FOTOT: Anijet turistike nisin udhëtimet drejt Sazanit dhe Karaburunit,

12 Korrik 2020, 09:10Turizëm TEMA
FOTOT: Anijet turistike nisin udhëtimet drejt Sazanit dhe Karaburunit,

Sazan-Karaburuni, i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, që ndodhet në Vlorë, me një shtrirje detare rreth 1,9 km vitet e fundit është kthyer në një destinacion turistik, ku vizitorë të shumtë vendas e të huaj udhëtojnë me anijet turistike që nisen nga porti i Vlorës.

Edhe këtë vit në qytetin e Vlorës anijet e vogla turistike të ankoruara në Portin Detar kanë nisur tashmë udhëtimet e para drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Drejtori i portit të Vlorës, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “që pas heqjes së izolimit anijet turistike në portin detar kanë nisur tashmë udhëtimet e para drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Vetëm gjatë kësaj fundjave kanë udhëtuar drejt Sazan-Karaburunit mbi 600 turistë vendas e të huaj”.

“Pjesa më e madhe e turistëve janë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Nga turistët e huaj mbizotërojnë ata nga Bjellorusia, të cilët kanë ardhur me çartera në Shqipëri dhe kanë preferuar të vizitojnë Sazan-Karaburunin, ku kanë shijuar  bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone”, – tha Malaj.

Drejtori i portit të Vlorës u shpreh se “operatorët turistikë të cilët zgjedhin të nisen nga Porti i Vlorës drejt destinacioneve atraktive si Karaburuni dhe Sazani, deri tani kanë 7 anije turistike që po operojnë, një numër më i ulët krahasuar me vitin e kaluar kur ishin 13 të tilla, kjo edhe për shkak të pandemisë COVID-19”, – tha Malaj.

Sipas tij, turistët gjatë udhëtimit me anije zbatojnë masat duke përdorur maskat dhe qendruar në distancë nga njëri tjetri.

Udhëtimi ma anije iu ofron mundësi reale turistëve për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në gjirin e vogël detar të Shën Vasilit, që ndodhet në pjesën e brendshme të gadishullit të Karaburunit, në faqen veriore të tij, natyra është treguar e pakursyer. Plazhi i virgjër dhe gjelbërimi kryesisht i ulët, përfaqësojnë një raport vlerash natyrore të pakrahasueshme.

Biodiversiteti, peizazhi dhe kultura e kësaj zone janë unikale për Mesdheun dhe për këtë arsye Parku prej vitit 2015 është pjesë e Zonave Veçanërisht të Mbrojtura në Mesdhe (SPAMI), sipas Konventës së Barcelonës.

Në të jetojnë të paktën 36 lloje detare, të cilat janë me rëndësi ndërkombëtare dhe që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Në shkallë kombëtare, rreth 75% e llojeve të rrezikuara të kafshëve detare, janë regjistruar në zonë.

Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje