“Lëvizja donkishoteske që filloi në Lushnje dhe tentoi të përhapej në Fier": Si e pasqyroi shtypi i Monarkisë, kryengritjen e 1935-d

19 Gusht 2020, 19:55Dossier TEMA
“Lëvizja donkishoteske që filloi në Lushnje dhe tentoi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Lëvizjes së Fierit e ndodhur më 16 dhe 17 gusht të vitit 1935, ku një grup ish-ushtarakësh të lartë të Monarkisë me në krye kolonel Ali Shefqet Shkupin dhe Ramiz Dibrën, në bashkëpunim me Edip Pustinën, Toger Musa Kranjën, Kostë Çekrezin, etj., tentuan dhe filluan një kryengritje të armatosur antiqeveritare, duke marrë fillimisht nën kontroll ndërtesat e zyrat e nënprefekturës së Fierit dhe duke u drejtuar më pas në qytetin e Lushnjes, por aty u shpërndanë nëpër fusha dhe fshatra, pasi hasën në rezistencën e fortë të Rrethkomandantit të Xhandarmërisë së saj, Gjek Marashit. Si e pasqyroi shtypi i Monarkisë së Zogut atë ngjarje që njihet si Kryengritja e Fierit, ku mbeti i vrarë nga forcat kryengritëse, gjenerali me origjinë hungarezo-kroate, Leon de Gjilardi, një nga besnikët e Mbretit Zog, i cili më pasdo të varrosej me nderime të mëdha në Kalanë e Prezës.  

Nga Dashnor Kaloçi

85 vite më parë, në pasditen e 16 gushtit të vitit 1935, në qytetin e Fierit shpërtheu një kryengritje e armatosur, e cila kishte për qëllim rrëzimin e regjimit monarkik të Mbretit Zog. Ndonëse iniciatorët e asaj kryengritjeje, që filloi papritur dhe para kohës së caktuar më parë, ishin togeri Musa Kranja që asokohe shërbente si ndihmës-rrethkomandant i Fierit dhe publicisti e gazetari i njohur, Kostë Çekrezi, autorët e vërtetë dhe “truri” i asaj kryengritjeje qëndronin në Tiranë, e në disa rrethe të tjera të vendit. Ndër krerët kryesorë të saj ishin disa ish-oficerë madhorë të liruar dhe në pension, apo dhe aktivë si Ali Shefqet Shkupi, Ramiz Dibra, Riza Cerova, Mustafa Kaçaçi, etj., si dhe shumë civilë si Ramiz Omari, Shefqet Hekali, etj. Menjëherë pas shtypjes së kryengritjes, forcat qeveritare filluan arrestimet në të gjitha qytetet dhe krahinat ku kishte persona të implikuar direkt në atë ngjarje, të cilët më pas i’u dhanë “Gjyqit të Lartë për faje politike”. Ai gjyq ku në bankën e të akuzuarve u ulën disa qindra persona, zgjati afro një vit me radhë dhe krerët kryesorë të Kryengritjes së Fierit, fillimisht u dënuan me vdekje, por më pas atyre i’u fal jeta me dekret të posaçëm të Mbretit Zog dhe dënimet i’u zbritën, duke filluar nga 101 vjet e poshtë. Kjo ngjarje, e cila është jo pak e njohur në historinë e Shqipërisë, pati një jehonë të madhe edhe në shtypin e Monarkisë së Zogut, ku mjaft gazeta të atyre ditëve e pasqyruan atë me hollësira dhe detaje, madje duke bërë edhe reportazhe nga vendi i ngjarjes, Fieri dhe Lushnja, ku pati luftime në mes forcave kryengritëse dhe atyre qeveritare. Një ndër ato gazeta që pasqyroi gjerësisht ngjarjen, ishte “Vatra”, me botues Timo Dilon, prej së cilës Memorie.al ka përzgjedhur dhe po japim të plota disa prej artikujve të saj, duke i publikuar ato pa asnjë ndryshim dhe me gjuhën e shkruar të asaj kohe.

Pasqyrimi i Lëvizjes së Fierit nga gazeta “Vatra” me botues Timo Dilo

Lëvizja donkishoteske e Fierit u shtyp brenda një kohe shumë të shklurtër.

Lëvizja filloj në Fier ditën e Mërkurë mbasdreke.

-Tentativa për të zaptuar Lushnjen dështoj nga rezistenca e fuqive dhe ndihma e arritur.

-Gjenerali de Ghilardi që u vra ndodhej në Pojan.

-Trupi i tij do të varroset sot në Kështjellën e Petrelës.

Përveç gjeneralit dhe shoferit kurrkush tjatër s’është vrarë

Lëvizja donkishote që u shënua të mërkurën mbasdreke në Fier dhe që u tentua të përhapej edhe në Lushnje, po merr atë mënyrë që filloj kështu edhe dështoj brenda një kohe të shkurtër. Donkishotët e Fierit, kur u gjendën karshi fuqive qeveritare, u shpërndanë në një mënyrë të turpshme dhe dikush tue u hedhun në hendeqe dhe dikush tjatër tue marrë vrapin përmes fushave, i dhanë fund mizorisht lëvizjes së tyre kundrejt autoriteteve legale të vendit. Lëvizja reaksionare u shënua për herëe të parë në Fier, aty nga ora 8 e mbasdrekes. Ndihmësi i Rrethkomandantit të këtij qyteti, toger Musa Rustem Kranja, me disa shokë të tjerë, prenë vijat telefonike dhe deklaruan veten e tyre autoritete supreme të qytetit…Mbas këtij…zaptimi triumfonjës, u nisën për në Lushnje, të cilën shpresonin se e kishin për të shtirë në dorë pa asnjë përpjekje.

Mierpo këtu gjetën një rezistencë të fortë nga ana e Rrethkomandantit Gjek Marashit, të ndihmuar edhe prej vëllait të tij, Llesh Marashit, i cili u gjent atje me rastin e shënimit (emërimit, shënimi ynë), si Rrethkomandant i ktij qyteti. Midis dy palëve, u zhvillua një përpjekje e cila filloj nga ora 22 e së Mërkurës dhe mbajti gadi tri orë. Të dy vllazrit Marashi bashkë me fuqinë e vogël që dispononin, mbajtën një rezistencë të fortë. Ndërkaq në ndihmë të autoriteteve të Lushnjes arriti fuqia qeveritare, dhe kur donkishoptët e Fierit muarën vesh se arriti ndihmë ushtarësh, u thyen në mënyrë qesharake. Disa nëpër hendeqe dhe disa të tjerë përmes fushave përfunduan andej e këndej dhe fuqia qeveritare u bë kështu e zonja e situatës.

Për të kuptuar se sa qesharake ishte lëvizja e tyre. Mjafton të shënohet se nga të dy anët nuk u shënua asnjë i vdekur dhe as që u plagos dikush. Vrasja e inspektorit të ushtrisë De Ghilardi bashkë me shoferin e tij, e cila prodhoi hidhërimin më të madh në Tiranë ku i ndjeri gjeneral gëzonte stimën më të madhe dhe simpathinë e përgjithëshme, kualitetet e tij dhe me gjithë që ishte prej origjine e huaj, e ka dashur dhe ka luftuar heroikisht për vëndin t‘onë, u bë të Mërkurë mbrëma. Inspektori kishte vatur në Pojan për të vizituar Museumin e antikave dhe tue udhëtuar nga Pojani në Fier, u qëllua me pushkë dhe mbeti i vrarë bashke me shoferin. Trupi i gjeneralit u suall në Tiranë dje natën. Po bëhen përgatitjet të posaçme për funeralin e tij. Simbas informatave që kemi, gjenerali do të varroset në Kështjellat e Petrelës, simbas dëshirës që kishte çfaqur prej kohe.

Siç e thamë edhe në numrin e djeshëm, qeveria ka arrestuar një numër të madh prej shtytasve të lëvizjes reaksionare, dhe të gjithë këta do të gjykohen nga gjyqi i posaçëm. Me qenë se hetimet nga ana e autoriteteve janë tue vazhdue, tash për tash nuk mundemi të japim. Vetëm shënojmë se Qeveria me sa kemi marrë vesh ishte në dijeni të lëvizjes së përgatitur, dhe një takëm prej kryetarëve të të lëvizjes vëzhgoheshin prej kohe. Ka shumë të ngjarë që lëvizja të jetë bërë përpara kohës së caktuar prej tyre mbasi do të kenë konstatuar se ndiqeshin prej autoriteteve, dhe për të moz u zënë prej këtyre në kohën e duhur, nisën lëvizjen. Qetësiua mbretëron në të gjitha viset e Mbretërisë, komunikasjoni, i prerë pak kohë më parë nga ana e kryengritësave, tani është në rregull të plotë.

“VATRA” në vëndin e kryengritjes (Reportazhi)

Qysh filloi e mbaroi lëvizja Kranja-Cekrezi?

Arrestimi i nënperefektit

-Marja e pushkave nga depoja

-Kundërshtimi i Kap. Vas Kirit

-Thirrja e parisë së nënprefekturës

-Cekrezi fshihej prej dy ditësh në shtëpinë e Kranjës

-Ardhja e Gjen. Ghilardit dhe urdhri “zjarr” i Kranjës

-Kush e ekzekutoi urdhërin

-Komisjoni për qetësinë e vendit”

-Fjalimi i Kranjës dhe Çekrezit

-Cekrezi përshëndet allanacionalista

-Arrestmi i kap. Edip Pustinës

-Dështimi i sulmit të Lushnjes

-Mbrojtja heroike e 6 oficerëve dhe 24 xhandarëve dhe ushtarëve

-Humbja e sulmuesëve dhe ikja e tyre e turpshme

-Grabitin të hollat e Post-Telegrafës

-Fajtorët kryesorë ikin për në Divjakë me anë të Libofshit

-Fieri në duar të qeverisë.

Qetësia është e plottë

Reportazh i Xhem Xhemit që shkoj postafat në Fier

Fier 17 Gusht

Otomobili i parë që u nis nga Tirana për në Fier mbas shtypjes së lëvizjes komiko-tragjike, ka qenë vetura me të cilin unë i nënshkruari shkova postafat në vëndin e ngjarjeve për të mbledhur informata të sakta dhe të plota që të vihen kështu në korent këndonjësit e gazetës s’onë mbi të gjitha hollësirat e lëvizjes. Si çdo ditë tjatër edhe dita e Mërkurë ishtre e qetë në Fier. Nënprefekti z. Hasan Lame bëhej gati të lënte përgjithmonë qytetin për të shkuar në Vlorë, dhe s’andejmi në Peqin ku është transferuar. Nëntoger Muhamet Luzati, ndihëms Rrethkomandant i Xhandarmërisë, është në krye të detyrës dhe herë herë tue bërë shëtitje. Aty këtu shkëmbente ndonjë fjalë me një reshter dhe një civil, një farë Hekurani. Populli vazhdon punën i qetë.

Nënprefekti nën arrestim (Si ndodhi ngjarja)

Vjen mesi i ditës, nënprefekti urdhëron për një shërbim një xhandar, ordinancën e tij. Po shërbimi s’mbarohet se Nëntogeri e takon në rrugë dhe i heq vërejtjen dhe pastaj e urdhëron që të marrë me vete armën. Hasan Lamja e pret dhe shkojnë orë që s’vjen. Kalon ora dy, Nëntogeri vjen dhe takohet me Nënprefektin, dhe bashkë me këtë ecin në sheshin e gjerë karshi godinës së postës. Ndërkohë që hasi në kundërshtimin e z. Lame, Kranja e deklaron nën arrestim. Një reshter që mbante me vete Nëntogeri urdhërohet ahere që të shkojë në shtëpinë e Kranjes dhe të lajmëroi Kost Çekrezin se nënprefekti është nën arrestim, ndërsa një xhandar shoqëronte Hasan Lamen në një shtëpi ku u vu nën roje.

Del Kostë Çekrezi

Nga informatat që mblodhëm, Kostë Çekrezi gjendej prej dy ditësh në Fier dhe mbahej i fshehur në shtëpinë e Nëntogerit dhe dolli në piacë ahere kur u lajmërohet për arrestimin e nënprefektit. Lëvizja tani në piacë fillon të bëhet e dukshme. Disa xhandarë dhe civilë venë dhe vinë, kuvendojnë më Nëntogerin, ky me Çekrezin dhe pastaj Kranja shkon në depon e armëve të paraushtarakëve. Kur hyri brenda, vjen kapiteni i ushtrisë, Vas Kiri dhe kërkon shpjegime për hyrjen pa leje në depo. Nëntogeri e arsyeton me një urdhër superior, por Kiri kundërshton dhe ahere edhe ky arrestohet dhe dërgohet nën roje në një shtëpi.

Thërritet përësia

Ora është pothuaj pesë mbasdreke. Disa civila duken që ecin rrugëve me qetësi dhe arrijnë tek sheshi para Nënprefekturës ku janë mbledhur gati njëzet vet nga parësija. Musa Kranja u shpjegon qëllimin e thirrjes, Iu thotë se atë ditë do të shpallet në të gjithë Shqipërinë kryengritja. “Unë e shpall këtë këtu dy orë më parë”, – tha midis të tjerave Nëntogeri. “Të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat janë të lidhura për këtë veprim dhe sonte më orën nëntë fuqitë kryengritëse do të hyjnë në Tiranë. Duhet pra, dhe populli i Fierit të marrë pjesë në këtë kryengritje”. Kur po mbaronte fjalimin Nëntogeri, dy tre civilë bashke me kaq xhandarë, vinë me vrap përpara gjindjes dhe lajmërojnë Kranjën se gjeneral Ghilardi erdhi me otomobil.

“Zjarr”! Kundër gjeneralit

Nëntogeri s’kërkoj hollësira për urdhëroj: “Zjarr”! Lajmëtarët kthehen menjëherë dhe drejtohen te automobili i gjeneralit që kishte ndaluar në sheshë dhe pikërisht parapara disa dyqaneve të vegjël dhe kafehaneve që janë në sërën e godinës së nënprefekturës. I pari që qëlloi kundrë gjeneralit, simbas informatave që mblodhëm, ka qenë civili Hekurani. Ky iu afrua shumë afër dhe shtiu me pushkë të gjatë në gjoksë. Pastaj na thanë se qëlloi dhe një reshter dhe disa civila të rretheve me revolver. Pastaj vranë dhe ordinancën. Gjenerali, siç muarmë vesh, erdhi në Fier për të shkuar pastaj në Pojan me rastin e panairit që do të zhvillohej të nesërmen.

Flet Çekrezi

Kur mbaroi fjalën Kranja, dolli në ballkonin e nënprefekturës, Kostë Çekrezi dhe filloi të mbajë një fjalim. Në këtë çast, filloj diskursin “guvernator” i Fierit – se me këtë cilësi e paraqet veten e tij Kostë Çekrezi – vrasjen e Gjeneral Ghilardit, kështu po vë re populli i Tiranës vrasjen e Abduhraman Matit (Lalë Krosit, shënimi ynë), të Musa Jukës, të Abdurahman Dibrës dhe të tjerëve. Kryengritësit janë të zotët e të gjithë Shqipërisë”… – Dhe pastaj ftoj edhe popullin Fierit që të bashkohet me ta. Mbas pak, me instruksionet e Nëntogerit, u formua nga parësija e thirrur e Fierit, një komision që u quajt “i mbajtjes së qetësisë”. Përpara këtij komisioni Kranja dhe Cekrezi jepnin hollësira. Dhe thoshte se pritej të vinte ushtria në ndihmë të tyre prej Berati dhe Vlorë, edhe se ata bënin përgatitjet për të zaptuar Lushnjen.

Kapiten Pustina nën arrestim

Kur komisioni ishte mbledhur në një nga sallat e Nënprefekturës, mori vesh se po arrinte në Fier, Qark-komandanti i Beratit, Kapiten Edip Pustina. Dhe ishte ora më tepër se shtatë mbasdreke. Simbas informatave t’ona, Kapiten Pustina u urdhërua nga Prefekti i Beratit që të merrte në dorzim komandën e rrethit të Fierit. Kapiten Pustina shkoi të merrte detyrën, por u vu në arrestim dhe shoqërohet edhe ky nën roje në një shtëpi. U vunë kështu nën arrestim: Nënprefekti, Hasan Lame, kapiten Vas Kiri dhe kapiten Edip Pustina.

Qetësia e qytetit

Mbasi u largua kap. Pustina, Musa Kranja rekomandon komisionin për të mbajtur qetësinë mbasi ay me shokët e tij do të nisej për të zaptuar Lushnjen dhe i vë komisionit në dispozicion pesë gjashtë xhandarë dhe armë. U formuan kështu patrulla me dy civilë dhe një xhandarë secila, dhe gjithë natën këto vinin rreth qytetit. Para se të ikte Nëntogeri, i rekomandoj komisionit që të tre të arrestuarit të mos pësojnë asnjë gjë të keqe dhe nënpunsit të telefonit të mos çelej dhe as të pranojë komunikasjon me asnjë vënt dhe personë.

Drejt Lushjes

Kur u nisën për të zaptuar Lushnjen, ora do të ishte nëntë. Si udhëheqës ishte Nëntogeri, Çekrezi dhe disa të tjerë, dhe gjatë rrugës duket se muarën dhe katundarë dhe kështu me një fuqi prej 200 e ca vetash, me kamjone dhe otomobila u nisën për në Lushnje. Ndërkaq Lushnja e kishte marrë haberin e lëvizjes së Fierit dhe nisjen e ktyre për në Lushnje. Fuqia qeveritare e këtij qyteti, përbëhej prej 24 xhandarësgh dhe ushtarësh, dhe prej 4 oficerësh, Togerët Sulejman Hosceka, Xhemal Rustemi dhe nëntogerët Muhamet Luzati e Isa Drishti. Në kohën që kishte arritur lajmi i lëvizjes dhe katër ioficerët përgatiteshin të merrnin masat për rezistëncë, arrijën nga Shkodra vllazrit Gjek e Llesh Marashi, që të dy kapitenë të Xhandarmërisë, respektivisht, Rreth-Komandantë të Lushnjes dhe të Fierit.

Betimi për Mbret

Vendosën të gjithë me rezistue gjer në vdekje dhe tue përsëritun edhe njeherë betimin për Mbretin, rreshtojnë nga të gjitha anët e godinave të nënprefekturës dhe të presin. Aty nga ora 11 e natës ja që po dëgjohen zhurma kamjoni dhe otomobila nga rruga e Lushnjes, dhe kur i ofrohen gati 1000 metra qytetit, dritat e otomobilave fiken. Janë kryengritësit. Komandën e mbrojtjes e ka në dorë Gjek Marashi, si më i vjetri dhe me cilësinë e Komandantit të Garnizonit. Kur rebelat afrohen dhe hyjnë në oborrin e godinës nga ana e Lushnjes dhe afrohen te porta kryesore e saj, kërcet një batare. Kryengritësit me zëra të nalta ftojnë oficerat trima dhe besnikë të dorzoheshin se mbrojtja e tyre ishte e kotë, mbasi përveë Lushnjes, të gjitha viset kishin rënë në duart e tyre. Kësaj ftese dhelparake iu përgjigjën me brohoritje për Mbretin dhe pushka kështu filloi menjeherë. Harruam të shënojmë se bashkë me xhandarët e Lushnjes, që luftonin, ishte dhe konduktori, Alush Hoxha nga Shkodra. Nga fuqitë e rregullta, u hodhën 1031 pushkë. Perëndia e di se sa u hodhën nga kryengritësit.

Heroisma e oficerave

Heroisma dhe besnikëria e oficerave dhe xhandërmëve të Lushnjes, janë për t’u admiruar. Mbajtën një rezistencë të çuditëshme dhe me gjithë fuqitë gati 10 herë më shumë të sulmuesëve, mujtën t‘i bëjnë ballë sulmimit dhe të shtërngonin kështu ata të ktheheshin mbrapshtë në mënyrë të turpshme.

Ymni i Mbretit

Dy xhandarë që kishin zënë vënt prapa një muri afër portës së jashtme të hyrjes nga ana që rezervohet për xhandarmrinë, këndonin ymnin e Mbretit duke lëftuar. Anët e jashtme të godinës së Nënprefekturës janë plot vrima të shkaktura nga pushkat. Me qindra kanë këto shenja. Gjek Marashi inkurajon me zë të naltë shokët trima dhe i entuziazmon me guximin e tij.

Kryengritësit tërhiqen

Kur filloj të zbardhojë, luftimi pushon. Të hedhur nëpër hendeqe, disa ikin me vrap nëpër fusha, në mënyrë të turpshme. Ndërkaq arrinte fuqi tjatër qeveritare nën komandën e Toger. Zyhdi Cami, ndërsa nga Mallakastra populli i qarkut nën komandën e deputetit Hysni Toskës vraponte vullnetarisht dhe me shpejtësi kundër kryengritësve.

Kryetarët ikin

Në Fier s’dihej akoma se ç‘kishte ngjarë në Lushnje. Komisjoni i ngarkuar për qetësinë, po vazhdonte të interesohej për qetësinë e qytetit. Dikush aty n ga ora 5 e mëngjezit paska parë Musa Kranjën që ka hyrë me otomobil në Fier dhe të largohej mbas pak me shpejtësi. Vetëm më orën 8 të mëngjezit e mori vesh populli i Fierit se kryengritja kishte dështuar. Kështu u mësua më vonë se Kranja, Çekrezi, Hekurani dhe një reshter me shoferin Peçi Gera, u drejtuan për në buzë detin e Divjakës, me anë të Libofshit. Thuhet bile se paskan qëndruar në Libofshë për të pirë kafe. Kur arritën te roja kufizore (Roja kufitare bregdetare), nëntogeri paraqiti Çekrezin si ingjinier italian i ardhur gjoja atje për të bërë studime, dhe mbasi dha instruksione që të përgatisnin drekën, muarë rugën për më poshtë ku karshi ndodhej një benzinatë (varkë me motorr). Shoferin e lanë afër buzë detit dhe e kërcënuan me pushkë se në rast se largohej para dy orësh dhe ky nga frika s’bëri ndryshime. Harruam të shënojmë se disa na thanë se Kranja kishte marrë me vete edhe të hollat që gjendeshin në arkën e Postë-Telegrafës. Kur u muar vesh se kryetarët e lëvizjes ikën, ahere një rreshter i këshilluar nga komisioni, vate dhe lajmëroj kap. Edip Pustinën që të dilte dhe të merrte në dorëzim komandën e xhandarmërisë dhe mbas këtij duallnë dhe Nënprefekti me kap. Vas Kirin. Pastaj arriti nga Lushnja edhe titullari i Rreth Komandës, kap. I Llesh Marashi gjithashtu dhe N/kolonel Ali Rizai si komandant i operasjonit me ushtri. Gjëndja hyri kështu në normalitet dhe qetësia mbretëron kudo.

Kush ishte gjeneral Gjilardi?

21 vjet përpara binte dëshmor i detyrës një i huaj, adhuronjës i Shqipërisë, Koloneli Olandez, Thomson, prej plumbave tradhëtore të rebelëve. Në kohën që i gjithë populli Shqiptar me adhurim, mirënjojtje dhe respekt të thellë nderonte kujtimin e tij, duart gjaksore, jo me shpirt shqiptari, por me instikta krimineli lanë të vdekur Gjeneralin trim, Leon de Ghilardi, i cili la detyrat dhe gradat e tij që kishte në Imperatorinë Austriake dhe u vu në në shërbim të shtetit Shqiptar me gradat më të ulta, duke luftuar në Korçë, në Skrapar e në Lesh, dhe në malësinë e Dibrës e të Kosovës, edhe rreth Tiranës me një ideal, me një qëllim, për stabilizimin e Shtetit Shqiptar. Këto shërbime të paharushme ia çmoi Shteti dhe Sovarni t’onë August, duke e ngarkuar me detyrën e lartë të Inspektorit të Përgjithshëm t’Ushtrisë pranë Oborrit Mbretnuer. Ky është me pak fjalë Gjenerali Leon de Ghilardi, por në shpirtrat t’onë dhe të djalërisë, fytyra jote madhështore dhe triëmria legjendare do të ngelin përherë simbol dhe populli çfaq mënin e tij për kriminelët barbarë që të larguan kaq shpejt nga gjiri i tij. Dhe Drejtësia kërkon sadisfaksion. Mëshira ka kufi, sidomos kundër gjaksorëve që ngritën dorë kundër Mëmës Shqipëri, çdo ndjejnjë mëshire është krim. Prova e mëshirës atnore që e ka treguar në shumë raste shpirti bujar i Sovranit t’onë, dha konsekuenca të kundërta. Për redisivistët nuk duhet mëshirë. Shpata e drejtësisë duhet të bjerë pa mëshirë kundra të gjithë atyre. Shpata e drejtësisë duhet të bjerë pa mëshirë kundër atyre që s’kanë tjetër program në jetën e tyre, veçse të rrojnë dhe spekullojnë në kurriz të popullit inoncent, duke shtytur në aventura, që rrezikojnë ekzistencën e shtetit. Qeveria ka përgjegjësi kundrejt Shtetit dhe Mbretit në rast se tregon plogësi dhe sugjeron mëshirë për persona që janë dënuar nga nmdërgjegjia e popullit. Populli pret që Gjyqi i Posaçëm të aplikojë ligjin me rreptësi dhe pa mëshirë kundër auktorëve dhe shkakëtarëve, jo për t‘i dhënë sadisfaksjon shpirtit të Gjeneral Leon de Ghilardit, se ay atë sadisfaksjon e ka marrë me një Shqipëri të lirë dhe indipendente, por për t‘iu prerë hovi njëherë e mirë aventurave të tilla dhe që të mos ç‘thuret rruga e përparimit dhe e qytetërimit që prej dhjetë vjetësh e theu, vazhdon shteti t‘onë nën udhëheqjen gjeniale të Mbretit Zog i I.

Në ceremonitë mortore morën pjesë autoritetet më të larta të Monarkisë

Varrimi madhështor në Tiranë i gjeneral Leon de Gjilardit

Ndërmjet shkrimeve të shumta që gazeta “Vatra” me botues Timo Dilon u kushtoi ngjarjeve të Fierit, në mesin e muajit gusht të vitit 1935, një vend të veçantë ajo i rezervoi edhe figurës së gjeneralit Leon de Gjilardi, që mbeti i vrarë nga forcat kryengritëse, si dhe ceremonive madhështore të varrimit të tij që u zhvilluan në Tiranë dhe në Kalanë e Petrelës, ku u preh trupi i tij. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash, gazeta “Vatra” ka shkruar: “Funerali madhështor i gjeneralit zhvillohet nën mallëngjimin e përgjithshëm. – Mbreti i jep përshëndetjen e fundit. Dhe në orën 10 u bë funerali. Prej orës 9, trupat kishin zënë vënd para një nga pavijonet e Spitalit Ushtarak, ku ishte vendosur kufoma e gjeneralit. Në funeralin muarën pjesë N. M. e Tyre Sali dhe Hysen, Kryeministri me të gjithë ministrat, Trupi Diplomatik, deputetët e ndodhur këtu, officerat me granduniformë, nënpunësit e lartë me taite dhe cilindër (lloj veshje për raste ceremonialesh dhe kapele republike e rrumbullaket), si dhe një shumicë e madhe popull. Kurorat ishin të shumta; çquheshin ajo e N. M. Tij Mbretit, me dedikimin: “Ghilardit shokut dhe ushtarit t‘im shum trim e të vlefshëm, Zogu i I”, e Princeshave, Princ Tatit, Princave Sali dhe Hysen, Adjutantura e Mbretit, Ushtria Mbretnore, Këshilli i Minitrave, Ministri Italjan, legata Inglize, Atasheu Ushtarak Italjan, Bashkia e Fierit, Gjeneral Percy, Officerat Organizator Italjan, Bashkia e Kryeqytetit, Komanda e Gardës Mbretnore, Abdurahman Mati, Kryesia e Kishës Autoqefale Ortodhokse, Spitali ushtarak, Përfaqësia e Gruas Shqiptare, Oda e Tregtis, Shoqata SITA, Detashmenti Rua, Diprimenti Ushtarak pranë Oborrit Mbretnuer, Arma e Gjindarmërisë Mbretnore dhe shumë të tjera. Kortëzhin e çeli një togë Kalorsije mbas së cilës vinin me rradhë Banda Ushtarake me vegla në zi, Baoni (Bataljoni), “Deja”, me tri kompani dhe Flamur, Grupi i Artilerisë Divizionale në këmbë, Kurorat, Kleri. Mbas Klerit vinte Kufoma që ishte vendosur në shtrtin e një topi të tërhequr nga gjashtë kuaj të mbuluar me stof të zezë dhe një Flamur i math. Nga të dy anët ishin rreshtuar oficerat, togerat: Masar Kryeziu, Rifat Jakova, Atif Golja, Hysen Jegeni, Shaqir Muça, Nazim Baraku, Ali Feti Picari, Irfan, Rifat dhe Hektor Zaharia, Ragip Kalenja, Veli Shtylla dhe nëntoger Itball Shapllo dhe një togë ushtarësh të Baonit “Deja”, Pas arkivolit vinte një oficer që mbante dekorasjonet e Gjeneralit, dhe kali i tij mbuluar me të zezë. Në vijë të parë prapa kufomës vinin përfaqësuesit e N. M. Tij, Mbretit, Princi Sali dhe Husen, oficerat e Adjutanturës, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, Minsitrat, Trupi Diplomatik, Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, funkcjonerët e lartë të shtetit, oficerat, paria e vendit dhe popull. Kortezhi i formuuar në këtë mënyrë përshkoj rrugin e Dibrës, Bulevardin Zog, ku u ndal pakë përpara Kishës Katolike për lutjen e zakonshme, dhe duke u kthyer nga krahu tjetër i Bulevardit Zog vazhdoi për në rrugën 28 Nëndori. Me të arritur para Pallatit Mbretnuer, ndaloi për pak minuta ku kishte dalë N. M. Tij Mbreti për të përshëndetur për herë të fundit shokun dhe ushtarin e Tij trim dhe shumë të vlefshëm. N. M. e Tij, Mbreti me gjithë që përpiqej, nuk mund ta mbante mallëngjimin që e ndjentë dhe që ishte i dukshëm nhë tiparet e fytyrës së Tij. Kortëzhi vazhdoi rrugën dhe te posta e policisë së rrugës së Elbasanit ndaloi, ku Komandantio i Mbrojtjes Kombëtare, i dha të ndyerit lamtumirën e fundit me këto fjalë: “Ghilard o shok i dashtun, Me zemër të helmuar dhe me lot ndër sy vinj me të dhanë përshëndetjen e fundit. Dora mizore të çkëputi prej nesh. Re dëshmor për Shqipërinë, për Mbretin. Kujtimi juaj nuk do të harroet kurrë“.

2 komente në ““Lëvizja donkishoteske që filloi në Lushnje dhe tentoi të përhapej në Fier”: Si e pasqyroi shtypi i Monarkisë, kryengritjen e 1935-d”

  1. Lik says:

    Paska qene estrada e Fierit…haha

  2. hahahaha
    yxhym kaloqias .juve sharlatneve ju pelqen shume roli i
    Donkishotit dhe Sanco Pancos

    kehtu ehte kur kaperce nga stani ne Medie
    o bo deti kose
    i kena dhi Stanet hehe
    lopet jane te lira te kulloin ku t’i pelqej
    jetojm ne demorraci ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje