Takimi me Merkel, Haradinaj parashikon dy mundësi për vazhdimin e dialogut me Serbinë

6 Qershor 2019, 13:19Rajoni TEMA

Janë dy mundësi për përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Komentet e tij, Haradinaj i bëri pas takimit që zhvilloi në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Dialogu me Serbinë, çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe bashkëpunimi reciprok, u tha se ishin temat kryesore të diskutuara në takimin Merkel – Haradinaj.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Haradinaj tha se nuk pret që procesi të përmbyllet shpejt.

“Janë dy mundësi, e para është mundësia e një vendimi të madh dhe ne duhet që ende të shpresojmë në këtë mundësi, sidomos pas involvimit të presidentit Donald Trump dhe tash të përfshirjes direkte të kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron për arritjen e një marrëveshjeje të madhe. E nëse kjo nuk arrihet, atëherë mundësia tjetër është të ketë një proces disa mujor apo disa vjeçar”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës tha se megjithatë, nuk shpreson shumë se do të ketë një marrëveshje të shpejtë, duke parashikuar mundësinë që fillimisht të ketë një marrëveshje kornizë e cila përmes një përfaqësuesi special ndërkombëtar do të diskutohet deri në finalizimin e saj.

“Ndoshta duhet ta shfrytëzojmë këtë energji për një kornizë marrëveshje të parë e cila pastaj do të negociohet në një proces nga një përfaqësues i lartë ndërkombëtar siç ishte Federica Mogherini, por do të jetë një tjetër, dhe unë mendoj se Berlini do të ketë prezencë direkte me një përfaqësues special apo me një të ngarkuar në këtë proces”, theksoi Haradinaj.

Vazhdimi i dialogut dhe arritja e marrëveshjes është në interesin e Kosovës dhe Serbisë, tha Haradinaj, por si Kosovë, theksoi ai, çështje e pazgjidhur ka mbetur njohja e Kosovës nga Serbia dhe ky, sipas tij, duhet të jetë qëllimi kryesor.

Sipas Haradinajt, kancelarja Merkel ishte e interesuar për vazhdimin e dialogut. Ai tha se është diskutuar edhe çështja e taksës 100 për qind të cilën Qeveria e Kosovës e ka vënë për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina dhe e cila po shihet nga Serbia si pengesë për dialogun. Por, Haradinaj tha se në këtë fazë nuk ka asnjë vendim për heqjen apo pezullimin e taksës, duke ritheksuar se dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime.

Takimi i Haradinajt me kancelaren Merkel po shihet edhe si parapërgatitje e takimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, më 1 korrik në Paris, nikoqir i të cilit do të jetë presidenti francez, Emanuel Macron.

Po të enjten, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga “GlobSec” në Bratisllavë të Sllovakisë, ku merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi tha se nuk parashihet ndonjë takim ndërmjet tij dhe presidentit të Serbisë, por ritheksoi se të dy vendet duhet të arrijnë një marrëveshje historike.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdohet pa kushtëzime, në mënyrë që të përmbyllet ky proces historik, i cili nuk është i lehtë, është shumë i rëndë dhe që ka si qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe do të përfundonte me njohje reciproke në mes vendeve tona dhe njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, tha Thaçi.

Edhe këtë herë, Thaçi tha se e mbështetë idenë që komunat jugore të Serbisë, Presheva, Medvegja e Bujanoci, t’i bashkohen Kosovës, por në anën tjetër tha se Kosova nuk është e gatshme t’i jap Serbisë asnjë pëllëmbë të territorit të saj.

Marrëveshja, sipas tij, do t’i siguronte Kosovës edhe perspektivë integruese evropiane dhe do të kontribuonte për stabilitetin e përgjithshëm të rajonit të Ballkanit.(rel)

2 komente në “Takimi me Merkel, Haradinaj parashikon dy mundësi për vazhdimin e dialogut me Serbinë”

  1. SHKELZENI says:

    ASNJEHERE NUK DO MERNI LIBEALIZIMIN E VIZAVE
    E PARA : DUHET TE JAPIN AKORDIN TE GJITHA SHTETET E KOLUNITETIT EUROPIANE .
    E DYTA : JANE 5 SHTETE QE NUK E NJOHIN KOSOVEN
    NESE NJERA NGA SHTETET NUK PRANON NUK KA ACCORDÉ
    DO TE THOTE QE NUK KA LIBERALIZIM TE VIZAVE MOS E GENJEN POPULLIN FLISNI HAPUR SHOKU RIJE I DISKOTEKES

  2. Elton says:

    Çfare eshte kjo fjalë – Involmimit? ( Involved- në anglisht).
    Ku ka si shqipja- duhet shkruajtur – Përfshirjes!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje