Ilir Meta publikon “mbrojtjen” që ka bërë para Komisionit të Venecias për 30 Qershorin: 16 arsye në 55 faqe

16 Shtator 2019, 19:17Politika TEMA

Faqja zyrtare e presidentit të Republikës ka publikuar arsyet që Ilir Meta I ka dhënë Komisionit të Venecias lidhur me çdekretimin e zgjedhjeve më 30 Qershor.

Ilir  Meta këmbëngul se zgjedhjet e zhvilluara vetëm me pjesëmarrjen e socialistëve janë të paligjshme, ndërsa përmend edhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese që ka thelluar krizën.

Meta përmend në raport faktin e bërë publik ditë më parë për djegien e Parlamentit.

“Presidenti mori informacion të besueshëm zyrtar nga institucione shumë të rëndësishme të sigurisë kombëtare se protesta e datës 8 qershor do të shfrytëzohej për djegien e Parlamentit dhe me qëllime destabilizuese”, thekson Meta midis të tjerash në dokument.

Meta shprehet se Kolegji Zgjedhor nuk mund të vendosë për dekretin e kreut të shtetit. “Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur mbi kushtetueshmërinë e dekreteve presidenciale, ndërsa Kolegji Zgjedhor ka mandat të mbikëqyrë ligjmërinë e procesit zgjedhor”, thuhet në raport.

Kreu i shteti nënvizon gjithashtu se Kodi Zgjedhor në Shqipëri nuk ka asnjë parashikim mbi mënyrën se si mund të zhvillohen zgjedhje vetëm me një palë politike.

“Vlen të theksohet se Kodi Zgjedhor nuk ka asnjë parashikim ligjor mbi mënyrën se si mund të zgjidhen apo trajtohet çështja kur në zgjedhje merr pjesë kryesisht vetëm një forcë e qëndrueshme politike (siç konstatoi edhe raporti i OSBE/ODIHR)”, shkruhet në raport.

Meta shpreh se si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ashtu edhe Parlamenti, ku të dyja institucioneve kanë shumicë përfaqësuese nga Partia Socialiste, “kanë vepruar në mënyrë tepër të koordinuar por jo institucionale me njërit-tjetrin me qëllim që dekreti i Presidentit të Republikës nr.11199 datë 10.06.2019 të mos zbatohet por pa mundur të shprehen ligjërisht me një akt për të cenuar apo shfuqizuar fuqinë detyruese të tij (dekretit)”.

Për Metën, “data 30 qershor 2019 nuk ekziston si datë zgjedhjesh “për organet e qeverisjes vendore të Republikës së Shqipërisë, pasi akti i Presidentit të Republikës që e caktonte këtë datë është shfuqizuar nga vetë autoriteti kushtetues që e ka nxjerrë atë (Presidenti i Republikës)”.

Në fund, kreu i shtetit jep 16 arsye se pse vendosi të ndërhynte, duke shtuar se synonte t’i jepte palëve kohë për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut.

Rapport i plote kliko ketu

http://president.al/wp-content/uploads/2019/09/001-RAPORT-SHPJEGUES.pdf

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje