Gjithçka duhet të dini për derbin Partizani-Tirana

13 Dhjetor 2019, 12:47Sport TEMA

Pas ditëve të vështira që kaloi vendi ynë pas tërmetit, kryeqyteti po merr jetë.

E kush më mirë se një derbi mes Partizanit dhe Tiranës do t’i hiqte panikun e ditëve të fundit, për më tepër që një pjesë e fitimeve nga biletat do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti.

Dy ekipet historike të futbollit shqiptar do të masin forcat sot në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”. Partizani kërkon të ruajë pozitat në krye, ndërsa Tirana të rehabilitohet.

PARTIZANI

Jo pak probleme për Franco Lerdën, i cili kërkon të thellojë dominimin e të kuqve, që nuk humbasin një derbi prej 18 takimesh. Italiani ka humbur dy futbollistë cilësorë në mesfushë, si Rron Broja dhe Bruno Telushi, por edhe Malën, që është përjashtuar nga ekipi.

E si pasojë, ndryshimet do të jenë të mëdha në repartin e mesit të fushës. Alesio Hyseni pritet të jetë risia e madhe e derbit, që së bashku me Melon, Romeron, Trashin dhe Idrizin do të mundohen të bëjnë mirë në repartin e mesfushës.

Sulmi mendohet se do t’i besohet Bardhi dhe Solomon, me këtë të fundit që duket se ka fituar balotazhin me Çinarin. Hoxha do të mbrojë katërkëndëshin, i ndihmuar edhe nga treshja e mbrojtjes, Bitri-Belica-Boldor.

TIRANA

Egbo nuk e ka “shkopin magjik” pas largimit të Ahmataj, por e njeh mjaft mirë skuadrën, pasi punon këtu prej 2001 dhe objektivi është i qartë: Fitorja e një derbi pas 5 vitesh.

Për ta arritur këtë, i duhet një shpikje, kjo edhe për shkak të mungesave. Me Cale të pezulluar dhe Dungën e Hasanin të dëmtuar, Egbosë i duhet të lëviz kartat.

Skema do të jetë e njëjtë, ajo 4-3-3, e cila pritet të formohet nga Lika në portë, Doka, Muça, Vangjeli dhe Hoxhallari në mbrojtje. Batha, Torasa, Çelhaka në mesfushë dhe Ngoo i vetëm në majën e sulmit, me anglezin që do të ndihmohet nga dyshja Halili-Kobina.

TË DHËNAT PËR DERBIN

Ky do të jetë derbi i 155-të i kryeqytetit, ku Partizani ka fituar 66 ndeshje, ndërsa Tirana 40. Takimi i sotëm do të gjykohet me 6 arbitra në fushë, ku kryesor do të jetë Enea Jorgji.

Asistentë të tij do të jenë Denis Rexha dhe Rejdi Avdo. Dojanto Myftari është arbitër i katërt, ndërsa arbitra të linjës, pas porte, do të jenë Juxhin Xhaja dhe Kridens Meta.

Takimi i parë mes këtyre skuadrave është luajtur më 30 mars 1947, ku të kuqtë fituan 8-0, çka është edhe fitorja më e thellë e Partizanit. Tirana është hakmarrë më 22 shtator 1985 kur fitoi 7-3.

Parashikohet mot i paqëndrueshëm për kryeqytetin, ku priten reshje shiu edhe në orarin e ndeshjes, 19:00. Temperaturat pritet të jetë 9-10 gradë celsius. Stadiumi i ri është i mbuluar dhe ofron komodet për tifozët.

Partizani shikohet si favorit, duke i dhënë 50% mundësi fitoreje, 17% vlerësohen mundësitë për Tiranën, ndërsa 33% shikohet barazimi (rezultati 2-2 është regjistruar më shumë herë mes këtyre skuadrave, plot 29 herë).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje