Dhurimi i gjakut nga LSI, entuziasmon Jarin si gjetje elektorale

7 Shtator 2019, 19:06Antena TEMA

Siç u pa nga festimet e 15 vjetorit të LSI, lëvizja më e bujshme ishte që gjithë të ftuarit nga LSI, para festës shkuan dhuruan gjak.

Në pamje të parë ky duket si një gjest normal humanitar, por Jari zbulon domethënien e këtij akti, nga pikëpamja elektorale:

“Të dashur demokratë,

Jari ju sqaron!

Unë mendoj se LSI ka bërë një lëvizje shumë të zgjuar duke dhuruar gjak me rastin e 15 vjetorit të partisë.

Në këtë krizë politike, kur elektorati luhatet nga presioni i qeverisë së krimit, operimi përmes dhënies së gjakut është një lëvizje e zgjuar.

Njerëzit që marrin gjakun e LSI, janë njerëz në nevojë, dhe ata bashkë me gjakun marrin dhe një lloj indioktrinimi politik.

Pra LSI e ka menduar shumë mirë, që mbijetesën e saj ta sigurojë përmes dhurimit të gjakut.

Tani ata që do marrin gjakun e Monikës, do jenë më agresivë me Edi Ramën, do flasin më shumë për bamirësi, do luftojnë qendrat tregtare, do duan më shumë Gjirin e Lalzit, dhe në rast se rrezikohen këtu, mund të ikin në Angli.

E gjithë kjo që ka bërë LSI, është një lëvizje e mençur për mbijetesë dhe për të garantuar trashëgiminë politike në rrugë biologjike.

Ai që ka marrë gjakun e Tit Vasilit, do shajë çdo mëngjes Ed Ramën si i pashkollë, pastaj SHBA, BE, dhe në fund mund t’i heqin vizën amerikane, duke e garantuar si votues të rregullt në Shqipëri.

Ata që do marrin gjakun e Ilir Metës do kujdesen më shumë për macet, nuk do t’i lënë të hipin në pemë, do ndihmojnë qen rrugësh kur dalin jashtë, si Darkon në Bosnjë, do parashikojnë tërmetet, do ngjiten në Korab dhe do kenë ëndërr të dalin në foto me Çim Pekën.

Kështu do vazhdojë lista me të gjithë anëtarët e tjerë të LSI.

Duke shpërndarë gjakun e tyre, ata sigurojnë vazhdimësi të LSI-së dhe përhapje të ideve të tyre.

Ndaj rekomandoj që kjo është një mënyrë e mirë për mbijetesë në opozitë.

Këtë duhet ta bëj dhe PD.

Në radhë të parë Doktori duhet të dhurojë gjak, por që të jemi të sigurtë, gjakun e Doktorit duhet ta marrë Luli, që të forcohet pak më shumë, mos ta gënjejë Rama dhe të mos iki çdo fundjavë në Holandë.

Pastaj të tjerët mund të dhurojnë për popullin, që të kemi sa më shumë njerëz si Paloka, Noka, Bumçi, Alibeaj, Gaz Bardhi dhe sidomos si Grida Dume.

Salianji dhe po nuk dha, nuk është problem.

Ju bëj thirrje ta merni seriozisht këtë metodë.

Në kushtet e rrezikut të shkrirjes së PD, kjo është një mënyre e sigurtë për mbijetesë.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje