Përplasja për dosjen e lobimit, Prokuroria e Tiranës shkon në gjykatë me dy qëndrime

13 Dhjetor 2019, 14:48Politika TEMA

Në limetet e afateve proceduriale Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim me akuzën e “falsifikimit” çështjen ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha për paratë e shpenzuara në lobim. Akuza shkon para gjykatës e ndarë, pasi drejtuesja e prokurorisë pretendon se në dosje ka akte të pavlefshme, ndërsa prokurorët e çështjes akuzojnë për vonesa të pajustifikuara.

Nga Edmond Hoxhaj

Pasi qëndroi më shumë se një muaj në zyrat e prokurorisë së Tiranës dosja kundër kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dy funksionarëve të kësaj partie u dërgua të enjten më 12 dhjetor në gjykatë, por akuza e përfaqësuar nga tre prokurorë të çështjes shkon para gjykatësit paraprak me qëndrime të ndryshme. Dy prokurorë të dosjes hoqën akuzën e “pastrimit të parave”

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj dhe po ashtu një nga tre prokurorët e çështjes, i cili nuk ka firmosur kërkesën për dërgim të dosjes në gjyq, duket se kërkojnë hetime të tjera.  Imeraj i tha BIRN se kishte bashkëlidhur dosjes edhe udhëzimin e saj për hetime shtesë, pasi ai nuk ishte përfilluar nga 2 prokurorët e çështjes. Ajo kërkon edhe marrjen në pyetje të lobistit të paguar Nicolas Muzin, i cili duket se nuk ka dëshmuar edhe pas më shumë se 2 vite hetimesh. Imeraj tha se gjykata do të vlerësonte nëse do të rihapeshin apo jo hetimet dhe po ashtu edhe për vlefshmërinë e akteve.

Nga ana e tij prokurori Ervin Karanxha, kundërshtoi pretendimet e Imerajt. Karanxha, i vetmi nga tre prokurorët e çështjes që pranoi të komentonte, i tha BIRN se shkelja në këtë rast ishte e drejtuesve të prokurorisë që kishin vonuar me një muaj dërgimin e dosjes në gjykatë. “Vonesa është e pajustifikuar një muaj, duhej të kishte shkuar në gjyq dosja”, tha Karanxha, ndërsa shtoi se për pretendimet për vlefshmëri apo pavlefshmëri aktesh do të shprehej gjykata. Prokurori tjetër i cili firmosi kërkesën për gjykim Gjergji Tako, refuzoi të komentonte. Po ashtu edhe prokurori Kol Hysenaj, i cili nuk ka firmosur aktin e dërgimit në gjyq, u përgjigj se nuk mund të komentonte çështjet të cilat kishte në hetim.

Basha dhe dy zyrtarët e tjerë i kanë mohuar akuzat. Në një reagim zyrtarë kur u njoftua mbyllja e hetimeve në nëntor PD i quajti prokurorët të keqpëdorur.

Kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi u morën të pandehur në qershor të këtij viti për akuzat e “pastrimit të parave” dhe “falsifikimit”, sa i përket mosdeklarimit të 675 mijë dollarëve paguar në emër të Partisë Demokratike për kompani lobimi pjesë e Muzin Capitol Partners drejtuar nga Nicolas Muzin. Paratë u paguan sipas deklarimeve të kompanisë “Stonington Strategies” në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD në vitin 2017 dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci, në vlerën e 150 mijë USD. PD deklaroi në Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve vetëm pagesën 25 mijë dollarëve.

Megjithatë disa muaj pas marrjes së pandehur të Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD, dy prokurorë të çështjes Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako firmosën kërkesën për dërgimin e saj në gjyq vetëm për akuzën e falsifikimit. Prokurori tjetër Hysenaj u duket se nuk ishte dakord me këtë përfundim. Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj, bllokoi dërgimin e çështjes para gjykatës, duke pretenduar për parregullsi në dosje.

Më 12 dhjetor Imeraj vendosi të dërgonte dosjen në gjykatë duke shpjeguar megjithatë se sipas saj në dosje kishte akte të pavlefshme dhe hetimet duhej të vijonin. Ajo i tha BIRN se i ka bashkangjitur asaj udhëzimet e saj që nuk janë marrë parasysh nga dy prokurorë të çështjes. “Për shkak të afatit hetimor, çështja është dërguar për gjykim. Në nenin 332/ç të kodit të procedurës penale thuhet se ‘kur konstatohen akte të pavlefshme ose prova të papërdorshme gjykata i deklaron ato me vendim, dhe mundet të urdhërojë dhe përsëritjen e tyre’”, sqaroi për BIRN mbrëmjen e të enjtes drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Ajo shtoi se prokurorët kishin konkluduar në vendimarrje me njoftim përfundim hetimesh dhe dërgim çështje për gjykim dhe ajo nuk mund ta ndryshonte këtë vendim. Imeraj tha se dosja hetimore përmban edhe udhëzimin e saj për kryerje veprimesh të tjera hetimore, si pyetja e Nicolas Muzin, një këshilltar strategjik dhe zëvendës-shef shtabi për senatorin Republikan, Ted Cruz gjatë fushatës së tij për President në vitin 2016, i cili është themelues i Muzin Capitol Partners LLC.

“Por udhëzimi për çështje konkrete ka karakter jo detyrues për prokurorin që është i pavarur. Drejtuesi i prokurorisë ka konstatuar disa shkelje ku shihet që aktet e prokurorëve të çështjes, mundet të jenë të pavlefshme, por për shkak të respektimit të pavarësisë së prokurorit, pavlefshmëria e tyre mundet të deklarohet vetëm në gjykatë, në seancë paraprake”, sqaron Imeraj lidhur me situatën proceduriale të kalimit të dosjes në gjykatë.

Prokurori Ervin Karanxha kundërshtoi këto pohim. “Vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e aktit e cakton gjykata, megjithatë unë them se nuk ka asnjë akt të pavlefshëm, pasi aktet janë marrë nga prokurori”, tha Karanxha. Ai shtoi se priste që gjykata të vlerësonte dosjen dhe aktet, ndërsa tha se ajo ishte vonuar në mënyrë të pajustifikuar dhe se duhej të kishte shkuar në gjyq më herët. Ai tha se ishte prokurori që vendoste me bindje dhe se ai ishte shprehur për këtë në kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq dhe mbylljen e hetimeve.

Partia Demokratike dhe kreu i saj Lulzim Basha i kanë mohuar vazhdimisht akuzat dhe kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama për stisje të tyre. Pas njoftimit për dërgimin e çështjes në gjyq vetëm për akuzën e falsifikimit PD reagoi duke e cilësuar këtë si tërheqje të prokurorisë nga akuzat e stisura.

“Pasi u keqpërdorën duke akuzuar zyrtarët e Partisë Demokratike për pastrim parash dhe përdorim të parave ruse, prokuroria sot u detyrua të pranojë se këto akuzave të stisura nuk qëndrojnë,” shkruhet në deklaratë.

“Partia Demokratike vlerëson faktin që pas 2 viteve të mbajtjes së kësaj çështje të hapur për qëllime propagande qeveritare, çështja është dërguar në gjyq. Tashmë shqiptarët do të kenë mundësi të njihen me dokumentet e plota, në seanca gjyqësore të hapura dhe transparente, ku do të provohet se Partia Demokratike ka bërë transparencë të plotë të financave të saj dhe ka deklaruar në përputhje me ligjin çdo shpenzim të kryer,” shtoi PD.

Akuzat i mohoi edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i PD Arben ristani.  “As kam firmosur, as kam vulosur dhe as kam përpiluar akt dhe për rrjedhojë nuk kam se si të kem falsifikuar,” deklaroi Arben Ristani, ndërsa shtoi se as PD nuk kishte bërë shkelje të ligjit.

2 komente në “Përplasja për dosjen e lobimit, Prokuroria e Tiranës shkon në gjykatë me dy qëndrime”

  1. Ervis says:

    Kot behet gam gam se nje mut do bejne!
    rama – basha mbajne njeri tjetrin me politike, tendera, tentakula ne drejtesi e ne cdo menyre te mundshme!
    E gjitha eshte vetem per konsum mediatik, basha nje mut ka per tu denuar.
    Sa te jete rama kryeminister e sigurt qe s’do denohet!

  2. Shpiragu says:

    Jam i bindur se Basha nuk do te shikoj as deren e burgut e jo qeline. keto jane dredhina e mashtrime per te dale Basha i pa lagur ashtu si me rrugen e kombit. hajt naten e mire e gjum te embel. Si thote populli : ” Selanike e tatepjete ,si ka qene e do te jete”
    Dyrte eburgjeve mbyllen me para e jo me celsa…….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje