Skënderbeu i dy ekstremeve dhe Skënderbeu real

17 Janar 2020, 15:18Kulturë TEMA

Nga Azdren Shala

Funksioni i mitit të Skënderbeut: “Historia e shkruar është zëvendësim i historisë së bërë”, thoshte Jean Paul Sartre duke shprehur kështu skepticizmin ndaj rrëfimeve mbi historinë. Ky konstatim i tij duket se merr aq shumë kuptim nëse e shikojmë përdorimin e historisë përgjatë shek. XIX – XX. Gjatë gjithë epokës së nacionalizmave, kur grupe shoqërore dhe etnike u angazhuan në konsolidimin e shteteve – kombe, mjeti kryesor që e përdoren në mobilizimin e masave duke iu krijuar mitin e një prejardhjeje të përbashkët ishte edhe historia. Kthimi mbrapa tek e kaluara historike shtronte nevojën e ideologëve në gjetjen e ngjarjeve dhe heronjve të cilët do të shërbenin si burim frymëzimi për masat të cilat kishin nevojë për ngjarje dhe heronj unifikues. Në kuadrin e këtyre shpërthimeve nacionaliste, skemat e konsolidimeve kombëtare ishin pak a shumë të njëjta tek të gjithë popujt. Jashtë këtyre skemave nuk bëri përjashtim Lëvizja Kombëtare Shqiptare e cila u angazhua në konstruktimin e nacionalizmit shqiptar duke gjurmuar në të kaluarën historike dhe në gjetjen e një figure e cila do t’i unifikonte shqiptarët. Në këtë drejtim, figura dhe vepra e Skënderbeut merr peshën themeltare.

Në kodin e tij ndërlidhen të gjitha përkatësitë dhe veçoritë kombëtare të shqiptarëve pa marrë parasysh dallimet ekzistuese, figura e tij rrezaton vlera me të cilat identifikohen shqiptarët e besimeve të ndryshme. Në simbolikën e tij të gjithë shqiptarët e ndjejnë veten në shtëpi. Jeta e tij, lufta, politika, raporti i tij me të kaluarën, të tashmen, të ardhmen, me religjionin, me fiset dhe shqiptarët në përgjithësi paraqet një formulë, një recetë të përsosur për krijimin e një kohezioni të brendshëm, sa që të shkon mendja se dikush, një intelekt mbinatyror na ka lënë një udhëzim për mbijetesë: lind si ortodoks, rritu si mysliman dhe ndërro jetë si katolik! Kështu, duke u bazuar në këto premisa që e karakterizonin figurën e Skënderbeut, Rilindja Kombëtare Shqiptare e përdori figurën e tij si mjet për të arritur qëllimin e saj politik, pra, krijimin dhe forcimin e një nacionalizmi shqiptar.

Glorifikues e mohues

Por, nëse shkojmë përtej mitit i cili u krijua gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, atëherë lind pyetja: cili është Skënderbeu real, a dallon ai nga miti i tij? Kjo pyetje ka angazhuar më pas studiues të ndryshëm të shkencave sociale që figura e tij të trajtohet në mënyrë sa më shkencore. Deri më sot, edhe Skënderbeu sikur shumë figura tjera historike, ka kaluar në filtrin e tri fazave vlerësuese: glorifikimi, rënia dhe rivlerësimi. Por, ajo që e karakterizon figurën e Skënderbeut, është se trajtimi i tij nuk është bërë në mënyrë lineare duke kaluar nga një fazë në fazën tjetër të vlerësimit, por në shumtën e kohës këto tri forma vlerësimi janë shpërfaqur në kohë të njëjtë duke krijuar perceptime të ndryshme rreth figurës së tij. Gjatë këtyre tri fazave Skënderbeu është parë nga dy këndvështrime krejtësisht të kundërta, të cilat për më tepër janë mohim i njëra tjetrës. Këto dy ekstreme që shfaqen në vlerësimin ndaj figurës së tij, janë pasojë e mosnjohjes së historisë dhe ngarkesave ideologjike në raport me historinë, e të dyja këto shpesh herë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën.

Duke ekzistuar kështu dy pozicione krejtësisht të kundërta, pozicioni i parë, ai i mitit të Skënderbeut, e ka kushtëzuar shumë mendimin dhe trajtimin e figurës së tij tek pozicioni i dytë, tek ata që mohojnë pothuajse në tërësi peshën dhe vlerën e tij. Glorifikuesit e Skënderbeut, nga letërsia dhe artet kanë injektuar prej shekujsh te shqiptarët imazhin e ngurtë të një heroi të rreptë, deri shkëmbor ku lufta ishte zanati i tij duke e bërë kështu Skënderbeun viktimë të shquar të asaj lloj qasje historiografie e mitologjie që Marc Bloch do t’i thoshte si “histori batalie” (histori – luftë). Ky lloj trajtimi njëdimensional i Skënderbeut luftëtar u inaugurua nga Marin Barleti, sharmi i të cilit vazhdoi prej shekujsh ti magjepsë rilindësit shqiptarë të cilët e kultivuan edhe më tej atë lloj qasje për të krijuar kështu një profil legjendar të figurës së Skënderbeut.

Nga ky perceptim mitik mbi figurën e tij, duke dashur që ta zbresin stadin e një figure reale, mohuesit kanë kaluar në mohimin e plotë të figurës së Skënderbeut. Gabimi i vazhdueshëm që ka kjo lloj qasjeje në trajtimin dhe analizën e figurës së tij është fakti, që nuk trajtohet Skënderbeu i dokumenteve dhe kështu për të zbuluar të plotë profilin e tij, por merren me mitin duke kaluar në pozicione krejtësisht mohuese. Injorimi i faktit që ekziston një Skënderbe real, përtej atij mitik, bën që këta studiues gjatë interpretimit dhe çmitizimit të nxjerrin në pah një profil krejtësisht të deformuar, ngaqë ky profil “i ri” i tyre nuk është produkt i një hulumtimi të dokumentacionit historik rreth figurës së Skënderbeut, por është një refleks sipërfaqësor i njohjes që vjen vetëm si pasojë e një intelekti mesatar që arrin të kuptojë vetëm pamundësinë e mos ekzistimit të një figure mitike me përmasat me të cilat paraqitet në mitin e tij, por, asgjë më shumë se kaq. Thënë ndryshe, baza e studimit të një Skënderbeu real, nuk duhet kurrsesi të jetë pikënisje vërtetësia ose falsiteti i mitit të tij, por hulumtimi dhe analiza e fakteve dhe dokumenteve historike, e të cilat janë të mjaftueshme për ta krijuar një profil të plotë të figurës së Skënderbeut.

Cili është Skënderbeu real?

Megjithëse në trajtimin e figurës së Skënderbeut, që nga Barleti e deri më sot, kanë zënë vend dy qëndrime krejtësisht të kundërta, glorifikim deri në përmasa hyjnore, dhe mohim deri edhe vetë ekzistencën e tij si aktivitet ushtarak e politik (jo si qenie biologjike), megjithatë përgjatë shekullit XX e deri më sot, ka pasur një qasje analitike e studimore më serioze ndaj figurës së Skënderbeut. Kjo metodologji, edhe pse me problemet e saj, duke qenë nga njëra anë nën influencën e inercisë së rilindësve (glorifikuesve) dhe nga ana tjetër e hapur ndaj nevojës për një trajtim shkencor të mirëfilltë, ka arritur të shkëputet mjaftueshëm nga të dyja këto shabllone mendimi duke e nxjerrë kështu një Skënderbe real të bazuar në dokumente historike.

Në këtë mes studimet e Fan Nolit, Athanas Gegajt, Aleks Budës, Kristo Frashërit, Aurel Plasarit, Virgjil Kuke, Pëllumb Xhufit etj, me gjithë ngarkesat ideologjike, janë një kontribut i madh në zbulimin e një Skënderbeu real. Nga këto studime, duke interpretuar dokumentacionin e bollshëm historik të nxjerrë nga arkivat e ndryshëm, na rezulton që Skënderbeu nuk ishte as personazhi legjendar i mesjetës i cili me një të valëvitur të shpatës së tij mbaronte punë me osmanët, por as ekzistenca e tij nuk mund të mohohet duke qenë se dokumentet historike na tregojnë për një njeri real i cili në saje të aftësive të tij ishte shndërruar në një protagonist i rëndësishëm i mesjetës që arriti deri në atë pikë sa ndërtonte e të prishte balanca në konfliktin Evropë – Perandori Osmane. Po të përcillet veprimtaria e tij në mënyrë kronologjike përgjatë njëzetë e pesë viteve sa luftoi ai, tek figura e tij na del profil i një diplomati i cili bënte ndërlidhjet në mënyrë të shkëlqyer mes situatave lokale dhe atyre globale; na del profili i një ushtaraku i cili ndërtonte çdo herë strategji të reja sipas rrethanave që imponoheshin. Por, përtej prirjeve të tij politike dhe ushtarake, te figura e tij jetonte dhe karakteri prej një humanisti i cili arriti ta kuptonte mirë rrezikun osman si kërcënim për Evropën ku mes tjerash humanizmi dhe renesanca kishin lëshuar shtat. Kështu, Skënderbeu real, na rezulton të jetë njeriu vizionar tek i cili mishërohej aftësia për të lexuar politikën dhe luftën aq mirë, sa që në saje të kësaj aftësie arriti t’i bënte ballë furisë osmane për njëzetë e pesë vite.

Ai vetë e dinte, se lufta e tij pa një kundërmësymje evropiane ishte e destinuar të dështonte, prandaj si një njohës i mirë rrethanave të kohës, arriti të imponohej dhe të krijonte aleanca ndërkombëtare me anë të të cilave zhvillonte aktivitet të ngjeshur diplomatik. Në saje të këtij aktiviteti, figura e tij merr përmasa universale nga ku edhe koncepti Arbëri Politike mori kuptim të ri juridik dhe politik. Kështu, për tu ofruar sa më shumë një Skënderbeu real, duhet të zbresim në logjiken e funksionimit shoqëror të mesjetës, siç dhe na këshillon poeti i madh gjerman J. V Gëte, se: “nëse duam ta portretizojmë në mënyrë objektive profilin e një figure historike, atëherë veprimtaria e tij nuk duhet të shkëputet nga konteksti i gjerë politik, shoqëror dhe kulturor i kohës”. Dhe ky mësim aq shumë vlen në rastin konkret. Nga këtu, Skënderbeu reulton të jetë një figurë reale i cili u angazhua po thuajse i vetëm në luftën kundër osmanëve, duke u shndërruar në mburojë për civilizimin evropian. Sot e kësaj dite, Skënderbeu heroi i shqiptarëve, vazhdon të jetë dhe figura më e respektuar në Evropë, për lirin e të cilës aq shumë u angazhua.

7 komente në “Skënderbeu i dy ekstremeve dhe Skënderbeu real”

  1. Klimax says:

    E verteta eshte se nuk e mora vesh se cfare do te thuash e ku do te dalesh!!!! Mbi te gjitha nuk besoj se e ke kapacitetin te vleresosh veprat historiko-shkencore te titaneve qe u moren me studimin e figures se Gjergj Kastriotit!

  2. albaniafirst says:

    Artikull dhe analize perfekte. Skenderbeu dhe shqiptaret luftuan per lirinee vendit te tyre, por kjo lufte sherbeu per te ruajtur Europen nga murtaja osmane. Sot Europa qe u zhvillua e mbrojtur prej popullit tone nen udheheqjen e te madhit Skenderbe, ka harruar te kaluaren dhe injoron ata qe e mbrojten qyteterimin europian ne ditet me te veshtire.

  3. Baliu says:

    Mire qe nuk e paska permendur drejtperdrejt at akardemikun austriak Oliver Schmitt. Austriaket edhe pse kan qene perandori ku qdo gje eshte planifikuar dhe evidentuar me hollesi, edhe sot e kesaj dite nuk e dijne se si eshte dukur Mozart-i dhe ku eshte varrosur. Mozart-i ka jetuar ne gjysmen e dyte te shekullit XVIII, kurse Gjergj Kastrioi ne gjysmen e pare te shekullit XV. Sot austriaket fitojne miliona nga muzika e Mozart-it, pavarsisht se nuk jan interesuar se ku po varroset. Mandej thuhet se muziken e Mozart-it ne te vertete e ka shkruar motra e tije. Oliver Schmitt me mire le te meret me historine austriake, e mandej me ate te fqinjeve.

  4. Panteri says:

    Ku eshte komenti im.ketu?

  5. Denis says:

    Aq figure e forte ishte Skenderbeu real. Sa dhe Kruja qe gjoja ishte besnikja e tij dhe kryeqendra e tij. I tha ik pirdhu. Perndryshe Kruja nuk do te ishte qytet Bektashi. Ku bektashizmin si fe e kishin veten trupat jenicere . Qe ishin trupat ushtarake speciale te perandorise.Dmth Kruja ishte po aq besnike ndaj sulltanit sa dhe vete jeniceret .Jeta e Skenderbeut ka qene jete ferrash duke u fshehur. Perndryshe nuk do te jetonte pa u vrare. Fati i tij qe jetoj ishte se ne ate kohe nuk kishte dron.

    1. ben says:

      Denis-mos fol gomarlleqe. Kruja dhe krutanet u bene myslimane ashtu si pjesa tjeter e shqipetareve ne shekullin e XIX, ndersa Skenderbeu vdiq ne 1468, pra ne shekullin e XV.
      Sa per ate qe thua se “Skenderbeu paska jetuar ferrave”, me sa duket “ferren” e paske mikrob, se atje ka lindur nje bastard si puna jote. Zvarraniket e tipit tend, nuk mund te perlyejne nje figure aq te larte sa ajo e Skenderbeut.

  6. Luftulla Peza says:

    Iskanderbeu esht personi ndofta me i mad i mesjetes jo vetem per ne shqiptaret por pr Europen. Pa te e shqiptaret popull luftetar zor se Europa plake nuk do ishte sundu nga osmanet. Prandaj n Londer tek busti i Iskaderit te madh shkruhet ‘defender of western civilisation’ mbrojtes i qyteterimmit perendmor ppp

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje