Kur gazetarët iknin nga gazeta e parë opozitare, 28 vite më parë, si u ndanë me RD dhe PD: Po përdoret nga klane të caktuara gazeta

26 Shtator 2020, 12:24Dossier TEMA

Gazetarët Arben Ruka, Genc Tirana, Vera Isaku, Ben Blushi, Armand Shkullaku, Mëhill Tanushi dhe Dritan Kaba japin për shtyp këtë deklaratë drejtuar organeve të shtypit, Radio Televizionit, përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare

Ne, një grup gazetarësh të Gazetës “Rilindja Demokratike” që jemi pjesëtarë të saj qysh në ditët e para detyrohemi të japim dorëheqjen për këto arsye:

U bashkuam si themelues në organin e parë opozitar të Shqipërisë që në fillimet e veta duke aspiruar për demokraci, liri të fjalës e të shprehjes, emancipim kombëtar e raporte të pashpërfytyruara me të vërtetën. Punuam në këtë gazetë për më shumë se një vit e gjysmë duke pasur për devizë pikërisht normat e një shtypi të lirë dhe pavarësisht prej atyre që po ndodhin, secili nga ne ndihet krenar sepse në fund të fundit në themele të kësaj demokracie që ka sot Shqipëria dhe të asaj që do të projektohet nesër, është edhe puna jonë.

Mirëpo në disa plane njëherësh, kjo gazetë nuk po i qëndron platformës dhe programit të krijimit dhe qëndrimi i mëtejshëm i yni këtu do të komprometojë reputacionin tonë ashtu si dhe emrin e mirë që kjo gazetë krijoi me fillimet e saj. Ajo që na detyron më tepër se çdo gjë tjetër që të marrim këtë vendim është fakti se çdo ditë e më tepër po ndiejmë peshën e censurës. Ndiejmë se raporti i gazetës me të vërtetën, raport i cili duhet të ishte lajtmotivi i saj si kundër theksohej në numrin e parë është thyer.

Kjo gjë ndodhi gradualisht hap pas hapi, por në fund mund të thuhet se kriteri bazë i gazetarisë, siç është profesionalizmi dhe vërtetësia, janë zëvendësuar me militantizmin. Në fillimet e para gazeta “Rilindja Demokratike”, që u projektua si organ i PD, ndaj dhe ne menduam se vartësia nga një parti demokratike do i shërbente vetëm të vërtetës, lirisë së fjalës, tolerancës e konsolidimit të një shteti demokratik. Edhe mbasi brenda PD u evidentuan grupimet e para, orientimi i gazetës u përcaktua me diapazon të gjerë që në të, të pasqyrohej diversiteti i mendimeve.

Por ky diapazon erdhi gjithnjë duke u ngushtuar derisa në një mbledhje në maj të këtij viti gazetarëve iu bë e qartë se gazeta RD është thellësisht partiake. Por, edhe këtij përcaktimi nuk iu qëndrua deri në fund. Kohëve të fundit, gazeta RD u përdor pikërisht për të sulmuar vetë anëtarët e PD, apo individë të tjerë të lidhur me të. Madje individëve të sulmuar nuk u jepej e drejta për të botuar përgjigjet në një kohë që kjo gazetë në fillim të saj për hir të transparencës ka botuar reagime nga më të ndryshmet. Lidhur me këto probleme ne kemi ngritur zërin e kemi debatuar hapur, prandaj dorëheqja jonë nuk është spontane, por rrjedhojë e mendimeve dhe ideve tona të shprehura vazhdimisht.

Megjithëse gazeta RD, si organ i PD duhet të mbrojë Qeverinë e zotit Meksi, nuk ka munguar që sipas interesave të klaneve të caktuara të sulmojë në gazetë anëtarët e Qeverisë dhe indirekt vetë Kryeministrin. Kjo strategji, me anën e së cilës vihej në shënjestër secili që konsiderohet kundërshtar dhe që s’është çudi ndonjë ditë të drejtohet edhe kundër Presidentit, nuk është gjë tjetër veçse politikë personale. Në kushtet e instrumentalizmit të këtij organi dhe të përligjes së imoralitetit politik, ne me të drejtë tërhiqemi që të mos bëhemi bashkëfajtorë dhe të mos hyjmë në kulisat e luftës së klaneve. Nga ana tjetër, gjithnjë e më tepër, në gazetën RD po bëhet normë banaliteti, i cili konstatojmë se ka rënë si epidemi në pothuaj të gjithë shtypin shqiptar.

Fyerjet, sharjet e shpifjet kundër personave të ndryshëm, të botuar këtu, që kanë për qëllim depersonalizimin e individit, janë në kundërshtim flagrant me etikën gazetareske dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Biografitë që po u shkruhen njerëzve në gazetë, ashtu si në zyrat e kuadrit të PPSH, duket sikur hera-herës tingëllojnë si kërcënime për revansh. Pra, në vend që të kultivohet një kulturë e re demokratike, nxiten instinktet primitive të hakmarrjes dhe intoleranca. Ajo që po e bën më të padurueshme gjendjen është se gjithë kjo praktikë zhvillohet në një kohë që pjesa më e madhe e stafit të gazetës nuk pajtohet me një gjë të tillë.

Pra mungon pikërisht ai element demokratik, siç është fryma kolegjiale dhe që ngurtëson marrëdhëniet e mëtejshme. Duke mos pranuar që të jemi ushtarë symbyllur, të bindur të Partisë Demokratike apo të çfarëdo lloj klani të saj, shpresojmë që akti ynë do të kontribuojë në krijimin e një shtypi të pavarur, të lirë e jashtë partiak. E theksojmë se me anën e këtij veprimi, ne nuk futemi në lojërat politike të grupimeve apo forcave të caktuara, me apo pa pushtet, pasi synojmë që shtypi të jetë objektiv, informativ e i painfluencuar nga grupimet, klanet apo individët kudo qofshin ata. Gjithashtu ndershmërisht kërkojmë që kjo deklaratë të mos shfrytëzohet në mënyrë amorale politike sikundër po shohim të ndodhë shpesh kohët e fundit./Tiranë 24 gusht 1992/KJ

3 komente në “Kur gazetarët iknin nga gazeta e parë opozitare, 28 vite më parë, si u ndanë me RD dhe PD: Po përdoret nga klane të caktuara gazeta”

  1. shoku zenit says:

    Kjo ishte Rilindja demokratike dhe partia e formuar me komunist
    Sali Tradhetarin
    Ja pra qe ne ate kohe figurat e gazetaris e kan ngritur zerin per rrezikun
    qe po i vinte demokracis ne vendin tone nga tradhetari Sali Serbi
    Kjo parti duhet te shuhet me pa tjeter

  2. Beni says:

    Largohemi- thone me te drejte- qe te mos mbetemi ushtare symbyllur te Partise Demokratike.Dhe keshtu ndodhi vertet me prejashtim e Shkullakut i cili shume shpejt u rikthye ushtar symbyllur i Partise Demokratike !

  3. Kola says:

    Do t”ia kalonim Zvicres. Por Shqoperia nuk behet me plehra, burllok

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje