Sulmet ndaj naftës saudite, “çmenden” çmimet e karburanteve në tregjet botërore. SHBA akuzon Iranin, Teherani mohon dhe kërcënon me luftë

16 Shtator 2019, 09:31Ekonomia TEMA

Dy sulmet e fundit ndaj naftës saudite – një uzinë përpunimi  e një fushë naftëmbajtëse – kanë bërë që i gjithë furnizimi me karburante në botë të përballet me rritje çmimesh.

Nafta e papërpunuar është përballur me një rritje prej 10% në barelë në SHBA, ndërsa në tregjet aziatike ka shënuar rritje prej 8.9%.

Çmimet u normalizuan shumë pak pasi presidenti amerikan Donald Trump autorizoi përdorimin e rezervave.

Sulmi, për të cilin po fajësohet Irani, ka ngritur frikën e rritjes së çmimit të energjisë gjithashtu.

Jeffrey Halley, një analist i çmimeve të naftës, tha se luhatjet në fjalë janë reagim ndaj implikimeve politike dhe gjeopolitike.

Sauditët, megjithatë nuk kanë dhënë detaje për sulmin, duke u mjaftuar me deklaratat se nuk ka pasur pasoja në njerëz, apo se janë të gatshëm t’u përgjigjen atyre me të njëjtën gjuhë, siç deklaroi një ditë më parë Princi Bin Salman.

Prodhimi i naftës ra 50% nga sulmet

Arabia Saudite po përpiqet të normalizojë operacionet në fushat kryesore naftëmbajtëse pas sulmeve me dronë që reduktuan në 50% prodhimin e naftës në vend.

Autoritetet në Riad thonë se do të përdorin rezervat kombëtare të naftës për të stabilizuar linjat e furnizimit botëror me naftë.

Ndërkaq, vazhdon paqartësia lidhur me organizatorët e sulmit që shkaktuan një rënie prej 5.7 milionë fuçish në ditë ose rreth 6% e prodhimit global të naftës në ditë.

Po ashtu mbetet e paqartë pikënisja e raketave që goditën të shtunën objektin saudit të prodhimit të naftës.

Video amatore tregojnë flakë të fuqishme që kanë përfshirë objektin në lindje të vendit.

Dje pasdite qiejt mbi qytetin Abkaid ishin mbuluar nga tymi. Zyrtarët sauditë thonë se nuk ka pasur dëme në njerëz nga sulmi.

Një zëdhënës ushtarak për grupet kryengritëse huti në Jemen mori përgjegjësi për sulmet dhe u betua të intensifikojë goditjet nëse sauditët vazhdojnë të sulmojnë objektivat e hutive në Jemen.

Hutitë janë një grup shiit në Jemen që vazhdon të luftojë prej vitesh me forcat qeveritare.

Por dje sekretari i Shtetit, Mike Pompeo fajësoi Iranin për sulmin, duke përjashtuar mundësinë që hutitë të ishin të përfshirë në këtë akt.

“Nuk ka prova që sulmet erdhën nga Jemeni,” tha ai.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të ofronte prova për deklaratat e zotit Pompeo.

Irani ka hedhur poshtë njoftimet se kishte lidhje me sulmin.

Irani mohon akuzat dhe kërcënon

Irani kundërshtoi akuzat e SHBA-së për sulmet me dron në fabrikat e rafinerisë në Arabinë Saudite.

Një komandant i lartë i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, ndërkohë, paralajmëroi Uashingtonin se Teherani është gati për luftë.

Akuzat se Irani fshihet pas sulmeve me dron ndaj rafinerive të naftës Saudite janë “të pabazuara” dhe false, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Seyyed Abbas Mousavi.

Ai gjithashtu tha që zyrtarët në Uashington po akuzojnë Iranin në mënyrë që të dëmtojnë imazhin e tij në skenën botërore në përgatitjen e “veprimeve të ardhshme” kundër Teheranit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje