DOSSIER/ Burg sepse tha që në Angli jetohej më mirë

Ky nuk është skenari i një parodie. Është realiteti i viteve të diktaturës, i sjellë në dokumentin e një vendimi gjykate, ku argumentohet se i pandehuri Halil Driçi, duhet të dënohet me 7 vite burg, sepse ka thënë që “në Angli jetohet mirë”, “pagat janë të larta” dhe “të rinjtë mund të shkojnë ku të duan”

Halili, ishte një burrë në moshë, kur u rikthye në atdhe pas 28 vitesh të kaluara në Londër. Kishte shkuar atje me familjen mbretërore, si pjesë e oborrit, pasi ata ikën nga Shqipëria, por kishte qëndruar edhe pas largimit të tyre për në Egjipt. Më në fund, shteti shqiptar, e kishte lejuar të kthehej dhe Halili, pa një familje të tijën, u vendos në fshatin e të parëve, duke qëndruar me të afërmit që kishin mbetur në Zenisht. Mendonte të bënte një jetë të qetë në vendin e tij, pasi kishte parë e jetuar shumë gjatë qëndrimit me familjen mbretërore nëpër shtete të ndryshme e veçanërisht në Angli, por asgjë nuk shkoi siç e kishte imagjinuar. Ajo që ndodhte në Shqipëri ishte e vështirë të imagjinohej nga jashtë saj…

Ai do të vinte re menjëherë kushtet e vështira të jetesës dhe padrejtësitë që rëndonin shpatullat e shqiptarëve dhe pa arritur të perceptonte rrezikun, ose duke e sfiduar atë, i shprehte me zë të lartë pakënaqësitë. Ishte duke luajtur me zjarrin dhe nuk mund të mbetej pa u djegur. Në qershor të 1976-ës, në moshën 66 vjeç, Halil Alia Driçi, arrestohet dhe në tetor të atij viti, dënohet me 7 vjet burg “për agjitacion dhe propagandë armiqësore kundër partisë dhe pushtetit popullor…”

Historinë e Halilit e ka përshkruar në një pasazh, poeti Xhavit Gasa, i cili ka mundësuar për kujto.al, edhe vendimin e trupit gjykues të Gjykatës së Matit, ku argumentohet dënimi i ish-oborrtarit.

Halil Alia ishte një shërbyes i mbreti Zog, me arsim fillor, që kishte nisur të ndihmonte në oborr që në moshë të re pa asnjë ndikim në vendimet e mbretit, përfshirë dhe atë të largimit nga Shqipëria, të vlerësuar si tradhti. Kjo ishte e qartë edhe për pushtetin komunist që e lejoi kthimin e tij në atdhe dhe nuk e dënoi fillimisht, duke e paraqitur si zemërgjerësi, mirëpo kur ai doli në gjyq, e kaluara do të thirrej për t’i dhënë peshë dënimit. Megjithatë akuza ndaj tij, për të cilën u kërkuan 7 vite burg, nuk kishte të bënte me të kaluarën, por me “aktivitetin kriminal” pas kthimit në atdhe, kur i pandehuri ishte shprehur pozitivisht për jetën në vendet kapitaliste duke e krahasuar me vendin tonë. Edhe pse shpesh akuzat sajoheshin, për Halil Driçin, ishin të vërteta. Siç shkruan në dëshminë e tij Xhavit Gasa, Halili, vërtet, ankohej për pagën e ulët të kooperativistëve, bukën e misrit, apo sapunët e zinj…gjëra thelbësore, ose vogëlsi që në tërësinë e tyre përbënin jetesën e vështirë, që duhej të përballonin veçanërisht ata që banonin në fshatra. Mirëpo, ai tashmë, jetonte në një vend ku nuk mund të thoshte çfarë mendonte. Në fillim e demaskuan para fshatit. Ca vite më vonë, edhe pse në moshë të thyer, e arrestuan dhe e dënuan me burg.

“I pandehuri me të zbritur në vendin tonë ka filluar të agjitojë dhe të propagandojë. Megjithatë, që atij t’i jepej edhe një herë mundësia të hynte në rrugën e drejtë, mbasi kapet nga vigjilenca e popullit, ku ai punonte e jetonte, para fshatit Zenisht dt.21.6.1968, demaskohet nga populli, por koha tregoi që ky armik nuk hoqi dorë nga aktiviteti armiqësor derisa u arrestua. …Kështu në një kohë të gjatë ka jetuar në Angli. Në bisedat që ka zhvilluar me dëshmitarët, u ka shprehur gjoja jetën e mirë që bëhej në vendet kapitaliste sidomos në Angli, duke krahasuar jetën që bëhet në vendin tonë. Kështu ai, dëshmitarëve të mësipërm, u ka shprehur se në Angli jetojnë shumë mirë, paguhen shumë mirë, duke marrë rroga të mëdhaja, se pushimet janë 6 javë dhe këtë e ka krahasuar me vendin tonë ku punëtori ka vetëm 15 ditë…I pandehuri nëpër biseda mburr sistemin kapitalist anglez duke e krahasuar me vendin tonë, se qytetarët kanë të drejtë të shkojnë ku të duan, nga një shteg në një tjetër, ndërsa këtu nuk të lënë të lëvizësh dhe se rrogat janë të mëdhaja, kurse këtu sipas tij, nuk të del për të jetuar, se aty rinia bën qejf dhe ata shkojnë ku të duan…Sipas të pandehurit këto janë liri që i mungojnë rinisë sonë. Harron i pandehuri se kjo nuk është “liri”, por kësaj i thonë degjenerim që vendet revizioniste-kapitaliste me qëllime të caktuara për të shkëptur rininë nga jeta politike-shoqërore e kanë degjeneruar rininë në rrugën e aventurave të degjenerimit moral për të mos pasur telashe”, thuhet në vendimin e gjyqit.

Në ato tri faqe të daktilografuara, do të përsëriten disa herë fjalët “sipas tij”, si një garanci që niveli më i lartë i jetës dhe liritë e qytetarëve në vendet perëndimore, ishin vetëm trillime të të pandehurit pa asnjë bazë të vërtetë. Sipas dëshmive, ai ka thënë edhe se “në vendet kapitaliste mund të flasin çdo gjë, kanë lirinë e shtypit e të fjalës e mund të shash udhëheqësit, kurse sipas tij këtu nuk mund të thuash asgjë”. Trupi gjykues vazhdon të shpjegojë se ky është një shtrembërim i qëllimshëm i realitetit nga ana e të pandehurit dhe jep motivet e këtij qëndrimi. “Shkaqet dhe motivet që e kanë futur të pandehurin në rrugën e kriminialitetit janë vetëm predispozicioni i tij thellësisht armiqësor kundër pushtetit popullor, me qëllim për ta pëmbysur atë sepse ai rrjedh nga një familje që ka përbërje të keqe politike”.

Dhe si përfundim, prej “rrezikshmërisë së theksuar të veprës” meqë ai ka “dëshiruar dhe lejuar minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor”, por duke pasur parasysh edhe “personalitetin e tij i cili ka qenë një vegël besnike e satrapit Zog”, Gjykata vendosi dënimin me 7 vjet burg. Pas 5 ditësh, ky gjykim mori formë të prerë.

Për vitet e burgut të Halilit nuk dihet thuajse asgjë, por ajo që dëshmojnë njerëzit që e kanë njohur, si poetët Xhavit Gasa apo Basir Bushkashi, tregon se përndjekja vazhdoi edhe pasi doli që andej. Duke mos dashur t’u prishte punë të afërmëve, filloi të jetonte vetëm, por vazhdimisht ishte pre e plaçkitjeve, sulmeve dhe rrahjeve. Halili, që ende besonte në ligje dhe drejtësi, ankohej, por askush nuk ia vinte veshin. I moshuar dhe i keqtrajtuar, ai ndërroi jetë në spital dhe u përcoll nga një grup i vogël njerëzish. Ishte i dënuar, që edhe banesën e fundit ta kishte të veçuar, siç kishte pasur vitet e fundit të jetës.

6 komente në “DOSSIER/ Burg sepse tha që në Angli jetohej më mirë”

  1. eeeeeeeeeeeeeeej says:

    Edhe sot ne Angli jetohet me mire se ne Shqiperi, ku eshte problemi ketu!? Ky Halili paska qene debi!

    1. Tuk Tuk says:

      Pordhe me rrigon,ne Sheffield dhe shume zone ne veri eshte si afrika ,Anglia ka low class ku njerzit ne veri vdesin ne te 40at ,,ne Shqiperi ka fukarallek Po jo qelbes si ne angli apo shtepi aq te dhiera si ne angli..
      Une jetoj qe nga 93 ne angli kur ishin 20 Shqiptare ne londer pa ardhur gjysma e kukesit dhe e kosoves…nuk krahasoj shtetet se nuk jam trap se dihet forca e angli se si shtet,por Shteti as qe I plas per getot e fukarenjve qe presin chekun te ushqehen ,po per fukarrallek ne Shqiperi ha dhe buke e djathe e ja fut dhe nje not e del dhe nje xhiro malit,ne angli te ha kolera pak nga koha pak nga ushqimi I keq…pasi vodhen gjysmen e botes anglezet nuk kishin llogarite qe sklleverit e tyre te ju merrnin ishullin e tyre qe nuk prodhon asgje,dhe ushqehet me gatimet alla Pakistan…fatkeqesisht ne angli ka rreth 6 milione qe i ushqen shteti dhe vdesin 40 vjech nga ushqimi I keq dhe te ftohtit..ka dy angli ajo per te pasur dhe klassen e mesme dhe anglia e pijaneceve qe nuk ngopin barkun me buke…ne 76 kur eshte kthyer ky Zogisti Anglia ka Qen me keq,dhe gjysma e shtepive e kishin halen ne kopesht ky eshte fakt.

      1. Pordhe me rigon says:

        And yet you still live there Tuk Tuk,

        Kur eshte kaq keq Anglia dhe parajse Shqiperia pse nuk kthehesh

        1. i cudituri says:

          O TORROLLAK, ne Angli si ne gjithe boten ka njerez qe jetojne mire ka te tjere qe jetojne keq! Keshtuqe secili ben zgjedhjen e vet. Kuptove o idiot?

  2. h says:

    Breshka kërkon ferrë.
    Nga xhesti që u kthye nga londra ne fshat,meritonte 50 vjet heqje lirie.

    1. Yyyyyyyyy says:

      Per trapa si puna jote, natyrisht …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *