Facebook, por ai ende është aktiv.

Ndërkaq, ekspertë juridik thonë se publikimi i bisedave të tilla apo të ngjashme dëshmon se nuk ka siguri juridike në vend dhe nëse Prokuroria dhe policia nuk e parandalojnë këtë, mund të ndodhin keqkuptime të mëdha.

Ajo që është e sigurt tani për tani është se El Cheka është personi më i përfolur në Maqedoninë e Veriut e më gjerë, me publikimin e përgjimeve kundër funksionarëve të BDI-së, që targetojnë në veçanti Ali Ahmetin.

Duke iu kundërpërgjugjur këtyre përgjimeve Ahmeti deklaroi se këto “bomba” janë thjesht biseda private, të cilat do dalin nga vëmendja e opinionit publik shumë shpejt.

“Unë nuk kam veshë për të dëgjuar se kush ka bërë ndonjë shaka për mua nëpër bisedat e përgjuara. As nuk i kam dëgjuar se as nuk i dëgjoj, sepse këtu ka organe nga të cilat kemi kërkuar hetim. Por duhet të them që është e patolerueshme që këto të përdoren e keqpërdoren ne tregun e zi të përgjime, të cilat janë shitur në Bit Pazar, Sofje, Stamboll e Ferizaj e Prishtinë për të parë se çfarë kanë folur privatisht. Pse nuk jepen bisedat zyrtare të Ali Ahemtit. A thua ky popull nuk e di që për 17 vite unë nuk kam biseda private me asnjë funksionar të inkriminuar”, deklaroi Ali Ahmeti.

“El Cheka” thotë se materialet e përgjuara i ka siguruar nga disa pjesëtar të grupit të Kumanovës. Pas ngritjes së akuzës nga Prokuroria Themelore e Kërçovës, disa profile me emrin e tij ku shpërndaheshin ‘bombat’ janë mbyllur, por përgjimet të reja janë publikuar nëpër “Fan Page”. Në bisedat që po publikohen protagonistë janë kreu i BDI-së Ali Ahmeti me bashkpartiakët Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Fatmir Deari, Bekir Asani etj.

Me rikthimin e skandalit të përgjimeve, deputeti i VMRO DPMNE-së Ilija Dimovski ka thënë se kanë gabuar shumë që nuk kanë shpallur zgjedhje kur shpërtheu skandali i përgjimeve, por theksoi se edhe pushteti aktual ka standarde të dyfishta.

“Gabuam që nuk shpallëm menjëherë zgjedhje të reja pas skandalit të përgjimeve, por edhe pushteti aktual po tregon standarde të dyfishta, zgjedhjet e parakohshme nuk janë larg”, theksoi ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje